Si te kujdesemi per syte

Si te kujdesemi per syte
Pranvera është koha e alergjive. Ndoshta është kjo periudha ideale për të folur për kujdesin që duhet të tregojmë për sytë. Ja disa këshilla për të pasur sy të çlodhur, të qetë dhe shikim më të pastër.

Pranvera është koha e luleve, erës, diellit të ngrohtë, por edhe alergjive. Ndoshta është kjo periudha ideale për të folur për kujdesin që duhet të tregojmë për sytë, që janë shqisat më të ndjeshme të organizmit. Lodhja dhe skuqja e tyre shkakton simptoma të tilla, si dhembja e kokës apo shikimi i turbullt. Ja disa këshilla për t’i ndjekur në shtëpi dhe disa prej produkteve më të mira në qarkullim, për të pasur sy të çlodhur, të qetë dhe shikim më të pastër. Rregulli numër një është ai që fetat e kastravecit apo patateve shumë të ftohta duhet t’i mbani në sy për të paktën 15 minuta. Po ashtu edhe pecetat e pastra të lagura me kamomil të ftohtë, të cilat duhet t’i vendosni mbi qepalla. Kastraveci ka veti pastruese dhe rigjeneruese, duke ndihmuar në qetësimin e irritimit të lëkurës dhe sidomos të syve. Ai ka edhe aftësi diuretike, çka e bën atë një faktor të rëndësishëm në mbrojtjen e organizmit nga infeksionet urinare. Kastraveci përmban disa substanca të quajtura sterole, të cilat ulin nivelin e kolesterinës së dëmshme në gjak.

Vetitë e tij kuruese janë përdorur që në lashtësi. “Yes to Cucumbers”, është një produkt i ri biologjik, i realizuar me 99 për qind të përbërësve me origjinë natyrale. Është në formë xheli që përhapet në pjesën rreth syve, të cilën përveçse e tonifikon i jep edhe një ndjesi freskie dhe qetësimi. Përbërësi kryesor i këtij produkti është kastraveci, i njohur për vetitë e tij natyrale çlodhëse për sytë. “Stick Yeux Effaceur de Fatigue” është një tjetër produkt kundër syve të lodhur. Ai përmirëson shenjat e lodhjes, duke tonifikuar dhe duke gjallëruar pjesën rreth syve. Përbërësi kryesori i tij është gjalpi i kikirikëve.

“Renergie Yeux Multiple Lift” i “Lancome” bazohet në kombinimin e dy formulave komplementare në një produkt të vetëm. I pari është një krem për të ushqyer lëkurën dhe për të hequr rrudhat rreth syve. Produkti i dytë që gjendet në pjesën e kapakut ka një ngjyrë të lehtë dhe është në gjendje të përmirësojë shikimin, duke qetësuar sytë. Të dyja këto produkte aplikohen njëri pas tjetrit dhe sipas specialistëve arrijnë të qetësojnë ënjtjen e syve, qeskave poshtë tyre dhe përmirësojnë shikimin. Për sy më të bukur këshillohet edhe përdorimi i “Cool eyes”, maska një njëpërdorimshe në formën e fetave të kastravecit. Ato kanë veprim ultrafreskues dhe qetësues, ideal për sytë e lodhur. Pasi vendosen, mbahen për rreth 15 minuta. Për një ndjesi më të madhe freskie, produkti mund të futet në frigorifer disa orë përpara përdorimit.

Rreziqet

Dihet që rreziku i dëmtimit të syve është gjithnjë e më i madh. Duke kaluar ditë të tëra përpara ekranit të kompjuterit apo televizorit, ndotja e ambientit që vjen nga të gjithë agjentët atmosferikë, ajri i kondicionuar, alergjitë, diabeti, madje së fundmi edhe nga sëmundjet reumatike. Pasoja është një dhe e vetme: lodhje, irritim dhe skuqje e syve. Ky është një shqetësim nga i cili vuajnë shumë njerëzit, aq sa çdo vit, rreth 20 milionë persona ankohen nga ky problem dhe u drejtohen specialistëve, me qëllim largimin e kësaj dhembjeje të bezdisshme. Mjekët okulistë pohojnë se përdorimi i pakontrolluar i produkteve të ndryshme për një kohë të gjatë ndikon në përkeqësimin e shikimit. Produktet “shpëlarëse” që tregtohen nga farmacitë ambulante nëpër supermarkete mund ta përkeqësojnë rishtas gjendjen e syrit. “Edhe në të shkuarën, shumë simulantë apo lot artificialë, shiteshin pa manualin e përdorimit. Në këto kushte, ndërhyrja mbrojtësve në supermarkete do ta përkeqësojë edhe më shumë gjendjen. Për këtë arsye dua t’i bëj thirrje qytetarëve që, pasi të kenë blerë këto produkte në markete, të lexojnë fillimisht manualin e përdorimit”, tregojnë mjekët.

Syzet e diellit

Përdorimi i syzeve të diellit për mbrojtje duhet të fillojë gjatë fëmijërisë. Duke zvogëluar ekspozimin nën rrezatimin diellor, është e mundur që të parandalohet dëmtimi i indeve okulare nga rrezet ultravjollcë.

Ndonjëherë syri i njeriut krahasohet me një kamera të gjallë mahnitëse. Ai ka një lente të përkryer, që mund të fokusojë pamjet të cilat shihen në një distancë prej disa centimetrash deri në disa kilometra, si dhe një mekanizëm që përshtatet automatikisht me ndryshimin e intensiteteve të dritës. Rrezet e dritës futen në sy përmes kornesë (thierzës), membranës së fortë të jashtme që mbulon kokërdhokun e syrit dhe i ruan formën. Më pas ato kalojnë përmes së çarës në iris, pjesa me ngjyrë e syrit.

Kjo e çarë, bebja e syrit, ngushtohet apo zgjerohet automatikisht duke kontrolluar sasinë e dritës që futet. Pamjet e fokusuara bien mbi retinën që ndodhet prapa kokërdhokut të syrit. Gjatë punës para kompjuterit është mirë që disa herë në orë të shkëputet shikimi për rreth një minutë. Sytë të rrotullohen në ambientin përreth ose të paktën çdo një orë të bëhet një pushim prej 15 minutash.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama