Matura MASH shtyn afatin per plotesimin e formularit A2

Matura, MASH shtyn afatin per plotesimin e formularit A2
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka vendosur të shtyjë afatin e dorëzimit të formularit A2 deri më datë dy gusht. Në këtë mënyrë të gjithë ata maturantë që nuk kanë vendosur ende për preferencat e programeve arsimore do të kenë në dispozicion edhe disa ditë kohë për të bërë zgjedhjen e tyre. Sipas MASH-it deri ditën e hënë të gjitha shkollat e mesme në vend do të mbajnë dyert e hapura për të pranuar formularët e plotësuar të nxënësve.

Shtyrja

Megjithatë, nëse edhe pas datës 2 gusht do të ketë ende maturantë të pavendosur, ose që për arsye të ndryshme nuk kanë dorëzuar aplikimin e tyre, këta kandidatë nuk do të penalizohen duke humbur të drejtën për të konkurruar për një degë në universitet. MASH bën me dije se procesi i pranimit mund të shtyhen për një ose dy ditë, në varësi të numrit të nxënësve që do të vonohen për dorëzimin e formularit. Në këtë mënyrë ministria përgjegjëse për arsimin nuk ka përjashtuar nga procesi i përzgjedhjes për në universitet edhe ata maturantë të cilët nuk u njohën në kohë me rezultatet e provimeve me zgjedhje.

Rikorrigjimi

Në fakt, Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve ka përfunduar rikorrigjimin e testeve të qindra maturantëve dhe gjatë ditës së djeshme i ka shpërndarë notat në shkollat përkatëse. Shkak për këtë rikorrigjim "masiv" të testeve të provimit kanë qenë dyshimet e korrigjuesve të provimeve gjatë fazës së parë të vlerësimit të testeve për kopjime. Për të shmangur çdo parregullsi MASH-i ka vendosur që këto provime t'i riktheheshin edhe një herë procesit të korrigjimit. Edhe kësaj here provimet janë kontrolluar nga dy vlerësuese dhe maturantët do të njihen me rezultate e tyre brenda ditës së sotme. Këta maturantë kanë në dispozicion edhe katër ditë kohë për të tërhequr, plotësuar dhe dorëzuar formularin e preferencave. Në këtë mënyrë MASH-i u ka hequr frikën për një penalizmin të mundshëm për këtë vit, duke mos i lënë nxënësit një vit pushim apo duke i çuar në vjeshtë për ridhënien e provimeve. Mësohet se vetëm në Burrel ishin rreth 220 maturantë që nuk kishin marrë përgjigjet për provimet e dhëna, duke rrezikuar kështu edhe regjistrimin në arsimin e lartë

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama