Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Te fitosh ne lazarat e te humbasesh ne bllok

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 10 vite më parë

Mustafa Nano
Te fitosh ne lazarat e te humbasesh ne bllok

Lidhur me krimin që u krye pardje në Bllok, ku gjeti vdekjen Artan Santo, ka shumë pikëpyetje. Por ka dy sosh që si zor t’mos i ketë bërë njeri qysh në momentin që është informuar mbi atë që ndodhi: 1. Pse u është dashur ta vrisnin Artan Santon në qendër të Tiranës, madje në qendër të Bllokut? Dhe 2. Si është e mundur që vrasësit kanë bërë “të qetë” 30 km rrugë, deri sa kanë mbërritur në rrethinat e Fushë-Krujës, ku kanë humbur gjurmët?

 

Pyetja e parë ka të bëjë, me siguri, me motivet e vrasjes e me motivimin e vrasësve. Për ata që e kanë njohur nga larg, Artan Santo dukej se ishte nga ata njerëz të këtij vendi, të cilëve mund t’u parashikohej çdo lloj vdekjeje, por jo një vdekje e tillë, e shkaktuar nga dy vrasës me pagesë. E për këtë arsye, një nga kureshtjet që do ta shoqërojë të gjithë procesin e hetimit të ngjarjes ka të bëjë me arsyet që kanë pasur të tjerë për ta vrarë Santon, që ka qenë një nga pak biznesmenët e këtij vendi që nuk janë përfytyruar kurrë si pjesë e biznesit të kriminalizuar. Ka qenë edhe pasioni i tij për artin, librat e kulturën në përgjithësi që bindte këdo se Santo ishte biznesmen tjetërsoji. Në do raste që kam biseduar me të, kemi folur dhe për librat. Madje, më ka folur edhe për një libër të tijin me poezi a tregime; një libër që e kish bërë apo që e kish në plan ta bënte. Në fund, ka qenë dhe natyra e tij e butë, delikate, e brishtë. Ai, më shumë se kushdo tjetër, të jepte idenë e një gjëje të pambrojtur e të thyeshme. E për të gjitha këto arsye, ai skenar vrasjeje nuk do duhej të kish lidhje me të.

 

Unë e di se në këtë botë, gjërat shpesh nuk janë ashtu si duken, por këtu po flas pikërisht për gjërat ashtu si dukeshin. E me ç’kam vënë re, kështu e kanë parë Santon që të gjithë, e në këtë kuptim që të gjithë kemi nevojë të marrim vesh së pari pse e vranë Artan Santon, së dyti pse është dashur që ta vrasin atje, te dera e zyrës së tij, në qendër të kryeqytetit, në një kohë që mund ta vrisnin kudo ashtu siç mund të vrasin çdo njeri tjetër që bën një jetë normale, që rri pa roje trupi, që nuk ruhet nga askush. E këtu vijmë te pyetja? Ç’motiv kanë pasur që këtë vrasje ta bëjnë kështu si e bënë, duke rrezikuar që të shihen nga shumëkush, që të lënë në një mënyrë a në një tjetër gjurmë, e që të bëhen gjah i kollajtë për Policinë e Tiranës?

 

Tani po vij te rrethana e dytë. Me t’ia arritur qëllimit që kishin, dy autorët e krimit kanë bërë të largohen. Në vendin e vrasjes ka pasur një polic, të cilit dy vrasësit me pagesë i kanë vënë koburen te kryet dhe i kanë thënë të mos bëjë asnjë lëvizje; përndryshe… Dhe polici nuk ka bërë asnjë lëvizje, deri sa ata i kanë kthyer shpinën. Por pas disa sekondash, me të marrë veten, ai me siguri ka marrë dikë në telefon dhe kjo është arsyeja që dikush tjetër, një koleg i tij, i ka ndjekur vrasësit për kilometra të tëra. Dhe një copë herë ndjekja është bërë edhe nëpër rrugët e Tiranës, ku ka policë në çdo hap. Nga Libri Universitar e deri sa kanë dalë te dogana, në fund të Unazës së Re, atyre u është dashur të bien në sy të shumë njerëzve, pasi kanë qenë me shpejtësi, e nuk besohet se kanë ndaluar para ngjyrës së kuqe të semaforëve. Përveç kësaj, ata kanë kaluar në disa kryqëzime, në të cilat rëndom ka policë të trafikut, dhe këta të fundit nuk e kanë pasur të vështirë të kuptojnë se diçka nuk shkonte me atë motoçikletë. Por edhe sikur të mos kenë kuptuar gjë ata, të bëhet të besosh se lajmi që dy vetë kanë kryer një vrasje në qendër të Bllokut e që një polic është duke ndjekur vrasësit e hipur mbi një motoçikletë ka shkuar në qendrën e informacionit të Policisë së Shtetit dhe kjo e fundit është vënë në lëvizje. Dhe një nga gjërat e para që bëhet në këtë rast është të porositen e të urdhërohen policët në kryqëzime që të ndalojnë një motoçikletë që ecën me shpejtësi. Se si të duket që autorët e një krimi të vijnë vërdallë nëpër Tiranë për minuta të tëra, ndërkohë që neve vdekatarëve të zakonshëm e qyqarë, me të bërë një kundërvajtje banale, na fanepsen disa policë njëherësh përpara syve, dhe na ndalojnë, na gjobisin, e në ndonjë rast na bllokojnë dhe makinën. Dhe bëjnë shumë mirë, të kuptohemi. Madje, meritojnë përgëzim për këtë gjë. Do duhet të vijojnë ta bëjnë. Por puna është se krahas qyqarëve që kapen gafil, teksa janë duke shkuar në punë a në hallet e tyre, duhet të kapen edhe këta që janë duke u kthyer me shpejtësi 200 km/orë nga një vrasje në mes të Bllokut. Mund të kish kuptim pra që ata ta kishin kryer vrasjen e të kishin humbur nga sytë në harkun e pak sekondave, mund të ishin futur në një garazh, në një servis, në një oborr shtëpie, apo ku di unë dhe e gjithë situata do të na sillej me pak kuptim, por të duket shumë hollywood-iane që ata ta bëjnë rrugën të pangacmuar nga Blloku deri në Fushë-Krujë (“hollywood-iane”, në kuptimin “trillane”; pasi vetë cliché-ja e filmave hollywood-ianë është krejt tjetër: makina të policisë që ndjekin gjithë bujë e potere keqbërësit).

 

Nuk e përjashtoj që këto arsyetime që unë bëj të jenë naive. Nuk e përjashtoj që një ekspert mund të jetë në gjendje të më bindë për të kundërtën, d.m.th. të më bindë që pavarësisht se krimi bëhet në qendër të kryeqytetit, madje pikërisht ngaqë bëhet në qendër, autorët e tij nuk është e lehtë t’i kapësh qysh në momentin e parë. Por deri sa të dalë ky ekspert, ose deri sa të dalë dikush tjetër që të na japë në dorë gjithë dinamikën e zhdukjes së autorëve të këtij krimi nga vendi i ngjarjes, kjo pikëpyetje do të rrijë në kokën e të gjithë naivëve si puna ime.

 

Me sa më sipër, kam përshtypjen se nuk kam bërë gjë tjetër, veçse kam shprehur publikisht një shqetësim të shumë vetëve. Mirëpo është e qartë se shqetësimi më i madh, shqetësimi numër një, është një tjetër: Kush, e pse, e vrau Artan Santon? Policia e Shtetit sapo ka dalë dhe ka dalë për bukuri, nga përballja me një situatë kriminale të një lloji tjetër (ndërhyrja e saj në Lazarat ishte në shumë drejtime një kryevepër në historinë e policisë shqiptare), por zbardhja e vrasjes së Artan Santos shfaqet si një sfidë më e madhe përpara saj. Dhe vetë policia ka për të qenë e vetëdijshme për këtë në momentin që dikush do të dalë në emër të saj para shtypit e do të thotë: “Po, ngjarja u zbardh, urdhëruesit e saj janë x-i e y-i”. E nëse kjo nuk ndodh, askush nuk do të kujtohet për suksese të tjera të saj. Do të kujtohen veç për këtë krim të frikshëm të bërë në Bllok. Dhe “në Bllok” me fjalë të tjera jo dhe aq metaforike do të thotë “para syve të policisë”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama