“Sot e gjithë ditën qëndron në këtë shesh një piedestal i zbrazët. Dikur mbi atë piedestal qëndronte monumenti i idhullit të komunizmit botëror, monumenti i Stalinit i cili shprehte kudondodhjen e filozofisë së atij regjimi e njëkohësisht simbolizonte edhe pikën e referimit për Kombinatin që mbante të njëjtin emër”, u shpreh Rama. Kryetari socialist dhe njëkohësisht kryebashkiaku i Tiranës risolli në vëmendje aktin heroik të qytetarëve 19 vjet më parë, kur rrëzuan statujën e diktatorit Hoxha. “Në 20 shkurt të vitit 1991, shqiptarët kurajozë, gra dhe burra i hodhën një kavo çeliku të bërë lak në qafë, monumentit të bronxtë të Enver Hoxhës dhe e përmbysën atë, duke e tërhequr zvarrë, në një ekzaltim që ishte një përzierje ndjenjash të ndrydhura, nga më të kundërtat me njëra tjetrën dhe aty mbaroi edhe bashkëjetesa e popullit të kryeqytetit dhe e gjithë shqiptarëve me hijen e diktatorit”, u shpreh Rama. Por për kreun e bashkisë më të madhe në vend, njëkohësisht dhe numri një i Partisë Socialiste, sot 19 vjet pas shkëputjes nga regjimi më i egër, Shqipëria edhe sot është ende e pashkëputur nga hija e atij regjimi. Beteja për emancipim duhet të vazhdojë, tha Rama, duke shtuar se shteti sot, si dikur, nuk është i të gjithëve por në funksion të disa personave.
Panorama











