|
Gjurmët më të hershme
Fillimet
e artit figurativ në truallin e Shqipërisë
janë të herëshme. Gjurmët e para
i përkasin periudhes se neolitit. Nëpërmjet
zbulimeve të shumta arkeologjike, në zona
të ndryshme të vendit, janë gjetur qindra
e mijëra qeramika, terrakota, zbukurime ne metal
etj., që u përkisnin fiseve ilire, paraardhësve
të drejtpërdrejt të shqiptarëve
të sotem.
Prodhimet më të herëshme janë të
thjeshta, për përdorim praktik, por në
to shfaqen edhe vlera artistike si në format zoomorfe
të enëve ashtu edhe në dekoracionin,
gdhendjet dhe elemente të tjerë. Nga shekulli
i gjashtë deri në shekullin e trete p.e.re
në qeramika vizatohen linja dhe figura gjeometrike;
forma ndërtohet me siluet më elegant dhe pasurohet
me elementë plastikë. Shumë enë
të kësaj periudhe, që ruhen sot në
muzetë e Shqipërisë, kanë vlera
të mirëfillta artistike dalluese vendase,
që nuk i ndeshim në artin e fqinjëve
të tjerë po aq të lashtë si helenët,
maqedonët apo romakët.
Nga ato enë të lashta, të zbukuruara
me dekoracione e fraktura plastike, nis rruga e skulpturës
në truallin e Shqipërisë duke u bërë
kështu bashkëudhëtare me artin e popujve
më të hershëm të Europes. Tipare
më të qarta u dukën sidomos me formimin
e qyteteve ilire Bylis, Amantia, Foinikue, Butrot si
dhe me ngulmimet helene: Durahu, Apolonia, Oriku.
Arti Ilir
Në qytetet ilire mori zhvillim më të
madh skulptura e rrumbullakët si dhe relievi që
lidhej me ndërtimin e monumenteve. Në fillim
skulptura u zhvillua duke përvetësuar elementë
të artit helen, sidomos nga tradita korintike dhe
korkyrase.
Më vonë, nga shekulli VI p.e.r., krahas lidhjes
me traditen helene, arti ilir fiton vecori te reja,
të dallueshme, brenda kuadrit helenistik. Apolonia
dhe Durrahu që u bënë qendrat më
të rëndësishme të artit në
ato vite, kishin mjeshtrit e shquar vendas që gdhendnin
dhe skalisnin në një stil me tipare të
vecanta kundrejt krijimeve të importuara prej qytetërimit
helen. Në muzeun e sotëm te Durresit janë
ekspozuar disa skulptura të papërfunduara,
të gjetura në atë trevë. Ato dëshmojnë
për gdhendjet që janë bërë
në truallin shqiptar. Janë zbuluar gjithashtu
edhe gjurmë të punishteve të herëshme
të qeramikës në Apolloni dhe Durrah.
Aty u prodhuan shumë nga enët dhe vazot e
bukura të stilit antik që ruhen në muzetë
tona. Figurat e pikturuara paraqesin skena të ndryshme
mitologjike, pamje nga garat atletike, skena luftimesh
etj. Përgjithësisht janë me figura të
zeza mbi sfond të kuq (shek. VI-V p.e.r.) dhe me
figura të kuqe mbi sfond të zi (shek. IV deri
në periudhën helenistike). Pikturimi i figurave
është në lëvizje, plot harmoni dhe
plasticitet. Në këtë periudhë krijohen
edhe shumë statuja të vogla prej bronzi si
dhe terrakota, ku paraqiten edhe motive laike si dhe
figura fëmijësh, barinjsh etj.
Figura me vlerë artistike ndeshim edhe në
monedhat e shumta të kësaj periudhe që
u realizuan në Apolloni, Durrah dhe Orik. Lulëzimi
i disa qyteteve ilire dhe i kolonive helene solli një
zhvillim të madh të artit që u pasua
edhe me shumëllojshmëri formash e teknikash;
që nga afresket e deri te mozaikët e bukur
monokrom dhe polikrom. Por në shekullin e I rë
u ngadalësua gjithë ai hov zhvillimi. Pushtimi
romak që shkaktoi rënien ekonomike të
qyteteve ilire, la gjurmë të dukshme edhe
në art. Ndonëse Roma pushtuese u pushtua vetë
prej artit helen, përsëri ndikoi në qytetet
ilire me tipare të kulturës së saj provinciale
romake. U duk më qartë ndikimi në skulpturë,
ku përgjithësisht u ndoq realizmi tipik i
kohës, por ndjehet gjithashtu fryma klasike që
mbështetet në traditën qindravjecare.
Qendrat kryesore të krijimtarisë artistike
mbeten përsëri Apollonia, Durrahu, Botroti
etj.
Në vitet e pushtimit romak prej artit zyrtar shkëputet
arti i trevave fshatare, ku pasqyrohen motive nga jeta
e përditshme. Me praninë e elementëve
të thjeshtë artistikë, që dallojnë
nga krijimet e mëparshme, si dhe me skalitjen e
veshjeve dhe emrave ilire, krijimtaria e këtyre
viteve mund të vlerësohet edhe si një
qëndresë ndaj asimilimit prej pushtuesve më
të fuqishëm të kohës.
Zhvillimi i Mozaikut
Në
të njëjtën periudhë me artin e trevave
fshatare, në truallin e Shqipërisë arriti
zhvillimin më të madh edhe arti i mozaikut.
Më i herëshmi është gjetur në
Durrës. I përket shekullit IV p.e.r. dhe është
i punuar me gurë zalli shumëngjyrësh.
Ka vlera të rralla artistike që shquhen në
gjithë krijimtarinë e kësaj gjinie. Quhet
“Bukuroshja e Durrësit” dhe mund të
cilësohet si bukuroshja e gjithë mozaikëve
që janë zbuluar deri tani në truallin
shqiptar, për hijeshinë e figurës dhe
mjeshtërinë e realizimit artistik. Në
shekullin e I rë, sic përmendëm, u arrit
lulëzimi i këtij arti dhe nga gurët e
zallit u kalua në kubikë të prerë
prej guri, qelqi, mermeri apo balte të pjekur.
Mozaikë të tillë janë zbuluar në
Apolloni, Durrah dhe Butrint.
Zhvillimi i mëvonshëm i mozaikëve lidhet
kryesisht me monumentet paleokristiane. Pas shekullit
te V-të motivet e mozaikut ndryshojnë nga
modelet e pikturave të herëshme, sic është
amazonamania në Apolloni, duke u zëvëndësuar
me figura simetrike që qëndrojnë të
shkëputura në sipërfaqe dhe që paraqesin
figura kafshësh, shpendësh, pemë frutore,
lule e të tjerë simbole të artit paleobizantin.
Ruhen edhe sot në gjendje të mirë disa
krijime të tilla, sic janë Pagëzimorja
në Butrint, mozaikët e Linit dhe të Antigonës.
Nga gërmimet e deritanishme, është gjetur
vetëm një mozaik paretial në Durrës,
brenda Amfiteatrit të qytetit, që i përket
shekullit VI-VII-të.
Piktura Murore (Afresket)
Në periudhën e kalimit nga antikiteti i vonë
në mesjetën e herëshme, skulptura vjen
duke u zbehur deri në mohim të plotë
nga estetika bizantine, ndërsa arti i pikturës
gjeti shprehjen më të lartë artistike.
Zhvillim më të madh mori sidomos piktura murore
brenda tempujve kristiane. Kishat u mbushën me
afreske dhe ikona që u nënshtroheshin plotësisht
kanoneve të rrepta të metropolit. Autorët
nuk i firmosnin veprat në atë periudhë,
prandaj gjithë ajo krijimtari mbetet ende anonime.
Tani në Shqipëri ruhen pak gjurmë nga
krijimtaria më e herëshme, vetëm disa
fragmente. Fatkeqësisht një pjesë e tyre
u dëmtua gjatë luftës kundër fesë
që u bë në regjimin komunist (1967),
duke zhdukur kështu vepra me vlera të rralla
për kulturën dhe historinë kombtare.
Në ato pak fragmente që ruhen ndihen ndikime
të stileve perëndimore (Kisha e Rubikut –
1272), si dhe lindore (Vau i Dejës – shek.
XIV-të) të artit bizantin. Ikonat e shumta
si dhe minaturat në kodikë të Beratit
dhe të Vlorës (shek. XI-XIV-te) janë
me vlera artistike dhe i përkasin periudhës
së zhvillimit të artit bizantin në Shqipëri.
Piktura Pasbizantine
Gjatë shekullit XVI-të,ndonëse ende nën
pushtimin osman, u krijuan vepra të reja artistike
në pikturë, në stilin pasbizantin. Personaliteti
më i shquar i kësaj periudhe është
Onufri (shekulli XVI).
Pikturat e tij dallohen për ngjyra të pasura
dhe nuanca dekorative, për realizimin e tipave
interesantë me gjendje tragjike, si dhe për
futjen e disa elementëve etnografikë kombtarë
që do t’i shohim më qartë edhe
te pasardhësit e tij; i biri Nikolla (shek. XVI-të)
si dhe te piktorët e shquar David Selanicasi (shek
XVIII-të), Kostantin Shpataraku (shek. XVIII-të),
dhe te të më vonëshmit vëllezërit
Kostandin dhe Athanas Zografi (shek.XVIII-të),
familja Katro (shek. XVIII-të) etj., që zbukuruan
mjaft kisha në Shqipëri dhe në vendet
fqinj.
Në Shqipëri është bërë
edhe vazhdon të bëhet një punë e
kujdesshme për veprat e artit pasbizantin pasi
ato cmohen si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë
më të pasur kombtare. Vazhdojnë ende
hulumtimet për zbulimin e autorëve të
tjerë si dhe restaurimi i veprave të dëmtuara
gjatë shekujve. Deri tani janë hapur disa
ekspozita me vepra të këtij arti si në
Paris (1975), Romë (1985), Nice (1993) etj të
cilat kanë ngjallur intresa të shumta te specialistët
e artit. Ekspozitat janë shoqëruar me botime
të ilustruara dhe me komente të shumta nga
shtypi i huaj. Krijimet më të cmuara të
këtij arti ruhen në Muzeun e Artit Mesjetar
ne Korcë, Muzeun Onufri Berat, Muzeun Hustorik
Kombtar, Galerine Kombtare te Arteve si dhe në
muze të tjerë në Tirane dhe qytete të
tjerë të vendit. Në Korcë është
ngritur edhe një muze privat, i vetmi deri tani
nw Shqiperi, që ruan një koleksion të
pasur me vepra të artit pasbizantin.
Rilindja dhe Pavarësia
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX-të
fillon një etapë e re, e rëndësishme
për artin shqiptar. Lëvizjet e mëdha
clirimtare që sollën pavarësinë
e vendit (më 1912), krijuan atmosferën për
një drejtim të ri artistik, që do të
pasqyronte më me realizëm jetën. Lindi
piktura laike me motive patriotike dhe etnografike.
Në historinë e artit shqiptar viti 1883 është
i shënuar për krijimin e dy pikturave më
me vlerë: “Porteti i Skëndebeut”
nga Jorgji Panariti dhe “Motra Tone” nga
Kolë Idromeno. Me këto tablo nis rrugën
piktura e Rilindjes Shqiptare. Duket si rastësi
por pikërisht motivet e këtyre dy veprave
të para, janë motivet kryesore që mbizotërojnë
në tematikën e artit shqiptar të Rilindjes
dhe të periudhës së Pavarësisë;
pra tema patriotike që evokohej me trajtimin e
figurës së Heroit Kombëtar, Skënderbeut,
si dhe skenat nga jeta e përditshme ku fiksoheshin
edhe vlera të kulturës të kulturës
kombtare.
Te piktorët e Rilindjes përgjithësisht
ndihet fryma romantike. Në shumë tablo vihen
re edhe tipare të realizmit klasik si dhe të
një realizmi më bashkëkohor, duke fiksuar
kështu në art, gjendjen reale të vendit,
ndonjëherë edhe me qëndrim kritik. Piktori
më i shquar i kësaj periudhe është
Kolë Idromeno (1860-1939) autor i shumë tablove,
portreteve dhe peisazheve. Krijimtaria e tij u bë
si shkollë për artistët e ardhshëm.
Idromeno ka qenë gjithashtu edhe arkitekt dhe fotograf
i njohur.
Fotografia artistike dhe dokumentare pati një përfaqësues
tjetër të shquar, të njohur brenda dhe
jashtë Shqipërisë; familjen Marubi, drejtuar
kryesisht nga Keli, me një veprimtari të pasur
artistike.
Po në në Shkodër, ku jetuan dhe krijuan
mjeshtrit Idromeno dhe Marubi, dolën edhe piktorë
të tjerë të shquar si Ndoc Martini (1880-1916),
Simon Rrota (1887-1961), Andrea Kushi (1884-1959). Zef
Kolombi (1907-1949) etj. Pas Shkodrës, Korça
u bë vatra dytë ku mori zhvillim arti i pikturës
në Shqipëri.
Andrea Kushi
Mugon!
Në Korcë u krijuan tablotë e bukura
të piktorit autodidakt Spiro Xega (1876-1953) si
dhe veprat e “poetit të peizazhit shqiptar”
mjeshtrit Vangjush Mio (1861-1957). Të dy këta
artistë janë në krye të përfaqësuesve
më të shuar të Rilindjes dhe Pavarësisë
shqiptare në pikturë.
Edhe skulptura e rrumbullakët, pas një ndërprerje
të gjatë prej disa shekujsh, filloi të
lëvrohet sërisht në periudhën e
Rilindjes. Si autor i parë njihet Murad Toptani
(1866-1917). Ka realizuar disa vepra me temë patriotike,
ku shquhen dy bustet e Skënderbeut (më 1899
dhe më 1917). Por nivelin e këtij arti e ngriti
lart skulptori Odhise Paskali (1903-1989). Me statujat
e tij monumentale, që janë të parat vepra
të këtij lloji në Shqipëri (“Luftëtari
kombtar” - Korcë 1932, “Flamurtari”
- Vlorë 1932, “Skënderbeu” –
Kukës 1939), nis rruga e artit monumental në
Shqipëri. Krijimtaria e Paskalit vazhdon edhe në
periudhën e pasclirimit me vepra të shumta.
Ai mbetet edhe sot si personaliteti më i shquar
i skulpturës shqiptare.
Në vitet e pavarësisë artet në
Shqipëri zhvillohen në mënyrë më
të organizuar. U bënë përpjekjet
e para për përgatitjen e artistëve të
rinj, për krijimin e shoqatave artistike dhe për
organizimin e ekspozitave. Në vitin 1920, në
Korcë u hap ekspozita e parë personale nga
piktori Vangjush Mio. Me kontributin e poetit të
njohur kombtar, Gjergj Fishta (1871-1940), i cili mori
pjesë edhe vetë me disa punime në akuarel,
më 1923, në Shkodër u hap ekspozita e
parë lokale, me pjesëmarrjen e mbi 15 artistëvë
shkodranë. Ekspozita më e rëndësishme
e gjithë kësaj periudhe është “E
para ekspozitë arti” që u organizua
Tiranë në maj të vitit 1931. Kjo është
e para ekspozitë kombtare në historinë
shqiptare. Ekspozita e mësipërme u përgatit
nga Shoqata “Miqtë e Artit” që
është gjithashtu e para shoqatë artistike
e krijuar po atë vit në Tiranë. Më
1931 u bënë edhe dy përpjekje të
rëndësishme: për krijimin e një
Pinakoteke dhe për ngritjen e Shkollës së
Artit. E para nuk u realizua, ndërsa shkolla u
hap. Me nisiativën e piktorit A.Kushi, më
1931 u cel kursi i vizatimit dhe, pas një viti,
më 1932 u themelua Shkolla e Vizatimit, e para
shkollë arti në Shqipëri. Shkolla e Tiranës
mori nxënës nga e gjithë Shqipëria.
Aty jepnin mësim artistët O. Paskali, A. Kushi,
A. Buza, italiani M. Ridola dhe L. Poradeci (1896-1989),
poet i njohur i Rilindjes, i specializuar në Bukuresht
për arte të bukura.
Nga Shkolla e Vizatimit morën mësimet e para
për pikturë brezi më i njohur i artistëve
shqiptarë midis viteve ’40-’70 si B.
Sejdini, K. Kodheli, N. Zajmi, F. Stamo, I. Kodra, Q.
Grezda, Ll. Nikolla, F. Makoci, H. Reci, Z. Bumci, etj.
Gjatë viteve 1932-1935 në shkollën
e Vizatimit u organizuan disa ekspozita arti. Në
krijimet më të bukura ndihej vazhdimësia
nga tradita e pikturës së Rilindjes si dhe
tipare të reja realiste, me qëndrim kritik
ndaj vështirësive të jetës dhe padrejtësive
shoqërore të kohës. Po në këtë
periudhë, në artin shqiptar u zhvillua edhe
karikatura me temë shoqërore e përfaqësuar
nga A. Dino, M. Frashëri si dhe Q. Mesarea, që
ishte njëkohësisht akuarelisti më i njohur
shqiptar në vitet e Pavarësisë.
Pas njohurive të para që morën në
Shkollën e Vizatimit, nxënësit e saj,
vazhduan studimet në akademitë e arteve të
Europës si në Romë, Paris, Athinë,
Milano, Bukuresht, Firence etj, dhe, kur u kthyen në
atdhe u bënë mësuesit e brezit më
të ri të piktorëve shqiptarë.
Veprimtari tjetër e rëndësishme gjatë
periudhës së pavarësisë ka qenë
konkursi ndërkombtar për ngritjen e monumentit
të Heroit Kombtar, Skënderbeut, që u
organizua në Tiranë më 1937. Vec skulptorëve
shqiptarë morën pjesë mjaft autorë
të njohur europianë. Cmimin e parë e
fitoi skulptori i njohur kroat A. Agustincic (1900-1979),
ndërsa e drejta e ekzekutimit i u dha skulptorit
italian R. Romaneli. Monumenti i Skënderbeut, realizuar
nga Romaneli, u vendos në sheshin “Albania”
në Romë, dy vjet pas kunkursit, më 1939.
Në artin e periudhës së Rilindjes dhe
të Pavarësisë përfshihet edhe krijimtaria
e artistëve që jetonin në kolonitë
jashtë atdheut si dhe veprimtaria e arbëreshëve
të Italisë. Ashtu si letërsia e kësaj
periudhe, edhe krijimtaria figuratuve te arbëreshët
dhe diaspora kishte të njëjtat motive e të
njëjtin stil me artin që zhvillohej në
Shqipëri. Nga kolonitë shqiptare vecohet piktori
Theohar Gjini që krijoi në Paris dhe Bukuresht,
ndërsa në fshatrat arbëreshe (Itali)
u shqua skulptori Mikel Trota, që kritikët
e kohës e quanin “Canova i ri” (A.
Canova 1757-1822)
Gjatë luftës së dytë botërore
(1939-1944), kushtet për krijimtari në fushën
e artit u kufizuan. Megjithatë u organizuan disa
ekspozita. Më e rëndësishmja ishte ajo
e vitit 1943, me pjesmarrjen e artistëve më
të mirë të vendit. Veprimtaritë
e tjera kanë qënë kryesisht ekspozita
personale.
Arti pas vitit 1945
Veprimtaria e parë në fushën e arteve
figurative, pas clirimit të vendit, është
Ekspozita Kombtare, e hapur në prill të vitit
1945, në Tiranë. Në shtypin e kohës
ajo u quajt “ekspozita e parë kombtare”,
duke mohuar kështu atë të vitit 1931
dhe të tjerat më pas. Pra u duk qartë
tendenca për të filluar “gjithëcka
nga e para” edhe në art!? Në atë
ekspozitë nuk u ftua personaliteti më i shquar
i artit shqiptar Odhise Paskali, pasi ende nuk dihej
qëndrimi që do të mbante ai ndaj regjimit
të ri.
Ekspozita e vitit 1945 dhe sidomos të tjerat që
u hapën më pas, përcaktuan dhe drejtimin
e ri në artin shqiptar, rrugën e vetme të
lejueshme për shtetet komuniste; metodën e
realizmit socialist.
Ngritja e instuticioneve artistike
Pas 1945-sës edhe në fushën e artit u
bë një punë më e organizuar për
ngritjen e instuticioneve. Më 1946 u hap shkolla
e mesme artistike që përgatiste piktorë
skulptorë dhe grafistë. Në vitin 1954
u ngrit për herë të parë Galeria
Kombtare e Arteve, ëndërr disa vjecare e artistëve
dhe amatorëve të artit. Aty u grumbulluan
veprat më të mira të traditës si
dhe të autorëve bashkëkohës. 20
vjet më pas u ndërtua godina e re e Galerisë,
ku ndodhet dhe sot dhe u pasurua me një numër
më të madh veprash. Në godinën e
re është hapur një sallë për
vepra të autorëve të huaj ku bëjnë
pjesë edhe tablo nga Rembrandt, Ticiani etj.
Piktorët, skulptorët bashkë me artistët
e tjerë të skenës dhe ekranit krijuan
organizatën e tyre të quajtur Lidhja e Artistëve
me qëllim “që të bashkonin përpjekjet
për krijimin e artit të ri të realizmit
socialist”.
Nxënësit që mbaronin shkollën e
mesme artistike në Tiranë vazhdonin studimet
në akademitë e arteve në Bashkimin Sovjetik
dhe në vendet e tjera të Lindjes. Në
vitin 1960, kur Shqipëria u nda nga kampi socialist,
studentët u kthyen në atdhe dhe, po atë
vit, në Tirane u ngrit Instituti i Lartë i
Arteve (sot Akademia e Arteve). Disa vite më vonë
u hapën edhe shkolla të tjera artistike. Në
qytetet kryesore u ngritën Galeri Arti. U krijuan
disa muze kombtarë si Muzeu i Artit Mesjetar në
Korcë, Muzeu Arkeologjik në Tiranë etj
si dhe disa muze historikë si Muzeu Skënderbeu
në Krujë, Muzeu Histrik Kombtar ku vec afreskeve
që janë pikturuar aty, ruhen edhe shumë
vepra arti origjinale me shumë vlerë. Për
studimin e krijimtarisë së arteve figurative,
si dhe arteve të tjerë, që nga viti 1986
funksionon Qendra e Studimit të Arteve pranë
Akademisë së Shkencave.
Ekspozita, konkurse kombtare dhe monumente
Që nga viti 1945, thuajse çdo vit janë
organizuar ekspozita të arteve figurative. Më
të rëndësishme quheshin ato me rastin
e përvjetorëve të Clirimit dhe të
ngjarjeve te tjera kombtare. Janë organizuar gjithashtu
edhe shumë konkurse kombtare. Konkursi i parë
u shpall më 1948 për krijimin e monumentit
të Skënderbeut. Nga ky konkurs fitoi skulptori
Janaq Paco (1914-1989) me bocetin e tij që u realizua
në bronz pas 10 vjetëve dhe u vendos në
qytetin e Krujës (28 nëntor 1959).
Mbas clirimit mori zhvillim të madh skulptura monumentale.
Brenda pak viteve u ngritën disa vepra. Nga krijimet
më të rëndësishme vlerësohen
monumenti ekuestër i Skënderbeut në Tiranë
(1968) me autorë O. Paskali, A. Mano, J. Paco;
“Monumenti i Pvarësisë” në
Vlorë (1972) më autorë K. Rama, M. Dhrami,
Sh. Hadëri si dhe disa statuja shtatore dhe monumente
të tjera nga Th. Thomai, P. Culi, H. Dule, F. Dushku,
A. Mano etj.
Në pikturë u krijuan një numër më
i madh veprash. Për herë të parë
morën zhvillim thuajse të gjitha zhanret e
arteve vizive që nga piktura e skulptura e kavaletit
te grafika, skenografia, tekstili, qeramika, qelqi,
e deri te mozaiket dhe afresket që u aplikuan në
disa godina social kulturore. Në gjithë këtë
mori veprash, ndonëse të krijuara nën
një censurë të rrepte, u krijuan edhe
vepra me vlera të vecanta artistike. Në artet
figurative mungon një figurë aq e shquar sa
I. Kadare në letërsi, por gjithësesi
ashtu si dhe Kadare krijoi kryevepra gjatë periudhës
së realizmit socialist, po ashtu edhe mjaft piktorë
të talentuar, kanë realizuar tablo të
bukura, që s’kanë asgjë të
përbashkët me të ashtuquajturën
metodë të realizmit socialist.
Skematizimi i krijimtarisë
Pas viteve ’60 në Shqipëri artet zhvilloheshin
të shkëputura jo vetëm nga vendet e zhvilluara
perëndimore, por edhe nga shtetet e bllokut të
Lindjes. Për artistët figurativë ishte
i pamundur kontakti me veprat origjinale të autorëve
të huaj, qoftë edhe në mënyrë
klandestine sic mund të bëhej me tingujt e
muzikës apo me letërsinë. Pra ishte mbyllur
çdo shteg për të mësuar nga përvoja
e artit bashkëkohorë botërorë. Kështu,
nga viti në vit, krijimtaria në këtë
fushë skematizohej gjithnjë e më shumë
dhe artistët e ndjenin veten gjithnjë e më
ngushtë. Atëherë filuan disa reagime
në forma të ndryshme. Artistë të
vecantë preferuan të trajtonin më shumë
temën historike, një pjesë e madhe i
u përkushtua kryesisht peizazhit; pra u futën
ne ato tema dhe gjini ku bëheshin mw lehte përpjekje
për t’iu shmangur kanoneve të metodës
së realizmit socialist që ngurtëzonte
fantazinë krijuese. Nga “devijime’
të tilla qëndroi më pak e prekur krijimtaria
e piktorit A. Buza (1905-1987) si dhe një pjesë
e madhe e tablove të piktorëve K. Kodheli,
(l. 1920), S. Kaceli (l. !913) etj.
Pas viteve ’70 në Shqipëri u krijuan
tre breza pedagogësh që përgatisnin artistë
të rinj. Grupi i parë vinte nga akademitë
e perëndimit, i dyti nga shkollat e vendeve të
Lindjes, dhe të tretët ishin përgatitur
në Akademinë e Tiranës. Kontradiktat
që filluan të shfaqeshin midis tyre vitet
e fundit, rikrijonin grupe të tjera që nuk
përcaktoheshin nga vendet ku kishin studiuar apo
nga mosha, por nga aftësit, talenti dhe kultura
e tyre. Përfaqësuesit që luftonin për
tu shkëputur nga skematizmi gjendeshin në
çdo brez. Por ndaj tyre qëndronte gjithnjë
e fortë goditja nga ithtarët e realizmit socialist.
Atëherë artistët novatorë mbijetonin
duke krijuar dy lloj veprash; tablo për ekspozita,
që plotësonin kërkesat e zyrtarëve
të artit dhe vepra arti vetëm për në
studio, tek të cilat bënin eksperimente artistike
për një ditë që do të vinte.
Herë pas here, krijime të tilla dorëzoheshin
edhe në ekspozita. Ndonëse sillnin vlera të
reja artistike ato jo vetëm nuk ekspozoheshin por
bëheshin objekt kritikash. Një nga ato tablo
ka qenë edhe “Betimi i Vrana Kontit”
të S. Kamberit që sot cilësohet midis
tablove më të mira. Ndër artistët
më të shquar, të asaj periudhe, që
mundi të rezistonte duke iu përgjigjur kërkesave
të kohës, por të jepte edhe vepra me
vlera artistike ka qenë piktori S. Shijaku (l.
1933). Krijimtaria e tij shtrihet në disa gjini
si tablo, peizazhe, portrete, afreske dhe së fundi
në qeramikë të pikturuar dhe skulpturë.
Përpjekje për liri krijuese
Fantazia krijuese e artistëve më të talentuar
gjithënjë ka qenë në luftë
me skematizmin e imponuar edhe në artin shqiptar.
Ndonëse të izoluar nga krijimtaria bashkëkohore
botërore, artistët shqiptarë herë
pas here kanë bërë përpjekje për
më shumë liri krijuese. Shembulli më
i dukshëm i viteve të realizmit socialist,
ka qenë ekspozita me titullin sinjifikativ: “Pranvera”-1972
që u hap në Tiranë. Pas disa përpjekjeve
latente që u dukën në ekspozitën
e një viti më parë (1971), në këtë
të dytën u ndje një frymëmarrje
më e gjërë. Por goditja kundër saj
u bë e menjëherëshme dhe e fortë
duke e ndrydhur më shumë artin shqiptar në
vitet e mëpasëm. Në ato vite u shfaqën
edhe desidentët e parë në pikturën
shqiptare si E. Gjergo, E. Hila, A. Oseku, M. Velo etj.
Përpjekjet për më shumë liri krijuese
shfaqeshin herë pas here edhe në mbrojtjet
e diplomave të artistëve të rinj, por
ato ndrydheshin më lehtë. Megjithatë
ato vazhdonin gjithnjë me guxim deri nga fundi
i viteve ’80-të kur studenti E. Rama (l.
1966) me diplomën e tij paralajmëronte për
një pikturë që nuk do të ndrydhej
më në të ardhmen.
Krijimtaria në ditët tona
Ishte pikërisht viti 1991 kur piktura shqiptare
nisi rrugën ku nuk do të ndjehej më tutela
e një drejtimi të vetëm artistik, sic
provoi gjatë 50 vjetëve. Më shumë
se në artet e tjera tani në pikturë vihet
re një krijimtari më e larmishme dhe më
e madhe. Janë hapur më shumë ekspozita
personale ku paraqiten krijime që u përkasin
rrymave bashkëkohore të artit botëror.
Në këtë fazë, në Shqipëri
gjen edhe autorë që ende pikturojnë si
në vitet e realizmit, por tonin e pikturës
së sotme e japin krijuesit që përpiqen
për një gjuhë të vecantë artistike
si dhe autorët e rinj me “kapriçot”
artistike që tentojnë drejt një stili
sa më bashkëkohor. Artistët shqiptarë,
deri dje të izoluar brenda vendit të tyre,
tani po ballafaqohen me botën për të
marreë vlerësimin më të saktë
të krijimeve. Deri tani janë arritur suksese
në shtete të ndryshëm nga disa autorë
shqiptarë ku më i shënuari është
ai i piktorit A. Shima në një nga galeritë
më të njohura të Londrës dhe që
vazhdon edhe sot në disa galeri të Amerikës.
Tani artistët shqiptarë janë të
grupuar në shoqata të ndryshme, sipas prirjeve
të tyre, ndonëse edhe Lidhja e Artistëve
(e themeluar më 1952) ekziston akoma, kuptohet
tani me një platformë tjetër, që
i përshtatet krijimtarisë së sotme. Në
vitin 1993 në Tiranë u ngrit Galeria Te &
Gi, e para galeri private ku u grumbulluan një
grup artistësh me prirje progesive. Janë hapur
edhe galeri të tjera private. Galeria Kombtare
është përshtatur krijimtarisë bashkëkohore
dhe ka arritur të organizojë ekspozita me
pjesmarrjen e artistëve nga shumë vende të
botës.
Gjithësesi këto janë hapat e para të
artit të ri shqiptar drejt harmonizimit me artin
e vendeve të tjera europiane, ndaj të cilëve
Shqipëria qëndroi e izoluar vite më parë.
Artistët e Diasporës
Pas pushtimit osman, gjatë shekullit XV-të
dhe më vonë, morën rrugën e emirgimit
shumë shqiptarë. Midis tyre emigruan edhe
të talentuar në art të cilët i zhvilluan
prirjet në vendet ku u vendosën. Megjithëse
ende nuk është bërë ndonjë
studim i plotë njihen disa artistë të
shquar. Në Itali albanezëve të Vincencës,
Gjon dhe Jeronim u është gdhendur epitafi:
“Ille alter Phidias, his Poliklet erat”,
që i krahason me dy nga mjeshtrit më të
mëdhenj të skulpturës helene. Ndërsa
në katedralen Duomo të Milanos, altari është
gdhendur nga skulptori me origjinë shqiptare Aleks
Tarketa. Shumë artistë shqiptarë u shquan
në Venedik. Atje ngritën edhe shkollën
e tyre dhe e quajtën “Scuola degli Albanesi”.
Si tekste shkollore u përdorën veprat e humanistëve
shqiptarë Marin Bicikemi (1468-1528) dhe Marin
Barleti (1460-1512) më të njohurit nga artistët
janë piktorët Mark Basaiti (1496-1530) dhe
Victor Karpaci (1465-1525). Për origjinën
e tyre shqiptare kanë shkruar edhe disa studiues
të huaj.
Një nga figurat më të shquara të
kësaj periudhe është Aleksandër
Albani (1692-1779). Edhe sot ai vlerësohet si një
nga të parët koleksionistë të veprave
të artit. Vila e tij në Romë që
edhe sot quhet “Vila Albani” është
nga të parat muze të artit në Europë.
Aty ka studiuar edhe arkeologu i njohur J. Winckelman
(1717-1768).
Me origjinë shqiptare kanë qenë edhe
disa arkitektë të njohur si S. Mehmeti, K.
Dulla, S. Atiku etj që zbukuruan Stambollin dhe
qendra të tjera të perandorisë osmane
si dhe A. Aleksi, M. Tivarasi, Gj. Durrësaku etj
që punuan në vise të tjera të Europës.
Mugesa!
Artistët e diasporës se re shqiptare janë
më të shumtë se ata të kohëve
të herëshme. Ata u përkasin rrymave të
ndryshme të artit botëror. Në këtë
vështrim të shkurtër po vecojmë
vetëm katër prej tyre që janë të
njohur edhe në artin botëror. Këta janë:
fotografi i shquar Gjon Milli (1902-1980), që jetoi
dhe krijoi në USA; piktori Abedin Dino (1913-1993)
mik me Picasso dhe personalitete te tjera të shquar
në Paris; Çatin Saraçi (1902-1974)
mik dhe bashkëpunëtor i afërt i ekspresionistit
Oskar Kokoshka, gjatë viteve që qëndroi
në Londër si dhe Ibrahim Kodra (l. 1916) një
nga përfaqësuesit e shquar të kubizmit
në Itali.
Gjeografia e artistëve të diasporës së
re shqiptare përfshin shumë vende të
botës dhe me krijimtarinë e tyre mund të
bëhet një album me vepra të bukura arti.
Në këtë krijimtari futen edhe tablote
e artistëve arvanitas, që banojnë në
Greqi. Në vitin 1985 është botuar në
Athinë një album me krijimet e disa autorëve
më të njohur arvanitas, por krijimtaria e
tyre është më e pasur, ashtu sic eshtë
më e pasur gjithë krijimtaria e diasporës
së re shqiptare e cila po shtohet me autorë
të rinj që u larguan nga atdheu pas vitit
1990.
Artistët e Huaj për Shqipërinë
Pikërisht gjatë shekullit XVIII-të,
kur në Shqipëri sapo kishte nisur rrugën
piktura realiste, në Salonet e Parisit, në
disa ekspozita në Angli, Gjermani, Itali, Austri
etj., u vendosën edhe tablo me temë shqiptare.
Vepra të veçanta ishin krijuar edhe më
parë nga autorë të shquar si P. Veroneze
(1528-1588) ”Rrethimi i Shkodrës”,
A. Durer (1471-1528) “Skënderbeu” vizatim
etj., por gjatë shekjve XVIII-XIX-të erdhën
më shumë piktorë të shquar drejt
Shqipërisë. U realizuan disa tablo, etyde,
akuarele dhe vizatime nga kreu i romantizmit E. Delacroix
(1798-1863); portreti “Shqiptarja” nga C.
Corot (1796-1875), kompozimi i famshëm “Gratë
suliote” nga A. Scheffer (1799-1858), si dhe tablo,
portrete dhe peizazhe nga R. Bonigton (1802-1828), V.
Vereshagin (1843-1904), G. Sargent (1856-1925), Ç.
Conder (1868-1909) etj. Artisti i njohur francez L.
Gerome (1824-1904) ka pikturuar mbi 20 tablo me figura
shqiptarësh; kroati P. Jovanovic (1859-1931) mbi
10 kompozime me skena të ndryshme nga jeta shqiptare,
ndërsa anglezi i famshëm E. Lear (1812-1888)
realizoi mbi 100 akuarele, litografi, vizatime dhe tablo
në ngjyra vaji nëpër Shqipëri. Përvec
artistëve të mësipërm, ka edhe shumë
autorë të tjerë të huaj që,
ndonëse janë më pak të njohur, kanë
realizuar vepra me vlerë për historinë
dhe kulturën shqiptare. Pjesa më e madhe e
gjithë këtyre krijimeve që përmendëm
është përmbledhur në librin e ilustruar
“Albania and albanians in world art” që
është botuar në shqip (1990) dhe në
anglisht (1991).
|