Matura Shteterore 2013 reduktohen lendet me zgjedhje

Matura Shteterore 2013, reduktohen lendet me zgjedhje
Këtë vit maturantët do të përzgjedhin vetëm 2 lëndë nga Lista e Lëndëve me Zgjedhje. Kjo, në ndryshim nga viti i kaluar ku maturantët kanë përzgjedhur 3 lëndë. Por nuk do të thotë se këtë vit ka reduktim të lëndëve apo pyetjeve, pasi lëndët bërthamë janë përmbledhur në një të vetme me lëndët e thelluara. Për t’i dhënë përgjigje disa pikëpyetjeve që maturantët kanë për ndryshimet e rregullores së Maturës Shtetërore 2013, Shefi i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, shpjegon ndryshimet që ka pësuar rregullorja këtë vit. Ai sqaron se maturantët duhet të kenë parasysh kriteret kryesore në përzgjedhjen e lëndëve: koeficientin e lëndës dhe koeficientin e shkollës.

Përveç këtyre, Vejsiu shprehet se për t’u ardhur në ndihmë maturantëve në përgatitjen që do të bëjnë për provime, në javën e parë të janarit do të dalin Programet Orientuese. Programet do të shërbejnë si pikë mbështetjeje, që maturanti të dijë se ku të duhet të fokusohet për të studiuar. Aty janë të përfshira temat që maturanti duhet të ketë parasysh në dhënien e provimeve me zgjedhje dhe me detyrim.

Cilat janë ndryshimet që do të pësojë Matura Shtetërore 2013?

Ndryshimet që do të pësojë Matura Shtetërore 2013 nuk janë të shumta në krahasim me ato të vitit të kaluar. Së pari, konsiston në numrin më të reduktuar të lëndëve me zgjedhje. Këtë vit do të kemi vetëm dy lëndë me zgjedhje. Dikush mund të mendojë se ka më pak lëndë, por nuk është e vërtetë. Si numër duket e tillë por, kemi një integrim të lëndëve.

Vjet ka qenë lënda Shkenca e Tokës, ndërsa këtë vit është ingranuar në lëndën e Gjeografisë. Lëndët e thelluara nuk do të trajtohen thjesht me numrin e krediteve, por ka edhe lëndën bërthamë dhe nuk përbëhet me 2 ose 3 kredite. Për shembull, Kimia bërthamë ishte 4 kredite vitin e kaluar dhe Kimia e thelluar ishte 2 kredite dhe tani janë bërë 6 kredite vetëm mbi bazën e bashkimit të këtyre dy lëndëve në një të vetme. Nuk ka sens që të kemi program orientues për Kiminë e thelluar, matematikën, fizikën pa konsideruar edhe kurrikulën bërthamë. Po kështu, për shkollat artistike janë lënë vetëm Historitë e Muzikës, Artit e Baletit duke mos marrë në konsideratë Anatominë apo Teorinë e Solfezhit sepse mjafton një lëndë.

Vitin e kaluar ka qenë mundësia që maturantët mund të zgjidhnin edhe 3 lëndë me zgjedhje, por për faktin se formula nuk rezultoi pozitive, këtë vit kemi vetëm 2 lëndë me zgjedhje.

Cilat janë lëndët e tjera që janë përmbledhur në një?

Lëndët e tjera me zgjedhje si Fizikë, Kimi, Biologji, Histori, Gjeografi, Ekonomi dhe Teknologji. Ndërsa Matematika dhe Letërsia do të qëndrojnë si të thelluara më vete pa pasur parasysh atë bërthamë, sepse janë të detyrueshme. Jepen provim i detyrueshëm në nivelin bërthamë.

Po tjetër ndryshim?

Është shumë e rëndësishme për maturantët të theksohet se ata kanë të drejtë të përzgjedhin edhe lëndë që nuk i kanë bërë fare. Çdo kandidat ka të drejtë të përzgjedhë një ose më shumë lëndë pavarësisht se i ka bërë ose jo në shkollë apo i ka ofruar ose jo shkolla. Për shembull, një kandidat nuk ka bërë italisht në shkollë të mesme dhe ai mund të pyesë se nëse duhet ta zgjedhë dhe përgjigjja është se ai ka të drejtë ta zgjedhë. E rëndësishme është që lënda që ai zgjedh duhet të jetë patjetër në tabelë. Si përfundim, ai ka drejtë të zgjedhë dy lëndë me zgjedhje nga ato që përmban tabela. Maturantët e gjimnazit të përgjithshëm nuk mund të zgjedhin lëndët e shkollave profesionale. Kurse nxënësit e shkollave profesionale dhe artistike mund të zgjedhin vetëm njërën nga lëndët që janë të ofruara në listën e lëndëve.

Në rast se një nxënës ka dhënë provim me zgjedhje dhe nuk ka dalë fitues a mund t’i rijapë ato?

Jo nuk ka të drejtë. Kandidojnë jo vetëm maturantët, por edhe kandidatët. Të drejtë ka vetëm ai kandidat që i ka dhënë dhe s’i ka marrë provimet me zgjedhje.

Çfarë duhet të kenë parasysh maturantët për të qenë fitues dhe cilat janë gabimet që nuk duhet të bëjnë?

Së pari, duhet të dinë që çdo lëndë me zgjedhje ka koeficientin e vet sipas fakultetit përkatës. Për shembull, Kimia nuk është e barazvlefshme në Fakultetin e Mjekësisë dhe në atë të Historisë. Pra, në qoftë se në mjekësi ajo e ka koeficientin 1.3, në Histori e ka koeficientin 1. Kështu që nëse maturanti e ka bërë mend që të vazhdojë degën e Historisë, atëherë ai duhet të zgjedhë lëndët që përputhen me këtë fakultet, lëndët shoqërore.

Për çfarë duhet të këshillohen më tepër maturantët?

Maturantët duhet të kenë parasysh koeficientet që ka çdo lëndë dhe degën që ata përzgjedhin. Dikush që nuk është i mirë në lëndët shkencore dhe nuk i ka notat të mira në këto lëndë, nuk mund të vendosë preferencë këto degë.

Shpeshherë nëpër debatet për Maturën Shtetërore kemi dëgjuar që gjimnazet të mos kenë të njëjtin koeficient, pasi është supozuar se jo të gjitha gjimnazet e vendit kanë të njëjtin nivel. A ka ndonjë ndryshim të koeficienteve këtë vit?

Jo. Ka një barazi që secili nivel gjimnazi, kudo që të jetë, ka të njëjtin koeficient. Kjo vlen qoftë për shkollat publike ose private dhe në çdo vend.

Kur do të dalin programet orientuese të maturantëve?

Programet orientuese do të shpërndahen në çdo shkollë në javën e parë të janarit. Pak a shumë programi është i njëjtë me vitin e kaluar dhe vetëm lëndët e reja do të kenë programe të reja.

Vitin e kaluar Formulari A2 u plotësua online. Këtë vit si do të plotësohen Formulari A1, A2 dhe A3?

Përveç Formularit A2 dhe A3 që vitin e kaluar u plotësuan për herë të parë online, këtë vit do të plotësohet online edhe Formulari A1. Secili maturant mban përgjegjësi për të dhënat e sakta. Nëse maturanti nuk është i përfshirë në data base-in e Maturës Shtetërore 2013, më pas nuk ka as një shans që të plotësojë Formularin A2.

Kur do të bëhet aplikimi online për plotësimin e Formularit A1 dhe çfarë do të përmbajë ai?

Ky formular do të plotësohet deri më 15 mars, ku duhet të ketë përfunduar aplikimi on-linë. Duhet të sqaroj se A1 përmban të dhënat e maturantëve, ndërsa A1Z përmban të dhënat e kandidatëve. Kandidatë janë të gjithë ata që kanë përfunduar maturën në vitet e kaluara dhe duan të konkurrojnë për në shkollë të lartë këtë vit.Këto dy formularë përmbajnë gjeneralitetet e këtyre personave: emër, mbiemër, numrin e telefonit, adresë e-mail-. Kryesore është lista e lëndëve me zgjedhje.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama