Regjistroni domainin tuaj .al

"Shqipëria që kam njohur përmes fotografisë"

Shkruar nga:  
Postuar më: 5 vite mĂ« parĂ«

"Shqipëria që kam njohur përmes fotografisë"

Nga dita kur erdhi në Shqipëri, 18 vjet më parë, Jutta Benzenberg nuk ka reshtur së fotografuari. Personazhe, peizazhe dhe fenomene shqiptare. Që prej dhjetë vjetësh, fotografja gjermane e ka ndërtuar jetën e saj në Tiranë. Është martuar me publicistin Ardian Klosi, punon dhe jeton në kryeqytetin shqiptar. Eksperiencën e saj ka vendosur ta sjellë përmes një rrëfimi fotografik. "Shqipëria në 18 vjet" është ekspozita retrospektivë që Jutta Benzenberg çel sot në mbrëmje, ora 18.00 në galerinë FAP në Akademinë e Arteve. Janë fotografi të përzgjedhura që prej vitit 1991, kur vizitoi për herë të parë vendin tonë deri më tani. Bardhë e zi apo me ngjyra, aty gjen jetën e përditshme të rrokur përmes vizionit të artistes gjermane. Shqipëria e bën të ndihet mirë si artiste dhe i ofron një terren mbi të cilin mund të eksplorojë vazhdimisht. E bën të ndihet e lirë dhe të bashkëjetojë edhe me ndjesinë që shumë e përshkruajnë si kaos. Punët e saj nuk i qëndrojnë indiferente as dimensionit social, ndërsa së fundmi, Jutta Benzenberg mendon për një promovim imazhi të Shqipërisë në vende të ndryshme të botës. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datën 25 tetor.

Një ekspozitë retrospektivë për Shqipërinë që ju keni njohur. Çfarë do të prezantohet në të?

Do të jenë të ekspozuara fotografitë e mia bardhë e zi të realizuara që nga viti 1991 deri më 2005-n, si dhe punët e dy viteve të fundit, të cilat janë realizuar me ngjyra. Është interesante për mua t‘u tregoj të tjerëve gjëra të reja e të pres prej tyre reagimin. Unë kam ndryshuar paksa në mënyrën e të fotografuarit. Jo vetëm që fokusoj personazhe të rastësishme që i takoj në rrugë, te të cilët shoh diçka të veçantë, por i gjej ato, i vendos në një ambient të caktuar me një dekor që e krijoj po vetë. Por gjatë kësaj ekspozite do të ketë edhe një tjetër surprizë. Kam punuar me një princeshë të vogël, por shumë të hapur në mendime, shumë tolerante e që pranonte gjithçka nga Shqipëria. E kam fotografuar në të gjitha vendet ku ajo donte. Do të jetë e pranishme edhe sot në mbrëmje dhe do t‘i lejojë t‘i bëjnë fotografi në ambientin e ekspozitës.

Si ka ndryshuar Shqipëria në këto 18 vjet, apo si ka ndryshuar Jutta gjatë qëndrimit në këtë vend?

Fotot e mia nuk shfaqin Shqipërinë apo ndryshimin e saj, por rrëfejnë atë që fshihet brenda meje. Është shumë e vështirë ta përshkruaj se si u ndjeva unë kur erdha për herë të parë si vizitore në Shqipëri më 1991. Çdo njeri e ka të vështirë të flasë për ndjenjat. Unë kam zgjedhur tjetër mënyrë, i kam shprehur ato përmes fotove të mia. Përmes tyre mund të shohësh se si unë kam qenë dhe si kam ndryshuar. Sigurisht që kjo ka ndodhur me ndihmën e familjes sime dhe Shqipërisë. Kam provuar shumë gjëra këtu, kam përjetuar edhe situata të vështira, por kam mësuar të respektoj këtë mënyrë të jetuari. Në çdo foto apo cikël mund të vëresh që Jutta ka ndryshuar. Diku jam më e qetë (cikli "body water"), diku më pak kaotike e në tjera shumë e hapur. Secila prej tyre tregon se çfarë jam unë brenda. Ndodh që pasi shoh më vonë foto që kam bërë e kam të pamundur ta besoj se janë realizuar prej meje. Në atë moment fotografimi je shndërruar në një tjetër njeri, që qëndron i strukur brenda teje dhe kur kthehesh në jetën normale i bën pyetje vetes se çfarë më ka ndodhur. Kjo foto është e trishtuar. Jam edhe unë kështu? Është diçka që shfaqet në mënyrë të pavullnetshme.

Që kur është marrë Jutta me fotografinë?

Kam filluar që në moshën 18-vjeçare. Shkova në Munih dhe isha me fat që studiova në një shkollë shumë të njohur fotografike. Që atëherë kanë qenë shkrepjet e mia të para. Kur u shpërngula në Shqipëri ndoshta pata paksa një periudhë pauze, por tashmë i jam kthyer fort fotografisë. Shkoj të fle duke menduar për të dhe ngrihem po me ato mendime. Është një pasion i madh i imi.

Ju keni jetuar në Gjermani para se të shpërnguleshit. Si e gjen veten në këtë ambient, jo vetëm si person, por edhe si fotografe?

Padyshim që ka ndryshim të madh të jetosh në Gjermani dhe të jetosh këtu. Në fakt, për mua jo edhe aq. Unë jam martuar me Ardian Klosin, familja e tij është shumë e hapur, miqtë tanë po ashtu. Ka raste që e kam shumë të vështirë ta pranoj mentalitetin e këtushëm, sa ndonjëherë më duket se sa më gjatë të rri në Shqipëri aq më pak kuptoj. Ndonjëherë çuditem me njerëzit që vijnë në Shqipëri dhe japin shumë shpejt përcaktime për vendin, për njerëzit dhe mënyrën si jetojnë. Kudo që të shkosh mund të ankohesh nëse ti nuk gjen veten në atë vend. Unë ndihem shumë mirë këtu, kam ndjesinë se jam e lirë dhe kjo më pëlqen. Ndërsa si fotografe jam në kërkim të vazhdueshëm. Kam udhëtuar shumë, që nga Dukagjini, Temali në Gjirokastër. Kam parë gjithçka në Shqipëri. Në këtë vend bashkëjetojnë të kundërtat. Edhe miq të mi të afërt që vijnë nga Gjermania më thonë se në Tiranë gjen Nju Jorkun dhe Bagdadin. Kjo është Tirana, por jo gjithë Shqipëria. Kudo ka mënyrë tjetër jetese.

Janë të njohura portretet tuaja bardhë e zi. Ku i kërkoni personazhet. A ka një marrëdhënie mes jush dhe subjektit që fotografohet?

Kudo që kaloj, i kam sytë hapur në çdo kohë. Nëse shoh njerëz që më bëjnë përshtypje, atëherë mendoj menjëherë t‘i fotografoj. I pyes, u kërkoj t‘u bëj foto dhe në të shumtën e herëve flas me ta. Zakonisht skenat përsëriten: ata pozojnë, buzëqeshin ose kanë turp. Por unë dua të shfaqin personalitetin e tyre. Në një bisedë të shkurtër mundohem t‘i bëj të ndihen të çlirët, i prek dhe për gjithë këtë më duhen 5-10 minuta. Këtu gjen portrete mjaft interesante. Më pëlqen veçanërisht të fotografoj njerëz nëpër fshatra, sepse janë kaq të pastër, të çiltër, kanë një tjetër filozofi jete.

Një cikël fotosh të realizuara në Teatrin e Operës në 2008-2009 ju shfaqin më kreative. Gjithçka në ato foto është krijim i juaji. Është një shkëputje nga subjektet spontane?

Jam ndikuar nga punët e një fotografeje të realizuara në një spektakël të madh, plot drita dhe veprim. Doja të bëja diçka të ngjashme në Shqipëri. Kështu realizova fotot e Teatrit të Operës. Përdora vetëm dritën natyrale, atë që hynte nga dritarja dhe nuk krijova një ndriçim artificial. Me aparatin e ri fotografik dixhital me ngjyra ishte e mundur ta bëje këtë gjë. Nuk ngrihem me mendimin se tani do të bëj art. Nëse njerëzit e perceptojnë të tillë punën time, për mua është në rregull.

Gjithmonë e pyes veten nëse është mjaftueshëm ajo që bëj. Si fotografe mbetem në kërkim. Nuk qëndroj ulur në shtëpi e të mendoj se çfarë duhet të bëj. Studioj vazhdimisht, përmes internetit mbetem në kontakt me të rejat e fundit e pastaj idetë i vë në zbatim.

Për një kohë të gjatë keni punuar në shirit bardhë e zi, ndërsa këto dy vitet e fundit me ngjyra. Ku shpreheni më mirë?

Vështirë të bësh krahasim. Kur unë punoja me shirit bardhë e zi, shihja gjithashtu bardhë e zi. Që në fillim e dija se si do të dilte fotografia. Tani mendoj me ngjyra, por sërish nuk jam për ngjyra të forta. Kjo është edhe një fazë eksperimentimi për mua, por besoj se do t‘u kthehem sërish fotografive bardhë e zi.

Ku orientohet kohët e fundit interesi juaj?

Jam në kërkim të subjekteve sociale. Po mendoj se si mund të ndryshohet sadopak jeta e disa individëve apo një komuniteti përmes fotove të mia. Jam e angazhuar në një projekt, mbështetur nga një kompani e telefonisë celulare ku fokusi bie mbi raste problematike që më pas mundohemi t‘i japim zgjidhje. I tillë ka qenë rasti i një shkolle në Pogradec, e cila tashmë është rehabilituar në bashkëpunim edhe me një fondacion katolik gjerman. Gjithashtu, po mendoj edhe për më shumë ekspozita jashtë Shqipërisë. Ky vend duket paksa i harruar dhe në raste të tjera i keqkuptuar. Dua ta bëj të pranishme te të tjerët jetën dhe njerëzit e këtij vendi, të bëj të flitet për Shqipërinë e të ndryshoj me aq sa mundem opinionin e të tjerëve për këtë vend.

Jutta Benzenberg

Oliverta Lila : Gazeta Shqip

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi