Adoleshentet dhe ushqimi nje raport i veshtire

Adoleshentet dhe ushqimi, nje raport i veshtire
Ushqehen keq dhe zakonisht nuk dëgjojnë këshillat e prindërve. Studimi konfirmon se më shumë se paratë është mungesa dhe informimi i prindërve ajo që i çon drejt obezitetit.

Kërkimi i bërë nga "Social Research Council" ka analizuar familje të shtresave të mesme dhe të larta të shoqërisë, duke matur peshën, ushqyerjen dhe gjendjen shëndetësore të fëmijëve adoleshentë. Për më tepër, përmes pyetësorëve të ndryshëm u përpoqën që të kuptonin zakonet, mendimet dhe shqetësimet e tyre. E njëjta gjë u bë edhe me familjet më të varfra dhe në fund u krahasuan të dhënat e të dyja grupeve. Rezultati përfundimtar tregonte për një shtresë të mesme e të lartë, ku prindërit mendonin për të ardhmen e fëmijëve të tyre, duke u përpjekur t’i edukonin për një ushqyerje të mirë dhe duke i këshilluar që të jenë në formë, në mënyrë që kur të rriten të jenë të shëndetshëm. Në familjet me një gjendje të mirë ekonomike është tërësisht e rrënjosur bindja se forma jo e mirë fizike sjell një gjendje më të keqe shëndetësore dhe redukton besimin në vetvete të fëmijëve, duke ulur edhe mundësinë për të përfituar nga rastet e mira që jeta do t’u ofrojë.

Një tjetër atmosferë në familjet ku mezi mbyllej fundit i muajit: nëna dhe babai do të donin të përmirësonin dietën dhe stilin e jetës së fëmijës së tyre, por shpesh nuk kanë kapacitetet sociale dhe kulturore për ta bërë këtë. Dhe shpeshherë, një e dhënë jo sekondare kjo, nuk kanë para të mjaftueshme për ta bërë. "E dimë shumë mirë se disa ushqime me çmim të ulët kanë një cilësi të dobët ushqimore, por kjo nuk e justifikon plotësisht faktin e ditur tashmë, se obeziteti prek më shumë të rinjtë e shtresave më të ulëta sociale", tregojnë mjekët.

"Ky studim e konfirmon se më shumë se paratë është konteksti kulturor ai që bën diferencën: shpesh mungesa e kulturës ushqimore dhe varfëria shkojnë përkrah njëra-tjetrës, por mungesa e edukimit shkakton më shumë dëme se mungesa e parave". Si të thuash, nëse kanë dhjetë euro për të shpenzuar për ushqimin, nuk është e thënë që të gjitha të harxhohen për gjëra që nuk ia vlejnë. Megjithatë, edhe për fëmijët e shtresave më të varfra vijnë disa rezultate pozitive nga studimi anglez. Të rinjtë që vijnë nga një shtresë sociale e ulët, shpesh ndiejnë përgjegjësinë dhe nevojën e pavarësisë, si në temën e zgjedhjeve ushqimore, ashtu edhe atë të shëndetit, ndërsa adoleshentët e rritur në familje të pasura kanë më pak forcë vullneti, sepse prindërit e tyre kontrollojnë shumë më nga afër ushqyerjen dhe sportin që ata praktikojnë. Nga ana tjetër, po të lexosh shembuj të ndryshëm, ka plot nëna borgjeze që nuk e durojnë dot idenë se vajza e tyre nuk është aq elegante dhe e kujdesur për veten sa duhet. Prindërit e klasës së mesme apo të lartë duan me çdo kusht të sigurohen se fëmijët kanë një masë trupore "të pranueshme" dhe një fizik të bukur.

 Nga ana e tyre, adoleshentët e rritur në këto familje mendojnë se obeziteti është pjellë e dembelizmit dhe paaftësisë për t’u tërhequr përballë ushqimeve pak të shëndetshme dhe hiperkalorike. "Të rinjtë modelohen sipas pritshmërive të prindërve në sjellje. Nisur nga kjo, duhet pasur parasysh se duhen zbatuar politika të rëndësishme për të bërë që të reduktohet pabarazia në ushqyerje dhe gjendjen shëndetësore, që deri tani ekzistojnë mes klasave të ndryshme sociale". Problemi mund të zgjidhet vetëm përmes edukimit tonë thonë ekspertët: "Nuk është rastësi që obeziteti prek më shumë njerëzit me një nivel më të ulët shkollimi. Duhet kulturë, përgjegjshmëri, edukim për të kuptuar vërtet se kur dhe përse duhet të hamë në mënyrë të shëndetshme. Në shumë qytete të mëdha europiane, në shkolla, në mënyrë të përsëritur zbatohen projekte të tipit më shumë fruta dhe perime dhe kjo i ka bërë fëmijët që të ushqehen më mirë.

Ndjekim prej kohësh rreth 80 mijë fëmijë dhe e kemi kuptuar se pjesa më e madhe nuk hanë fruta dhe perime. Kjo ndodh sepse në familje nuk janë mësuar ta bëjnë diçka të tillë, për këtë arsye janë ngritur projekte edukative që u mësojnë fëmijëve të njohin dhe t’i duan produktet bimore. Për shembull, është ideuar një lloj "laboratori shijeje", përmes të cilit mund t’u shpjegosh vogëlushëve se një ushqim i gatuar në një mënyrë ose në një tjetër nuk ka të njëjtat vlera ushqimore, kështu që fëmija mëson që t’i kërkojë nënës që ajo ta gatuajë në një mënyrë tjetër, ashtu si atij i pëlqen. Rezultatet kanë qenë vërtet befasuese përmes edukimit shkollor: 75 për qind e fëmijëve që nuk hanin fruta dhe perime nisën ta bënin, ndërsa kush konsumonte pak, kishte nisur të hante 20-30 për qind më shumë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama