Rritet niveli pas hapjes se portave ne HEC-e Drini u afrohet shtepive

Rritet niveli pas hapjes së portave në HEC-e, Drini u afrohet shtëpive
SHKODËR - Shtimi i shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës është shoqëruar dhe me rritje të nivelit të ujit në lumenjtë Drin e Bunë, si dhe në fshatrat e zonës së Nënshkodrës. Në rrugën e fshatit Obot sasia e ujit e pranishme në disa pjesë të saj është rreth 50 cm, duke e bërë të pamundur kalimin me mjete të vogla.

Ky fshat është i rrethuar tashmë nga uji, i cili i është afruar banesave, por akoma nuk ka shkuar tek ato. Banorët ndjekin me shqetësim rritjen e nivelit të ujit në rrugën që lidh fshatin e tyre me pjesën tjetër të komunës dhe shprehen se deri tani askush nuk u ka ardhur në fshat për t'i pyetur për situatën apo për t'iu ofruar ndihmë.

Zef Marini, banor i Obotit, tregon se me karrocë ka mundur të dalë nga fshati për të blerë ushqime, pasi nuk i dihet situatës. "Nuk kemi hallin tonë, por bagëtitë. Kryeministri ka thënë se do na vijë në ndihmë, por këto dy ditë askush nuk ka ardhur. Ushqimi për bagëtinë ka mbaruar nga uji që na mbuloi deri rreth 2 metër para 1 muaji e gjysmë, tani edhe atë që e kemi blerë rrezikon ta gjejë i njëjti fat".


Ndërsa uji është afruar pranë banesave të Obotit, mësohet se janë 750 ha tokë që janë rivënë përsëri nën ujë. Shkarkimet nga hidrocentralet kanë rritur fuqinë erozive të lumit Drin, i cili brenda një jave ka rrëmbyer me dhjetëra dynym tokë në këtë fshat dhe këtu ka ndikuar dhe dëmtimi i argjinaturës mbrojtëse në këtë zonë.


Një situatë e tillë u paralajmerua edhe nga ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, pak ditë më parë gjatë një inspektimi të bërë në fshatrat e komunës Bushat. Banorët që kanë shtëpitë e tyre fare pranë lumit shprehen të shqetësuar për situatën në të cilën ndodhen dhe, sipas tyre, nëse do vazhdojë me këtë ritëm, nuk do t'u kursejë banesat e ndërtuara prej shumë vitesh. Prita provizore e ndërtuar një ditë më parë nga ushtria mësohet se nuk i ka rezistuar rrjedhës së lumit dhe pjesët e betonit në pjesën më të madhe të gjatësisë prej rreth 20 metrash nuk duken më, sepse i ka marrë ose mbuluar rrjedha e lumit Drin, duke iu afruar banesave, ku distanca më e afërt mes shtratit të zgjeruar të lumit dhe banesës së parë afër tij është vetëm 12 m.


"Ajo që mund të bëjë shteti tani është që, ose të na shpërngulë duke na vendosur diku tjetër, ose të bëjë një pritë të qëndrueshme që të pengojë vërshimin e ujit. Drini është lumë i egër dhe nuk mund ta komandosh, por i duhet ndalur hovi dhe ne të shpëtojmë ose të mbarojmë se këtu kemi tokë, shtëpi dhe gjithçka tjetër", shprehen banorë të Ashtës.


Në fshatin Dajç uji i derdhur nga portat e hidrocentralit ka bllokuar rrugën që lidh fshatin Shirq me atë të Darragjatit, ku sasia e ujit sipas banorëve ka shkuar rreth 60 cm. Nush Nika, banor i Shirqit shprehet se "ka dy ditë që uji ka ardhë përsëri dhe duhen marrë masa pasi dihet se argjinatura në këtë zonë është e dobët. Janë sjellë thasë, shpresojmë të mos jetë si në janar dhe shteti të marrë masa. Për 24 orë uji ka shkuar 60 centimetra".


****



Hapen portat ne Koman dhe Vaun e Dejes

Vetëm pak kohë nga katastrofa në Shkodër, si pasojë e permbytjes, rreziku duket se troket sërish në derë. Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare ka njoftuar sot se kanë filluar shkarkimet në dy hidrocentralet në Kaskadën e Drinit.

Sipas burimeve zyrtare nga kjo koorporatë, vendimi është marrë pas reshjeve të shumta që kanë rënë 24 orët e fundit e që sollën rritjen e ndjeshme të nivelit të ujërave në Kaskadën e Drinit.


Pavarësisht kësaj, kreu i KESh-, Muharrem Stojku ka deklaruar gjate nje konference per mediat, se nuk ka vend për panik dhe se situata është nën kontroll.


Ndërkohë banorët në Shkodër e shohin me shumë frikë këtë zhvillim të fundit, duke u shprehur se jetojnë me friken e permbytjeve.

Aktualisht hidrocentralin e Komanit, niveli i ujit ka arritur 172,32 meter nga 175 qe eshte niveli maksimal i lejuar, prurjet ne kete hidrocentral arrijne ne 600 m3 ne sekonde dhe shkarkohet rreth 350 m3 uje per sekonde.


Ndërkohë në Vaun e Dejës niveli i ujit eshte 75,14 meter, pak centimetra larg kuotes maksimale prej 76 metrash; prurjet jane rreth 200 m3 ne sekonde dhe shkarkohet 500 m3 uje.


Ne hidrocentralin e Fierzes, niveli i ujit eshte me shume se 291 meter dhe prurjet arrijne ne 1200 m3 ne sekonde, megjithatë në këtë anë nuk kanë nisur ende shkarkimet.

*******************


Uji fundos edhe 'garancitë' e K/Ministrit

Në kohen qe Shkodra ishte drejt permbytjes kryeministri Berisha bënte me dije se kjo gjë nuk kishte asnjë shans që të ndodhte.
Ai u shpreh se Shkodra nuk paraqiste asnjë rrezik, ndërsa alarmi për përmbytjen e qytetit sipas tij, ka qenë i qëllimshëm nga njerëz të pamoralshëm, të cilët kanë dashur të përhapin panik.

"Më 26.3.2004, janë shkarkuar 3017 metra kub në sekondë nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. Më 27.3. 2004, është shkarkuar, edhe mbi kapacitetin, 6210 metra kub në sekondë. Më 27.3.2004, - atyre që duan ta paraqesin këtë situatë si të paprecedent, nëse e bëjnë nga mungesa e memories, po ua rikujtoj, nëse e bëjnë për qëllime të mbrapshta politike, mjerë ata", u - shpreh Berisha gjatë një mbledhjeje qeverie pak ditë më parë.

Faktet tregojnë të kundërtën, pasi ditë pas dite ujërat depërtuan drejt qytetit dhe Shkodra u permbyt.

************
Sinoptika: Nuk pati 'rreshje të pazakonta'

Një nga justifikimet për situatën në Veri, ka qenë sipas autoriteteve, "reshjet e pazakonta të këtij viti në zonën e përmbytur". A është e vërtetë kjo alibi? Shifrat nuk na lenë të gabojmë. Më poshtë janë disa shifra krahasuese nga Shërbimi Sinoptik.


Është përdorur rëndom ato ditë, sidomos krahasimi me vitin e lagësht 1963.


Ky vit, eshte nje vit në të cilin nuk ishte ndërtuar rrjeti i hidrocentraleve mbi Drin (që shërben, veç të tjerash, edhe si rregullator i padiskutueshëm i prurjeve të lumenjve); vit, në të cilin, pothuaj, e njëjta zonë, është përmbytur. Bëhet fjalë për përmbytjen masive të 13 janarit 1963.


Specialistë të sinoptikës i kanë krahasuar shifrat e reshjeve dhe të nivelit të ujërave në lumin e Drinit në 13 janar 1963 (niveli i ujit në postin hidrometrik tek ura e Bahçallëkut), dhe në datat 4 dhe 5 janar të këtij viti, në të njëjtin post.


Konkretisht, në dhjetor '63-in, në Shkodër ka pasur 374 milimetra shi dhe në janarin e '64-ës, pati 424 milimetra. Në Lezhë, në dhjetorin e 63-it, pati 244 milimetra shi dhe në janarin e '64-ës, pati 495 milimetra shi.


Të dhënat e Sinoptikës saktësojnë se mesatarja shumëvjeçare për këto dy zona, është respektivisht 253 dhe 211 milimetra për Shkodrën dhe 157 dhe 154 milimetra për Lezhën. Pra, në dhjetor-janar të 46 vjetëve më parë, ka pasur pothuaj dy herë më shumë reshje se kjo mesatare.

Ndërsa, krahasimi i shifrave të reshjeve për dhjetor-janarin e tanishëm, jep një tablo krejt tjetër. Në Shkodër, në dhjetor 09´ dhe janar 10´, reshjet kanë qenë brenda mesatares shumëvjeçare, madje 1.5 deri në 2 herë më të pakta se në të njëjtën periudhë të viteve '63-'64. Në Lezhë, sa për shembull, në ditët e para të janarit, ka rënë vetëm 50 milimetra shi.


Këto janë vetëm disa nga shifrat që na dëshmojnë fare thjesht se ndikimi i reshjeve në përmbytjet e shkaktuara këto ditë, ka qenë pothuaj i papërfillshëm, shtuar këtu dhe faktin që ujërat e Drinit, disiplinohen nga tre hidrocentralet e ndërtuar mbi të.


********
K/Ministri: Patëm një dallgë, ndikoi edhe eklipsi

Duke folur për përmbytjen e Lezhës, Berisha tha gjate mbledhjes se qeverise se mund te kete ndikuar edhe eklipsi i henes.

"Ulza dhe Shkopeti janë në shkarkim. Këto hidrocentrale vazhdojnë shkarkimin, por, siç keni konstatuar dhe ju, argjinatura ka funksionuar shumë mirë dhe në rrethin e Kurbinit dhe të Lezhës. Nëse përpara nga Drini dhe Mati përmbyteshin me mijëra hektarë, ne kësaj here përmbytje kemi pasur vetëm nga ajo dallgë e fuqishme e detit. Se çfarë qe ajo, nuk u mor vesh qartë. Nuk mund ta them dot, nëse ishte një stuhi e madhe, ngrohje globale apo pati lidhje me eklipsin, pasi pozicioni i hënës ndikon në lëvizjen e ujërave të detit, por ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Ka qenë më e fuqishme në Greqi, ku ka krijuar shumë probleme. Ne nuk kemi territore të përmbytura në rrethin e Kurbinit dhe të Lezhës. Kanë funksionuar shumë mirë investimet e bëra", - tha Berisha.

ANILA DUSHI : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama