Xhirimi i filmave ne Shqiperi

Xhirimi i filmave në Shqipëri

Ishte një nder i madh për kulturën, artin dhe historinë e Shqipërisë kur krahas kineastëve të lartpërmendur u rreshtuan edhe dy fotografët shqiptarë Janaq dhe Milto Manaqi të cilët u bënë kineastët e parë të trevave ballkanike duke filluar xhirimet nga viti 1905 me filmin e njohur “Tjerrëset” që fiksonte gjyshen 114 vjeçare, nënën dhe gratë e fshatit të tyre të lindjes Avdela duke tjerrë e punuar leshin. Po këto ishin arsyet që edhe shoqëria torineze “Unitas” i filloi xhirimet duke u pagëzuar me ngjarjet e zhvilluara në Shqipëri nëpërmjet të filmit të titulluar “Albania ribelle” /Shqipëria ngre krye/ që në vitin 1909. Pas tyre vazhduan xhirimet kineastët e shoqërisë franceze të “Albert Kahn”, “Pathe”, “Gaumont”, “Éclair”, shoqëritë italiane “Aquila”, “Savoia”, “Comerio” dhe “Luce”, ata të shoqërive austriake “Sascha Filmfabrik” dhe “Wiener Autorenfilm”, shoqëritë kinematografike gjermane “UFA”,”KabinetFilm” /Munich/,”Olimpia Werberfilm”, “Optima-film GmbH Film Vertrieb”, shoqëria Zvicerane “Rich”, “Kurt Thorman-Film” e belgjikës, shoqëri holandeze e hungareze e deri te shoqëritë amerikane  “The March of Time”, “Paramount”, “Fox Movietone News” etj.
 
Mbas vitit 1945 shteti shqiptar i kushtoi vëmëndje të veçantë zhvillimit të kinematografisë duke e vlerësuar atë si një mjet të fuqishëm të propagandës për përhapjen e ideologjisë së re dhe për të shmangur sado pak depërtimin e ideologjive dhe rrymave kundërshtare, për të plotësuar sadopak boshllëkun e krijuar nga izolimi gradual dhe i plotë i vëndit nga kultura, arti dhe progresi botëror. Ky nuk ishte thjesht një fenomen shqiptar por karakteristik i sistemeve totalitare dhe megallomane që mohojnë vlerat e kulturës botërore. Kështu bëri regjimi hitlerian në vitin 1932 me djegëjen e leteratyrës së huaj, me pezullimin e plotë të depërtimit të filmave dhe ndjekjen e persekutimin e gjithë aktorëve dhe regjisorëve që nuk kishin prejardhje Ariane. Kështu bëri Musolini me Institutin “Luce” dhe veçanërisht me themelimin e Qëndrës Eksperimentale të Kinematografisë në Romë më 1938. Kështu bëri edhe Stalini i cili, nuk mund të mohohet, i dha një zhvillim të madh kinematografisë sovjetike por që e kishte krejtësisht nën kontrollin e tij të plot.

Kështu që shteti totalitar i dha rëndësi zgjerimit të kinematografisë dokumentare e artistike në vend por e vuri totalisht atë nën kontrollin e plotë të tij. U bënë investime të mëdha për një vend të vogël duke u ngritur një bazë teknike e fuqishme për xhirimin e filmave artistikë si atelierë, ton-atelierë, laboratori i përpunimit të filmave, repartet e montazhit, grimit, kostumerisë, ngritjen e dekoreve, piroteknikës si dhe gjithë reparteve të tjera të prapavijës. Si pasojë prodhimi i filmave u rrit në mënyrë të shpejtë duke harrijtur kulmin në vitin 1984 kur u xhiruan 14 filma artistikë brënda vitit. Nga viti 1975 filloi edhe realizimi i filmave vizatimore duke e inaguruar fillimin e tij me filmin “Zana dhe Miri” /RPi: V.Droboniku/ që gjithashtu arrijti të prodhojë në vitin 1984, 12-13 filma multiplikativë të teknikave të ndryshme në vit.

Në vitet 80-të kinematografia shqiptare filloi gradualisht t’i shkëputesh kontrollit total dhe hodhi hapat e para në thellimin e realizmit, iu afrua më shumë jetës, njerzve dhe fenomeneve të vërteta jetësore duke nxjerrë në pah se realiteti shqiptar nuk ish “rozë” siç paraqitej në mjetet e propagandës të regjimit në fuqi, por i krimbur me fenomene e shfaqje të helmatisura që po e shpinin vëndin në katastrofë. Prandaj, me të drejtë, disa filma si: Dora e ngrohtë, Njeriu i mirë, Rrethimi i vogël, Hijet që mbeten pas, Të mos heshtësh, Tela për violinë, Rikonstruksioni, Telefoni i një mëngjezi e të tjerë patën një jehonë e pritje të ngrohtë në publik

Prirja e kinematografisë sonë drejt një analize psikologjike pjesërisht u mbështet më mirë me shtjellimin e temave e subjekteve të mëdha me rëndësi kombëtare e historike e jo vetëm me ato të jetës së përditëshme të familjes, qëndrimeve morale, të individit në mjedisin shoqëror e të raporteve etike në shoqëri. Disa filma me tema historike të kohëve të fundit si “ Balada e Kurbinit”, “Vitet e pritjes”, “Muri i gjallë“, “Të paftuarit”, “Kthimi i Ushtrisë së vdekur” e ndonjë tjetër kanë treguar jo vetëm për aftësi krijuese të regjisorëve tanë por edhe për mirëpritjen dhe suksesin që kanë patur ata në spektatorët brenda dhe jashtë vendit duke nxjerrë në pah edhe vlera të mëdha kombëtare.

Një rritje të konsiderueshme pati prodhimi i kinoditarëve dhe i filmave kronikalë e dokumentarë. Ndonse, sidomos në fazën e parë, peshën kryesore specifike e zinin kryesisht filmat kronikalë që u bënin jehonë ngjarjeve politike, hyjnizimit të E.Hoxhës, vizitave të tij nëpër Shqipëri, Kongreseve të ndryshme të Partisë, Rinisë. Gruas, Frontit Demokratik, vizitave të delegacioneve të ndryshme partiake dhe shtetërore nga ish vëndet socialiste dhe të ashtuquajturave parti dhe grupe marksiste leniniste. Këto kishin për qëllim propagandistik dhe megalloman të krijonin idenë se Shqipëria nuk ishte vetëm dhe kish miq në të gjithë botën dhe se vendi ynë ishte qëndra nga po shperndahej në të katër anët revolucioni botëror. Por gradualisht u xhiruan edhe një numur i konsiderueshëm filmash për traditat, për shumë figura të shquara të kombit që kishin vepruar brënda dhe jashtë truallit shqiptar në të gjitha fushat si Gj.K.Skënderbeu, Jan Kukuzeli, Onufri, David Selenica, Dora d'Istria, Viktor Eftimiu, A.Moisiu, Fan S.Noli, Karl Gega, Vëllezërit Frashëri, Hasan Tahsini, L.Gurakuqi, H. Prishtina, Ndre Mjeda, Vangjush Miho, Kolë Idromeno, Tefta Tashko, filma për gjuhën dhe shkollën shqipe, për traditat në lundrim, në punimin e drurit, bakrit, porcelanit, punimin e qylymave, ndërtimin e banesave popullore, shumë filma mbi folklorin e koreografinë, festivalet kombëtare të këngës popullore e muzikës së lehtë, spartakiadat kombëtare dhe veprimtari të ndryshme sportive, kërkime e zbulime arkeologjike etj. Nga viti 1945 deri në 1995 u xhiruan 1006 kinoditarë me rreth 7000 suzhete (ngjarje) dhe rreth 1300 filma kronikalë e doku-mentarë të cilat përfaqësojnë një pasuri të madhe kombëtare se pasqyrojnë një epokë, pavarësisht nga trajtimet politike dhe ideologjizimet e kohës që ishin të pashmangëshme në një shtet totalitar.


Abaz Tahir Hoxha


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama