Nxenes problematike mesuesit kerkojne ndihmen e psikologut

Nxenes problematike, mesuesit kerkojne ndihmen e psikologut
Nxënës që iu përplasin në fytyrë derën mësuesve të tyre, i ofendojnë, por marrin guximin edhe t’i kërcënojnë kur ata pretendojnë se iu janë cenuar interesat e tyre. Madje, shpesh protagonistë bëhen edhe prindërit e tyre. Në shkollat tona vihet re rëndom kjo dukuri, sidomos në gjimnazet e përgjithshme dhe protagonistë janë kryesisht djemtë, pse jo, edhe vajzat ndonjëherë. Duke u ndeshur përballë kësaj dukurie lind pyetja nëse kanë nevojë mësuesit për ndihmë dhe a duhet të ankohen në momentin që nxënësi iu shkakton dhunë psikologjike pa të drejtë? Në lidhje me këtë problematikë, e cila është ulur këmbëkryq në shkollat tona flasin mësues, psikologë shkollash dhe ekspertë të arsimit.

Kush do ta mendonte se një mësues para se të futej në orën e mësimit, por sidomos pas orës së mësimit, troket në derën e psikologut të shkollës për t’i treguar ata çfarë i ka ngjarë?!

Psikologia Ilisa Polena, e cila punon në tri shkolla publike, pohon se edhe mësuesit pësojnë dhunë psikologjike nga nxënësit. Sipas saj, mësuesit mundohen të tregohen të kujdesshëm ndaj nxënësve dhe të mos krijojnë konflikte me nxënësit, por mesa duket

kjo pjesë është keqkuptuar shumë nga ana e fëmijëve dhe prindërve, të cilët shpesh i japin vetes të drejta të paqena edhe për situata që nuk kanë lidhje me mësimdhënien. “Ka pasur raste kur mësuesit janë dhunuar psikologjikisht nga prindër dhe fëmijë për shkak të notave që nxënësit ose prindit nuk i kanë pëlqyer dhe janë ngritur pretendime deri në mungesë profesionalizmi për mësues, të cilët kanë bërë thjesht punën e tyre. Në raste të tjera, ndonjë kërkesë e mësuesve për korrektësi në klasë është kthyer në konflikt, duke ofenduar mësuesin apo edhe më keq”, pohon psikologia Ilisa Polena, duke shtuar se të ndodhur në këto kushte ka shumë mësues, të cilët para se të hyjnë në një orë mësimi, trokasin në derën e psikologut dhe kërkojnë një këshillim profesional për problemet e tyre personale.

Por çfarë thonë vetë mësuesit në lidhje me marrëdhëniet me nxënësit e tyre, sepse sipas tyre deri më sot është folur vetëm për dhunën ndaj nxënësve, pa u marrë në konsideratë dhuna që pësojnë ata që japin njohuri. “Flitet gjithmonë për dhunë ndaj nxënësve, por në fakt edhe vetë mësuesit janë shpesh të dhunuar. Më thoni! Nëse një nxënës të përplas derën me forcë në fytyrë, të thotë ‘ta tregoj unë’, ‘do njihemi’ etj. A nuk kemi të bëjmë me dhunë psikologjike ndaj mësuesve? Në fakt deri më sot nuk janë bërë studime për dhunën që pësojnë arsimtarët, por ja që ndodh dhe nuk është problem i vogël”,- pohon Fadil Mani, mësues matematike dhe nëndrejtor i shkollës ‘Aleks Buda’.

Por shpesh figura e mësuesit është ndier e kërcënuar edhe nga të afërmit dhe prindërit e nxënësve. Jovan Kristiqi, ish-drejtor në katër gjimnaze të Tiranës, tani ekspert në Ministrinë e Arsimit, thekson se raste të tilla duhen ndëshkuar jo vetëm nga organet kompetente, por edhe nga shoqëria. “Mendoj se dhuna më e madhe ndaj një mësuesi është kur ai ofendohet në mënyrë publike apo ndalohet në rrugë nga njerëzit e afërm apo shokët e tij. Fatkeqësisht raste të tilla kanë ndodhur dhe ndodhin në shkollat tona. Mendoj se këtu është pika më kritike dhe sjellje të tilla kanë ndodhur, por nuk duhen toleruar për asnjë arsye nga shoqëria”, pohon Jovan Kristiqi.

Fadil Mane: Nëse do t’u nxirrnim nxënësve karton të verdhë, do tallen me ne

“Në shkolla ka nxënës problematikë dhe mësuesi duhet të ketë nerva të hekurta që të mos nxehet të paktën një herë nga problemet që shkaktohen. Nuk dua të justifikoj mësuesit, sepse edhe ne kemi plot gabime, por çdokush duhet të kuptojë se nuk është e lehtë të merresh, sidomos me adoleshentët”, pohon Fadil Mani, mësues matematike dhe nëndrejtor i shkollës ‘Aleks Buda’. Ai një aspekt të dhunës në shkolla e shpjegon me faktin se vetë shoqëria jonë është e dhunshme dhe se vendi ynë ende është në tranzicion, çka do të thotë se nuk mund të krahasohemi me vendet e zhvilluara. Më tej ai shpjegoi edhe në lidhje me taktikat e reja që po trajnohen mësuesit, në mënyrë që të evitohet dhuna ndaj nxënësve, por sipas tij as kjo nuk do të jetë e lehtë. “Ju flisni për taktika të reja që do vijnë dhe trajnime të mësuesve të luftës kundra dhunës. Flisni edhe për karton që duhet t’i nxjerrë mësuesi nxënësit. Por imagjinoni vetë se sa situata komike do të lindnin në këtë rast. Nxënësit tanë nuk e kanë për gjë të tallen në momentin që iu nxjerr kartonin. Pa dyshim që do fillojnë ta trajtojnë si ndeshje futbolli”, pohon mësuesi i matematikës Fadil Mani, duke shtuar se pa dyshim që ndjekin lojërat, pse jo edhe futbollin dhe një karton i verdhë apo i kuq në mes të klasës do të shkaktonte vetëm të qeshura tek ata. Sipas tij, për mësuesit e ndodhur në shumë situata jo të favorshme përballë nxënësve lind pyetja nëse kanë të drejtë të ankohen dhe përse nuk realizohen studime edhe për vështirësitë që kalojnë mësuesit sidomos me nxënësit problematikë.

Jovan Kristaqi: Më dhunuesit janë djemtë gjimnazistë

Mësuesi mund të ndodhet në situata jo të këndshme përballë nxënësve, sidomos atyre problematikë, por gjithmonë duhet të dijë se është në rolin e edukatorit. Drejtori i katër gjimnazeve për disa dekada, Jovan Kristaqi, thekson se mësuesi duhet të shmangë nxehjet e momentit dhe të punojë më shumë me nxënësit problematikë. “Dhuna ndaj mësuesve vihet re kryesisht në gjimnaze, pra në shkollat e përgjithshme, aty ku janë adoleshentët, sepse këta janë edhe më problematikë. Kuptohet se më problematikët janë djemtë dhe më rrallë vajzat. Në përgjithësi, janë nxënës që vijnë nga një familje me probleme apo të tjerë që rrinë me shoqëri të keqe dhe nuk janë korrektë as në aspekte të tjera të jetës përveç shkollës”, pohon Jovan Kristaqi, duke shtuar se për sa i takon zonave se nga janë më shumë nxënësit problematikë, të cilët edhe ushtrojnë dhunë mbi mësuesit, nuk mund ta thotë me saktësi, sepse nxënës problematikë ka kudo.

Psikologia: Fajin kryesor e ka familja!

“Rol kryesor luan familja dhe këtë pjesë dua ta nënvizoj dhe ta theksoj me shkronja të mëdha. Problemet e fëmijëve në shumicën e rasteve vijnë si pasojë e ‘prindërimit’ të çalë”. Kështu u shpreh psikologia e shkollave, Ilisa Polena, duke theksuar se në ditët e sotme prindërit i kushtojnë më shumë vëmendje punës dhe sigurimit të ardhurave. “Ata shpesh mjaftohen me të mirat materiale që u sigurojnë fëmijëve të tyre dhe lënë pas dore pjesën e komunikimit dhe mbështetjes që pretendon të ketë një fëmijë. Duke e ndjerë këtë hendek, fëmija reagon në mënyra të ndryshme. Fëmijët marrin përsipër të mbajnë në kurriz dhe peshën e problemeve të prindërve të tyre dhe kjo i krijon vështirësi në formimin e personalitetit të tyre. Sipas psikologes, nga pyetësorët e bërë me nxënësit kanë dalë këto përfundime: pyetjes se sa të lehtë e keni të flisni me babanë për problemet tuaja i janë përgjigjur 36,5 për qind e meshkujve dhe 16,1 për qind e femrave përgjigjen se “e kanë shumë të lehtë” të flasin me baballarët për problemet e tyre. Ndërkohë që të lehtë e kanë të “qajnë problemet e tyre” me baballarët 38.3 për qind e meshkujve dhe 34.7 për qind e femrave. Ndërkohë “e kanë të vështirë” për të komunikuar 16.8 për qind e meshkujve dhe 32.4 për qind e femrave. Përgjithësisht, meshkujt raportojnë se e kanë më të lehtë të komunikojnë me baballarët për problemet e tyre sesa vajzat. Ndërkohë, për sa i përket komunikimit me nënat ka rezultuar se një numër më i madh i adoleshentëve janë të gatshëm të bisedojnë me to. Pjesa më e madhe e te intervistuarve, sipas psikologes, raportojnë se “e kanë të lehtë apo shumë të lehtë” të komunikojnë me nënën e tyre, gjë tregon se në bazë të qelizës familjare vazhdon ende të jetë nëna personi që kujdeset më shumë për fëmijët, që interesohet për ata, që bisedon më shumë me ta dhe që komunikon shumë më lirshëm për të gjitha llojet e problemeve. Specialistët këshillojnë se një nënë e mirinformuar për problemet e adoleshentëve është një potencial tepër pozitiv në punën edukative me adoleshentët. Është kjo arsyeja që në shumicën e rasteve na detyron të angazhojmë në këtë proces sa më shumë nëna dhe prindër në përgjithësi.

E kanë të lehtë të “qajnë problemet e tyre” me baballarët:

38.3% e meshkujve

34.7% e femrave

“E kanë të vështirë” për të komunikuar

16.8% e meshkujve

32.4% e femrave.

Urdhri i DART: Mësuesit dhunues të pushohen nga puna!

Nëse do të ketë fakte se një mësues dhunon nxënësit, ai do të paralajmërohet dhe më pas edhe pushohet nga puna. Ky është urdhri që iu është shpërndarë të gjitha shkollave të Tiranës nga Drejtoria Arsimore e Rajonit të Tiranës. Drejtorët e shkollave pohojnë se të gjithë mësuesve u është lexuar ky urdhër ndaj dhe janë të vetëdijshëm për çdo gjë që mund të bëjnë. Sipas tyre, edhe nxënësit janë në dijeni të këtij urdhri ndaj dhe shpesh e përdorin si argument të fortë për t’iu kundërvënë mësuesve.

Psikologia Ilisa Polena

Nga praktika ime disavjeçare në shkollat tona publike ka nxënës të cilët reflektojnë probleme të ndryshme dhe si rrjedhojë konsiderohen si nxënës problematikë. Shpesh ato rebelohen ndaj mësuesve, prindërve dhe moshatarëve të tyre. Këto janë sjellje demonstrative për të kërkuar vëmendjen e munguar në familje apo reflektim i përjetimit të tyre ndaj problemeve ose situatave të jetuara. Nxënësit “problematikë” kanë predispozitë të përdorin alkool, duhan dhe drogë. Për këtë target grup duhet punuar më shumë seriozitet dhe duhet t’i qëndrohet shumë pranë për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin për sjelljen e tyre devijuese.

 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama