|
Interesi për vlerat arkeologjike të Shqipërisë
nis qysh në shek. XIX kur studjues të gjeografisë
historike iu kushtuan lokalizimit dhe identifikimit
të të dhënave
nga burimet antike.
Kështu
është i pari që viziton Shqipërinë
francezi Pouqueville (F.C.H.L. Pouqueville, Voyage dans
la Grèce, comprenant la description ancienne
et moderne de l'Epire, de l'Illyrie grecque etc. Paris
1820-21, v.5) Anglezi Martin Leake, nga shëtitja
që bëri në Shqipërinë e Jugut
deri në Apoloni, botoi një përshkrim
të hollësishëm të rënojave
të objekteve arkeologjike që i ranë në
sy (W.M. Leake, Travels in northern Greece, London 1835,
v. 4). Më vonë arkeologu francez L. Heuzey
vizitoi Shqipërinë dhe në studimin e
tij u ndal kryesisht mbi Durrësin e Apoloninë
(L.Heuzey. H. Daument, Le mission archéologique
de Macèdoine, Paris 1876). Në fillim të
shek. XX vizitoi Apoloninë dhe rrethinat e Vlorës
balkanologu C. Patsch. Ai është i pari që
zbuloi qytetin e Amantias dhe më pas botoi një
studim të hollësishëm mbi antikitetet
që pa në Bylis, Klos, Berat etj. (C. Patsch,
Das Sandschak Berat in Albanien, Wien 1904). Gjatë
Luftës së parë botërore erdhën
në Shqipëri arkeologët austriakë
C. Praschniker e A. Schober të cilët filluan
kërkimet nga veriu i Shqipërisë në
drejtim të jugut dhe i kushtuan vëmendje edhe
monumenteve e qendrave arkeologjike ilire (C. Praschniker-A.
Schober, Archäologische Forschungen in Albanien
und Montenegro, Wien 1919; C. Praschniker, Muzakia und
Malakastra, Wien 1920).
Më 1924 një mision arkeologjik francez, nën
drejtimin e Leon Rey, fillon gërmimet sistematike
në Apoloni, të cilat vazhduan deri më
1938 dhe rezultatet u botuan në revistën Albania
(L.Rey, Albanie, Revue d'archéologie, Paris 1925-1939,
në 6 vëllime). Një mision tjetër
arkeologjik italian më 1926 filloi gërmimet
në qytetin antik të Foinikes dhe më vonë
në Butrint. Në fillim misioni u drejtua nga
L. Ugolini e më pas nga Markoni e Mustili (L. Ugolini,
Albania antica, Roma 1927-1942, 3 vëll.); D. Mustili,
La civilta preistorica dell'Albania, Roma 1940).
Pas Luftës së dytë botërore deri
më 1990 kërkimet e studimet arkeologjike u
bënë nga arkeologë shqiptarë. Më
1948 u krijua në Tiranë Muzeu Arkeologjik-Etnografik,
më pas u krijua Sektori shkencor i kërkimeve
arkeologjike, nga i cili më 1976 u formua Qendra
e Studimeve Arkeologjike dhe më 1991 Instituti
i Arkeologjisë. Gjatë këtyre viteve veç
muzeut qendror arkeologjik dhe pavionit arkeologjik
në Muzeun Historik Kombëtar, u ngritën
edhe muze të profilit arkeologjik në Durrës,
Apoloni, Butrint dhe Korçë, të cilët
ruajnë objekte me vlera unikale.
Vitet 1991-1999 përbëjnë një etapë
të re për arkeologjinë shqiptare, atë
të bashkëpunimit me arkeologë të
huaj. Janë realizuar ose vazhdojnë veprimtarinë
projekti shqiptaro-grek në Butrint, projekti shqiptaro-amerikan
në Shpellën e Konispolit (Sarandë) dhe
në zonën Apoloni-Bylis, projekti shqiptaro-francez
në Apoloni dhe në vendbanimin prehistorik
të Sovjanit (Korçë) dhe projekti shqiptaro-anglez
në Butrint. Gjatë vitit 2000 janë duke
u hartuar edhe projekte të tjera për kërkime
në Durrës, Bylis e qendra të tjera arkeologjike.
Rezultatet e kërkimeve, gërmimeve e studimeve
arkeologjike, mëse njëqindvjeçare,
të bëra në Shqipëri, mund t'i përmblidhnim
në :
Në fushën e prehistorisë. Gjurmët
më të hershme të banimit të territorit
të Shqipërisë janë zbuluar në
Xarë (Sarandë) dhe në Gajtan (Shkodër)
të cilat i takojnë epokës së paleolitit
(rreth 100.000 vjet më parë). Periudhës
së paleolitit të vonë (30.000-10.000)
vjet, i takojnë një numër më i madh
vendbanimesh (Xarë, Konispol, Shën Marinë,
Kryegjatë, Rrëzë Dajti, Gajtan etj) të
cilat mbulojnë gjithë territorin e Shqipërisë
së sotme.
Gjatë epokës së neolitit (7000-3000 p.e.s)
territori i vendit tonë ka qenë shumë
më i banuar, gjë që e dëshmojnë
me dhjetra vendbanime të zbuluara, të cilat
kanë qenë ngritur në fusha pjellore,
në taraca lumore dhe në shpella. Banesat e
tyre ishin kasolle të thjeshta të lyera dhe
të shtruara me baltë. Në Dunavec e Maliq
janë zbuluar banesa të ngritura mbi hunj (palafite)
të cilat kërkonin një teknikë të
lartë të ndërtimit të banesave.
Por në jetën e banorëve neolitikë
vend qendror zinte bujqësia dhe blegtoria si edhe
përgatitja e prodhimi i enëve prej balte.
Nga fundi i epokës neolitike mjeshtrat e punimit
të poçarisë arrijnë të prodhojnë
jo vetëm enë cilësore e me forma të
shumëllojshme, por edhe me vlera artistike.
Vlerë të veçantë kanë disa
enë të pikturuara të gjetura në
Dunavec, Cakran e Maliq I të cilat janë të
importuara nga kulturat e Diminit në Thesali (Greqi).
Ato janë dëshmitë e para të këmbimit
midis trevave të vendit tonë me qytetërimet
më të përparuara të Europës
Jug-Lindore të epokës neolitike.
Në fillim të epokës së metaleve
(mijëvjeçari i tretë p.e.s.) në
pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik
ndodhën ndryshime të rëndësishme
si rezultat i dyndjes së popujve baritor, indoevropian,
të ardhur nga lindja. Një shfaqie e re ishte
kulti i varrimit në tuma (Pazhok të Elbasanit,
Barçë të Korçës, Piskovë
të Përmetit etj). Ky rit varrimi në tuma
do të përdoret pa ndërprerje gjatë
tërë epokës së bronzit dhe do të
bëhet karakteristik për popullsinë ilire
të epokës së hekurit.
Nga fundi i mijëvjeçarit të dytë
dhe gjatë tërë gjysmës së parë
të mijëvjeçarit të parë p.e.s.,
ilirët fillojnë dhe i vendosin vendbanimet
e tyre në kodra të ngritura me pozicion dominues
mbi zonën përreth, dhe gradualisht (i përforcojnë)
i rrethojnë me mure të fuqishme (Gajtan-Shkodër,
Tren-Korçë, Kalivo-Sarandë etj).
Në fushën e antikitetit
Deri në shek. VII p.e.s. trevat e ndryshme ilire
kishin përparuar pothuajse me të njëjtin
ritëm. Midis tyre dalloheshin disa krahina të
veçanta si Fusha e Korçës, Mati,
Glasinaci (në Bosnjë)etj, të cilat kishin
arritur të krijonin një kulturë materiale
me nivel më të lartë se të tjerat.
Përfshirja e Ilirisë në lëvizjen
e gjerë ekonomike-shoqërore mesdhetare, bëri
që pas shek. VII p.e.s. të dalin në radhë
të parë të zhvillimit trevat jugore ilire
- Iliria e Jugut.
Faktor parësor u bënë marrëdhëniet
e hershme me botën greke dhe veçanërisht
procesi i urbanizimit u përshpejtua me themelimin
e kolonive greke në brigjet e Ilirisë. Kështu
kolonistë të ardhur nga Korkyra më 627
p.e.s. themeluan Dyrrahun dhe më 588 p.e.s. themeluan
Apoloninë.
Rreth gjysmës së parë të shek. VI
themelohet dhe Oriku. Të dhënat arkeologjike
dëshmojnë se gjatë shek. VI-V Dyrrahu
e Apolonia kthehen në qytete të mirëfillta,
kurse gjatë shek. IV ato njohën një lulëzim
të përgjithshëm që u shpreh me ndërtime
monumentesh madhështore.
DYRRAHU ose Epidamni, qysh në shek. V p.e.s. kishte
punishte të punimit të qeramikës, të
metaleve, të pëlhurave e lëkurës,
kantier për ndërtimin e anijeve etj. Dëshmi
e zhvillimit të tregtisë janë monedhat
prej bronzi e argjendi që pret Dyrrahu, kurse për
lulëzimin urbanistik të shek. IV p.e.s dëshmon
mozaiku i një dyshemeje me gurë lumi, i ashtuquajturi
Bukuroshja e Durrësit.
Në vitin 229 p.e.s. Dyrrahu kaloi në vartësi
të Romës dhe më vonë u kthye në
koloni romake. Në shek. I-III të e.s. përjeton
një periudhë lulëzimi, u bë qendër
dhe porti kryesor i brigjeve të Adriatikut lindor.
Kësaj kohe i takon ndërtimi i amfiteatrit,
i termave, bibliotekës, ujësjellësit
etj.
Në shek. IV Dyrrahu bie ekonomikisht dhe tërmeti
i vitit 345 e.s. e rënon edhe më tej duke
e bërë të kthehet në një qendër
të vogël tregtare. Pozita e tij gjeografike
e bëri Dyrrahun që gjatë shek. V-VI e.s.
ai të kthehet në një nga qytetet e rëndësishme
të perandorisë bizantine. Në kohën
e perandorit Anastas (me origjinë nga Durrësi)
u ndërtuan shumë godina të reja, hipodromi
dhe tre radhë muresh rrethues shumë të
fuqishëm.
APOLONIA.
Qytet antik ndër më të mëdhenjtë
në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri
ndër 30 qytetet e tjera me të njëjtin
emër të kohës antike. U ngrit mbi një
kodër (me dy maja të larta 101 e 103m mbi
nivelin e detit) me një pozicion që zotëron
tërë zonën dhe nëpërmjet luginës
së lumit Aqos (Vjosë) lidhej me detin Adriatik.
Në shekujt e parë të jetës, Apolonia
mbante lidhje të ngushta me Korinthin dhe Korkyrën
dhe luante rolin e ndërmjetësit në tregtinë
e helenëve me ilirët. Në shek. V p.e.s.
u bë qendër e zhvilluar ekonomike me punishte
të shumta zejtare, zgjeroi marrëdhëniet
me botën ilire si edhe me Atikën e më
vonë edhe me Magna Grecian (Italinë e Jugut).
Lulëzimin më të madh qyteti e njohu në
shek. IV-III p.e.s. Në këtë kohë
qyteti u shtri në të gjithë faqen perëndimore
të kodrës dhe u rrethua me një mur mbrojtës
4km të gjatë duke përfshirë një
hapsirë të qytetit prej 138ha. Apolonia u
ndërtua sipas një plani që mbështetej
në sistemin ortogonal të Hipodamit; përshkohej
nga rrugë të drejta, kryesore e dytësore,
që kryqëzoheshin me njera-tjetrën duke
kufizuar lagje të veçanta. Nga ndërtimet
kryesore veç mureve rrethuese u ndërtua
portiku i qendrës së qytetit (agorasë),
teatri, një çezmë monumentale, gjimnazi
etj. Shëtitorja e Apolonisë shquhet për
planimetrinë e zhvilluar dhe arkitekturën
solide. Ajo është me dy kalime dhe dy kate
(70.2x10.50m). Muri i pasëm që ka një
rol mbajtës është me 17 kamare obsidale,
ku vendoseshin shtatoret, kolonada e brendshme dhe e
jashtme e katit të parë formohej nga kolona
tetëkëndore. Në shek. I-III të e.s.
qyteti përjetoi një periudhë të
dytë ndërtimesh intensive, si tempullin e
Agonotetëve, odeonin, bibliotekën dhe një
sërë vilash të zbukuruara me mozaikë.
Apolonia në kohën e Augustit u shpall qytet
i lirë dhe i paprekshëm dhe vazhdoi të
mbetej një qendër e rëndësishme
ekonomike e kulturore. Lulëzoi arkitektura dhe
degë të tjera të artit, e sidomos skulptura.
Ndaj me të drejtë Ciceroni e quajti "Magna
urbs et gravis" (qytet i madh e hije rëndë).
Në shek. III-IV qyteti humbet rëndësinë
e dikurshme dhe në fillimet e mesjetës Apolonia
kthehet në një qendër peshkopale.
Marrëdhëniet e ndërsjellta të qyteteve
koloni me interlandin ilir shpejtuan procesin e lindjes
dhe zhvillimit të një tog qytetesh ilire.
Gjatë shek. IV-II p.e.s. ngrihen qytete si Butrinti,
Amantia, Bylisi, Foinike, Antigonea, Dimali, Lisi etj.
Ato ishin vendosur mbi maja apo shpate kodrash, me horizont
të gjerë shikimi dhe të rrethuara me
mure me konstruksione solide me blloqe gurësh të
skalitur me forma trapezoidale, poligonale e në
një fazë më të zhvilluar me blloqe
kuadratikë. Në shek. IV p.e.s. ato ishin kthyer
në qendra zejtare e tregtare, kurse rreth mesit
të shek. III p.e.s. qyteti ilir ishte formuar me
tiparet themelore të një qyteti antik. Hapsira
e brendëshme e qytetit ishte e organizuar sipas
sistemit hipodamik ku agoraja në të cilën
ishin vendosur godinat e karakterit politik e shoqëror,
kulturor e religjoz (prytaneioni, teatri, shëtitorja,
tempujt etj) formonin qendrën e qytetit të
ndarë nga pjesa tjetër. Disa shembuj të
këtyre ndërtimeve në qytetet ilire e
dëshmojnë më së miri nivelin urbanistik
të tyre.
BUTRINTI. Të dhënat arkeologjike
dëshmojnë se në shek. VII-VI p.e.s. Butrinti
ishte një qendër protourbane, kurse në
shek. V p.e.s. arriti të marrë tiparet e plota
të një qyteti. Në fund të shek.
IV fillim i shek. III p.e.s. u ndërtua agoraja
e qytetit, një portik (shëtitore), një
tempull i vogël dhe teatri me 1500 vende i cili
është ruajtur i plotë deri në ditët
tona. Ai bashkë me ndërtimet e tjera pranë
si tempullin e Asklepit, portikun, banjat etj, përbënin
pjesën më të bukur të qytetit antik.
Në periudhën e vonë antike e mesjetës
së hershme Butrinti përjetoi një periudhë
lulëzimi. Kësaj kohe i takon ndërtimi
i Baptisterit i cili është monumenti më
i rëndësishëm i periudhës paleokristiane.
Salla e pagëzimit në formë rrethore me
diametër 13.50m është shtruar me mozaikë
shumëngjyrësh, me motive nga bota shtazore
e figura gjeometrike, të cilat kanë vlerë
të veçantë artistike. Salla përshkohet
nga dy rradhë kollonash granite mbi të cilat
kanë qenë mbështetur qemerët e çatia.
ANTIGONEA. Qytet i themeluar në shek.
III p.e.s. me një mur 4000m të gjatë,
është ndërtuar me një sistem urbanistik
të tipit hipodamik, me rrugë të drejta
e të kryqëzuara që ndajnë qytetin
në insula me gjerësi 200 këmbë dhe
në ndarje të tjera më të vogla.
AMANTIA. Eshte e vendosur në faqen e një
kodre të lartë dhe kishte të fortifikuar
me një mur të gjatë 2200m, vetëm
akropolin. Emri i qytetit për herë të
parë përmendet në shek. IV p.e.s.. Në
shek. III p.e.s. qyteti fuqizohet ekonomikisht dhe arrin
të presë monedhat e veta. Këtë e
dëshmojnë ndërtimi i tempullit të
Afërditës, rrënojat e një teatri
dhe veçanërisht ndërtimi i stadiumit,
i cili është ruajtur i plotë deri në
ditët tona. Stadiumi ka formën tipike të
stadiumeve greke me dy krahët e gjata që kufizojnë
pistën me gjatësi 184.8m dhe gjerësi
12.25m. Njëri krah i shkallares i ndërtuar
me blloqe gurësh gëlqerorë ka 17 rradhë,
kurse krahu tjetër ka 8 rradhë.
BYLISI. Një nga qytetet më të mëdha
ilire u zhvillua në shek. IV p.e.s. si kryeqendër
e fisit ilir të bylinëve. Ai kishte një
sipërfaqe prej 30ha të rrethuar me mur të
mbrojtur nga 7 hyrje e 7 kulla. Në shek. III p.e.s.
qyteti u fuqizua ekonomikisht, kohë kur ndërtohet
agoraja (qendra e qytetit) prej 4ha, ku ngrihet teatri
me rreth 9000 vende, stadiumi, gjimnazi etj. Në
shek. I e.s. Bylisi u kthye në koloni romake.
Në shek. IV të e.s. qyteti rrethohet me mure
të fuqishme, dhe më pas në shek. V-VI
u bë një qendër e rëndësishme
peshkopale. Për këtë flet zbulimi i gjashtë
bazilikave, dyshemetë e të cilave janë
shtruar me mozaikë me motive paleokristiane të
një cilësie të lartë.
ALBANOPOLI. Qytet ilir, qendër e fisit
të Albanëve, që përmendet për
herë të parë në mesin e shek. II
të e.s. nga Ptolemeu, i cili përcakton dhe
kordinatat e shtrirjes së tij. Eshtë lokalizuar
me rrënojat e qytetit ilir të Zgërdheshit
(në afërsi të Krujës). Emri i qytetit
dhe i fisit të albanëve që krijuan atë,
u ruajt në mesjetë e deri në ditët
tona duke i dhënë emrin gjithë trevës
ku shtriheshin Ilirët e Jugut - Albania.
LISI. U formua si qytet nga fundi i shek. IV
p.e.s. mbi bazën e një vendbanimi protourban.
Në shek. III-II p.e.s. muret rrethuese e ndanin
atë në tre pjesë, akropolin, qytetin
e sipërm dhe qytetin e poshtëm që shtrihej
buzë lumit Drin. Muret e qytetit janë të
ruajtur shumë mirë me 12 portat dhe kullat
e shumta që i japin një pamje madhështore
qytetit. Lisi në kohën e Cezarit merr të
drejta dhe ofiqe municipale dhe luan një rol aktiv
në luftën civile midis Pompeut e Cezarit.
SELCA E POSHTME. Në kodrat e fshatit me
të njëjtin emër, janë zbuluar rrënojat
e një qyteti ilir të shek. IV-III p.e.s. Në
shek. III bëhet qendër e krahinës ilire
të Dasaretisë. Në këtë kohë
gdhenden në shkëmb 4 varre monumentalë
princëror, me një arkitekturë të
stilit jonik. Në njërin varr është
gjetur një inventar shumë i pasur me armë,
enë bronzi e balte, zbukurime ari dhe një
paftë metalike me skenë mitologjike luftimi.
Në qytetet koloni, Dyrrah, Apoloni si edhe në
qytetet e tjera të Ilirisë së Jugut si
në Butrint, Amantia, Bylis, Antigone etj., krahas
degëve të ekonomisë u zhvillua e lulëzoi
arti, i cili në fillim zhvillohet i lidhur me traditën
e metropoleve (korinthase e korkyrase). Pas shek. V
krahas vazhdimit të traditës, arti fiton veçori
lokale. Vlera të veçanta artistike kanë
punimet në qeramikë. Në shek. IV-III
p.e.s. punishtet e Apolonisë e Dyrrahut prodhuan
enë me figura të kuqe me tema mitologjike
dhe nga jeta e përditëshme. Figurinat (terrakotat)
e shumta me tema mitologjike e më pas edhe tema
nga jeta e përditëshme, dallojnë për
plastikën e realizimin artistik. Krahas terrakotave
të shumta janë edhe figurinat prej bronzi,
mjaft prej të cilave përbëjnë vepra
arti
Gjatë shek. I-II e.s. në skulpturë përvetësohen
tiparet e artit romak. Veçanërisht në
skulpturë portreti ndjek realizmin tipik të
kohës me një frymë të mbështetur
në traditën. Qendra kryesore është
Apolonia me portretet e magjistratëve, të
Filozofit, të Bilias etj. Portrete cilësore
të shek. I-II e.s. kanë dhënë Dyrrahu,
Butroti, Foinike etj. Relievi bëhet skematik dhe
lidhet me qëllimet praktike të zbukurimit
të altareve, sarkofagëve, monumenteve arkitektonike
etj.
Mozaiku si gjini e pikturës monumentale dekorative
në kohën antike (greko-romake) dhe atë
mesjetare të hershme njohu një lulëzim
të dukshëm, sidomos në shekujt e parë
të e.re. Duke përdorur gurë kubik të
zinj ose shumëngjyrësh të vendosur në
sfond të bardhë u arrit të realizoheshin
figura të ndryshme gjeometrike dhe skena nga mitologjia
detare. Shquhet mozaiku polikrom zbuluar në Apoloni,
që paraqet Luftën e amazonëve.
Mozaiku si vepër e artit lulëzon edhe në
shek. V-VI të e.s. realizuar në veprat e kultit
paleobizantin, si në bazilika, kisha, pagëzimore,
trikonka etj. Në dyshemetë e këtyre monumenteve
figurat e mozaikut janë të shpërndara
lirshëm në sipërfaqe dhe janë figura
simetrike, kafshë në qetësi, pemë,
fruta, bisqe hardhije, shpendë, peshq e motive
të ndryshme ujore. Në radhën e këtyre
realizimeve cilësor është mozaiku i Baptisterit
të Butrintit, i trikonkës së bazilikës
së Linit (Pogradec), mozaiku u bazilikës së
Arapajt (Durrës) i bazilikave të Bylisit e
shumë të tjera.
Në Shqipëri është ruajtur deri në
ditët tona vetëm një mozaik parietal
(i vendosur në mur), ai është mozaiku
i kapelës së Durrësit, i ngritur brenda
amfiteatrit të qytetit. Ai paraqet figura shënjtorësh
dhe i përket periudhës së hershme bizantine.
Në fushën e mesjetës së
hershme
Të dhëna të mirëfillta për
kulturën e hershme mesjetare vijnë nga gërmimet
e para sistematike që u bënë gjatë
viteve 60-70të, me zbulimin e varrezave të
Komanit, të Buklit, të Shurdhahut, të
Lezhës etj. Gradualisht gërmimet u shtrinë
edhe në një varg kështjellash të
antikitetit të vonë e mesjetës së
hershme si në Varosh (Stelush), Shurdhah (Sardë),
Lin, Pogradec, Berat, Kaninë, Butrint etj. Një
pjesë e kështjellave janë vazhdim i qyteteve
e qytezave të kohës antike, e një pjesë
tjetër kala e kështjella të ngritura
në përshtatje me kushtet e reja historike.
Gjatë shekujve të mesjetës së hershme
shqiptare shek. VII-IX ka një braktisje të
qyteteve për shkak të kthimit në ekonominë
e mbyllur natyrore. Vetëm Durrësi ku u kufizua
pushteti bizantin e ruajti karakterin e mirëfilltë
qytetar. Gjithashtu edhe Butrinti, në jug, mbeti
qendër e rëndësishme qytetare.
Një ringjallje e jetës qytetare vihet re pas
shek. IX kur fillon qarkullimi i monedhave bizantine.
Ndër qytetet e ringjallura mbi truallin e qyteteve
ilire, në këtë periudhë janë
Berati, Kanina, Lezha, ndërtimet fortifikuese (muret,
portet e kullat) të tyre janë ruajtur deri
në ditët tona.
Autor Prof.Myzafer Kokurti
Literatura
1. Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë,
Tiranë 1995.
2. Kuvendi i parë i studimeve ilire, Tiranë
1974.
3. Les Illyriens, Tiranë 1985.
4. ILIRIA 1985, 2.
5. ILIRIA 1986, 1.
6. ARKEOLOGJIA, N. Ceka-M. Korkuti, Tiranë 1998.
|