Heraldika si nje identitet perendimor i qyteterimit shqiptar

Heraldika si një identitet perëndimor i qytetërimit shqiptar

Bashkëbisedim me prof. dr. Pëllumb Xhufin studiues i historisë mesjetare arbërore

Duke e ditur se Tivari, Ulqini, Kotorri në burimet mesjetare paraqiten si qytete në përbërje të asaj që quhet "L‘Albania Veneta", apo "Arbëria veneciane", sikurse e ka shqipëruar studiuesi austriak, Oliver Shmidt; si autor i një prej librave monografikë kushtuar Mesjetës shqiptare, mendoni se kjo traditë ka rëndësi kulturore-historike për të dëshmuar procesin e gjatë të vetidentifikimit të popullit shqiptar prej periudhës para-etnike në atë etnike dhe më pas kombëtare?


Një gjë doja të saktësoja që në fillim: heraldika është një produkt i Mesjetës evropiane, që lidhet me qytetërimin e tipit kristiano-perëndimor. Për rrjedhojë, edhe dimensioni shqiptar i saj është rezultat i kontakteve me Evropën Perëndimore, që deri në shek. XV kanë qenë tepër intensive. Nga ana tjetër, tradita heraldike në Shqipëri nuk lidhet me ato që ju i quani periudha "para-etnike", me të cilat besoj se shënoni shekujt e ashtuquajtur "të errët" të Mesjetës (shek. IV-IX). As edhe epoka veneciane, që në Shqipëri, me ndonjë përjashtim të rrallë, mbulon shekujt XIV-XVI, nuk mund të quhet periudha kur zë fill kjo traditë. Fillimet e heraldikës në Evropë datojnë aty nga shek. XI dhe jo shumë larg nga kjo datë ajo shfaqet edhe në Shqipëri. Burimet e ardhjes së saj janë padyshim kontaktet e para me ushtritë kryqtare (1096), që kaluan sa nëpërmjet Tivarit, aq edhe nëpërmjet Durrësit me drejtim Kostandinopojën. Por akoma më shumë se kryqëzatat "fluturake", adaptimi i simboleve heraldike në mjedisin shqiptar u detyrohet më së shumti marrëdhënieve të qëndrueshme me shtete, dinasti e principata perëndimore.

Flasim për Tivarin, p.sh. Princërit autonomë të Dioklesë, krahinës që sot i përgjigjet pak a shumë Malit të Zi të sotëm e që përveç Tivarit përfshinte edhe qytetet e Budvës, Ulqinit, Shkodrës, Drishtit, konkretisht princi Bodin, në fund të shek. XI ishte martuar me vajzën e Argjirit, qeveritarit të qytetit të Barit. Lidhjet e këtij qyteti të fundit italian me Tivarin tonë kanë qenë jashtëzakonisht të ngushta. Vetë emri Tivar është një produkt i emrit të qytetit italian: Tivar vjen nga Antibari, që ka kuptimin qyteti përballë Barit. Ashtu si krejt Dioklea, Tivari ishte një qytet me traditë fetaro-kulturore katolike, dhe mbeti i tillë edhe pas pushtimit të Dioklesë nga zhupani i madh i Serbisë, Stefan Nemanja, më 1199. Mbretërit serbë, edhe nën presionin e Papës së Romës e të shteteve feudale të Perëndimit, u detyruan ta njohin autonominë fetare, kulturore e deri-diku edhe politike të Dioklesë. Kështu, në vitet 1260-1310 Dioklea u qeveris nga Helena, gruaja e mbretit serb, Urosh II, e cila ishte një princeshë franceze dhe që bëri shumë për ruajtjen e traditave vendëse dhe forcimin e lidhjeve me Perëndimin të kësaj treve. Por në një kuptim më të gjerë se Dioklea dhe Tivari, heraldika u shfaq edhe në trevat më jugore shqiptare, nën ndikimin e kontakteve me dinastitë sunduese të Italisë së Jugut: të dinastisë normane Altavila (1080-1185), të dinastisë gjermane Hohenshtaufen (1185-1266), të dinastisë franceze Anzhu (1266-1370) e më tej edhe të dinastisë spanjolle të Aragonës, që ndikoi në truallin shqiptar deri në fillimet e shek. XVII. Po t‘u shtojmë këtyre kontakteve edhe ato disa-shekullore me Republikën e Venedikut (shek. XI-XVI), me Mbretërinë e Hungarisë (shek. XIV-XV) apo ato me Papatin, që vazhduan pa ndërprerje deri në fillimet e shek. XVIII, kuptohet se burimet për shfaqjen e kësaj dukurie perëndimore, siç është heraldika, kanë qenë të pafundme në Shqipëri.


Duke qenë në hyrje të këtij argumenti, sikurse e dini, në studimet shqiptare është folur për traditë heraldike, për emblematikë shqiptare, por edhe për traditë stematografike, sikurse u përdor disa shekuj më parë autori i librit "Stematographie Illyricanae", Pavel Ritter (Zagreb 1702). Cili është dallimi terminologjik midis këtyre koncepteve dhe cili do të ishte termi më i përshtatshëm për studimet shqiptare?


Ju flisni saktë për një dallim terminologjik e jokonceptual midis këtyre dy termave. Stematologji vjen në fakt nga fjala e greqishtes së lashtë stemma, që do të thotë kurorë. Ndërsa fjala heraldikë vjen nga latinishtja mesjetare heraldus, që do të thotë lajmëtar (dhe lajmëtari paraqitej gjithnjë me shenjat dalluese të sundimtarit të vet). Por vetë latinishtja e ka huazuar këtë fjalë nga gjuha gjermanike e shekujve të hershëm të Mesjetës. Në gjuhën shqipe, për meritë edhe të I. Kadaresë, është afirmuar më së shumti fjala greke emblema, krahas fjalës stema, që ka marrë një kuptim më modern. Kurse fjala heraldikë, ashtu si kudo, përdoret për të shënuar degën e diturisë që merret me studimin e emblemave mesjetare, qofshin ato shtetërore, familjare apo qytetëse.


Shkrimtari Ismail Kadare është shprehur në parathënien e një libri të botuar italisht se arbërorët që mërguan në fund të Mesjetës drejt Italisë ishin kryesisht familje fisnike dhe si të tilla ato morën me vete kambanat, dorëshkrimet, ikonat, memoaret, kodikët, statutet dhe bashkë me to dhe flamujt e emblemat. Sa e vërtetë është që mërgimi mesjetar i shqiptarëve e ka varfëruar traditën stematografike që mbeti e trashëguar në hapësirën shqiptare?


Mendoj se përtej simbolikës së shprehur në mënyrë mjeshtërore nga gjiganti i letrave shqiptare I. Kadare, tradita heraldike në Shqipëri u shua, pasi në Shqipëri ndodhi një zhvendosje gati tektonike qytetërimesh. Me pushtimin osman, me islamizimin e pinjollëve të familjeve kryesore fisnike shqiptare, kjo traditë erdhi duke u bjerrë. U ruajt për një farë kohe, deri në vitet 1570, në disa qytete që vazhduan të qëndrojnë nën sundimin e Venedikut, siç ishin, p.sh., Tivari apo Parga. Nga këto dy qytete ne kemi një mori stemash apo emblema të familjeve fisnike qytetëse, siç duhet të jenë edhe ato që ju vetë keni ndeshur nëpër kishat, muret apo rrënojat e Tivarit. Ndërkohë, pinjollët e familjeve princore të: Kastriotëve, Arianitëve, Muzakajve, Matrëngëve, Skurajve, Buave, Vranajve, Zenebishëve, të cilët pas vdekjes së Skënderbeut u vendosën në Itali, i ruajtën dhe i pasuruan emblemat e tyre familjare. Shumë prej tyre i gjejmë sot të gdhendura apo të pikturuara në varret, në qelat familjare, në hyrjet e pallateve, në dorëshkrimet e shumta. Nuk mund të mos kujtoj me emocion ndeshjen time të papritur, në vitin 1988, në një kthinë të kështjellës së Barletës (Itali), me varrin e kështjellarit Gjon Kastrioti. Guri mortor kishte të gdhendur fare bukur emblemën e kësaj familjeje, ndërsa mbishkrimi i gjatë sqaronte se kështjellari në fjalë, vdekur në vitin 1787, ishte një pasardhës i Skënderbeut. Por shenja të tilla të familjeve fisnike shqiptare i gjen pa fund në qytetet e fshatrat e Kalabrisë, Puljes apo Sicilisë.


Nëse do të provonim të krijonim një "alfabet të shenjave" të stemave që gjenden në trajtë të gurtë në kalanë e Tivarit, do të vërehej pa ndonjë vështirësi prania e simboleve anzhuine, veneciane, kristiane, arbërore, por edhe të tilla që duken disi të pashpjegueshme, si palma. Si e shpjegoni ju këtë përzierje të shumëfishtë të alfabeteve të shenjave?


Atëherë, përzierja e motiveve në stemat që ju keni parë në mjediset e kështjellës së Tivarit, kërkon një vështrim diakronik e tipologjik, për të identifikuar e për të vënë në mjedisin e duhur historik e social secilën prej tyre. Sigurisht, shfaqja e simboleve të tilla "imperiale, si luani, shqiponja apo ujku na paralajmërojnë se kemi të bëjmë me emblema që janë shprehje e një pushteti shtetëror, ndryshe nga emblemat që kanë si simbol elemente florealë apo gjithsesi, "soft" dhe që shprehin realitete pushtetesh më modeste: ekonomike, sociale apo fetare. Luani në vetvete, jo luani venedikas në pozicion normal, por ai i ngritur fuqishëm mbi dy këmbët e pasme, është simbol i dinastisë normane Altavila, që sundoi në Italinë e Jugut në shek. XI-XII. Si i tillë, ai u huazua edhe nga dinastia pasardhëse e Anzhuinëve (shek. XIII-XIV). Por këta i shtuan luanit edhe simbolin e vet historik, atë të zambakut. Karl Topia, zoti i fuqishëm i Shqipërisë së Mesme në vitet 1370, ka adaptuar si stemë të principatës së vet pikërisht këtë tip luani, të shoqëruar me simbolin e zambakut, të kryqit dhe të rozetës.

Luani në këmbë bashkë me zambakun përbëjnë motivin heraldik edhe te Skurajt, zotërit pararendës të Topiajve të krahinës së Arbrit, siç shihet në varrin e Anton Skurës, gjetur në kishën e Shën Anunciatës në Lezhë. Të gjithë këta elementë kanë kuptimin e tyre. Luani me zambakët anzhuinë nënvizojnë marrëdhëniet e ngushta që Skurajt e Topiajt kishin me shtëpinë Anzhu, jo vetëm si "vasalë" të anzhuinëve të Napolit, por edhe si krushq të tyre: në fakt, një paraardhës i Karl Topisë ishte martuar me një princeshë anzhuine. Pra, jo vetëm marrëdhëniet politike të varësisë, por edhe krushqitë shërbenin si shkas për të rimarrë motivet heraldike të të tjerëve, apo për të pasuruar me elementë të rinj emblemën origjinale të familjes. Dihet, p.sh., se motivi heraldik i Kastriotëve në kohën e Gjonit ishte shqiponja me dy krerë. Me ardhjen e Skënderbeut, ky motiv u pasurua duke shtuar simbolin e luanit me zambakun, si dhe atë të yllit me gjashtë cepa, që fillimisht kishte qenë simbol i Balshajve. Në këtë formë e gjejmë të riprodhuar emblemën e Kastriotëve në një libër lutjesh të porositur enkas për Skënderbeun nga mbreti Alfons i Napolit, më 1458, si dhe në një sërë monumentesh e varresh të tjera, siç është edhe ai i përmendur i kështjellarit të Barletës, më 1798.


Pse ruhen këto gjurmë të përziera në titulaturën arbërore?


Nuk është e panjohur, që në Shqipëri, në të gjitha kohërat, ka pasur një afeksion të veçantë për emra të nomenklaturës ushtarake, të çfarëdo prejardhjeje qoftë ajo. Jo për shaka, po kujtoj një fakt që lidhet me vitet e fëmijërisë sime, kur më qëlloi të njoh katër vëllezër, që quheshin me emra të tillë, si: Artiljer, Aviator, Tankist (emri i të voglit s‘më kujtohet). Ishin bijtë e një oficeri, ushtarak i rreptë e njeri shumë i mirë. E pra, si në asnjë vend tjetër e në të gjitha kohërat në Shqipëri kanë lulëzuar emra të tillë të huazuar nga arsenali ushtarak i të gjitha mbretërive e perandorive të botës, si p.sh. Admiral, Kont e Konteshë (shek. XIV), Komnen e Komita, Qezar, Sebast, Despot e Despinë (shek. XIII-XV), dhe nga shek. XVI emra si Sulltan e Sulltane, Dizdar, Agë-Agush, apo Bej-Bejkush, Pashë (Pasholl apo Pashuk) etj. Për t‘u kthyer te Skënderbeu (që është një bashkim i emrit antik, Aleksandër, dhe i titullit ushtarak osman, bej), ekziston një shembull më i hershëm i përdorimit të titullit bej, siç rezulton nga një shënim historik i vitit 1356 të Kodikut Nr. 50 të Beratit, ku flitet për një fisnik vendës me emrin Skuribeg. Siç duket, vetë Perandoria Bizantine e kohëve të dekadencës (shek. XIV-XV) ka kontribuuar për shpërndarjen "paradhënie" të titujve ushtarakë osmanë, shumë kohë para se këta të bëheshin zotër të vërtetë të saj.


Këto stema, që zakonisht i kanë bartur familjet patronimike, a janë paraprirëse të periudhës kombëtare shqiptare?


Janë padyshim shenjë e një maturimi politik e kulturor të shoqërisë shqiptare, e cila, pasi kishte arritur një nivel të caktuar autonomie politike nga shtetet e perandoritë e huaja, kërkonte tashmë të ballafaqohej si e barabartë, edhe në aspektin e solemnitetit e të ceremonialit, me shtetet më të zhvilluara të Evropës Perëndimore. Këtë e provon më së miri edhe fakti, që familje të tilla si: Kastrioti, Dukagjini, Engjëlli, Muzaka, Arianiti, Zaharia, Jonima, Bua, Blinishti, që kishin krijuar principatat e veta të pavarura në shekujt XIII-XV, me t‘u vendosur në Itali u pranuan e u integruan sakaq në fisnikërinë vendëse. Emrat e tyre, së bashku me emblemat përkatëse, i gjen rëndom në katalogët e fisnikërisë së Venedikut, Napolit apo Palermos të shekujve XVI-XVIII.


Cilat prej familjeve patronimike arbërore në viset shqiptare jashtë kufirit shtetëror kanë pasur emblema?


Është një dukuri që na diferencon pozitivisht edhe nga shoqëritë fqinje sllave e greke. Në raport me këto të fundit, që i përmbaheshin modelit oriental bizantin, ne kemi pasur edhe një qytetërim urban, që njohu humanizmin, rilindjen dhe të gjitha rrymat më të avancuara të qytetërimit perëndimor. Kujtoj që në Tivarin e shek. XIII kishte shkolla ku mësohej gjuha, logjika e filozofia. Përhapja e emrave të tillë si Merilin, Lancelot tregon qartë se në atë qytet njihej mirë që në atë kohë eposi evropian i "Këngëve të Rolandit". Tivari e disa nga qytetet tona, si Durrësi, Shkodra, Drishti, Danja, ishin të organizuara si komuna qytetare dhe qeveriseshin mbi bazën e statuteve, forma më e avancuar e së drejtës pozitive. Fati e desh që të ruheshin deri te ne statutet e Shkodrës, shek. XIV, (tashmë të botuara) dhe ato të Drishtit (që janë në botim e sipër). Për sa i përket pyetjes suaj, posaçërisht lidhur me heraldikën, njihen emblemat e disa prej tyre: ajo e Kastriotëve, në shndërrimin historik të saj, stema e Muzakajve, e cila fillimisht kishte si simbol një fontanë uji (apo nafte?), më vonë adaptoi shqiponjën dykrenore dhe në fund, kur Muzakajt u shpërngulën në Itali, stema e tyre u unifikua me atë të Kastriotëve, siç provohet nga ekzemplari i ruajtur në altarin e kishës së Shën Mërisë në Mezanjë të Italisë.

Dukagjinët kishin në stemën e tyre shqiponjën e bardhë njëkrerëshe, trashëguar nga princërit e parë të Arbrit, shek. XII, dhe një ekzemplar të së cilës e shohim në gurët e gdhendur të kishës së Gëziqit (Mirditë). Një emblemë mjaft të elaboruar kanë edhe Topiajt, ashtu siç ajo shihet në murin e jashtëm të manastirit të Shën Gjon Vladimirit, themelim i Topiajve. Balshët e Shkodrës, në fazën e pjekur të qeverisjes së tyre, kishin për simbol të emblemës një kokë ujku, ndërsa Skurrajt kishin luanin normano-anzhuin. Edhe Zahariajt kishin stemën e tyre që bazohej në motivin e shqiponjës njëkrerëshe, siç shihet nga një mbeturinë afresku në murin e brendshëm të rezidencës së tyre brenda kështjellës së Danjës. Emblema e Buave të Epirit gjen formën më të plotë e të elaboruar të saj në stemën e stratiotit Merkur Bua, një luftëtar i shquar i shek. XVI, që pati ofiqe të larta ushtarake në oborret e Napolit, Venedikut, Francës e Gjermanisë. Një stemë e veçantë, pasi përfaqëson pushtetin fetar, është edhe ajo e ipeshkvit të Stefaniakës e të Bendës, Nikollë Mekajshit (shek. XVI) apo ajo e arqipeshkëvit të Shkupit në vitet 1680, Pjetër Bogdanit. Ndërkohë, stema të familjeve të tjera të shquara shqiptare ruhen sot në ndërtesa të vjetra laike e fetare në qytetet e fshatrat e Italisë, ku këto familje u strehuan pas rënies së Krujës.


Nuk ka pasur dhe aq kërkime në stematografinë arbërore që gjendet në kështjellat e qyteteve bregdetare shqiptare. Mendoni se ka një nënçmim të trashëguar ndaj tyre, duke u nisur prej faktit se ka në to gjurmë të kulturave të të huajve?


Më lejoni të kujtoj ndërkaq, një vepër të lavdërueshme të studiuesit të pasionuar Gjin Varfi mbi heraldikën shqiptare, botuar në vitin 2000 nga shtëpia botuese "Dituria", për të mos folur për ndonjë studim specifik, si ai i Prof. Dhimitër Shuteriqit mbi stemën e Arbrit. Por ju keni të drejtë kur nënkuptoni neglizhimin e shkencës ndaj një fenomeni të tillë historiko-social, siç është heraldika. Sigurisht, heraldika lidhet me "familjet e mëdha" dhe me ndikimet e botës perëndimore mbi realitetin shqiptar, dhe si e tillë ajo nuk mund të përbënte një objekt studimi për historiografinë komuniste. Por moslëvrimi i saj lidhet edhe me kapacitetet e kufizuara për studimet mesjetare, në përgjithësi, të cilat kërkojnë njohjen e gjuhëve të rralla e të vështira, si latinishtja, greqishtja, sllavishtja kishtare, osmanishtja, apo njohuri në paleografinë e diplomatikën e këtyre gjuhëve. Ajo çka trishton më së shumti është fakti që në rast se në vitet e diktaturës u bë kujdes nga Akademia e Shkencave për të përgatitur të paktën disa bërthama të specializuara në këto fusha, sot askujt nuk i bie ndërmend për ta bërë një gjë të tillë. Dhe kjo është një kambanë alarmi për të ardhmen e shkencave albanologjike, në përgjithësi.

 

Marre nga  : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama