Regjistroni domainin tuaj .al

Regjisori Budina: Te huajt i terheq humori dhe marrezia ballkanike

Shkruar nga:  
Postuar më: 4 vite më parë

Regjisori Budina: Te huajt i terheq humori dhe marrezia ballkanike
Regjisori Budina: Te huajt i terheq humori dhe marrezia ballkanike

Filmi shqiptar “Ballkan Pazar” do të shfaqet jo vetëm në rrjetin e kinemave në Itali, por do të hyjë edhe në rrjetin e kinemave verore. Një risi kjo për filmin shqiptar, që sipas regjisorit Edmond Budina nuk ka ardhur rastësisht. Sigurisht vështirësitë e regjisorëve dhe producentëve shqiptarë për të nxjerrë fitime nga filmat janë të shumta, por si ka arritur regjisori Budina të bindë distributorët për të blerë filmin e tij “Ballkan Pazar”, që, sipas tij, ka thyer dhe rekordin e shikueshmërisë edhe në kinematë shqiptare, duke ngjallur interes edhe më shumë se filmat amerikanë. Në një intervistë për gazetën MAPO aktori dhe regjisori Edmond Budina na zbulon sekretin…

Që nga 8 korriku filmi “Balkan Bazar” (Ballkan Pazar) do të shfaqet në kinematë italiane. Besoj se është hera e parë që një film prodhim shqiptar hyn në rrjetin e kinemave të huaja, si e keni arritur këtë?

Për mua nuk është hera e parë që filmi im shpërndahet në rrjetin e kinemave italiane. Kjo ka ndodhur edhe me filmin “Letrat e erës”, por ai ishte një prodhim i financuar nga Italia. Filmi Ballkan Pazar është vërtet i pari film shqiptar, në bashkëprodhim me Italinë që shpërndahet në rrjetin e kinemave italiane dhe natyrisht për mua është kënaqësi e veçantë. Nuk di nëse filma të tjerë kanë pasur distributorë në vende të tjera, por në Itali deri më tani jo. Natyrisht asgjë nuk është e lehtë, por Mediaplex është edhe bashkëprodhuesi i filmit dhe ka besuar te ky projekt qysh në fillim dhe filmi ka marrë financim edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Kinemasë në Romë dhe ky është një tjetër avantazh. Kur producenti italian Ennio de Dominicis lexoi për herë të parë skenarin, veç miqësisë e simpatisë që ka për mua, mbeti i kënaqur dhe u zbavit shumë. Kjo e shtyu të bëjë kërkesën pranë ministrisë për financimin. Duke qenë edhe distributor, ai pa te filmi një mundësi për të komunikuar me publikun. Ky është bashkëprodhimi i parë zyrtar midis Shqipërisë dhe Italisë, në masën 60% me 40%.

Filmi u shfaq edhe në Shqipëri nga rrjeti i kinemave Imperial. Keni ndonjë informacion sesi ka qenë ecuria e shikueshmërisë?

Nga informacioni që kam unë, filmi ka patur shikueshmërinë më të lartë në historinë e rrjetit të kinemave Imperial dhe njerëzit janë zbavitur së tepërmi. Ka shumë njerëz që e kanë parë filmin edhe nga dy tri herë. Pikërisht dje një mik nga Kanadaja po më thoshte se ndjek televizionin shqiptar dhe fjala “Ballkan Pazar” ka filluar të përdoret kur flitet për një pazar ku shitet e blihet çdo gjë. Natyrisht që filmi, veç vlerave që mbart, besoj se është parë kaq shumë (madje më shumë dhe se filmat amerikanë) edhe për faktin se disa media mediokre greke ose OMONIA e kritikuan, sikur gjoja filmi fyente ortodoksinë, klerin, Greqinë. Disa të shtyrë prej kuriozitetit, të tjerë prej inatit, bënë që filmi të kishte një numër, siç e thashë, rekord spektatorësh. Nga dy javë që duhej të shfaqej në kinema, duke parë interesimin e publikut, ai u shfaq edhe një javë më tepër dhe kjo ndodhi jo sepse filmit iu bë ndonjë publicitet kushedi se çfarë, natyrisht veç premierës.

Si aktor dhe sidomos si regjisor i filmit a mund të na thoni arsyet se përse distributori Mediaplex Italia zgjodhi filmin “Ballkan Pazar” dhe jo një film tjetër?

Sikundër e thashë, ata panë te filmi një ide që mund të komunikojë edhe me publikun italian. Pastaj, për të qenë modest, “Letra ere” ka lënë një përshtypje jashtëzakonisht të mirë në Itali, dhe për një distributor emri në një lloj kuptimi është një lloj garancie. Shtoi këtu faktin që filmi është një komedi e një lloji të veçantë dhe kjo ka rritur interesimin për filmin. Prodhuesi dhe distributori italian pas xhirimeve në Shqipëri e ka ndjekur hap pas hapi ecurinë e filmit dhe të jem realist e kanë gjetur atë interesant dhe të përshtatshëm për publikun. Ka situata të këndshme, karaktere shumë të spikatur me një lojë aktorësh që shumë kush do ta kishte zili, me një fotografi po ashtu në funksion të idesë së filmit dhe të gjitha këto krijuan bindjen se filmi do të pëlqehet edhe nga publiku italian.

A përcjell ky film një mesazh që kalon përtej kufijve shqiptarë?

Unë mendoj se po. Kjo nuk është ngjarje vetëm shqiptare. Këto ndodhin edhe në vende të tjera, natyrisht në forma të ndryshme, po kudo dhunohen varre, humbasin kufoma, sigurisht për arsye të ndryshme, sikundër është aktualisht në Itali rasti i zhdukjes së kufomës se Majk Bonxhornos. Por ajo që e bën filmin më interesant, veç humorit e marrëzisë ballkanike, janë idetë, ato të mirëkuptimit, e të të shikuarit përpara e jo prapa. Të lëmë mënjane urrejtjet, dasitë e të mendojmë më shumë për mirëkuptim e pse jo edhe për dashuri. Në një lloj kuptimi, ndonëse është larg, filmi hedh atë idenë e dikurshme të hipive “unë nuk bëj luftë, bëj dashuri”. Edhe ne më mirë të bëjmë dashuri, qoftë edhe afër eshtrave të gjyshit sesa të mendojmë si të vritemi për disa ide idiote nacionaliste.

Filmi po ashtu është edhe një dritare për t’i dhënë të kuptoje publikut italian se çfarë ndodh midis Shqipërisë dhe Greqisë, që për disa ideale, sikundër e thashë, zhvarrosën gra e fëmije për t’i paraqitur nën një identitet tjetër, si ushtarë të vrarë në Luftën e Dytë, dhe për t’iu hapur sytë edhe vetë qytetarëve grekë, që me të drejtë protestojnë rrugëve të Greqisë, kur paratë e tyre u jepen shqiptarëve, vetëm sepse deklarohen grekë.

Së fundmi, në fund të qershorit do të zhvillohet edhe ceremonia e prezantimit të filmit në Itali…

Premiera e filmit do të jepet më 24 qershor në Potenza, në Teatro Stabile, një ndërtesë e viteve 1800, me një bukuri të veçante, ku unë kam luajtur në vitin 1996 me një trupë ndërkombëtare, me regjinë e Marco Ballianit dhe që shpresoj të më sjellë mbarësi. Mbrëmja do të jetë e organizuar nën kujdestarinë personale të drejtorit të RAI-it për Basilikatën, z.Fausto Taverniti, dhe ambasadorit shqiptar në Romë, z. Llesh Kola. Do të doja t’i falenderoja ata. Natyrisht do të ketë të ftuar të fushave të ndryshme, nga politika, kultura, kinemaja, po e rëndësishme është që publiku ta presë mirë dhe po ashtu si në Shqipëri, të shkojë sa më shumë në kinema. Ka shumë mundësi që filmi të hyjë edhe në rrjetin e shfaqjes së filmave nëpër kinematë verore të Italisë.

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi