Januzaj refuzon Shqiperine Veseli jo

Januzaj refuzon Shqiperine, Veseli jo
I pari zgjedh Belgjikën përpara ngjyrave kuqezi, ndërsa i dyti synon të realizojë një ëndërr, duke luajtur për kombin e tij. Dy talentet shqiptare të Mançester Junajtid zgjedhin fate të kundërta.

Januzaj - Abedin Januzaj, babai dhe menaxheri i mesfushorit, refuzon publikisht kombëtaren e Shqipërisë dhe i hap derën vetëm Belgjikës: “Askush nuk na ka ftuar nga Shqipëria deri tani. Kur të na thërrasin, do t’i refuzojmë. Kombëtarja e Belgjikës mbetet opsion për Adnanin”

Veseli - “Ka shanse të mira të bëhem pjesë e kombëtares shqiptare. Jam shqiptar dhe secili ka shpresa të luajë për kombin e tij. Momentalisht jam i dëmtuar, por pasi të shërohem dhe të jem i gatshëm 100%, atëherë pse jo edhe të jap kontributin tim për kombëtaren shqiptare”

Shqipëria humbet Adnan Januzajn, por fiton Frederik Veselin. Dy talentet shqiptare të ekipeve të të rinjve të Mançester Junajtid kanë zgjedhur fate të kundërta. Mesfushori Januzaj ka refuzuar kombëtaren e Shqipërisë, ndërsa mbrojtësi Veseli ka shprehur gatishmërinë për të veshur bluzën kuqezi.

Vetëm pak ditë më parë, shpresat e drejtuesve të kombëtares për të afruar Adnan Januzajn ishin shtuar, pasi xhaxhai i tij, Nexhmedin Januzaj, deklaroi se talenti i Junajtid dëshiron të luajë për Shqipërinë dhe se shumë shpejt pritet një takim mes familjarëve të mesfushorit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Po kjo shpresë ka zgjatur shumë pak, pasi nga futbollisti me prejardhje nga Istogu i Kosovës erdhi menjëherë refuzimi. Babai i talentit 18-vjeçar, Abedin Januzaj, i cili është njëkohësisht edhe menaxheri i lojtarit, ka thënë për kanalin televiziv kosovar “KTV”, se për momentin djali i tij do të jetë tërësisht i përqendruar te Mançester Junajtid, ku duhet të rritet edhe më profesionalisht. Ndërsa për sa i takon angazhimit me ndonjë kombëtare, dera i është mbyllur në fytyrë Shqipërisë, ndërsa është lënë e hapur vetëm për Belgjikën. “Askush nuk na ka ftuar nga Shqipëria deri tani.

Kur të na thërrasin, do t’i refuzojmë. Kombëtarja e Belgjikës mbetet opsion për Adnanin”, ka thënë babai Abedin Januzaj. I lindur në Bruksel në vitin 1995, Januzaj e nisi karrierën me të rinjtë e skuadrës së Anderlehtit, por u transferua në radhët e “Djajve të kuq” në mars 2011 për 550 mijë paundë, vetëm pas insistimit të Sër Aleks Ferguson. Ai menjëherë u bë një ndër lojtarët më të paguar të Akademisë së Junajtid. Gjatë sezonit të fundit, ai është aktivizuar si mesfushor në ekipin U-21 të Mançester Junajtid. Mesfushori nga Kosova së fundmi ka fituar çmimin “Golden Ball” nga kompania “Adidas” për lojtarin e ri më të mirë në turneun “Blue Stars/FIFA Youth Cup”, që u organizua nga FIFA gjatë javës së kaluar në Zyrih të Zvicrës. Shumë shpejt pritet të bëjë debutimin në skuadrën e Mançester Junajtid, me të cilën është grumbulluar disa herë nga tekniku skocez, Aleks Ferguson, i cili e ka vlerësuar talentin kosovar si e ardhmja e “Djajve të kuq”.

Por talenti tjetër shqiptar i Junajtid, Frederik Veseli, nuk përdor të njëjtën logjikë, por pohon se shpreson që të realizojë ëndrrën për të luajtur për ngjyrat e kombit të tij. Mbrojtësi 20-vjeçar, me pasaportë zvicerane, por me origjinë nga Kosova, në një intervistë po për televizionin “KTV”, ka konfirmuar se është i gatshëm të paraqitet për Shqipërinë: “Unë personalisht nuk kam pasur kontakte, por babai im po. Ka shanse të mira të bëhem pjesë e kombëtares shqiptare. Unë jam shqiptar dhe secili ka shpresa të luajë për kombin e tij. Momentalisht jam i dëmtuar dhe këtë e kam preokupim parësor, por pasi të shërohem dhe të jem i gatshëm 100%, atëherë pse jo edhe të jap kontributin tim për kombëtaren shqiptare”, premtoi Veseli.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama