“Më mirë të kisha një divizion gjerman përballë meje se një divizion francez pas meje”, shquhet të ketë thënë gjenerali amerikan George S. Patton në Luftën e Dytë Botërore. Historia e tanishme është disi më e ndryshme. Divizioni gjerman prin, ai francez i ndodhet pas shpine, ndërsa “terra incognita” në vështirësi është Greqia. Nëse filmin nuk e keni parë akoma e gjeni në të gjitha kinematë pas 14 muajsh, një vit pas përfundimit të këtij muhabeti, i cili pritet të marrë udhët diku nga vera.
Gazetat ndërkombëtare, këto ditë kishin tituj si “Greqia jashtë Euros: “Nëse” apo “Kur”?”, “Gjermania është shumë vonë për të shpëtuar Euron”, dhe “Presidenti i ri francez nuk ka gruan modele, por dashnoren”. Nëse ngjan sikur po bëhet humor, në fakt nuk është kështu. Titujt janë të vërtetë, dhe Europa sot është pikërisht kjo që lexohet nëpër gazeta. Për të mos u harruar fakti se në Greqi partia neonaziste “Agimi i Artë” fitoi 21 deputetë.
Ndërkohë, vende të dorës më të dytë të Eurozonës si Italia (që mbahet ende dhe simbolizon barrikadën e fundit), Spanja dhe Portugalia (ende në plan shpëtimi), Belgjika (e cila ndodhej pa qeveri deri para ndonjë muaji), thjesht presin se çdo të votojë parlamenti gjerman. Ky i fundit pret një mbështetje nga francezët që (siç thoshte gjenerali) i ka pas krahëve, ndërsa një shtet i Eurozonës dhe qytetarët e tij europianë presin me sytë ngritur nga “Europa”.
Në këtë pikë, koncepti europian varet shumë nga Franca, e cila u shquajt për persekutimin e Romëve, deri pranë ngritjes së kampeve të posaçme kur Rumunët u lejuan të qarkullojnë e të kërkojnë punë lirisht. Ah, po. Edhe Rumania është në Europë. Pa harruar Irlandën që pasi fitoi pavarësinë financiare nga okupatori anglez, duke braktisur pound-in, u integrua me sukses në Eurokrizë. Këta të fundit, të gjithë bashkë, janë të njëjtët që përfaqësojnë vlera, tek të cilat duhet ta mbajë shpresën jo vetëm Greqia, por dhe të tjerë më të vegjël.
“Europanic”
I destinuar të përfshihet si term në fjalorët elektronikë të viteve që vijnë, në fakt bëhet fjalë për një ndodhi reale – jo një koncept – që është përplasur sot mbi Kontinentin e Vjetër dhe mbi vendet satelite. Çfarë po ndodh apo mund të ndodhë me euron. Këto ditë, Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel tha se udhëheqësit europianë, po punonin sakaq mbi propozime konkrete për rritjen ekonomike dhe punësimin. Kjo ndërsa Hollande jokarizmatik me të dashurën modele, merrte postin e Presidentit të Francës, pasi kishte kërcënuar se do të kërkonte një rinegocim të paktit fiskal.
“Pakti fiskal është negociuar, është nënshkruar nga 25 krerë qeverish dhe është ratifikuar tashmë nga Portugalia dhe Greqia (harruam dhe Portugalinë që përfiton nga skema). Parlamentet në të gjithë Europën janë gati ta përshtasin. Irlanda zhvillon një referendum për të në fund të majit”, sqaroi saktë dhe qartë, Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Anxhela Merkel. Gjermania është sot furnizuesi kryesor i ekonomisë Europiane, motori i saj dhe vendi ku ndodhet shumica e financave europiane, krahasuar gjeografikisht. E megjithatë, deklarata e Merkel ishte aq shpalosëse sa bursat shënuan një tërmet tjetër.
U ndikuan ndoshta edhe nga zgjedhjet greke, ku qytetarët tashmë nuk dinë si të votojnë, pasi ndoqën pak a shumë praktikat europiane, por sipas një stili më mesdhetar. Bursat shënuan një rekord historik (në rënie) në përgjigje edhe të marrjes së një sasie të lakmueshme vendesh në parlamentin grek nga marksistë e të tjerë, të cilët megjithatë thonë ndonjë të vërtete, siç është fakti se papunësia e të rinjve ka kapur nivelën 53.8 për qind, ndërsa 150 mijë vende të tjera pune në sektorin publik janë në pikëpyetje. Më shumë se një viktimë, Greqia përfaqëson një precedent për të gjithë mantrën europiane, se Unioni nuk është një rend hyjnor, se dështimi mund të ndodhë vërtet, se Europa është shumë e prekshme, dhe se një bashkim i çfarëdoshëm i ngritur mbi arsyen e fortë të parandalimit të luftës brenda llojit dhe dominimin gjeopolitik, përbën po aq garanci sa çdo perandori që fëmijët e europianëve të sotëm e mësojnë në librat e historisë. Historia ndodh në një hendek kohor më të ngushtë se një dekadë. Këto janë faktet, pavarësisht tabuve që ndalojnë me gjysmë zëri që të përmenden.
Pyetja më e rëndësishme nga pikëpamja teknike për momentin është se çfarë ndodh nëse Greqia del nga Euro. Është thjesht një hipotezë, ndër shumë të tjera më optimiste? Kjo çështje ka dy momente. Një për Greqinë dhe një për Europën. Sipas një vlerësimi të ekspertit të njohur Thanos Dokos, drejtor i ELIAMEP (një insitut grek jofitimprurës i fokusuar në studime mbi zhvillimet e çështjeve europiane), nëse menaxhimi i krizës greke i lihet inercisë dhe një qasjeje negative ndaj “mëkateve” të vendit, pasojat mund të jenë të një niveli botëror, me Bashkimin Europian të renditur ndër vikimat e para.
Sipas Dokos, një Greqi që bëhet ultranacionaliste në politikën e jashtme dhe ultra e djathtë në politikën e brendshme nuk është më një skenar që mund të përjashtohet tërësisht. Nëse kriza vijon pa përmirësime apo pa shenja rrugëdaljeje në horizont, aftësia e qeverive greke për të përmbushur detyrimet bazë ndaj partnerëve të Europës dhe NATO-s, apo për të qenë një gjenerues sigurie në rajon, do të vihej seriozisht në rrezik.
Në këtë skenar, Greqia do të detyrohej të largohej nga Eurozona dhe më pas edhe vetë BE-ja, duke qenë rasti i parë dhe i vetëm i largimit nga këto institucione.Ndjenjat e forta të hidhërimit dhe poshtërimit do të kontribuonin më pas në fuqizimin e forcave ultranacionaliste, çka do të pasqyrohej edhe në politikën e jashtme të vendit. Me shumë pak oreks të mbetur për autokritikë, dhe të tejngopur me referenca negative, kriticizëm të vazhdueshëm dhe stereotipizim nga partnerët Europianë, opinoni publik grek do t’ia vishte pjesën më të madhe të fajit, nepsit gjerman për hegjemoni europiane, luftës valutore ndërmjet dollarit dhe euros, qarqeve financiare anglo-saksone dhe natyrës grabitqare të sistemit financiar perëndimor. Ndjenjat anti-amerikane do të rriteshin dhe shumë grekë do të ndiheshin të tradhëtuar nga Perëndimi, duke kthyer sytë nga Lindja (Rusia dhe Kina). Të tilla dhe të tjera mynxyra nuk përjashtohen.
Po Europa? Kjo e fundit nuk shpëton paq. Sipës kësaj logjike, euroja siç e njohim është e mallkuar. Por, kjo nuk do të thotë – siç sugjeron Merkel – se do të sjellë fundin e vetë Bashkimit Europian. Siç shkruante një analist, Europa ia doli shumë mirë për 40 vjet pa një valutë të përbashkët. Grekët mund t’u kthehen dhrahmisë dhe pse me probleme, spanjollët mund të kthehen te peseta, dhe italianët te lira. Ndoshta, euroja do të mbijetojë si një valutë e vetme në ekonomitë e pasura dhe eficente të Europës Veriore (çka do të ishte një model punë-laboratori i teorisë së Europës me dy marshe apo shpejtësi), ose dhe jo. Në çdo rast, nuk bëhet fjalë, domosdoshmërisht, për shkrirjen e BE-së apo për luftë. Por do të ketë dhimbje.
Shqipëria nuk përbën lajm
Dëmet anësore, si rregull, vështirë se shfaqen në median ndërkombëtare. Në fund të fundit, bëhet fjalë për një viktimë të rangut të dytë. Një rast i tillë mund të jetë ai i Shqipërisë. Në këtë vend nuk po shkruhet vërtet një libër me titullin “Presidenti”, por ndonjë VIP mund ta botojë atë pas ndonjë viti. Problemi me krizat, qoftë ekonomike apo politike, qoftë lokale apo globale, është skenarët janë pak a shumë të parashikueshëm me variabla përkatës ndërmjet.
Në Shqipërinë super të eurizuar, një rrënim i valutës së përbashkët do të sillte një pështjellim të tillë, sa dhe Banka e Shqipërisë nuk do dinte ekzaktësisht ç’të bënte. Për t’u kujtuar këtu, edhe fakti se disa vende në zhvillim kanë kthyer sakaq një pjesë të mirë të rezervave nga valutat euro/dollar në metal të pastër të quajtur “ar”. Ky i fundit dhe pse jo zyrtar përfaqëson standardin e përjetshëm. I tillë është përderisa vlera e metalit është rritur së tepërmi që nga viti 2009.
Shqiptarët do të duhej të kthenin kursimet e tyre nga euro në dollar, lek apo diçka tjetër, ndërkohë që euro është rrëzuar, apo po rrëzohet. Ndërkaq ajo do jetë zhvlerësuar që para rrëzimit, dhe njerëzit do humbasin në lojën e kurseve të këmbimit, e cila nuk do të luhet më nga institucionet financiare në vend dhe as nga pikat e këmbimti valutor, por nga “bursat ndërkombëtare”. Ekonomia sakaq e lënduar shqiptare, do të tronditej tashmë keqazi nga cunami europian.
Refugjatët do të vijonin të ktheheshin në numra të shumtë, punësimi do shkonte për dreq, për konsumin nuk po flasim fare më mirë, të ardhurat në buxhetin e shtetit po ashtu nuk diskutohen, investimet do të përqendroshin në shifra metaforike dhe e ardhmja do të projektohej në të shkuarën.
Por shpresojmë se kjo nuk do të ndodhë. Është thjesht një skenar. Varet shumë, jo dhe aq nga Greqia që ndërkohë po akuzohet edhe për kryqëzimin e Krishtit dhe as nga Gjermania që është i vetmi vend që bën kuptim në këtë histori. Por shumë fort dhe nga vendet e lartpërmendura, dhe së fundmi e më konkretisht nga Franca. Për këtë të fundit ka rezerva.











