Por Del Piero është një ikonë që shkon përtej shifrave, është një hero për popullin bardhezi, një lojtar që kurrë nuk e ka lënë skuadrën në baltë, një lojtar që i ka dhënë aq shumë fanellës saç edhe ka marrë prej saj. Shembull në jetën e tij private, pa aventura rozë dhe pa skandale seksuale si shumë yje të tjerë të futbollit, “Pinturiçhio” (nofkë që ia pat vënë Xhani Anjeli duke krahasuar goditjet e tij me ngjyrat e ëmbla të piktorit të madh të Rilindjes) do të bëhej më shumë sesa një idhull, do të ishte flamur, simbol, njeriu më i dashur në historinë e Juventusit.
Aleks do të mësohej të përballonte dhimbjen në kulmin e tij, atëherë kur të gjithë e shihnin si favorit për të fituar “Topin e Artë”. 8 nëntor i vitit 1998, një ditë përpara ditëlindjes, minuta e 92-të e Udineze-Juventus, Del Piero këput ligamentin e kryqëzuar. 9 muaj larg fushave, 9 muaj terapi për t’u rikthyer sërish. Shumëkush e etiketoi si të mbaruar.
Kur kthehet nga dëmtimi, gjërat kishin ndryshuar te Juventusi. Lipi ishte larguar dhe në vend të tij kishte ardhur Ançeloti. Shënoi 12 gola në sezonin e parë, 8 nga pika e bardhë e penalltisë pa gabuar asnjë. Skuadra dhe Del Piero po ringrihen, do vijnë titujt dhe Aleks bëhet edhe njëherë shtylla e skuadrës. I paharrueshëm asisti i tij me roveshatë për David Trezege në sfidën-titull ndaj Milanit, që i lejoi bardhezinjtë të fitonin 1-0 dhe të siguronin titullin, por që u hoq nga Calciopoli. Pikërisht ky proces do ta dërrmonte Juventusin, por jo shpirtin bardhezi.
Skuadra zbriti në Serie B, por Aleks ishte aty, i pari së bashku me Bufon, Nedved, Trezege e Kamoranezi, senatorët që nuk e braktisën “Zonjën e Vjetër”, duke e marrë për dore dhe duke e kthyer brenda vitit në Serie A, pavarësisht se e nisën kampionatin me 9 pikë më pak. Edhe aty Del Piero do të shënonte një rekord, duke u bërë i vetmi sulmues në futbollin italian që fitonte “Këpucën e Artë” në Serie B dhe në A një sezon më pas. 6 vite vuajtjeje që u kurorëzuan me titullin e ngritur dy ditë më parë në qiellin e Torinos nga vetë legjenda, historia, flamuri bardhezi, Alesandro Del Piero. Lot dhe emocione në “Juventus Stadium” që i rezervon idhullit të tij një standing ovation prej 16 minutash…
Del Piero ka luajtur 704 ndeshje me fanellën bardhezi dhe mban çdo rekord, të gjithë trofetë e mundshëm, duke përfshirë edhe Champions League, Botërorin e Klubeve apo Kupën e Botës, madje edhe minutat e luajtura 48610 të tilla, këto minuta plot emocione për milionat e tifozëve juventinë.











