Regjistroni domainin tuaj .al

Romeo me kravatë

Shkruar nga:  
Postuar më: 8 vite mĂ« parĂ«

Romeo me kravatë
Romeo me kravatë

Një figurë popullore tashmë në Itali si balerin në spektaklet televizive, e më tej edhe si aktor në dy filma, Kledi Kadiu është sot Romeo. Një Romeo me kostum e kravatë i kohës së pas Luftës së Dytë Botërore. Qysh nga muaji prill ka punuar me Teatrin e Romës, për të vënë në skenë baletin "Xhulieta e Romeo". Një version bashkëkohor i tragjedisë më popullore të Shekspirit, me muzikë të kompozitorit rus Sergej Prokofiev, por me koreografi të Fabrizio Monteverde-s. Një natë para premierës që mbahet sot në Gjenovë e më tej në Romë, Kadiu ndihet i emocionuar. Skena është ndryshe nga ekrani. "Çka ndodh në skenë mbetet përgjithmonë, nuk mund të zhbëhet".
Një natë para premierës së një baleti klasik në një skenë prestigjioze. Çfarë përjetoni sonte?

Është një emocion tërësisht i ndryshëm nga ai i televizionit. Është një emocion dhe një marrëdhënie e drejtpërdrejtë me publikun. Është eksperienca më e bukur dhe më e frikshme njëkohësisht. Ajo që ndodh në skenë mbetet përgjithmonë dhe është e pamundur që të zhbëhet. Nuk mund të përsëritet, nuk ka regjistrime, siç ndodh në televizion apo në kinema ku mund të realizosh dhjetëra çak.

Baleti në fjalë quhet "Xhulieta dhe Romeo", çfarë sugjeron ndryshimi i titullit?

Titulli "Xhulieta e Romeo" i baletit i referohet versionit origjinal të veprës së Shekspirit, pasi në të personazhi kryesor është Xhulieta. Koreografi është munduar t'i qëndrojë besnik origjinalit.

Komentet para premierës thonë këtë herë se Romeo është një djalë i drojtur dhe Xhulieta është rebelja, ajo që bëhet iniciatore e ngjarjeve.

I drojtur? Nuk e di. Ndoshta i drojtur në ndjenjën që ka për Xhulietën. Deri në momentin që njohu atë, Romeo ishte vazhdimisht në "gjueti" të vajzave. Është një princ i ri që do të gëzojë jetën, por kur takon Xhulietën, ai takon dashurinë e vërtetë dhe ndryshon tërësisht sjellje. Ai bëhet tjetër njeri, gjë që e çon edhe në fundin tragjik, të njohur tashmë përmes tragjedisë së famshme të Shekspirit.

Muzika është klasike, koreografia moderne. Ç'mund të na thoni për koreografinë e Monteverde-s?

Koreografia është kontemporane, neoklasike. Koreografi Fabrizio Monteverde ka bërë një rikonceptim të veprës. "Xhulieta dhe Romeo" është luajtur nga balerinë të mëdhenj italianë dhe të huaj, mes të cilëve dhe Raffaele Paganini disa vjet më parë dhe është një nga veprat më të suksesshme të Baletit të Romës. Në çdo vënie ka diçka të re. Koreografi ka futur shumë elementë të veçantë. Do të veçoja dy passo a due, që janë ndër pjesët më të bukura të Romeos, ndërkohë që Xhulieta kërcen me puante, jo me papuçe si deri më sot. Elementë bashkëkohorë has në skenografi e kostumografi. Nuk ka më veshje si në kohën e Shekspirit, por xhaketë, kravatë, pasi edhe ngjarjet zhvillohen pas Luftës së Dytë Botërore.

Prokofiev, çfarë ju thotë ky emër, ku ndryshon muzika e tij nga klasikët e baletit që keni interpretuar?

Kam kërcyer nën muzikën e Çajkovskit, apo Minskut, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, si "Don Kishoti", "Arrëthyesi"… Por mendoj se muzika e Prokofievit tek "Xhulieta dhe Romeo" është ndër më të bukurat. Është shumë e ndjerë dhe për mua është një kënaqësi e veçantë të kërcej këtë muzikë.

Jeni shprehur që me këtë balet i riktheheni "dashurisë së parë".

Është një balet klasik, muzikë klasike të sjella në një formë bashkëkohore. Kur them që "i kthehem dashurisë së parë" mendoj teatrin. Gjithçka që simbolizon ai dhe që është ndryshe nga një ekran televizioni. Pasi me baletin klasik unë nuk jam ndarë asnjë moment. Kam bërë një shkollë klasike, vazhdoj të studioj akoma edhe pse prej një kohe të gjatë unë ushtroj dhe kam një akademi të dancit modern. Muskujt, formimi im fizik janë ato të një balerini klasik, kështu që për mua nuk përbën asnjë problem kthimi në një skenë teatri. Madje koreografi ka bërë një riadaptim të rolit, për t'iu përshtatur aftësive dhe formimit, pasi dihet që çdo balerin ka karakteristikat e veta, të veçanta.

Sa "dëmton" profilin klasik të një balerini të kërcyerit për një kohë të gjatë vetëm danc modern?

E rëndësishme është që të dish të përdorësh muskujt si duhet në varësi të formave të ndryshme të kërcimit. Por pa dyshim duhet të kesh bërë një shkollë klasike, të kesh një formim të mirë. Një balerin i formuar në një shkollë klasike nuk has asnjë problem në të kërcyerit e dancit modern, ndërkohë që e anasjellta është e pamundur. Kush ka kërcyer vetëm balet modern, nuk mund të kërcejë atë klasik. Pastaj, duhet thënë që kërkesat janë shumë të forta dhe askush nuk të beson një rol, nëse nuk ke formimin dhe eksperiencën e duhur.

Ç'mund të thoni për Xhulietën, partneren tuaj?

Ajo quhet Noemi. Partnerja është kryesorja në realizimin e një roli. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një histori dashurie, ku duhet të ketë shumë ndjenjë, shumë komunikim. Dhe nuk bëhet fjalë thjesht për realizimin teknik të figurave, por edhe për interpretimin aktorial. Unë jam i kënaqur nga ky bashkëpunim, por gjithsesi fjala e fundit i mbetet publikut, kritikës.

E meqënëse përmendët interpretimin aktorial, mendoni të keni një karrierë si aktor?

Unë jam dhe do të mbetem balerin. Eksperiencat në kinema kanë qenë të bukura dhe nëse do të përsëriteshin do të ishte kënaqësi për mua, por kërcimi është pikësynimi im i vetëm. Unë nuk synoj të bëj aktorin. Por mendoj që çdo njeri është pak aktor në vetevete. Aq më tepër një balerin. Duke mos folur ne komunikojmë, shprehemi me lëvizjet, të cilat janë më të vështira për tu thithur nga publiku. Kjo më ka ndihmuar shumë.

Kjo do të thotë se nuk jeni bërë eklektike, në kërkim të gjërave të reja, përfshi dhe angazhimin në kinema?

Jo, jo. Nuk kam shkuar kurrë në kërkim të gjërave të reja. As që më shkonte ndonjëherë ndër mend se mund të dilja para kamerave të xhirimit e të luaja në një film. Mund të them që ishin vetë këto eksperienca që më dolën përpara. Por edhe këtu nuk kam dalë nga vetja. Tek "Passo a due" luajta veteveten, një balerin, tek filmi me Ornela Mutin luajta rolin e një emigranti, një rumuni, duke iu përshtatur theksit tim. Nuk pretendoj të bëj aktorin e mirëfilltë në një film italian. Është e pabesueshme, jo vetëm për publikun italian, por edhe për mua vetë një gjë e tillë. Në Itali jam i njohur si balerin dhe do duket e çuditshme që në një të ardhme të thonë "aktori Kledi Kadiu interpreton në krah të Michele Placido…" Nuk e di. Aq më tepër që filmi nuk më fal të njëjtën kënaqësi si baleti. Nuk mund të krahasohet me emocionin që ndiej tani që do të interpretoj Romeon. Kam një jetë të tërë që investoj për baletin.

Ndërkohë keni marrë një ftesë për filmin e ardhshëm të regjisorit Gjergj Xhuvani?

Po është e vërtetë. Regjisori Xhuvani më ka bërë një ftesë të tillë. Për mua është kënaqësi të punoj me një regjisor dhe aktorë shqiptarë. Është përvojë e re. Kam dëgjuar që xhirimet janë shtyrë dhe ndoshta nisin në pranverën, apo verën e vitit që vjen.

Alma Mile : Gazeta Shekulli

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi