Shendeti 7 ushqimet qe te mbajne te ri

Shëndeti, 7 ushqimet që të mbajnë të ri

1.Vaji i ullirit

Katër dekada më parë, kërkime nga studimi i kryer në shtatë shtete, tregoi se vaji i ullirit është përgjegjësi për rastet e pakta, për sëmundjet e zemrave dhe të kancerit në ishullin grek të Kretës. Tani, ne dimë se vaji i ullirit përmban polifenol, një antioksidant të fortë që parandalon sëmundje të ndryshme në moshë të madhe.

2.Vera

Të pish alkool, do të thotë t’u hapësh dyert sëmundjeve të zemrës. Të gjitha pijet alkolike sjellin probleme, përveç verës së kuqe, e cila është vënë në qendër të studimeve. Vera e kuqe përmban resveratol, një substancë e cila, pas studimeve të bëra te kafshët, tregoi se mund të aktivizojë gjene që ngadalësojnë plakjen e qelizave.

3.Boronicat

Në një studim të gjerë të publikuar në vitin 1999, kërkimet e bëra nga Universiteti i Taftit, nxorën në dritë faktin se minjtë e ushqyer për një periudhë kohe me boronica, jetuan më gjatë se të tjerët, për një kohë të barabartë me 10 vite njerëzore. Përbërësit e boronicës ulin oksidimin e dëmshëm dhe përmirësojnë deficitet që në memorie.

4.Peshku

Tridhjetë vjet më parë filluan studimet rreth numrit të vogël të rasteve me sëmundje të zemrës te inuitët, banorë të lindur të Alaskës. Arsyeja ishte e thjeshtë: Konsumimi i madh i peshkut. Te peshku gjendet me sasi të bollshme acidi yndyror omega-3, që ndihmon në uljet e dëmeve që sjell kolesteroli në arterie dhe mbron zemrën nga ritmet anormale.

5.Kosi

Në vitet 1970, ish-Republika Sovjetike e Gjeorgjisë, mburrej me faktin se kishte më shumë 100-vjeçarë për frymë të populltës se në çdo rajon tjetër të botës. Koha nxori në dritë sekretin: Konsumimi i madh i kosit. Kosi është pasur me kalcium dhe me “baktere të mira”, që ulin rrezikun e ostoperozës dhe të sëmundjeve në moshën e tretë.

6.Bajamet

Studimet e bëra nga “Ithtarët e Ditës së Shtatë”, një sekt fetar që predikon edhe jetën e shëndetshme dhe dietat vegjetariane, tregojnë se ata që konsumojnë rregullisht bajame, lajthi apo arra, përfitojnë 2.5 vjet jetë më shumë sesa ajo që do të jetonin nëse nuk do të ushqeheshin me to. Sekreti? Numri i lartë i vitaminave dhe mineraleve te këto ushqime.

7.Çokollata

Popullata e fisit Kuna, në ishujt San Blas, në brigjet e Panamasë kanë një numër nëntë herë më të ulët të rasteve me sëmundje të zemrës se në krejt pjesën tjetër të brigjeve panamaiane. Arsyeja? Ata konsumojnë shumë lëngje me bazë çokollatën, çka përmirëson ndjeshëm qarkullimin e gjakut, ul rrezikun për tensionin e lartë dhe të diabetit të tipit 2.

Ushqimi është faktori kryesor që ndikon për të pasur një jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Në qoftë se doni të gëzoni “rininë e përjetshme” dhe të shtoni numrin e viteve të jetës suaj, atëherë duhet të dini se cilat janë ushqimet e një jete më të gjatë dhe në harmoni me natyrën. Pjesa më e madhe e shqiptarëve, sidomos pas viteve ’90, kanë vuajtur përherë nga mbipesha dhe obeziteti, të cilat nuk janë vetëm një problem estetik, por edhe një faktor rreziku për shumë sëmundje.

Shqiptarët, tashmë të ndërgjegjësuar në lidhje me problemet që shkakton mbipesha dhe obeziteti për shëndetin, kanë ndjerë nevojën e korrigjimit të këtij problemi, duke u konsultuar me dietologë dhe duke iu drejtuar qendrave distike.

Dietologia Enkelejda Ferrollari, na tregon se cilat janë ushqimet më të shëndetshme dhe se si duhen përdorur ato. Ndër këto ushqime mund të përmendim vajin e ullirit, peshkun, kosin, çokollatat, verën, bajamet dhe lajthitë etj. E përbashkëta e këtyre ushqimeve është se ato përmbajnë në sasi të konsiderueshme edhe përbërës antioksidues, të cilët pengojnë veprimtarinë e radikaleve të lira në trupin e njeriut. Këto radikale të lira kanë aftësinë të shkatërrojnë një sërë qelizash që duhen për funksionimin normal të organizmit.

“Të tëra këto ushqime që përmendëm janë ushqime të domosdoshme për organizmin e njeriut dhe që përmbajnë shumë vlera ushqyese, qoftë në nivel makro, qoftë mikro. Por që, sigurisht, gjatë konsumit të këtyre ushqimeve, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos tejkaluar sasitë e domosdoshme”,- thekson dietologia Ferrollari.

“Vaji i ullirit është i pasur me vitamina A dhe E, si dhe me përbërës të grupit të fenolëve që veprojnë si antioksidues dhe ndihmojnë në eliminimin e radikaleve të lira. Peshku dhe kosi janë një burim shumë i mirë proteinash për organizmin. Peshku është gjithashtu edhe një burim kryesor i acideve yndyrore esenciale omega 3, të cilat organizmi i njeriut nuk arrin t’i sintetizojë vetë, por i merr të gatshme nga ushqimet. Konsumi i peshkut ndihmon në uljen e sasisë së kolesterolit të keq, si dhe në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme kardiovaskulare.

Për sa i përket kosit, përveçse një burim shumë i mirë proteinash dhe kalciumi, është edhe një burim shumë i mirë me përbërës probiotikë që ndihmojnë në rregullimin e florës bakteriale në organizëm, ç’ka sjell një funksionim të mirë të aparatit tretës. Por, mes këtyre ushqimeve, ka edhe nga ato që duhen mbajtur nën kontroll për të mos e parë veten me disa kilogramë më shumë. “Vera, çokollata hyjnë në grupin e ushqimeve që duhet t’i konsumojmë në mënyrë të kontrolluar. Ato përmbajnë disa përbërës të grupit të fenolëve që shërbejnë si antioksidues shumë të mirë, por nga ana tjetër janë ushqime kalorike dhe që konsumi me tepri shkakton një masë kalorie të tepruar në organizëm, çka çon në depozitimin në masë dhjamore.

Lajthitë dhe bajamet ose frutat e thata, gjithashtu, hyjnë në grupin e ushqimeve që duhet të konsumohen me kujdes pa i tejkaluar sasitë, pasi megjithëse janë një burim shumë i mirë proteinash, acidesh yndyrore të pangopura, vitaminash (E, B6, etj.) kripërash minerale (hekur, magnez, kalcium etj.),janë gjithashtu ushqime plot kalori, që depozitohen në masë dhjamore nëse konsumohen me tepri. Konsumi i tyre në sasira të vogla, ka aftësi shumë të mira antioksiduese, të rregullatorit të sasisë së glicemisë në gjak, si dhe të nivelit të kolesterolit. Pra, të tëra këto ushqime janë të domosdoshme për organizmin, por të konsumuara në sasi të kontrolluara”, - përfundon dietologia Ferrollari.

Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama