|
Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e
gjuhëve indoevropiane, ku futen gjuhët indoiranike,
greqishtja, gjuhët romane, gjuhët sllave,
gjuhët gjermane, etj. Ajo formon një degë
të veçantë në këtë familje
gjuhësore dhe nuk ka ndonjë lidhje prejardhjeje
me asnjerën prej gjuhëve të sotme indoevropiane.
Karakteri indoevropian i shqipes, përkatësia
e saj në familjen gjehësore indoevropiane,
u arrit të përcaktohej e të vërtetohej
që nga mesi i shekullit XIX, në sajë
të studimeve të gjuhësisë historike
krahasuese.
Ishte sidomos merita e njerit prej themeluesve kryesorë
të këtij drejtimi gjuhësor, dijetarit
të njohur gjerman Franz Bopp, që vërtetoi
me metoda shkencore përkatësinë e gjuhës
shqipe në familjen gjuhësore indoevropiane.
F Bopp i kushtoi këtij problemi një vepër
të veçantë me titull “Ueber das
Albanesische in scinen verwandtschaftlichen Bezichungen”,
botuar në vitin 1854.
Në ndarjen e gjuhëve indoevropiane në
dy grupe: në gjuhë lindore ose satem dhe në
gjujë perëndimore ose kontum, shqipja shkon
me gjuhët lindore (satem), bashkë me gjuhët
indoiranike, gjuhët balto-sllave dhe armenishten.
Origjina
Problemi i origjnës së gjuhës shqipe
është një nga problemet shumë të
debatuara të shkencës gjuhësore. Ajo
e ka burimin, pa dyshim, prej njerës nga gjuhët
e lashta të Gadishullit të Ballkanit, ilirishtes
ose trakishtes. Në literaturën gjuhësore
qarkullojnë dy teza themelore për origjinën
e shqipes: teza e origjinës ilire dhe teza e origjinës
traka. Teza ilire ka gjetur mbështetje më
të gjerë historike dhe ghuhësore. Ajo
është formuar që në shekullin XVIII
në rrethet e historianëve.
Përpjekjen e parë shkencore për të
shpjeguar origjinën e shqiptarëve dhe të
gjuhës së tyre, e bëri historiani suedez
Hans Erich Thunmann në veprën e tij “Undersuchunger
liber di Geschichte der Östlichen europäischen
Völker” Leipzig 1774. Ai, duke u mbështetur
në burime historike latine e bizantine dhe në
të dhëna gjuhësore e onomastike, arriti
në përfundimin se shqiptarët janë
vazhduesit autoktonë të popullsisë së
lashtë ilire, e cila nuk u romanizua siç
ndodhi me popullsinë trako-dake, paraardhëse
të rumunëve.
Tezea e origjinës ilire te shqipertarëve është
mbështetur nga albanolugu i mirënjohur austriak
Johannas Georges von Hahn në veprën e tij
Albanesische Stidien,publikuar më 1854
Që nga ajo kohë deri në ditët tona,
një varg dijetarësh të shquar historianë,
arkeologë e gjuhëtarë, kanë sjellë
duke plotësuar njeri tjetrin, një sërë
argumentesh historike dhe gjuhësore, që mbështesin
tezën e origjinës dhe të shqiptarëve
dhe të gjuhës së tyre. Disa nga keto
argumente themelore, jane:
1. Shqiptarët banojnë sot në një
pjesë të trojeve, ku në periudhën
antike kanë banuar fise ilire; nga ana tjetër
në burimet historike nuk njihet ndonjë emigrim
i shqiptarëve nga vise të tjera për t’u
vendosur në trojet e sotme.
2. Një pjesë e elementeve gjuhësore:
emra sendesh, fisesh, emra njerëzish, glosa, etj.,
që janë njohur si ilire, gjejnë shpjegim
me anë të gjuhës shqipe.
3. Format e toponimeve të lashta të trojeve
ilire shqiptare, të krahasuara me format përgjegjëse
të sotme, provojnë se ato jane zhvilluar sipas
rregullave të fonetikës historike të
shqipes, dmth kanë kaluar pa ndërprerje nëpër
gojën e një popullsie shqipfolëse.
4. Marrëdhëniet e shqipes me greqishtjen e
vjetër dhe me latinishten, tregojnë se shqipja
është formuar dhe ështe zhvilluar në
fqinjësi me këto dy gjuhë këtu në
brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.
5. Të dhënat arkeologjike dhe ato të
kulturës materiale e shpirtërore, dëshmojnë
se ka vijimësi kulturore nga ilirët antikë
te shqiptarët e sotëm.
Nga të gjithë këto argumente, të
paraqitur në mënyrë të përmbledhur,
rezulton se teza e origjinës ilire e gjuhës
shqipe, është teza më e mbështetur
nga ana historike dhe gjuhësore.
Fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe
Shqipja është një nga gjuhët e lashta
të Ballkanit, por e dokumentuar me shkrim mjaft
vonë, në shekullin XV, ashtu si rumanishtja.
Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën
shqipe, është ajo që quhet “Formula
e pagëzimit”, e vitit 1462. Eshtë një
fjali e shkurtër në gjuhën shqipe “Unte
paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”,
që gjendet në një qarkore të shkruar
në latinisht nga Kryepeshkopi i Durrësit Pal
Engjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë
i Skënderbeut.
Pal Engjëlli, gjatë një vizite në
Mat, vuri re shrregullime në punë të
ushtrimit të fesë dhe me këtë rast,
ai la me shkrim disa porosi dhe udhëzime për
klerin katolik, ndër të cilat edhe formulën
e mësipërme, të cilën mund ta përdornin
prindërit për të pagëzuar fëmijtë
e tyre, në rastet kur nuk kishin mundësi t’i
dërgonin në kishë, ose kur nuk kishte
prift. Formula është shkruar me alfabetin
latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).
“Formula e pagëzimit” është
gjetur në Bibliotekën Laurentiana të
Milanos nga historiani i njohur rumun Nikolla Jorga
dhe është botuar prej tij në vitin 1915
në “Notes et extraits pour servir l’histoire
des croisades au XV siecle IV, 1915”.
Më pas, një botim filologjik të këtij
dokumenti, bashkë me riprodhimin fotografik të
tij, e bëri filologu francez Mario Rognes në
“Recherches sur les anciens textes albanais”,
Paris 1932.
Dokumenti i dytë, i shkruar në gjuhën
shqipe është Fjalorthi i Arnold von Harfit,
i vitit 1496. Udhëtari gjerman Arnold von harf,
nga fshati i Këlnit, në vjeshtë të
vitit 1496, ndërmori një udhëtim pelegrinazhi
për në “vendet e shenjta”. Gjatë
udhëtimit kaloi edhe nëpër vendin tonë,
gjatë bregdetit, duke u ndalur në Ulqin, Durrës
e Sazan dhe për nevoja praktike të rrugës
shënoi 26 fjalë, 8 shprehje dhe numërorët
1 deri më 10 dhe 100 e 1000, duke i shoqëruar
me përkthimin gjermanisht. Ky Fjalorth u botua
për herë të parë më 1860 në
Këln, nga E.von Grote.
I fundit të shekullit XV ose i fillimit të
shekullit XV është edhe një tekst tjetër
i shkruar në gjuhën shqipe dhe i gjendur brenda
një dorëshkrimi grek të shekullit XIV
në Bibliotekën Ambrosiana të Milanos.
Teksti përmban pjesë të përkthyera
nga Ungjilli i Shën Mateut, etj. Ai është
shkruar në dialektin e jugut dhe me alfabet grek.
Ky tekst i shqipes i shkruar , njihet në literaturën
shqiptare me emrin “Ungjilli i Pashkëve”.
Këto dokumente nuk kanë ndonjë vlerë
letrare, por paraqesin interes për historinë
e gjuhës së shkruar shqipe. Shqipja, që
në fillimet e shkrimit të saj, dëshmohet
e shkruar në të dy dialektet, në dialektin
e veriut (gegërisht) dhe në alfabetin e jugut
(toskërisht), si dhe me dy alfabete, me alfabetin
latin dhe me alfabetin grek, gjë që tregon
se kultura shqiptare ishte njëkohësisht nën
ndikimin e kulturës latine dhe të kulturës
greko-bizantine.
Libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe,
që njohim deri më sot, është “Meshari”
i Gjon Buzukut, i vitit 1555, i cili shënon edhe
fillimin e letërsisë së vjetër shqiptare.
Nga ky libër, na ka arritur vetëm një
kopje, që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit.
Libri përmban 220 faqe, të shkruara në
dy shtylla. “Meshari” i Gjon Buzukut është
përkthimi në shqip i pjesëve kryesore
të liturgjisë katolike, ai përmban meshet
e të kremteve kryesore të vitit, komente të
librit të lutjeve, copa nga Ungjilli dhe pjesë
të ritualit dhe të katekizmit. Pra, ai përmban
pjesët që i duheshin meshtarit në praktikën
e përditëshme të shërbimeve fetare.
Duket qartë, se kemi të bëjmë me
një nismë të autorit, me një përpjekje
të tij, për të futur gjuhën shqipe
në shërbimet fetare katolike. Pra, edhe për
gjuhën shqipe, ashtu si për shumë gjuhë
të tjera, periudha letrare e saj nis me përkthime
tekstesh fetare.
Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari”
i Gjon Buzukut, u zbulua për herë të
parë në Romë nga njeri prej shkrimtarëve
të veriut, Gjon Nikollë Kazazi. Por libri
humbi përsëri dhe u rizbulua më 1909
nga peshkopi Pal Skeroi, gjurmues dhe studiues i teksteve
të vjetra. Në vitin 1930, studiuesi nga Shkodra
Jystin rrota vajti në Romë, bëri tri
fotokopje të librit dhe i solli në Shqipëri.
Në vitin 1968 libri u botua i transliteruar dhe
i transkriptuar, i pajisur me shënime kritike dhe
me një studim të gjerë hyrës nga
gjuhëtari i shquar, prof.E.Çabej. Në
mënyrë të pavarur, tekstin e Buzukut,
e pati transkriptuar edhe studiuesi N.Resuli.
“Meshari” i Gjon Buzukut është
shkruar në gegërishten veriore (veriperëndimore),
me alfabet latin, të plotësuar me disa shkronja
të veçanta. Libri ka një fjalor relativisht
të pasur dhe ortografi e forma gramatikore përgjithësisht
të stabilizuara, çka dëshmon për
ekzistencën e një tradite të mëparshme
të të shkruarit të shqipes.
Prof.Eqerem Çabej, që ishte marrë gjerësisht
me veprën e Gjon Buzukut, ka arritur në përfundimin,
se gjuha e saj “nuk është një arë
fare e papunuar”. “Duke e shkruar me një
vështrim më objektiv këtë tekst
– pohon ai – nga gjuha e rrjedhëshme
që e përshkon fund e majë atë dhe
nga mënyra, me gjithë lëkundjet e shpeshta,
mjaft konseguente e shkrimit, arrin të bindet njeriu,
se në Shqipëri ka qenë formuar që
më parë, së paku që në mesjetën
e vonë, një traditë letrare me shkrime
liturgjike”. Kjo tezë, sipas autorit, gjen
mbështetje edhe nga gjendja kulturore e Shqipërisë
mesjetare; “shkalla e kulturës së popullit
shqiptar në atë kohë nuk ka qenë
ndryshe nga ajo e vendeve perreth, sidomos e atyre të
brigjeve të Adriatikut”.
Për nje traditë të shkrimit të shqipes
para shekullit XV, flasin edhe disa dëshmi të
tjera të tërthorta.
Kleriku francez Gurllaume Adae (1270-1341), i cili shërbeu
për shumë kohë (1324-1341), si Kryepeshkopi
i Tivarit dhe pati mundësi t’i njihte mirë
shqiptarët, në një relacion me titull
“Directorium ad passagium faciendum ad terrom
sanctam”, dërguar mbretit të Francës
Filipit VI, Valua, studiuan ndër të tjera:
“Sado që shqiptarët kanë një
gjuhë të ndryshme nga latinishtja, prapësëprapë,
ata kanë në perdorim dhe në të gjithë
librat e tyre shkronjën latine”. Pra, ky
autor flet për libra në gjuhën e shqiptarëve,
duke dhënë kështu një dëshmi
se shqipja ka qenë shkruar para shekullit XV.
Edhe humanisti i shquar Marin Barleti, në veprën
e tij “De obsi dione scodrensi” (Mbi rrethimin
shkodran), botuar në Venedik, më 1504, duke
folur për qytetin e Shkodrës, bën fjalë
për fragmente të shkruara in vernacula lingua,
dmth në gjuhën e vendit, të cilat flasin
për rindërtimin e qytetit të Shkodrës.
Këto dëshmi të G.Adae dhe të M.Barletit,
dy njohës të mirë të shqiptarëve
dhe të vendit të tyre, janë në pajtim
edhe me të dhënat historike për këtë
periudhë, të cilat flasin për një
nivel ekonomik e kulturor të zhvilluar të
viseve shqiptare në shekullin XIV dhe në fillim
të shekullit XV. Në atë periudhë,
në veri dhe në jug të Shqipërisë,
lulëzuan ekonomikisht Durrësi, Kruja, Berati,
Vlora, të cilat u bënë qendra të
rëndësishme tregtare, zejtare dhe kulturore.
Këto janë dëshmi që e bëjnë
të besueshme ekzistencën e një tradite
më të herëshme shkrimi të shqipes,
megjithatë, deri sa kërkimet të mos kenë
nxjerre në dritë ndonjë libër tjetër,
“Meshari” i Gjon Buzukut do të vijojë
të mbetet libri i parë i shkruar në gjuhën
shqipe dhe vepra e parë e letërsisë shqiptare.
Në shekullin XVI i ka fillimet edhe letërsia
në gjuhën shqipe te arbëreshët e
Italisë. Vepra e parë e letërsisë
arbëreshe në gjuhën shqipe dhe vepra
e dytë për nga vjetërsia, pas asaj të
Buzukut, është ajo e priftit arbëresh
Lekë Matrenga “E mbesuame e krishterë….”,
e botuar në vitin 1592. Eshtë një libër
i vogël me 28 faqe, përkthim i një katekizmi.
Libri është shkruar në dialektin e jugut,
me alfabet latin, plotësuar me disa shkronja të
veçanta për të paraqitur ato tinguj
të shqipes, që nuk i ka latinishtja.
Një zhvillim më të madh njohu lëvrimi
i gjuhës shqipe në shekullin XVII, nën
penën e një vargu autorësh, si Pjetër
Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, të
cilët nuk bënë vetëm përkthime,
por shkruan edhe vepra origjinale,
Frang Bardhi, në vitin 1635, hartoi të parin
fjalor, “Fjalorin latinisht-shqip”, me të
cilin mund të thuhet, se zë fill shkenca gjuhësore
shqiptare. Gjatë Rilindjes Kombëtare, në
shekullin XIX, në kushte të reja historike,
lëvrimi dhe përparimi i gjuhës shqipe
hyri në një etapë të re. Në
këtë periudhë u bënë përpjekje
të vetëdishme për të ndërtuar
nje gjuhë letrare kombëtare, standartizimi
i së cilës u arrit në shekullin XX.
Dialektet e gjuhës shqipe
Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore, dialektin e veriut
ose gegërishten dhe dialektin e jugut ose toskërishten.
Kufiri natyror që i ndan në vija të përgjithëshme
këto dialekte, është lumi i Shkumbinit,
që kalon nëpër Elbasan, në Shqipërinë
e mesme. Në anën e djathtë të Shkumbinit
shtrihet dialekti verior (gegërishtja), në
anën e majtë të tij, dialekti jugor (toskërishtja).
Dallimet midis dialekteve të shqipes nuk janë
të mëdha, folësit e tyre kuptohen pa
vështirësi njeri me tjetrin. Megjithatë,
ekzistojnë disa dallime në sistemin fonetik
dhe në strukturën gramatikore e në leksik,
nga të cilët më kryesorët jane:
dialekti i veriut ka zanore gojore dhe hundore, kurse
dialekti i i jugut, vetëm zanore gojore; togut
ua të toskërishtes, gegërishtja i përgjigjet
me togun ue (grua ~ grue); togut nistor va të toskërishtes,
gegërishtja i përgjigjet me vo (vatër
~ votër); â-së hundore të theksuar
të gegërishtes, toskërishtja i përgjigjet
me ë të theksuar (nânë ~ nënë).
Dialekti i jugut ka dukurinë e retacizmit (kthimin
e n-së ndërzanore në r (ranë ~ rërë),
që në gegërisht mungon; në toskërisht,
grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, etj. Ruhen
të plota, kurse në gegërisht, janë
asimiluar ne m, n, (mbush ~ mush, vend ~ ven). Në
sistemin morfologjik, dialekti i veriut ka formën
e paskajores së tipit me punue, kurse toskërishtja
në vend të saj, përdor lidhoren të
punoj. Forma e pjesores në toskërisht, del
me mbaresë, kurse në gegërisht, pa mbaresë
(kapur ~ kapë), etj. Dialekti I jugut ka format
e së ardhmes: do të punoj dhe kam për
të punuar , ndërsa dialekti I veriut përveç
formave të mësipërme ka formën kam
me punue.
Shqipja standarte
Formimi i gjuhës letrare kombëtare të
njësuar (gjuha standarte), si varianti më
i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar,
ka qenë një proòes i gjatë, që
ka filluar që në shekujt XVI-XVIII, por përpunimi
i saj hyri në një periudhë të re,
në shekullin XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare.
Ne vitin 1824 Naum Veqilharxhi filloi punen per te krijuar
alfabetin shqip dhe ne vitin 1844 dhe 1845 u botua “Evetar”-i.
Vaqilharxhi ishte i pari qe shprehu qellimet e Rilindjes
Kombetare Shqipëtare nëpërmjet traktatit
të tij, parathënies së “Evetr”-it
të pare dhe shume shkrimeve të tjera.
Në programin e Rilindjes, mësimi dhe lëvrimi
i gjuhës amtare, përpjekjet për pasurimin
e saj dhe pastrimin nga fjalët e huaja dhe të
panevojëshme, zinin një vend qëndror.
Gjatë kësaj periudhe, u zhvillua një
veprimtari e gjerë letrare, kulturore dhe gjuhësore.
Në vitin 1879, u krijua “Shoqata e të
shtypurit shkronja shqip”, që i dha një
shtysë të re kësaj veprimtarie. U hartuan
gramatikat e para me synime normative dhe u bë
hapi i parë për hartimin e një fjalori
kombëtar i gjuhës shqipe, që është
“Fjalori i Gjuhës Shqipe” i Kostandin
Kristoforidhit, i botuar pas vdekjes së autorit,
më 1904.
Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare,
u arrit të përvijoheshin dy variante letrare
të kombit shqiptar, varianti letrar jugor dhe varianti
letrar verior. U bënë gjithashtu, përpjekje
për afrimin e këtyre varianteve dhe për
njësimin e gjuhës letrare. Detyra e parë
që duhej zgjedhur, ishte njësimi i alfabetit.
Deri atëhere, shqipja ishte shkruar në disa
alfabete: alfabeti latin, alfabeti grek, alfabeti turko-arab
dhe alfabete të veçanta. Këtë
detyrë e zgjidhi Kongresi i Manastirit, i mbledhur
më 14 deri më 22 Nentor të vitit 1908,
në qytetin e Manastirit, që sot ndodhet në
Maqedoni. Ne këtë Kongres, pas shumë
diskutimesh, u vendos që të përdorej
një alfabet i ri, i mbështetur tërësisht
në alfabetin latin, i plotesuar me nëntë
digrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh), dhe me
dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë),
është alfabeti që ka edhe sot në
perdorim gjuha shqipe. Kongresi e la të lire edhe
përdorimin e alfabetit të Stambollit, që
kishte mjaft përhapje, por koha ja leshoi vendin
alfabetit të ri, që u paraqit në Kongres,
pra alfabetit të sotëm.
Një hap tjetër për njësimin e gjuhës
letrare shqipe, bëri “Komisioni letrar shqip”,
që u mblodh në Shkodër në vitin
1916. Komisioni nënvizoi si detyrë themelore
lëvrimin e gjuhës letrare shqipe dhe zhvillimin
e letërsisë shqiptare. Ky komision gjuhëtarësh
e shkrimtarësh, krijuar për të ndihmuar
në formimin e një gjuhe letrare të përbashkët
përmes afrimit të dy varianteve letrare në
përdorim, vlerësoi variantin letrar të
mesëm, si një urë në mes toskërishtes
dhe gegërishtes dhe përcaktoi disa rregulla
për drejtshkrimin e tij, të cilat ndikuan
në njësimin e shqipes së shkruar.
Vendimet e Komisionit letrar shqip për gjuhën
letrare e për drejtshkrimin e saj, u miratuan më
vonë edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës
(1920) dhe vijuan te zbatoheshin deri në Luftën
e Dytë Botërore.
Pas Luftës së dytë Botërore, puna
për njesimin e gjuhës letrare kombëtare
(gjuhës standarte) dhe të drejtshkrimit të
saj, nisi te organizohet nga Instituti i Shkencave.
U krijuan komisione të posaçme për
hartimin e projekteve të drejtshkrimit. Kështu,
u hartuan disa projekte në vitet 1948, 1951, 1953
e 1956. U organizuan gjithashtu, dy konferenca shkencore
në vitin 1952, për të diskutuar për
problemin e gjuhës letrare.
Me 1967, u botua nga Instituti i Historisë dhe
i Gjuhësisë, projekti i ri “Rregullat
e drejtshkrimit të shqipes”. Ky projekt filloi
të zbatohet në të gjithë hapsiren
shqiptare, në Republikën e Shqipërisë,
në Kosovë dhe në Mal të Zi. Ndërkohë,
perpjekje për njesimin e gjuhes letrare dhe të
drejtshkrimit të saj, bëheshin edhe në
Kosove.
Në vitin 1968, u mblodh Konsulta Gjuhësore
e Prishtinës, e cila, e udhëhequr nga parimi
“një komb-një gjuhë letrare”,
vendosi që projekti i ortografisë i vitit
1968, posa të miratohej e të merrte formën
zyrtare në Republikën e Shqipërisë,
do të zbatohej edhe në Kosovë. Vendimet
e kësaj Konsulte kanë qenë me rëndësi
të jashtëzakonshme për njesimin e gjuhes
letrare kombëtare shqipe.
Projekti “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes
“ i vitit 1967, pas një diskutimi publik,
ai u paraqit për diskutim në Kongresin e Drejtshkrimit
të Shqipes, qe u mblodh në Tiranë, në
vitin 1972, i cili ka hyrë në historinë
e gjuhes shqipe dhe të kulturës shqiptare,
si Kongresi i njësimit të gjuhës letrare
kombëtare.
Kongresi i Drejtshkrimit të Shqipes, në të
cilin morën pjesë delegatë nga të
gjitha rrethet e Shqipërisë, nga Kosova, nga
Maqedonia dhe nga Mali i Zi dhe nga arbëreshet
e Italisë, pasi analizoi të gjithë punën
e berë deri atëhere për njesimin e gjuhës
letrare, miratoi një rezolutë, në të
cilën përveç të tjerash, pohohet
se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë
letrare të njësuar”.
Gjuha letrare kombëtare e njësuar (gjuha standarte),
mbështetej kryesisht në variantin letrar të
jugut, sidomos në sistemin fonetik por në
të janë integruar edhe elemente të variantit
letrar të veriut.
Pas Kongresit të Drejtshkrimit, janë botuar
një varg vepra të rëndësishme, që
kodifikojnë normat e gjuhës standarte, sic
janë “Drejtshkrimi i gjuhes shqipe”
(1973), “Fjalori i gjuhës së sotme letrare
(1980), Fjalori i shqipes së sotme (1984), Fjalori
Drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), Gramatika
e gjuhës së sotme shqipe I Morfologjia (1995),
II Sintaksa (1997).
Veçori tipologjike të shqipes së sotme
standarte.
Nga ana strukturore, paraqitet sot si një gjuhë
sintetiko-analitike, me një mbizotërim të
tipareve sintetike dhe me një prirje drejt analitizmit.
Një pjesë e mirë e tipareve të saj
fonetike dhe gramatikore, janë të trashëguara
nga një periudhë e lashtë indoevropiane,
një pjesë tjeter janë zhvillime te mëvonshme.
Shqipja ka sot një sistem fonologjik të vetin,
që përbëhet nga shtatë fonema zanore
dhe 29 fonema bashkëtingëllore. Shkruhet me
alfabet latin të caktuar në vitin 1908 në
Kongresin e Manastirit.
Alfabeti i shqipes ka 36 shkronja, nga të cilat
25 janë të thjeshta (a, b, c, d, e, f, g,
h, i, j, k, l, m, n, o, p, q, r, s, t, u, v, x, y, z),
9 janë bigrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh,
zh) dhe 2 me shkronja diakritike (ë, ç).
Shqipja ka theks intensiteti dhe përgjithësisht
të palëvizshëm gjate fleksionit. Në
shumicen e rasteve, sidomos në sistemin emëror,
theksi bie në rrokjen e parafundit.
Shqipja ka një sistem të zhvilluar (të
pasur) formash gramatikore, ka një sistem lakimi
binar: lakimin e shquar dhe të pashquar, ruan ende
mirë format rasore (ka pesë rasa), sistemin
prej tri gjinish (mashkullore, femërore dhe asnjanëse),
kjo e fundit po shkon drejt zhdukjes, mbahet vetëm
në një kategori të veçantë
emrash foljorë, të tipit: të shkruarit,
të menduarit, etj.
Sistemi emëror ka trajtë të shquar dhe
të pashquar dhe për pasojë, edhe lakim
të shquar e të pashquar; nyja shquese është
e prapavendosur si në rumanisht dhe në bullgarisht;
ka nyje të përparme te emrat në rasen
gjinore (i, e malit) dhe te mbiemrat e nyjshëm
(i mirë, i vogël, etj)., te emrat asnjanës
të tipit të folurit, etj. Përvec fleksionit
me mbaresa të veçanta, shqipja njeh edhe
fleksionin e brendshëm (dash ~ desh, marr ~ merr);
ka dy tipe strukturorë mbiemrash të ngjashëm
(i madh, i ndershëm) dhe të panyjshem (trim,
besnik). Te numërorët përdor kryesisht
sistemin decimal (dhjetë, tridhjetë, pesëdhjetë),
por ruan edhe sistemin vigezimal (njëzet, dyzet);
numërorët e përberë nga 11-19, formohen
duke vënë numrin e njësheve përpara,
parafjalën mbë dhe pastaj dhjetshet (njëmbëdhjetë,
dymbëdhjetë, etj) si në rumanisht dhe
në gjuhët sllave.
Sistemi foljor paraqitet mjaft i larmishem. Shqipja
ka një sistem të pasur formash menyrore dhe
kohore, një pjesë të e cilave janë
të trashëguara nga një periudhë
e hershme, një pjesë janë kryer gjatë
evolucionit të saj historik. Folja ka gjashtë
menyra; (dëftore, lidhore, kushtore, habitore,
dëshirore, urdhërore) dhe tri forma të
pashtjelluara (pjesore, paskajore dhe përcjellore).
Koha e ardhëshme ndërtohet në menyre
analitike, me dy forma: me do (forma e foljes dua) +
lidhore (do të punoj) dhe me foljen ndihmëse
kam + paskajore (kam për të punuar).
Rendi i fjalëve në fjali është përgjithësisht
i lirë, por më i zakonshem është
rendi subjekt+verb+objekt.
Leksiku i gjuhës shqipe përbëhet prej
disa shtresash. Një shtresë të veçantë
përbëjnë fjalët me burim vendas,
të trashëguar nga një periudhë e
lashtë indoevropiane (ditë, natë, dimër,
motër, jani, etj.), ose të formuara më
vonë, me mjete të shqipes (ditor, dimëror,
i përnatshëm).
Një shtresë tjetër, përbëjnë
fjalët e huazuara nga gjuhë të tjera,
si pasojë e kontakteve të popullit shqiptar
me popuj të tjerë gjatë shekujve. Fjalët
e huazuara kanë hyrë nga greqishtja, greqishtja
e vjetër dh e re, nga latinishtja dhe gjuhët
romane, nga sllavishtja dhe nga turqishtja.
Shqipja, me gjithë huazimet e shumta, ka ruajtur
origjinalitetin e saj, si gjuhë e veçantë
indoevropiane.
Përhapja e gjuhës shqipe
Shqipja flitet sot nga më se gjashtë milionë
vetë në Republikën e Shqipërisë,
në Kosovë, në viset shqiptare të
Maqedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë
jugore, si dhe në viset e Çamerisë
në Greqi. Shqipja flitet gjithashtu, në ngulimet
shqiptare në Itali, në Greqi, në Bullgari,
në Ukrainë, si dhe në shqiptarë
të mërguar në viset e ndryshme të
botës para Luftës se Dytë Botërore
dhe në këtë dhjetëvjeçarin
e fundit.
Gjuha shqipe mësohet dhe sudjohet në disa
universitete dhe qëndra albanologjike në bote,
si në Paris, Romë, Napoli, Kozencë, Plermo,
Leningrad, Pekin, München, Bukuresht, Selanik,
Sofie etj.
Studimet për gjuhën shqipe
Gjuha dhe kultura e shqiptarëve, lashtësia
dhe karakteri origjinal i tyre, kanë tërhequr
prej kohësh vëmendjen e studjuesve të
huaj dhe shqiptarë që në shekullin XVIII
dhe më parë. Në mënyrë të
veçantë, gjuha, historia dhe kultura e shqiptarëve,
tërhoqi vëmendjen e botës gjermane. Me
të u mor edhe një filozof i madh, sic ishte
Gotfrid Vilhelm Lerbnitz, që punoi një shekull
para lindjes së gjuhësisë krahasimtare.
Ai mendonte, se studimi krahasues i gjuhëve ishte
themelor për të ndërtuar një histori
universale të botës, për ta kuptuar dhe
për ta shpjeguar atë. Në disa letra,
qe ai i shkruante një bibliotekari të Bibliotekës
Mbretërore të Berlinit, në fillim të
shekullit XVIII, shprehet edhe për natyrën
dhe prejardhjen e gjuhës shqipe dhe pas disa luhatjeve,
arriti në përfundimin, se shqipja është
gjuha e ilirëve të lashtë.
