Regjistroni domainin tuaj .al

Shpallen fituesit e Maturës Shtetërore

Shkruar nga:  
Postuar më: 7 vite mĂ« parĂ«

Shpallen fituesit e Maturës Shtetërore
Shpallen fituesit e Maturës Shtetërore

Dje, ka qenë vetë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, që ka bërë prezantimin e këtij botimi.

"Do të doja t‘ju paraqisja librin e transparencës, që përmban pikët e fituara nga çdo maturant, për secilën nga kërkesat që ata kanë bërë për të vazhduar arsimin e lartë", u shpreh Pollo. Ministri i Arsimit ka sqaruar personalisht se "ky botim është një bazë të dhënash shumë e rëndësishme për kandidatët, i përgatitur nga Qendra e Përpunimit të Informacionit pranë MASH dhe AVA".

Pollo ka theksuar se këto nuk janë listat për pranimet në fakultete, që do të jenë objekti i librit të transparencës nr. 2. Por, në këtë vëllim, për secilin nga 24533 maturantët, kandidatë për arsimin e lartë, janë paraqitur pikët e fituara për çdo program studimi (degë), të llogaritura sipas rezultateve të të katër provimeve të maturës dhe të mesatares së shkollës së mesme, shumëzuar me koeficientet e pranimit sipas fakultetit për secilën kërkesë nga 10 të mundshme. Pra, secili kandidat mund të shikojë pikët, të bëjë llogaritjen vetë dhe, nëse ka ndonjë pretendim që pikët nuk janë llogaritur drejt apo ndonjë prej informacioneve nuk është i saktë, të mund të bëjë kërkesën për rishikim në shkollën e mesme.

Sipas ministrit Pollo, libri i transparencës, përveç mundësisë që çdo kandidat të njihet me pikët e fituara në të gjitha degët ku ka aplikuar dhe mundësisë që t‘i llogarisë vetë ato për të parë nëse janë të sakta, jep mundësi që çdo kandidat do të mund të shikojë edhe të dhënat e shokëve të shkollës së mesme dhe të të gjithë maturantëve nga e gjithë Shqipëria, në mënyrë që transparenca, korrektesa dhe besimi te kjo procedurë që po ndiqet, të jetë absolute.

Këta libra do të shpërndahen javës tjetër në të gjitha shkollat e mesme dhe kandidatët për arsimin e lartë do të kenë afat deri më 3 shtator për të dorëzuar pranë këtyre shkollave kërkesat e tyre. Nga drejtuesi më i lartë i Ministrisë së Arsimit u premtua që të gjithë të rinjtë që do të ankimojnë rezultatin e pikëve të fituara do të marrin përgjigje brenda datës 17 shtator.

Pas kësaj date, në çdo degë/program studimi të fakulteteve

publike do të shpallen listat e pranimit dhe ky do të jetë objekt i librit të transparencës nr. 2, i cili, përveç institucioneve të arsimit e lartë, do t‘u shpërndahet edhe shkollave të mesme, për të siguruar informacion dhe transparencë.

Në formën e një regjistri kombëtar, libri i transparencës 1 përmban të renditur sipas rrethit dhe shkollës, 24533 kandidatët për në shkollë të lartë, me të katër notat e përshkallëzuara të 4 provimeve të Maturës Shtetërore, mesataren e shkollës së mesme dhe rezultatet e llogaritura me koeficientet përkatës të çdo kandidati për të dhjetë degët e shkollës së lartë, që ai ka preferuar në formularin A2.

Me botimin e kësaj baze të dhënash, maturantëve u jepet një afat ankimimi deri më 3 shtator, për të verifikuar në shkolla edhe një herë rezultatet, të llogaritura tashmë prej tyre, të përpunuara nga Qendra e Përpunimit Informatik (QPI), pranë MASH. Këto rezultate, pas datës 17 shtator, do të rendisin kandidatët në fakultetet e universiteteve, ku ata kanë aplikuar sipas një liste prej 10 degësh të preferuara.

Drejtuesit e arsimit kanë theksuar se libri i transparencës, ashtu si në përgjithësi Matura Shtetërore, synon rritjen e besueshmërisë së publikut në institucionet arsimore, te shkolla.

Ndër ndryshimet e realizuara nga Ministria e Arsimit përmendet ngritja e një bordi për literaturën artistike, studimore dhe publicistike (BORELASP), i cili ka hartuar një listë kombëtare të veprave më cilësore dhe të përshtatshme për shkollat bazë dhe për shkollat e mesme, duke tentuar të evitojë praktikat korruptive të shitjes së librave jashtëshkollorë jo cilësorë në shkolla.

Gjithashtu, drejtuesit e kësaj ministrie nënvizojnë faktin se edhe në bazë të reformës së Altertekstit për tekstet shkollore, prindërit nuk blejnë më tekstet e fëmijëve të tyre të pakontrolluara dhe në treg të zi, por tashmë i gjejnë këto në shkolla të certifikuara nga MASH-i me çmim real, duke marrë edhe subvencionin përkatës. A. Rr.

Udhëzimi për librin e transparencës

Ministria përcakton detyrat për shkollat e mesme

Në bazën e të dhënave të deritanishme që disponon Qendra e Përpunimit Informatik (QPI) pranë MASH dhe Agjencia Kombëtare e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), janë përpunuar dhe regjistruar rezultatet për secilin kandidat për IAL të Maturës Shtetërore 2007. Ato përmbajnë: provimet e detyruara (D1, D2), provimet me zgjedhje (Z1, Z2), mesataren e shkollës së mesme dhe pikët e marra për programet e studimit (degët) e IAL të kërkuara sipas preferencës të shprehura në formularin A2. Të gjitha këto janë përfshirë në librin e transparencës.

DAR/ZA-ve, deri më datën 22.08.2007, t‘u vihet në dispozicion libri i transparencës, së bashku me një fashikull me rezultatet e kandidatëve për çdo shkollë të mesme nën administrimin e tyre.

DAR/ZA-t, deri në datën 24.08.2007 të vënë në dispozicion të shkollave materialet e përmendura në pikën 2 të këtij udhëzimi. Çdo drejtori të afishojë të dhënat e shkollës, deri më datën 27.08.2007.

Kërkesat e kandidatëve për rishikimin e pikëve të marra të pasqyruara në librin e transparencës, plotësuar sipas formularit bashkëngjitur, paraqiten deri më datën 03.09.2007, pranë drejtorisë së secilës shkollë të mesme, ku kandidati ka dhënë provimet e Maturës Shtetërore 2007.

Drejtoritë e shkollave të mesme, kërkesat për rishikim i dorëzojnë pranë DAR/ZA-ve, deri më datën 05.09.2007.

Çdo DAR/ZA, kërkesat për rishikim nga të gjitha shkollat i dorëzon pranë QPI, deri më datën 07.09.2007.

QPI dhe AVA shqyrtojnë kërkesat për rishikim, pasqyrojnë korrigjimet e nevojshme dhe të argumentuara në bazën e të dhënave dhe sqarojnë të interesuarit, nëpërmjet DAR/ZA-ve përkatëse dhe shkollave të mesme, deri më datën 17.09.2007.

Marre nga : Gazeta Shqip

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi