Dentistja qe fshihet pas Çanit Ariani? Nje bashkeshort i papare!

Dentistja që 'fshihet' pas Çanit: Ariani? Një bashkëshort i paparë!
Enida Petro, bashkëshortja e Arjan Çanit, thotë se e ndjen veten rivale me femrat që rrethojnë drejtuesin e "Zonës së lirë", por ajo që e bën të ndihet mirë është se e "zgjedhura" pikërisht ajo.E sa për punën, njeriu që mban në tension të gjithë të ftuarit e tij në televizion, ashtu si dhe teleshikuesit, arrin ta bëjë edhe Enidën të ndihet në tension në momentin që ulet në karrigen e pacientit, aq sa ajo nuk ngurron tua "kalojë" miqve të saj stomatologë.

Thashethemet janë, tashmë, pjesë e jetës së tyre, por 14 vitet së bashku duket se e kanë konsoliduar edhe më tepër një lidhje, së cilës ajo nuk do t'i ndryshojë asgjë. Ja rrëfimi i Enidës në një intervistë për "Shekulli"-n:Enida, keni mbaruar studimet për Stomatologji dhe sot punoni si stomatologe. Nisur nga profesioni juaj, është e vërtetë që gjëja e parë që shihni te njerëzit, janë dhëmbët?

Ç'mund të thoni për dhëmbët e anëtarëve të familjes suaj?

Kjo është një "sëmundje" profesionale për të gjithë mjekët stomatologë. Në fakt, një buzëqeshje e bukur i tërheq të gjithë dhe kush ka dhembë të shëndetshëm nuk ka frikë të buzëqeshë. Sa për anëtarët e familjes sime, bëj të pamundurën të kujdesem sa më mirë dhe sidomos me djalin ia kam arritur. Në moshën 7 vjeç ai nuk ka asnjë dhëmb të prishur në gojë.

Sa aktive është një ditë e Enidës?

Aktive më shumë seç duhet. Jam tipi që nuk rri dot asnjë minutë kot. Zgjohem shumë herët dhe fle vonë. Puna në klinikë zë pjesën më të madhe të ditës, ndërkohë që mësimdhënia është një angazhim tjetër që më jep shumë kënaqësi. Pothuajse çdo ditë shkoj në palestër ku, përveçse stërvitem, edhe qetësohem.Asnjëherë nuk i lë pas dore dhe miqësitë, sidomos me miqtë e përbashkët Arjani organizon shpesh darka jashtë që mund të zgjasin deri në mëngjes. Ndërsa koha që kaloj me djalin tim me duket gjithnjë e pamjaftueshme. Përfitoj më tepër nga fundjavat ose pushimet e gjata që i kalojmë vetëm ne të tre.

Martesa juaj me Arjan Çanin... Ku ndryshoni dhe ku bashkoheni me bashkëshortin tuaj?

Martesa jonë është gjëja më e mirë që më ka ndodhur në jetë. Ne të dy ndjejmë njëlloj, mendojmë njëlloj vetëm se mënyra si e shfaqim ndryshon. Domethënë, ndryshon thjesht forma, përmbajtja është e njëjtë.

Na zbuloni diçka... ku mund të takohen një gazetar dhe një stomatologe (ku jeni njohur dhe si)?

Kjo është e vetmja gjë që nuk kam qejf ta zbuloj. Unë kam qenë studente atëherë, vetëm 19 vjeç dhe njohja jonë ka qenë shumë intime dhe kështu kam qejf të mbetet.

Sa kohë kaluan nga njohja juaj deri në martesë?

Ne kemi bashkëjetuar shumë shpejt pas njohjes. Pas 6-vjetësh që jetonim bashkë na pëlqeu të kishim një fëmijë dhe pikërisht kur unë isha 8 muajsh shtatzënë bëmë shpejt e shpejt martesën në zyrën e gjendjes civile pa i dhënë ndonjë rëndësi të madhe, vetëm në prani të mikut tonë më të ngushtë.

(Shumicës së njerëzve, kur u përmend dentistin, u ikën frika nga dhimbja e dhëmbit) Jeni një dentiste e mirë për Arjanin? Po ai është një pacient i mirë apo i grindur? Si është marrëdhënia juaj në atë stolin e "frikshëm" të dentistit?

E kam thënë dhe diku tjetër, Arjani për mua është pacienti më i vështirë. Çdo kush "përkëdhelet" kur e ka të afërt atë që e mjekon, kështu që herë pas here e kam më të lehtë ta "transferoj" te kolegët e mi që i kemi dhe miq të përbashkët.

Një thënie e vjetër thotë se "pas çdo burri të suksesshëm, fshihet një grua e tillë". Cili është roli juaj në suksesin e bashkëshortit tuaj (megjithëse, si Enidë, shumë rrallë njerëz mund t'ju njohin)?

Nuk jam dhe aq modeste për të pranuar që nuk me njohin si Enidë. Kjo është dhe arsyeja që kam mbajtur mbiemrin tim. Gjithnjë kam dashur që të identifikohem me atë që jam dhe me atë që bëj dhe jo të fshihem pas suksesit të burrit tim.Nuk është se kam bërë ndonjë gjë të madhe që ai të jetë i suksesshëm thjesht kam qenë vetvetja kur e kam mbështetur dhe e kam nxitur që dhe ai të jetë vetja e tij, sepse mendoj se vetëm kështu njeriu mund të japë më të mirën në atë që bën.

Një burrë i suksesshëm patjetër që është edhe i lakmueshëm nga femrat. Sa e ndjen veten rivale Enida përkundrejt të gjithë gjinisë femërore që rrotullohet rreth burrit të saj?

Patjetër që kjo është e vërtetë dhe s'mund të jetë ndryshe. Mua me pëlqen të ndihem rivale shpeshherë edhe virtualisht, por kjo më bën të më përkëdhelet sedra kur bindem se unë jam më e mira (qesh). Ju thashë që nuk jam dhe aq modeste.

Nëse do të ktheheshit pas në kohë, do të kishte diçka që do të donit ta ndryshonit patjetër në marrëdhënien tuaj bashkëshortore?

Mbase ju nuk do më besonit, por unë nuk do doja të ndryshoja vërtet asgjë. Marrëdhënien time me Arjanin vazhdoj ta jetoj dhe ta shijoj me të njëjtin pasion dhe kënaqësi, prandaj çdo ndryshim do ta kishte prishur magjinë.

Në një intervistë të para pak kohëve për gazetën "Shekulli", Arjani është shprehur se i pëlqen shumë të flasë. Cila është mënyra që përdor Enida për ta bërë "të pushojë"?

Zakonisht e shijoj shumë të folurën e tij pafund, sepse unë jam më e qetë në të shumtën e rasteve. Por, kur e kam të nevojshme të flas, flas aq shumë sa dhe Arjanit ia kaloj, kështu që ai vërtet "pushon", por kjo ndodh rrallë.


Sa prej pacientëve tuaj flasin për bashkëshortin tuaj dhe cili është thashethemi më i çuditshëm që keni dëgjuar?

Shumë prej tyre nuk e dinë fare që unë jam gruaja e Arjan Çanit, sepse ju thashë që mbiemri që mbaj nuk i shtyn të bëjnë lidhje të tilla. Ama, ata që e marrin vesh bëhen menjëherë kuriozë dhe gjeja kryesore që duan të dinë është nëse unë jam xheloze dhe ç'mendoj për thashethemet që kanë dëgjuar për tradhti apo ndarje. Por mua këto nuk më shqetësojnë dhe as më duken të çuditshme për persona që janë kaq të ekspozuar ndaj publikut. E çuditshme do të më dukej sikur të ndodhte e kundërta, asnjë të mos bëhej kurioz e të mos bënte thashetheme rozë, atëherë do të ishte e tmerrshme.

Të është dashur ndonjëherë të realizosh një mbrojtje të fortë për tët shoq për shkak të diçkaje jo të pëlqyeshme që ke dëgjuar?

Ndonjëherë, kur dikush që e kam mik thotë gjëra për të cilat unë jam e sigurt që s'janë të vërteta përpiqem ta kundërshtoj, ndërsa me personat që i njoh pak ose aspak nuk lodhem fare për të debatuar.

Nëse do të imagjinonim për pak se Enida ishte një drejtuese e suksesshme e emisionit "Zonë e lirë", ndërsa bashkëshorti juaj do të ishte dentist... Çfarë do t'i kishte ndryshuar një gjë e tillë marrëdhënies suaj?

Gjithçka do të ishte ndryshe, përderisa dhe ne do ishim të tjerë njerëz që bënim të tjera gjëra. Por nuk përjashtohet mundësia që të ishte edhe e njëjta gjë, e njëjta marrëdhënie. Ndonjëherë është e destinuar të ndodhë.

Nëse do të zgjidhnit shprehjen "I përkryer" për Arjanin, do ta bashkëngjisnit me fjalën baba apo bashkëshort?

Vështirë ta ndaj. Unë dhe djali shpesh jemi si në garë se kë do më shumë Arjani dhe kë përkëdhel më shumë. Nëse si baba do ta quaja të përkryer, si bashkëshort do ta quaja të paparë.

Cila është e përbashkëta më e madhe midis Arjanit dhe djalit, Enidës dhe djalit?

Te djali, gjithçka që duket sheshit në pamje dhe në karakter i ngjan Arjanit. Te tjerat, ato që janë të fshehura brenda më ngjajnë mua.

Ju vetë e ndiqni "Zonën e lirë"? Po djali?

Shumë rrallë më ka ndodhur të mos e ndjek, kur nuk kam qenë në Shqipëri ose kur me ka zënë gjumi dhe s'kam arritur ta shoh deri në fund fare. Ndërsa djali sheh sidomos fillimin dhe kënaqet shumë kur Arjani nxjerr herë pas here në ekran lodrat që ja jep me vete para se të niset. Pastaj e zë gjumi...

Djali juaj është i vogël, por gjithsesi në fazën që kupton... E keni parë ndonjëherë atë që të jetë në pozicionin mbrojtës ndaj të atit përkundrejt të tjerëve?

Nuk i ka ndodhur ndonjë situatë e tillë dhe do të doja të mos i ndodhte asnjëherë. E vetmja gjë është se nuk ka shumë qejf kur e bezdisin fëmijë të tjerë apo dhe të rritur që ja përmendin shpesh "çuni i Arjan Çanit". Nuk është se reagon keq, por ndoshta ndihet pak në siklet nga vëmendja e shtuar e të tjerëve dhe kaq.

Përveç emrave, keni ndonjë fjalë përkëdhelëse me të cilën i drejtoheni njëri-tjetrit?

Që kur jemi njohur, Arjani me ka quajtur Pufi dhe vazhdon akoma të më thërrasë me këtë emër, aq sa shumë njerëz që na njohin as nuk janë interesuar ndonjëherë për emrin tim të vërtetë.

Stomatologjia dhe Dashuria!

Një ditë e saj nuk ngjan aspak më atë të bashkëshortit. Puna, angazhimet, por edhe kontaktet janë të ndryshme, ata që i bashkojnë janë njerëzit. Enida Petro, gruaja e moderatorit Arjan Çani është mjeke stomatologe.Në fakt ngjan sikur janë dy kahe të kundërta por jo, në këtë rrëfim zbulojmë se nuk është aspak kështu. Pika e saj e dobët janë dhëmbët, për të cilat ka vazhduar edhe studimet. Është vazhdimisht e zënë aq sa mund ta takosh vetëm kur është duke punuar në klinikë.Në momentin e parë që e shikon, të bie në sy, gjatësia, ngjyra e syve dhe mbi të gjitha mirësjellja. Gjatë bisedës ajo tregon se nuk do të donte të ndryshonte asgjë në këtë marrëdhënie.Kanë bashkëjetuar për 6 vjet dhe në një moment të caktuar vendosën të bëjnë një fëmijë, i cili sot është gëzimi më i madh i familjes së tyre. Martesa? Ka qenë një ceremoni e thjeshtë dhe ka hedhur firmën e celebrimit kur ka qenë 8-muajsh shtatzënë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama