Londra kryeqyteti i ri i botes

Londra,
Ky studim është kryer nga gazeta britanike "The independent" dhe në të për herë të parë faktet vendosen në një rrafsh krahasimor me qytetet e tjera të mëdha të botës. Dhe ato sa po vjen e po shtohen e po përsosen gjithnjë e më shumë si qendra të mëdha ekonomike, kulturore apo turistike. Ndër të më agresivet për nga shpejtësia dhe përmasat e zhvillimit janë Pekini dhe Delhi, por Londra është mbi të tjerat për një sërë arsyesh. Me njërën prej bursave më të suksesshme e me veprimtarinë më intensive në botë, si dhe me një vend si City ku "gatuhen" tendencat ekonomike të planetit, me numrin më të madh të vendeve të konsideruara nga UNESCO si pasuri botërore, me një "ushtri" restorantesh e lokalesh që reflektojnë shumëllojshmërinë e banorëve të saj Londra që në fillim i kishte të gjitha shanset që të qëndronte në krye të klasifikimit, në të cilin Parisi renditet i treti duke fituar titullin e kryeqytetit të Evropës Kontinentale dhe këtë falë jetës financiare dhe aeroporteve. Kryetari i Bashkisë së Londrës, Ken Livingston, deklaroi se studimi bazohet në multikulturalizimin e një metropoli si Londra për të cilin qytetarët e saj janë krenarë, duke e konsideruar si një nga pikat më të forta të metropolit. Dhe të mendosh që në të fliten mbi 300 gjuhë të ndryshme çka do të thotë se padyshim bëhet fjalë për qytetin më ndërkombëtar të botës.

Po të pyesësh persona të ndryshëm për kryeqytetin e tyre të preferuar do të marrësh me siguri përgjigjje të ndryshme. Secili ka arsyen e vet të pëlqyeshmërisë: për shkak se ka lindur në atë vend, ka jetuar, ose do të donte të jetonte. Por deri tani askush nuk kishte ndërmarrë një studim të mirëfilltë mbi të gjitha përsetë që e nxjerrin një kryeqytet të preferuar për një pjesë të madhe të njerëzve, si dhe një kryeqytet të preferuar për secilin nga kontinentet. E ndërsa Londra është e para në fund të tabelës së klasifikimit ndodhet Adis Abeba dhe Beirudi, por ka edhe të papritura për të gjithë si për shembull rasti i qytetit të Meksikos që renditet i dhjeti dhe këtë shans ia kanë dhënë vendet që konsiderohen pasuri e njerëzimit sipas UNSECO-s.



Nju Jorku - kryeqyteti i Amerikës së Veriut


Sigurisht që është një metropol gjigant, madje jo më kot e quajnë udhëkryqi i botës. Në të fliten 175 gjuhë të ndryshme dhe ka një sipërfaqe prej 322 kilometra katrorësh. Është vendi ku janë përqendruar korporatat dhe grataçielat më të mëdha në botë dhe sigurisht edhe paratë, pra bankat. Londra, ishte i vetmi kryeqytet që mundi t‘ia marrë trofeun edhe se në vetvete Nju Jorku nuk është një kryeqytet. Megjithatë, për sa i përket diplomacisë Nju Jorkut nuk mund t‘i mohohet roli i kryeqytetit të botës për shkak të ndërtesës së Kombeve të Bashkuara. Për sa u përket të tjerave, ndërtesave, transportit, jetës kulturore, vendeve të trashëgimisë, Nju-Jorku është i mbushur plot dhe është një nga metropolet më të shumëllojshme të botës. Për kë ka qenë është e lehtë që të rendisë gjigantet e qytetit: Statujën e Lirisë, Qendrën Rokfeller, Parkun Qendror, Muzeumin e Elis Islans apo qendra të tjera të rëndësishme. Dhe ky është vetëm një fillim. Ajo që të bën përshtypje është rivaliteti i Londrës me Nju Jorkun në të gjitha drejtimet, duke filluar me financën e lartë: City për Londrën dhe Wall Street për Nju Jorkun.


Parisi - kryeqyteti i Evropës


Parisi do të jetë gjithmonë. Është pikërisht natyra e parashikueshme dhe uniformiteti që e bëjnë të veçantë, të paktën të ndryshëm nga Nju Jorku dhe Londra, të cilët janë metropole në lëvizje, në ndryshim të vetes dhe të banorëve të tyre. Dikur ky ishte një realitet që i shkonte edhe Parisit, sidomos në kohën e revolucionit kur ishte në avangardë të ndryshimeve. Ai ishte një qytet i dritës, por edhe i errësirës. Kishte shumë qytete që pretendonin titullin për kryeqytetin evropian. Kështu ishte Brukseli që mund t‘ia merrte Parisit në aspektin politik dhe administrativ, por jo kulturor. Vjen më pas Berlini i bashkuar, rinor dhe energjik, por jo aq intelektual dhe artistik. Roma edhe pse mban brenda vetes histori mijëravjeçare dhe shumë bukuri, nuk mund t‘i kalojë kufijtë e Italisë. Sa për Parisin, ai mbetet kryeqyteti ndërkombëtar i modës dhe i restoranteve më të mira të botës. Mund të mos ketë larminë etnike të Londrës, por ka shijen e një Evrope të vjetër, tradicionale. Sigurisht vende-vende, pasi edhe Parisi është shumë i populluar me emigrantë. Kryeqyteti francez ka një ndër tre aeroportet më të mëdha të Evropës dhe njëherazi mund të pretendojë se është shtëpia e gjithë trenave të shpejtësisë së lartë që ekzistojnë nëpër Evropë. Ka dy opera të mëdha, ah po ka edhe Luvrin brenda mureve të të cilit ndodhet koleksioni më i madh i artit në botë, si dhe Muzey d‘Orsay, vendi ku ndodhet koleksioni më i madh i artit të fundit të shekullit 19-të. Është vendi që publikon numrin më të madh të romaneve në botë. Ço vit dalin në dritë 1000 vepra të reja artistike. Ka 350 kinema etj., etj. Deri tani folëm për Parisin si një vend për ta vizituar, por si është ai për të jetuar? Çmimet e qirave të shtëpive janë astronomike, megjithatë janë shumë më të ulëta se ato të Londrës dhe Nju Jorkut dhe kjo vlen për të gjitha të tjerat. Po e ardhmja? Zgjedhjet bashkiake i ka në mars dhe një nga çështjet kryesore do të jetë: Cili do të jetë hapi i ardhshëm i kryeqytetit?


Tokio - kryeqyteti i Azisë

Një lokal i vogël ku pihet verë franceze. Një klub nate në të cilin kumbon ritmi i muzikës braziliane. Një lokal çaji britanik ku mund të gjesh të gjitha llojet e çajrave që gjendjen edhe në Londër. Këto janë copëza të kryeqytetit japonez, Tokios ku aziatikja dhe e përbotshmja përzihen bashkë. Ja cila është edhe arsyeja që Tokio është kryeqyteti i padiskutueshëm i Azisë. Ja të veçantat. Vetëm 1% e popullsisë së Tokios nuk është japoneze, por qytetarët janë shumë të interesuar që të përqafojnë kulturën kozmopolitane, duke filluar që me hapjen dhe frekuentimin e restoranteve indiane, shfaqjeve muzikale tipike amerikane, ekspozitave të artit sipas variantit francez, si dhe butikëve me veshje të stilistëve italianë. Një nga pikat e forta të Tokios është ushqimi. Të gjithë shefat më të mëdhenj të kuzhinës botërore kanë hapur lokalet e tyre në Tokio. Zona e blerjeve ose pazareve është një tjetër pikë e fortë. Ata që duan produkte tipike japoneze kanë magazina të pafundme ku mund të shuajnë të gjitha llojet e orekseve ushqimore, apo mode qofshin. Ndërsa për vetë japonezët që duan gjëra perëndimore ekzistojnë butikët e pafund në një numër të madh rrugësh. Të gjitha format më të famshme të botës ndodhen në Tokio dhe kanë filialet e tyre më në zë për Azinë dhe mbi të gjitha kanë edhe një numër të madh fabrikash. Për sa i përket zbavitjes, Tokio nuk është aspak mono-etnike. Ndeshjet e Sumos dhe arteve të tjera luftarake janë të këshillueshme për kë kuron një mjedis tipi aziatik, por njëherazi qyteti ka një oreks shumë të madh edhe për shfaqje të tjera dhe mbi të gjitha për kinematografinë, pas së cilës japonezët janë tërësisht të dhënë. Tokio ka popullsinë më të madhe në botë, aeroportet më të mbushura me njerëz dhe metronë më të gjatë.


Johanezburgu - kryeqyteti i Afrikës subsahariane


Kajroja mund t‘ia kalojë Johanezburgu si kryeqyteti i kontinentit afrikan, por çmimi për Afrikën subsahariane është më i rëndësishëm. Me gjithë problemet dhe kontrastet e mëdha, Johanezburgu dy dhjetëvjeçarët e fundit ka pësuar shumë ndryshime dhe ndodhet shumë më përpara në klasifikim se Lagosi i Nigerisë, Nairobi i Kenias apo Addis Abeba i Etiopisë. Është ndërtuar në një nëntokë të pasur me ar, ndër më të pasurat në botë. Është qendër e rëndësishme që nga viti 1880, por zhvillimi iu ndërpre nga Aparteidi. Vetëm pasi Nelson Mandela doli nga burgu në vitin 1994, rifilloi rilindja e kombit dhe Johanezburgu nisi sërish të tërheqë vëmendjen e botës për mirë. Shenjat më të mëdha të zhvillimit mund t‘i shohësh në qendër të qytetit me ndërtimet e reja, aty ku ndodhet edhe një urë e varur e madhe që mban emrin e Mandelës. Po aty janë hapur qendra tregtare, muzeume, zyra të mëdha biznesi e vende ku mund të zbavitesh. Zhvillimi më i madh i takon sistemit hekurudhor. Punime të mëdha po bëhen për ta përgatitur vendin për mbajtjen e Kampionatit Botëror të vitit 2010. Ndryshimin më të madh e ka bërë Kodra e Kushtetutës, vendi i burgut të famshëm ku Mandela kaloi vitet e gjata të burgut. Aktualisht është shndërruar në gjykatën më të madhe të vendit. Megjithatë, Johanezburgu e meriton të konsiderohet një shesh ndërtimi që sapo ka filluar të hedhë shtat. Ende vazhdojnë pabarazitë e mëdha mes të bardhëve dhe personave me ngjyrë. Pikat e forta të Johanezburgut ishin numri i madh i fluturimeve ndërkombëtare, ekzistenca e bursës më të madhe në Afrikë.


Qyteti i Meksikës - kryeqyteti i Amerikës Latine


Ndodhet thuajse në zemër të një vargmali të mbuluar me borë dhe vullkanik. Pamje e mrekullueshme nga larg është impresioni i parë që u jep vizitorëve që vijnë me avion. Ka 22 milionë banorë dhe është një ndër metropolet më të mëdha të botës, që renditet vetëm pas Tokios dhe Seulit. Disa e quajnë metropol, të tjerët thjesht një fshat gjigant që përbëhet nga fshatra të vegjël. Në zemër ka ndërtesa të vjetra të ruajtura nga koha e sundimit kolonial të spanjollëve. Por të parët që erdhën aty ishin astekët në vitin 1325, të cilët ndërtuan qytetin me emrin Tenochtitlan. Spanjollët mbërritën dy shekuj më vonë dhe e rindërtuan atë në gërmadhat e astekëve. Është e çuditshme, por qyteti i Meksikës ka numrin më të madh të muzeumeve në krahasim me qytetet e tjera në botë. Është pikërisht ana artistike dhe kulturore që kanë ndihmuar shumë qytetin të kthehet në një metropol të rëndësishëm dhe të meritojë emrin kryeqytet i Amerikës Latine. Disa madje e quajnë po aq të rëndësishëm për Amerikën Latine sa ç‘është Eroma për Evropën. Pikat e forta që e përzgjodhën janë numri i madh i popullsisë, rrjeti i metrove dhe vendet e trashëgimisë kulturore.


Dubai - kryeqyteti i Lindjes së Mesme

Një ditë qershori përmes një blloku çimentoje të vendosur në majë të një kulle shënuan një rekord të ri në historinë botërore: kullën më të lartë në botë: Burj Dubai, e lartë 509 metra. Por Dubai është shumë më tepër se kaq. Pas shumë vitesh kthyer në një kantier të madh ndërtimi, tani ai kryeson pa dyshim në rajon. Shndërrimi i tij nisi në vitin 1966 që kombinon me zbulimin e naftës. Që nga ajo kohë është pikërisht ari i zi që i ka dhënë jetë dhe dritë një qyteti që sa vjen e po shkëlqen më shumë se qytetet e tjera të rajonit. Sipas parashikimeve, rezervat e mëdha të naftës do të mbarojnë në vitin 2025, ndaj deri atëherë vendi duhet të ketë bërë investime në turizëm e degë të tjera të industrisë, të cilat do të mbështesin ekonominë e vendit. Por për momentin po përjeton situatën e tij më të mirë në histori.

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama