Intelektualja me e sukseshme e shekullit te 20-te - 100 vjetori i Simone de Beauvoir

Intelektualja më e sukseshme e shekullit të 20-të - 100 vjetori i Simone de Beauvoir

Pikërisht në hyrjen kryesore të varrezës së Parisit në  Montparnasse, kuartieri, ku ajo ka jetuar gjithmonë, prehet shkrimtarja, nëna e të gjitha feministeve – Simone de Beauvoir. Mbi varr ka trëndafilë të vyshkur dhe fletushka nga blloqe shënimesh, të mrbojtur nga era prej gurëve. Në njërën prej fletushkave është shkruar në gjermanisht:  „Faleminderit Simone. Falë jush jeta ime ka ndryshuar.“ Në një tjetër fletushkë është shkruar citati i famshëm i Beauvoir-it  „Njeriu nuk vjen si grua në jetë, poe bëhet e tillë“ - nga vepra e saj „Seksi tjetër“, një libër i madh, që edhe sot e kësaj dite shumë e konsiderojnë si biblën e feminizmit. E ndër kryesoret që mendojnë kështu edhe feministja gjermane Alice Schwarzer: „Beauvoir natyrisht ishte një idol për të gjithë lëvizjen e re të gruas dhe për miliona gra të  interesuara në Perëndim, ajo na ka paraprirë ne me hapa gjigande."

Për vajzën nga një derë e mirë lindur në vitin 1908 shumë shpejt ishte e qartë, ajo donte të bëhej shkrimtare e njohur. Në sytë e së resë Beauvoir askohe kjo ishte mundësia e vetme për të bërë emër si grua . Në moshën 21 vjeç, si kandidate e re, ajo kalon provimin e vështirë, por prestigjoz të pranimit në lëndën e filozofisë. Vetëm njëri ishte më i mirë: Jean Paul Sartre, i cili pas Luftës së Dytë Botërore u vlerësua si filozofi i ekzistencializmit në të gjithë Evropën. Të dy ata ishin një çift, por ndryshe nga shumica e çifteve ata i vendosnin bashkë rregullat e bashkëjetesës.

Ky menazhim nuk ishte gjithmonë i lehtë, ka pranuar vet Simone de Beauvoir në një intervistë me  Alice Schwarzer në vitin 1979: "Probleme me persona të tretë kemi pasur, kjo kuptohet. Sigurisht që kishte një dozë egoizmi si nga  Sartre ashtu nga unë, që vendosëm një pakt të tillë dhe krahas tij involvonim edhe të tjerë në historinë tonë."

Jeta "e vështirë", siç mendonin shumë e Sartre-it dhe Beauvoir-it,  thekson skandalin e fortë që nxjerr në pah libri i Beauvoir-it  „Seksi tjetër“. Në 1949 ajo shkruan në të analizën e hollësishme të çështjes së gruas dhe flet hapur për seksualitetin femëror. Lajtmotivi i saj është: Ajo që nënkupton shoqëria me grua, s´është gjë tjetër veçse një konstrukt social.

Çfarë mbetet tani 22 vjet pas vdekjes së Beauvoir-it? Alice Schwarzer është e bindur, se do të ketë një rilindje të tezave të saj: „Ajo që ka ndodhur përpara 60 vjetësh, kur doli në qarkullim libri "Seksi tjetër", apo përpara 35 vjetësh, kur ne feministet e reja provokuam fort me tezën, se burrat dhe gratë janë të barabartë, është sot për shumicën e grave dhe për shumë burra e vetëkuptueshme – të paktën në teori. Ndaj unë besoj, se Beauvoir si feminsite është sot me aktuale se kurrë ndonjëherë.“

Ndër veprat më të njohura të Simone de Beauvoir përveç "Seksi tjetër" (1949) bëjnë pjesë: "Les Mandarins de Paris" (1954), që konsiderohet si kronikë e ekzistencializmit. "Memuarët e një vajze nga derë e mirë" (1958) dhe "Ceremonia e lamtumirës" (1981), në të cilin ajo përshkruan pa zbukurime vuajtjen dhe vdekjen e shokut të saj të jetës Jean-Paul Sartre. Simone de Beauvoir e lindur më 9.1.1908 në Paris ndërroi jetë po në Paris më 14. 4.1986.

Guylaine Tappaz : DW


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama