Kerpudhat ushqim i perendive!

Kërpudhat, ushqim i perëndive!

Në Romën e lashtë, njerëzit, shpesh u referoheshin kërpudhave si cibus diorum – ushqim për perënditë. Folklori i shumë vendeve si, Rusisë, Kinës dhe Meksikës, përmban mitin se kërpudhat i japin njeriut fuqi të mbinatyrshme.

Edhe pse kërpudhat janë shijuar nga njerëzit prej mijëvjeçarësh, vetëm në shekullin e XVII ato filluan të kultivoheshin. Përpjekjet e para u bënë në Paris. Në Amerikë kultivimi filloi në shekullin e XIX. Tashmë, ato kultivohen në shumë vende të botës, me prodhues më të madh Amerikën, dhe konkretisht Pensilvaninë.

Vetitë dobiprurëse të kërpudhave për shëndetin

  1. ·Ka 20 vjet që studiohen fitonutrientet që gjenden në kërpudhat e ndryshme për vetitë e tyre antikancerogjene. Duke i shtuar dietës sonë konsumin e kërpudhave, mund të ndihmojë në mbrojtjen kundër kancerit të gjirit, duke parandaluar nivelet e tepruara të estrogjeneve në organizmin e një femre. Kjo arrihet nëpërmjet ndalimit të një enzime në trup, të quajtur “aromatase”, e cila është e nevojshme për prodhimin e estrogjenit.
  2. ·Kërpudhat janë burim i pasur i seleniumit - një metal shumë i rëndësishëm për fuqinë antioksiduese të organizmit, e cila e mbron nga radikalet e lira. Si i tillë, ai luan rol në mbrojtjen kundër kancerit të zorrës së trashë, por gjithashtu dhe në lehtësimin e simptomave të astmës dhe artritit, si dhe në mbrojtjen kundër sëmundjeve të zemrës. Seleniumi është i rëndësishëm në rigjenerimin e qelizave të ADN-së, një mekanizëm më shumë në mbrojtjen kundër kancerit.
  3. ·Minerali i bakrit është një tjetër përbërës i kërpudhave, i cili rezulton pozitiv kundër artritit reumatik.
  4. ·Kërpudhat janë burim hekuri, një nga komponentët më të rëndësishëm në prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut.
  5. ·Kërpudhat kanë përmbajtje optimale të kompleksit të vitaminave B, të cilat janë jetike për metabolizmin.
  6. ·Përmbajtja e lartë në metalin zink, i bën kërpudhat shumë të dobishme për sistemin imunitar.
  7. ·Studime të shumta kanë treguar se, konsumi i mjaftueshëm i kërpudhave, lidhet me mbrojtjen kundër sëmundjes Alzheimer dhe sëmundjeve të lidhura me plakjen, në sajë të përmbajtjes së tyre të lartë në niasinë.

Sa shpesh t’i konsumojmë

Konsumi i kërpudhave, në një sasi 30 gr, 2-3 herë në javë, është një sasi optimale për të përfituar benefitet që ky ushqim ofron për shëndetin.

Të këqijat

Edhe kërpudhat, ashtu si shumë ushqime të tjera, janë të pasura në purina, dhe, për këtë arsye, njerëzit që kanë probleme me metabolizmin e purinave në organizëm, është mirë ta evitojnë konsumin e këtyre ushqimeve.

Si t’i konsumojmë

Kërpudhat, të prera në feta të holla, mund të përdoren të gjalla në sallata të ndryshme të freskëta si, sallatë jeshile, sallatë me spinaq të freskët, në një salcë domateje, etj.

Ato shkojnë shumë mirë të kafërdisura me pak qepë, në anë të një pjate mishi.

Pasi i hiqni kërcellin, mund t’i mbushni me djathin tuaj të preferuar dhe t’i piqni në furrë.

Kërpudhat mund të bëjnë një vezë omeletë shumë të shijshme.

Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama