Regjistrimi ne universitete si do te kryhet rishikimi i listave

Regjistrimi ne universitete, si do te kryhet rishikimi i listave
Çfarë duhet të paraqitni në sekretari Kujdes! Mosregjistrimi ju shpall mosfitues

Ministria e Arsimit ka shpallur datat dhe procedurat e regjistrimit në universitetet publike në vend, të cilat do të zgjasin plot një muaj. Regjistrimi paraprak do të zhvillohet nga data 12 deri në 18 shtator, nga ora 8 në orën 18. Sipas udhëzimit, duhet të regjistrohen të gjithë fituesit, përndryshe nuk do të kenë mundësi të shpallen fitues në asnjë degë. Sakaq, rishikimi i listës së fituesve, që do të jetë edhe lista përfundimtare, do të shpallet në datën 25 shtator.

Regjistrimi paraprak

Kandidatët fitues duhet të bëjnë regjistrimin e tyre paraprak në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues pranë sekretarive mësimore të fakulteteve. Në kryerjen e procedurës së regjistrimit paraprak, sekretaritë mësimore të fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë, ku kandidatët fitues shkruajnë vetë emrin, atësinë, mbiemrin dhe nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve, duke shënuar datën dhe orën e regjistrimit.

Sipas këtij udhëzimi, sekretaria mësimore e pajis kandidatin që regjistrohet me një fletë regjistrimi paraprak, ku të shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si dhe data e ora e regjistrimit. Fleta e regjistrimit paraprak duhet të jetë e nënshkruar nga dekani e nga kryesekretarja mësimore e fakultetit dhe duhet të jetë e vulosur.

Kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit.

Regjistrimi përfundimtar

Listat përfundimtare të kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike,  do t’u dorëzohen IAL-ve, në datën 25 shtator 2008 nga MASH-i. Po atë ditë këto institucione duhet të afishojnë listat në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve përkatëse.

Kandidatët që janë shpallur fitues në listat përfundimtare, në një program tjetër studimi, të një preference të tyre më të lartë, do të çregjistrohen nga programi i studimit ku janë regjistruar paraprakisht dhe do të regjistrohen në programin e studimit ku janë shpallur përfundimisht fitues. Kandidatët të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk kanë nevojë të riregjistrohen.

Sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 26 shtator deri në 30 shtator, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, duhet të kryejnë çregjistrimet e kandidatëve që janë shpallur fitues në një program studimi tjetër, të një preference më të lartë të tyre dhe të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të fituesve, të shpallura nga AKP-ja. Kandidatëve që çregjistrohen, do t’u kthehet dosja individuale, me dokumentet si më sipër.

Dokumentet

a. Dëftesë pjekurie (në mungesë të origjinalit, vërtetim me listë notash me fotografi ose dokument me fotografi, i lëshuar nga Arkivi i Shtetit me notat përkatëse të nënshkruara nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale/ Zyrës Arsimore);
b. Dokument identifikimi (letërnjoftim ID, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit;
c. 2 fotografi;
d. Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.550 lekë, paguar në një nga bankat e nivelit të dytë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama