Pluralizmi shqiptar ne harkun e nje shekulli

Pluralizmi shqiptar në harkun e një shekulli

Cila ka qenë historia e partive politike shqiptare? A kanë qenë ato parti të vërteta, apo thjesht kopjuese të emrave të partive politike të perëndimit dhe kaq? Cila ka qenë e kaluara e pozitave dhe opozitave në më pak se një shekull të ekzistencës së shtetit shqiptar? Këto dhe të tjera pyetje kanë marrë përgjigje në një varg studimesh të historianëve shqiptarë. Por studiuesit e huaj mbeten më të cituar për shkak të mundësisë më të madhe të të qenit objektivë. Në një cikël shkrimesh gazeta “Metropol” mëton të risjellë në vëmendjen e lexuesit kalimin nga sistemi pluralist në atë monist dhe metamorfozën tjetër që pasoi pas vitit ’90 të shekullit të njëzetë. Ende Shqipëria mbetet një vend ku përcaktimi “parti për kryetarin dhe jo kryetar për partinë” qëndron sot e gjithë ditën si pohimi i vetëm i së tashmes politike në të gjithë spektrin e partive shqiptare. Në këtë numër dhe në numrat në vijim, me një vështrim të shpejtë do të sjellim në vëmendjen e lexuesit të interesuar një pasqyrë të evolucionit të pluralizmit ose të pseudopluralizmit shqiptar që nga fillimet e tij e deri më sot.

Fillimet

Sistemi politik në vend filloi të konturohej pas Kongresit të Lushnjës, pikërisht në vitin 1921. Robert C. Austin në librin e tij “ Shtegu i pashkelur i Nolit” ( Demokracia shqiptare në vitet 1920-1924) saktëson se: “ Në këtë kohë dolën dy parti, të cilat pasqyronin nivelin e ulët të zhvillimit politik dhe peshën e personaliteteve mbi politikën: Partia Popullore dhe Partia Përparimtare. Jashtë tyre kishte persona të caktuar të pavarur dhe klika të prirura për të dredhuar në politikë, duke shpresuar të siguronin përfitime zyrtare dhe pushtet politik. Edhe pse emërtimet e këtyre partive ishin marrë nga emërtimet e përdorura në demokracitë e zhvilluara dhe supozohej që duhej të angazhoheshin për të shkuar drejt perëndimit, asnjëra prej tyre nuk ishte parti e vërtetë politike në kuptimin perëndimor të fjalës, me programe të përcaktuara mirë dhe organizata masash. Të dyja partitë reklamonin me të madhe programe pothuaj të njëjta, që bënin thirrje për reforma politike dhe ekonomike, për arsimim të masave dhe zhvillim ekonomik. Megjithatë, këto programe nuk shkuan kurrë më tej se sa parullat dhe në thelb ishin personalitetet në udhëheqjen e partisë ata që përcaktonin anëtarësinë dhe politikën e saj”.

Partia Popullore, saktëson autori, ishte partia më e madhe dhe prirej të përfaqësonte si mendimin konservator, ashtu edhe atë liberal, siç del nga anëtarësia në të edhe e Fan Nolit, që qe dhe udhëheqësi i parë i partisë, edhe e Ahmet bej Zogut. Në përgjithësi kjo parti ishte më shumë e dhënë pas reformës; ajo kërkonte një shtet të zhvilluar përmes linjave moderne, ishte kundër sundimit të vazhdueshëm të bejlerëve, përfshinte shumë intelektualë dhe elementë demokratikë dhe ishte përkatësisht e përfaqësuar mirë në Shqipërinë e jugut. Edhe pakica katolike, që prirej të luante një rol të matur në politikën shqiptare, parapëlqente programin e qartë të Partisë Popullore, por mbeti gjerësisht jashtë saj për shkak të pranisë së Zogut, ndikimit në rritje të të cilit kishte filluar t’i trembej.

Partia Përparimtare, pohon ai, ishte pak a shumë parti e bejlerëve dhe përfaqësonte interesat e Shqipërisë qendrore ku çifligarët e mëdhenj mbanin pushtetin. Në thelb, në favor të statuskuosë, platforma e saj ishte më “e pabesueshme për masat, të cilat preferonin t’u përmbaheshin traditave kombëtare dhe shoqërore.” Partia sundohej prej Shefqet Vërlacit nga Elbasani, një nga çifligarët më të mëdhenj të Shqipërisë, i cili kundërshtonte ashpër çdo lloj reforme të tokës. Në të bënin pjesë edhe anëtarë të Komitetit të Kosovës ( i krijuar për të përkrahur përfshirjen brenda Shqipërisë të krahinës shqiptare të Kosovës të sunduar nga serbët) si Bajram Curri, Hoxhë Kadriu dhe Hasan Prishtina që kishin cilësuar Ahmed Zogun si pro serb. Megjithatë, anëtarësimi në çfarëdo parti nuk ishte i prerë dhe organizatat apo individët kalonin nga njëra tek tjetra në varësi të kushteve dhe perspektivës së përfitimeve personale. Me përjashtim të Nolit dhe mbështetësve të tij më të afërt, pak politikanë shqiptarë qenë dogmatikë në devotshmërinë e tyre ndaj njërës apo tjetrës zgjedhje.

Lufta e Dytë Botërore

Gjatë viteve të luftës zhvillimet politike ishin të shpejta dhe po në këtë kohë shënohet krijimi i Partisë Komuniste Shqiptare dhe i dy partive nacionaliste, Balli Kombëtar dhe Partia Monarkiste.

Bernd J. Fisher në librin e tij “Shqipëria gjatë Luftës, 1939-1945”, sqaron se si arritën komunistët të dominonin skenën politike të vendit në këto vite: “....Ndonëse komunistë patën mjaft sukses në punën e tyre për të nxitur opozitën në rritje kundër italianëve dhe kukullave të tyre shqiptare, ata patën sukses shumë të vogël në tërheqjen e njerëzve në shkallë të gjerë drejt lëvizjes së tyre. Kjo nuk është për t’u habitur, pasi në parti mbizotëronin intelektualët dhe nxënësit e shkollave të mesme. Numri i tyre i natyrshëm ishte i vogël”. Autori pohon duke iu referuar statistikave se në vitin 1939, në vend nuk kishte më shumë se dy deri tre mijë vetë që mund të quheshin intelektualë, dhe përkundrejt përqindjes së popullsisë Shqipëria kishte sigurisht klasën e mesme më të vogël në Evropë. Për sa u përket partnerëve ideologjikë tradicionalë të komunistëve, klasës punëtore, mjafton të përmendet se në vitin 1939 industria përbënte vetëm 4% të ekonomisë kombëtare.

Këtë gjendje, që edhe kështu ishte e vështirë, komunistët e bënë vetë edhe më sfiduese, pohon Fisher. Ata i krijuan probleme vetvetes me faktin se shumica e këshilltarëve të tyre më të dukshëm ishin sllavë, e sllavët kishin ngjallur përherë dyshim e frikë midis shqiptarëve. Tani, në sajë të hapjes së kohëve të fundit të arkivave të partisë, po mësojmë se sa shumë varej Hoxha nga këta këshilltarë, thotë historiani.

Në analizën e mëtejshme të ngjarjeve dhe qëndrimin që mbajtën palët, ai ndalet edhe më shumë në “lëvizjet” e Enver Hoxhës dhe në mënyrën se ai mori revanshin.

Në lidhje me Krijimin e Ballit Kombëtar, fishek shprehet: “ Liberalët, republikanët dhe bejlerët që kishin hedhur poshtë ftesën e Hoxhës për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës i shikonin këto zhvillime të ndryshme me shqetësim të madh. Shumë prej tyre arritën në përfundimin se për të mos u përjashtuar krejtësisht nga pushteti në fund të luftës duhej të manifestonin diçka më shumë se sa thjesht mospëlqim të zbutur dhe mosbashkëpunim me italianët. Për të arritur më lehtë një rol aktiv, liberalët nacionalistë, disa prej të cilëve kishin vendosur disa lidhje të dobëta me LANÇ, në nëntor të vitit 1942 formuan një grup të quajtur “Balli Kombëtar”. Ky grup shpresonte të përbënte një organizatë politike dhe ushtarake për të moderuarit që nuk kishin besim te komunistët. Autori thekson edhe rivalitetin midis dy forcave, duke saktësuar se: “BK vinte në dukje bërthamën komuniste të LNÇ, shumimin e të huajve në udhëheqjen e saj dhe mundësinë që Shqipëria të humbiste pavarësinë në rast të një Ballkani të dominuar nga sllavët, ose të paktën të humbte Kosovën. Nga ana e vet LNÇ kundërsulmonte, duke nënvizuar se udhëheqja e BK nuk ishte gjë tjetër veçse elita e vjetër tradicionale sunduese që po përpiqej ta mbante Shqipërinë sikurse kishte qenë në kohën e Zogut, por pa Zogun….”

Pas luftës

Arshi Pipa në librin e tij “Stalinizmi shqiptar”, shprehet kështu për instalimin e pushtetit të PKSH në vend, pas mbarimit të luftës së Dytë Botërore: “…Më 27 nëntor të vitit 1944, partizanët çliruan Tiranën. Shteti i ri, i quajtur Republika Popullore e Shqipërisë, është një instrument i PK Shqiptare me imponimin e diktaturës mbi klasat, grupet dhe personat armiqësorë ndaj komunizmit. Politika e brendshme ka dy objektiva: të industrializojë vendin duke krijuar një klasë punëtore thuajse a nihilio- nga asgjëja dhe të ndërtojë socializmin në vend duke detyruar fshatarët në kooperativat bujqësore….”

Vijon

Nesër

Çfarë do të lexoni:

- Pse Partia Komuniste e Shqipërisë ndërroi emrin në Partia e Punës e Shqipërisë?

- Kundërshtimet për emërtimin nga anëtarët në bazë. Kongresi i I-rë i Partisë.

- Sqarimet: Ndryshimet e strukturës së përbërjes sociale të partisë, sollën nevojën e ndryshimit të emrit, më shumë punëtorë, më pak fshatarë.

- Si ndryshoi për herë të dytë emrin ish PKSH-ja, nga PPSH në Partia Socialiste e Shqipërisë.

- Propozimet në kongresin e 10-të të PPSH-së.

- Cilët qenë emrat e tjerë të propozuar.

Olimbi Velaj : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama