Era dhe Dielli energjia e se ardhmes

Era dhe Dielli, energjia e së ardhmes

Një sasi kaq e madhe sa që natyrës i janë dashur mijëra e miliona vjet për të akumuluar ato lëndë djegëse që tashmë për ne janë bërë aq shumë të shtrenjta e të domosdoshme për të jetuar. Nevojat tona energjetike tashmë dihen se janë tepër të larta dhe po përparojnë me hapa gjigandë. Pos shpesh kemi hasur të dëgjojmë ndonjë plan për të adoptuar ndonjë sistem alimentar më të shëndetshëm për të gjithë ne, por vite me radhë premtimesh të pambajtura, duke filluar nga shoku i naftës në vitet 1970 e në ditët në vazhdim, kanë krijuar bindjen te shumë nga ne se, akoma mund të vazhdohet kështu për vite me radhë. Por gjithsesi nuk mund të vazhdohet kështu.

E gjithë "lufta" do të bëhet brenda këtyre 20 viteve në vazhdim. Brenda këtyre dy dhjetë vjeçarëve, modeli ri energjetik duhet me patjetër të vihet në zbatim, sepse kanë lindur tri probleme shumë të forta, të cilat e bëjnë të pashmangshëm një ndryshim radikal. I pari është rritja e konsumit, si rrjedhojë e rritjes së popullsisë në vende si Kina ose India, të cilat janë duke e kaluar nivelin e ndotjes maksimale: nuk ka naftë të mjaftueshme për të shuar etjen e një konsumi kaq të madh. I dyti është një problem i prekshëm dhe shumë shqetësues për të gjithë ne: kur gjysma e rezervave të jetë konsumuar në tym, çmimet e naftës do të fillojnë të luajnë në mënyrë drastike. Presioni i tretë vjen si pasojë e ndotjes së atmosferës nga djegia e naftës dhe karbonit: rritja e efektit serrë, i krijon tepër probleme dhe anomali klimës në Tokë. Për të tri këto probleme kryesore, nëse shekulli XIX ishte ai i lëndëve të djegshme, ky aktuali nuk mund të jetë më. Mjafton të marrim të dhënat zyrtare, ato të "Agjencisë Ndërkombëtare Energjetike", për t‘u bindur se, në mungesë të burimeve alternative, ky mijëvjeçar do të jetë një makth. Në vitin 2030 parashikohet një rritje e anhidritit karbonik në atmosferë në masën 70%. Por për herë të parë ishte vetë kjo agjenci e cila formuloi një skenar alternativ, që synonte në burimet e rinovueshme dhe në eficencën energjetike të prodhuar nga novacionet teknologjike, të cilat do të ulnin nivelin e ndotjes në 16%. Nëse këto janë projekte vërtet ambicioze dhe nuk do të vazhdojnë të qëndrojnë në letër, këtë do ta dimë vetëm atëherë kur gjithçka do të bëhet e prekshme.

Avantazhe ekonomike "Është gjithmonë e vështirë të parashikosh nëse një premtim do të mbahet: më mirë të shohësh atë që po bëhet aktualisht". Disa vende janë duke bërë shumë hapa përpara në adoptimin e sistemeve të reja alternative për prodhimin e energjisë, një mënyrë kjo shumë e mirë edhe për të rritur ekonominë e vendit. Përparimet më të mëdha në garën e energjisë të shekullit XXI janë duke i bërë dy vende, Japonia dhe Gjermania. Tokio i është përkushtuar totalisht energjisë diellore dhe hidrogjenit. Në vitin 2004 u instaluan panele diellorë në 70 mijë shtëpi, duke e çuar totalin e energjisë së prodhuar nga panelet diellorë të instaluar, në 1000 megavat, ekuivalenti i një hidrocentrali të madh. Kjo është një arritje tepër e madhe sepse shfrytëzimi i energjisë diellore pakëson shumë probleme në fushën e gjetjes së burimeve alternative. Gjithashtu kjo shërben edhe në të mirë të konsumatorit, sepse sipas sistemit në Japoni, energjia që prodhon një shtëpi e vetme gjatë orarit më të nxehtë të ditës, hidhet menjëherë në rrjet dhe llogaritet me prodhohet. Me fjalë të tjera, për çdo kilovat/orë që prodhohet mund të konsumohet falas një tjetër. Falë këtij kuadri, tashmë një shtëpi e re në katër të tilla instalon një panel diellor dhe Tokio do të arrijë në 4800 megavat brenda vitit 2010. Ky është një objektiv ambientalist por edhe tepër i leverdisshëm, duke parë që industritë japoneze janë duke kontrolluar më shumë se gjysmën e merkatos globale në këtë sektor. Veç të tjerash, që në vitin 1997, Tojota bëri një hap përpara në merkaton e makinave. Motori hibrid i kësaj makine bëri gati një revolucion të vërtetë në botën e makinave, por gjithsesi politika të ndryshme kanë bërë që këto risi të mos kenë suksesin e merituar. Gjithsesi, model i shtëpive japoneze filloi të përhapej edhe në Amerikë, duke u përqendruar më shumë në Kaliforni. Sot e kësaj dite në Amerikë, në më pak se 40 minuta përfitohet më shumë energji nga rrezet e Diellit se sa do të përfitohej duke djegur lëndët djegëse. Konkurruesi i parë i Japonisë është Gjermania.

Kjo e fundit zgjodhi një tjetër strategji, gjithsesi të përafërt në teori. Së pari nisi të merrej me instalimin e paneleve diellorë nga të cilat brenda një viti voli 300 megavat. Pastaj u përqendrua në ngrohjen termike, gjithashtu shfrytëzuese e energjisë diellore, duke prodhuar brenda një viti, 800 mijë metra panele të cilat sjellin ujë të ngrohtë. Dhe në fund u bë drejtuesi botëror i sistemeve shfrytëzues të erës. Madje tashmë në Gjermani era "vlen" sa një e gjashta e nukleares dhe rritja është tepër e shpejtë. Nëse shihet në një aspekt më të detajuar, instalimi i impianteve të erës si burim alternativ për prodhimin e energjisë, ka një rritje mjaft të ndjeshme me atë të nukleares. Era është duke marrë një rol të rëndësishëm në prodhimin e energjisë madje aq të rëndësishëm sa ishte dhe hidroelektriciteti në fillimet e viteve 1900. Gjithsesi veç këtyre Berlini ka përparuar edhe në fushën e bioelektricitetit. Në fund manovra më avangarde gjermane është një program që ka si synim rritjen e eficencës energjetike në 50% brenda 30 vjetëve. Kjo është një nismë e madhe mbi kërkime në fushën e elektroshtëpiakëve, transportit, ndriçimit (llambat fluoreshente harxhojnë pesë herë më pak dhe durojnë 7 herë më shumë se ato të zakonshmet). Hidrogjeni Veç erës dhe energjisë diellore, hidrogjeni është një gaz i cili fare mirë mund të shfrytëzohet për të prodhuar energji elektrike. Ndërkohë ka dhe po formulohen projekte, të cilat duan të promovojnë zhvillimin e hidrogjenit dhe teknologjive relative, si qelizat me djegie. Zhvillimi i hidrogjenit dhe i teknologjive relative, në këto vitet e fundit ka marrë një rëndësi të veçantë.

Ky është një sektor që mund të japë shumë zgjidhje në fushën e energjetikës. Gjithsesi një nga përparësitë e tij është se hidrogjeni gjendet me bollëk në natyrë. Atomi i tij ka vetëm një elektron në shtresën e parë elektronike, e cila për të qenë e plotë duhet të ketë dy elektrone. Masa atomike e hidrogjenit është 1.008g/ mol. Në bërthamën e tij ky element përmban një proton që ka ngarkesë pozitive dhe në shtresën e jashtme një elektron me ngarkesë negative. Por si u zbulua? Në vitin 1671 në një studim, kimisti Britanik Robert Boile e përshkruan një gaz djegëz që u lirua nga një reaksion në mes të hekurit dhe acidit të holluar. Shumë më vonë, në vitin 1766 shkencëtari britanik Henri Kavendish zbuloi se bëhej fjalë për një element kimik. Edhe pse ai arriti t‘i shpjegojë saktësisht shumë tipare të këtij gazi të ri, ai paramendonte se jo acidi, por metali ishte liruesi i këtij gazi. Për këtë arsye ai e quajti elementin e zbuluar, gaz djegës i metaleve. Disa vite më vonë Antoine Lavoisier e emëroi atë me emrin Hidrogjen. Le t‘i japim natyrës identitetin e vërtetë Zgjidhja e problemit energjetik nuk është një çështje e lehtë, gjithsesi mundësitë ekzistojnë, mjafton që ne të shfrytëzojmë burimet alternative. Energjia diellore tashmë dihet që po shfrytëzohet në shumë vende të botës. Ndërsa energjia që përfitohet nga impiantet e erës ka filluar të ecë me hapa të shpejtë, po ashtu edhe ajo termike, e cila gjithashtu shfrytëzon rezet diellore për të përcjellë ngrohtësi në vendet e banimit. Në fakt energjia e përfituar nga panelet diellorë, përfaqëson një nga burimet e pastra më interesante. Mjafton vetëm një vullnet politik i mirë për të çuar përpara këtë mundësi.

Për shembull, nëse qeveria e Shteteve të Bashkuara do të porosiste një sasi panelesh diellorë të mjaftueshëm edhe vetëm për të mbuluar nevojat bazë, do të arrihej në një sukses ekonomik, pasi kjo sasi energjie e përfituar nga Dielli do të konkurronte koston e prodhimit të energjisë me metodat tradicionale. Në këtë pikë do të hapej edhe tregu i vendeve në zhvillim, ku shumë zona privohen nga rrjeti i elektricitetit dhe përdorimi i burimeve alternative. Deri tani rruga drejtë e një sistemi të ri energjetik nuk ka qenë shumë e shpejtë, por gjithsesi shtysat për përshpejtim do të vijnë shpejt. Një nga këto shtysa, veç pakësimit të lëndëve djegëse, është ndotja globale, e cila po rritet ditë pas dite. Për të kuptuar arsyen mjafton të shohim atë që është duke ndodhur. Në SHBA rekordi i tornadove po thyhet vit pas viti dhe situata ekstreme meteorologjike po ndodhin kudo. Fatkeqësitë vazhdojnë të kenë një rritje të frikshme, kjo falë rritjes së efektit serrë. Madje pasojat e rritjes së efektit serrë mund të jenë akoma më dramatike se ato që kemi parë deri më sot. Qenia njerëzore e ka shkëputur rrethin e jetës, i ndikuar nga një organizim social që u projektua për të "pushtuar" natyrën. Rezultati i fundit është kriza ambientale, që kërcënon të na hedhë në një botë të pabanueshme. Për të mbijetuar duhet t‘i kthejmë natyrës identitetin dhe pasuritë e saj që ia kërkojmë borxh. Duhet ta mbyllim rrethin, duke arritur të përdorim energjinë e Diellit dhe jo të mbështetemi qorrazi në shfrytëzimin e pusit të fundit të naftës.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama