Ne Serbi Varr masiv?

Në Serbi, Varr masiv?
Zyrtarë të EULEX-it sërish mund të fillojnë gërmimet për të vërtetuar nëse në vendin e quajtur Rudnicë, në jug të Serbisë, ka kufoma të 300 deri 500 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo për shkak se Grupi Punues për Persona të Pagjetur i Kosovës ka udhëtuar në Beograd, në një takim me autoritetet serbe, për të diskutuar për persona të pagjetur. Delegacioni kosovar gjatë takimit që pritet të mbahet sot (premte) në Beograd, përveç shumë çështjeve që do të diskutojnë edhe për të pagjeturit, si dhe për dyshimet për një varrë masiv në Rudnicë të Serbisë. Prenk Gjetaj, përfaqësues i delegacionit nga Prishtina, ka thënë për Express se në takimin e radhës për të pagjeturit, ata do të informojnë autoritetet serbe se pala kosovare ka informacione dhe fakte te reja se në Rudnicë dyshohet për një varr masiv, me trupa të pajetë të shqiptarëve të vrarë në kohën e luftës.

“Kemi informacione të reja , fakte e të tjera, se disa metra më larg, jo në vendin ku është gërmuar në Rudnicë, ekziston një varr masiv. Kjo do të jetë edhe një nga temat që do të diskutohet në takim”, ka thënë Gjetaj. Por, një ekip i gazetës Express qysh në vitin 2007 kishte shkuar në vendin e ngjarjes, duke fotografuar vendin ku dyshohet të jetë varri masiv.  “Do të tentojmë dhe në ditët e ardhshme të verifikojmë nëse janë të vërteta disa të dhëna se në këtë vend gjenden eshtrat që janë varrosur gjatë viteve 90-ta këtu, bazuar në pohimet e disa dëshmitarëve”, kishte thënë për Express në vitin 2007, gjykatësi hetues nga Beogradi, Milan Diplariq. Ai kishte sqaruar se nëse hetuesit gjejnë eshtra të njerëzve, do të vazhdohet me hetimet.

Në të njëjtin vit edhe zyrtarë të Zyrës për Persona të Pagjetur në kuadër të UNMIK kishin gërmuar në Rudnicë, por, sipas tyre, në atë vend nuk ishte gjetur ndonjë prej eshtrave të të vrarëve. Tre vjet më vonë, zyrtarë të EULEX kanë rifilluar sërish hulumtimet për të vërtetuar nëse në atë vend ka varr masiv.  Kristiina Herodes, një nga zyrtaret e këtij misioni, tha për Express se ky mision nuk mund të japë ndonjë informacion të hollësishëm në lidhje me këtë, por, sipas saj, për çdo gjë opinioni do të informohet me kohë.

“Tash për tash, EULEX nuk është në gjendje të japë informata të hollësishme lidhur me dyshimet se në Rudnicë mund të ketë një numër të panjohur të viktimave të luftës në Kosovë në vitet `98 - `99”, thotë Herodes për Express. Ajo ka rikujtuar se UNMIK kishte gërmuar në atë lokacion, por nuk kishte gjetur asgjë.  “UNMIK ka kryer hetimet e veta më 2007, por nuk ka gjetur asgjë. EULEX tash ka filluar hetimet e veta dhe ne jemi duke punuar në këtë rast dhe do të njoftojmë për gjithçka në kohë”, tha ajo.

Varri masiv ndodhet në një vend të papopulluar afër, mes pikave kufitare të Kosovës dhe Serbisë në një gjerësi dy kilometra. Ky varr është përmendur në dëshmitë e dhëna për autoritetet e OKB-së më 2004. Mendohet se viktimat janë varrosur fillimisht në vend tjetër, pastaj janë sjellë në këtë varr me katër kamionë në 3 qershor 1999. Prenk Gjetaj, nga delegacioni i Kosovës, tha se në Beograd pala kosovare do t`i shtrojë kërkesat për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, duke u bazuar në informacione të reja.

“Në radhë të parë ne do të prezantojmë strategjinë tonë për vitin 2010 rreth çështjes së punës së mëtutjeshme për ndriçimin e fatit të personave të pagjetur”, ka thënë ai.  Në të njëjtën kohë shoqata thirrjet e “Thirrjet e Nënave” ka kërkuar presion më të madh mbi autoritetet serbe në mënyrë që sa më shpejt të zbardhet fati i personave të pagjetur. “Informacionet ekzistojnë te pala serbe për secilin veç e veç, me emër e mbiemër, se ku janë dhe të zbardhet fati i tyre një herë e përgjithmonë”, thotë Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave”. 1 mijë e 870 persona llogariten si të pagjetur, shqiptarë të Kosovës, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama