Maqedoni kujtohet sot Dita e Alfabetit

Maqedoni, kujtohet sot Dita e Alfabetit
Në Maqedoni sot shënohet zyrtarisht si festë shtetërore për shqiptarët 22 nëntori – Dita e Kongresit të Alfabetit. Me rastin e kësaj feste, tradicionalisht kjo nuk është ditë pune për shqiptarët. Me rastin e  103 vjetorit të Kongresit të Alfabetit janë organizuar disa aktivitete të ndara dhe simbolike lidhur me shënimin e kësaj date si në Manastir, Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, etj.

Në këtë përvjetor nuk ka pasur manifestim qendror i organizuar nën patronazhin e autoriteteve shtetërore.

“Marshi drejt Manastirit” ka qenë një nga ngjarjet spektakolare e këtij përvjetori, ku një grup studentësh dhe të rinjsh shqiptar nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe trevat tjera marshuan nga Shkupi, Tetova, Prishtina, Tirana dhe qytetet tjera në marshin e organizuar drejt Manastirit.

Në Manastir u shënua kjo festë me një koncert solemn organizuar nga shoqëria “Estrada”, u organizua një ceremoni në Muzeun e Alfabetit me praninë e zëvendëskryeministrit Musa Xhaferi dhe zëvendësministrit të arsimit, Safet Neziri dhe personaliteteve tjera qeveritare.

Në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup sot organizohen pritje dhe ceremoni për diplomatët, krerët e bashkësive fetare dhe personalitete tjera.

Mesazhe urimi me rastin e kësaj feste kanë drejtuar presidenti, kryeministri dhe personalitete tjera të politikës dhe jetës shoqërore. Në Manastir ka qëndruar edhe lideri i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu.

Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare. Prej 14 – 22 nëntor 1908 në Manastir u arrit unifikimi i alfabetit të parë të gjuhës shqipe me shkronja latine, një projekt gjithëkombëtar që kishte tubuar në Manastir, të gjitha personalitetet e mirënjohura të letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama