Kandidati Lulzim Basha
Tre herë radhazi ministër: i Transporteve, i Jashtëm dhe tani i Brendshëm, Basha po profilizohet si njeriu më i përshtatshëm i Berishës, për t’ia dalë në një sipërmarrje politike, që ky i fundit po kërkon ta fitojë me çdo kusht. Kjo edhe për arsyen se ai do të thyejë pikërisht mitin e fundit të Edi Ramës si kryebashkiak. Emri i tij është i lidhur ngushtë me atë të Berishës. Ky i fundit i ka mbrojtur gjithmonë krahët, dhe tani, Basha është pothuajse produkt i tij. Berisha i dorëzoi çelësat e Ministrisë së Brendshme duke e spostuar në krye të një institucioni kyç, i cili qëndron me një këmbë në sigurinë e rendit publik dhe me një këmbë tjetër në atë të pushtetit lokal. Dy detyra të reja që Basha duhet ti menaxhojë me shumë kujdes dhe këtu nuk ka vend për gabime. Në fakt tashmë asnjë në PD, nuk e fsheh faktin që Basha është pinjolli i Berishës dhe shumë herë ai është hipotetizuar se do të jetë pasardhësi i tij i denjë në krye të demokratëve. Përpara se të ngjisë shkallën e fundit, duhet të kalojë edhe disa kohë. Por mbi të gjitha duhet të kalojë provën finale, që me sa duket e ka emrin Bashkia e Tiranës. Më shumë se influenca që ka në kryeqytetin ku jeton, për pjesën më të madhe të shqiptarëve, ky post është një sprovë politike për të testuar forcat në nivel lokal.
Kandidati Erion Veliaj
Edhe pse në moshë të re, karriera politike e Erion Veliajt është ngjitur me hapa galopante. I ndodhur tani në krye të grupimit politik G99, pas një viti, do ti duhet të bëjë një betejë që do të jetë sfida më e rëndësishme e karrierës së tij deri në këto momente. Edi Rama dhe Partia Socialiste janë duke menduar seriozisht që Bashkinë e Tiranës t’ia besojnë pikërisht Veliajt, i cili në pak vite ka spikatur në klasën politike shqiptare. Fillimisht dalja publike e tij ka qenë me lëvizjen “Mjaft”, e cila në pak kohë u bë lëvizja e me madhe e shoqërisë civile kundër Qeverisë. Veliaj njihet edhe si një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ramës, çka bën të besosh, se kreu socialist do ti besonte çelësat e zyrës që mbajti për 10 vjet. Rama në asnjë rast nuk do që të humbasë administrimin e kryeqytetit dhe për faktin se do të humbiste shumë si politikisht, po ashtu dhe moralisht. Është një luftë politike, jo vetëm për bashkinë më të madhe në vend, por prapa saj fshihet edhe një duel simbolik midis njerëzve të Berishës dhe ata të Edi Ramës. Që të dy kanë jo më shumë se një vit kohë deri në zgjedhjet e ardhshme. Më mirë se Veliaj, sfidën nga e majta nuk mund ta fitonte askush. Duhet thënë që në kampin e majtë ka ende dilema për emrin përfundimtar. Në korridoret e selisë rozë po përfliten dhe emra si Spartak Ngjela, Eduart Shalsi, Blendi Klosi apo dhe të tjerë.
Rikandidmi i Ramës
Edi Rama, kohë më parë, është shprehur se do të qëndrojë vetëm tre mandate në krye të Bashkisë së Tiranës. Mirëpo zhvillimet e fundit dhe fakti që nuk fitoi dot për tu bërë kryeministër, e kanë vënë në dyshim faktin se do ti qëndrojë këtij premtimi. Nëse ai nuk do të arrijë të shkaktojë zgjedhje të parakohshme, së bashku me zgjedhjet lokale, nuk do të ishte çudi që kryesocialisti ti futej një tjetër gare për të administruar për herë të katërt kryeqytetin.
Lulzim Basha
Letrat ende nuk janë firmosur, por Basha duket njeriu i vetëm që demokratët kanë në dispozicion, në gjendje që t’ia dali në një tjetër sipërmarrje politike. Provën më të mirë e dha gjatë fushatës elektorale dhe ekzaktësisht në përballjen me Ben Blushin e PS-së, të cilën e kaloi mjaft mirë edhe pse vinte nga konsumimi i katër viteve në pushtet. Në 28 qershor fitoi në një zonë e cila nuk ishte bastioni i tij, dhe tani është duke u përgatitur për revanshin e fundit politik, Bashkia e Tiranës.
Erion Veliaj
Kryetari i grupimit politik G99, është ndër personazhet më mediatik në gjirin e së majtës. Deri më tani, nuk ka lënë debat pa marrë pjesë dhe thuajse të gjitha rastet është përballur denjësisht si me kundërshtarët politikë ashtu dhe median. Rama në asnjë rast nuk do që të humbasë administrimin e kryeqytetit dhe për faktin se do të humbiste shumë politikisht. Më mirë se Veliaj, sfidën nga e majta nuk mund ta fitonte askush.
TiranaObserver