Megjithatë, studimet shkencore për gjuhën
shqipe, si dhe për shumë gjuhë të
tjera, nisën pas lindjes së gjuhësisë
historike-krahasuese nga mesi i shekullit XIX. Një
nga themeluesit e kësaj gjuhësie, dijetari
gjerman Franz Bopp, arriti të provonte që
në vitin 1854, se shqipja bënte pjesë
në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe se
zinte një vend të veçantë në
këtë familje gjuhësore. Pas tij, studjues
të tjerë, si G.Meyer, H.Pedersen, N.Jokli,
studjuan aspekte të ndryshme të leksikut dhe
të strukturës gramatikore të gjuhës
shqipe. G.Meyer do të hartonte që në
vitin 1891 një Fjalor etimologjik të Gjuhës
shqipe (Etymologisches Wörterbuch der albanesischen
Sprache, Strasburg 1891), i pari fjalor i këtij
lloji për shqipen. Përveç këtyre,
një varg i madh gjuhëtarësh të huaj,
si F.Miclosich, G.Weigand, C.Tagliavini, St.Man, E.Hamp,
A.Desnickaja, H.Ölberg, H.Mihaescu, W.Fredler,
O.Bucholtz, M.Huld, G.B.Pellegrini, etj. kanë dhënë
kontribute të shënuara për studimin e
historisë së gjuhës shqipe, të problemeve
që lidhen me prejardhjen e saj, me etimologjinë,
fonetikën dhe gramatikën historike, si edhe
në studimin e gjendjes së sotme të shqipes.
Ndërkohë, krahas studimeve për gjuhën
shqipe të albanologëve të huaj, lindi
dhe u zhvillua edhe gjuhësia shqiptare. Ajo i ka
fillimet e saj që në shekullin XVII, kur Frang
Bardhi botoi të parin fjalor të gjuhës
shqipe “Dictionarium Latino-Epiroticum”
(1635). Gjatë Rilindjes Kombëtare u botuan
disa gramatika të gjuhës shqipe. Kështu,
në vitin 1864, Dhimitër Kamarda, një
nga arbëreshët e Italisë, botoi veprën
“Laggio della grammatica comparata sulla lingua
albanese”, Livorno 1864, vëll.II “L’Apendice
al saggio dalla gramatica comparata sulla lingua albanese”,
Prato 1866. Më 1882, Kostandin Kristoforidhi botoi
“Gramatikën e gjuhës shqipe” dhe
më 1806, Sami Frashëri botoi “Shkronjëtoren
e gjuhës shqipe”, dy vepra gjuhësore
të rëndësishme të shekullit XIX
për gramatologjinë e gjuhës shqipe. Nga
fundi i shekullit XIX, Kostandin Kristoforidhi përgatiti
edhe një “Fjalor të gjuhës shqipe”,
i cili u botua në vitin 1904 dhe përbën
veprën më të rëndësishme të
leksikografisë shqiptare, që u botua para
Luftës se Dytë Botërore. Në vitin
1909, botohet Fjalori i shoqërisë “Bashkimi”.
Pas shpalljes së Pavarësisë, u botuan
një varg gramatikash dhe fjalorë dygjuhësh,
për të plotësuar nevojat e shkollës
dhe të kulturës kombëtare. Në fushën
e gramatikës u shqua sidomos Proff. Dr.Aleksandër
Xhuvani.
Aleksandër Xhuvani (1880-1961)
Kreu studimet e larta në Universitetin e Athinës.
Veprimtaria e tij për studimin e gjuhës shqipe
dhe arsimin kombëtar, e nisi që gjatë
periudhës së Rilindjes Kombëtare. Bëri
një punë të madhe për pajisjen e
shkollës sonë me tekste të gjuhës
shqipe, të letërsisë, të pedagogjisë
dhe të psikologjisë. Drejtoi e punoi për
hartimin e udhëzuesve drejtshkrimorë në
vitet 1949, 1951, 1954, 1956.
Pati një veprimtari të gjerë në
fushën e pastërtisë së gjuhës
shqipe e të pasurimit të saj dhe botoi veprën
“Për pastërtinë e gjuhës shqipe”
(1956). Bashkëpunoi me profesorin Eqerem Çabej,
për hartimin e veprave “Parashtesat”
(1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe”
(1962), trajtesa themelore në fushën e fjalformimit
të gjuhës shqipe. Botoi dhe një varg
punimesh monografike për pjesoren, paskajoren dhe
parafjalët e gjuhës shqipe.
Ai ishte njohës i mirë dhe mbledhës i
pasionuar i visarit leksikor të gjuhës së
popullit. Fjalët dhe shprehjet e mbledhura , u
botuan pjesërisht pas vdekjes, në formën
e një fjalori. Përgatiti një botim të
dytë të “Fjalorit të gjuhës
shqipe” të Kristoforidhit (1961).
Vepra e plotë e tij, e projektuar në disa
vëllime, ende nuk është botuar. Në
vitin 1980 është botuar vëllimi i parë.
Një zhvillim më të madh njohu gjuhësia
shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit
XX, kur u krijuan edhe institucione shkencore të
specializuara, si Universiteti i Tiranës, Universiteti
i Prishtinës dhe Akademia e Shkencave, Universiteti
i Shkodrës, më vonë, Universiteti i Elbasanit,
Universiteti i Gjirokastrës, Universiteti i Vlorës,
Universiteti i Tetovës, etj. Gjatë kësaj
periudhe, u hartuan një varg veprash përgjithësuese
nga fusha të ndryshme të gjuhësisë.
Në fushën e leksikologjisë dhe të
leksikografisë, përveç studime leksikologjike,
u hartuan edhe një varg fjalorësh të
gjuhës shqipe dhe fjalori dygjuhësh, nga të
cilët, më kryesorët janë: “Fjalori
i gjuhës shqipe” (1954), “Fjalori i
gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalori
i shqipes së sotme” (1984), “Fjalori
drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Drejtshkrimi
i gjuhës shqipe” (1973), etj. Kohët
e fundit kanë dalë edhe “Fjalor frazeologjik
i gjuhës shqipe” (2000) dhe “Fjalor
frazeologjik ballkanik” (1999).
Në fushën e dialektologjisë është
bërë përshkrimi e studimi i të gjithë
të folurave të shqipes dhe është
hartuar “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”,
një vepër madhore që pritet të dalë
së shpejti nga shtypi.
Eshtë bërë gjithashtu, studimi i fonetikës
dhe i strukturave gramatikore të gjuhës shqipe
përmes studimeve të veçanta dhe përmes
gramatikave të ndryshme, niveleve të ndryshme,
nga të cilat, më e plota është “Gramatika
e gjuhës shqipe” I Morfologjia (1995), II
Sintaksa (1997), hartuar nga Akademia e Shkencave, në
bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, me
kryeredaktor Mahir Domin.
Një vend të gjerë në studimet gjuhësore
të këtij gjysëmshekulli, kanë zënë
problemet e historisë së gjuhës shqipe,
problemet e etnogjenezës së popullit shqiptar
e të gjuhës shqipe, të etimologjisë,
të fonetikës dhe të gramatikës historike,
etj. Disa nga veprat themelore në këto fusha
janë: "Studime etimologjike në fushë
të shqipes” në 7 vëllime, nga E.Çabej;
“Meshari” i Gjon Buzukut (E.Çabej);
“Gramatika historike e gjuhës shqipe”
(Sh.Demiraj); “Fonologjia historike e gjuhës
shqipe” (Sh.Demiraj); “Gjuhësia ballkanike”
(Sh.Demiraj), etj.
Eqerem Cabej (1908-1980). Studjuesi më i shquar
i historisë së gjuhës shqipe dhe një
nga personalitetet më në zë të kulturës
shqiptare.
Pasi bëri studimet e para në vendlindje (Gjirokastër),
studimet e larta i kreu në Austri, në fushën
e gjuhësisë së krahasuar indoevropiane.
Pas mbarimit të studimeve, kthehet në atdhe
dhe fillon veprimtarinë shkencore e arsimore në
vitet ’30 të këtij shekulli dhe punoi
në këto fusha për një gjysëm
shekulli, duke lënë një trashëgimni
të pasur shkencore.
Eqerem Çabej solli dhe zbatoi në gjuhësinë
shqiptare metodat dhe arritjet shkencore të gjuhësisë
evropiane, duke kontribuar shumë në ngritjen
e nivelit shkencor të studimeve gjuhësore
shqiptare. Eqerem Cabej punoi shumë në disa
fusha të dijes, por u shqua sidomos në fushën
e historisë së gjuhës, në trajtimin
e problemeve të origjinës së gjuhës
shqipe, të autoktonisë së shqiptarëve
e të etimologjisë dhe të filologjisë
së teksteve të vjetra.
Veprat themelore të tij janë: “Studime
etimologjike në fushë të shqipes”,
në shtatë vëllime, I “Hyrje në
historinë e gjuhës shqipe”, II “Fonetikë
historike” (1958), “Meshari i Gjon Buzukut”
(1968), “Shqiptarët midis perëndimit
dhe lindjes” (1944).
Ai është bashkëautor edhe në një
varg veprash në fushën e gjuhës së
sotme, siç janë: “Fjalor i gjuhës
shqipe” (1954), “Rregullat e drejtshkrimit
të gjuhës shqipe” (1972), “Fjalori
drejtshkrimor”.
Përveç veprave, ai ka botuar një varg
studimesh në revista shkencore brenda e jashtë
vendit dhe ka mbajtur dhjetra referate e kumtesa në
kongrese e konferenca kombëtare e ndërkombëtare,
të cilat kanë bërë të njohura
arritjet e gjuhësisë shqiptare në botë,
duke rritur kështu prestigjin e saj.
Veprat e prof. Eqerem Cabej janë botuar në
tetë vëllime, në Prishtinë, me titullin
“Studime gjuhësore”.
Me veprimtarinë e shumanëshme shkencore e
me nivel të lartë, Eqerem Cabej ndriçoi
shumë probleme të gjuhës shqipe dhe të
kulturës shqiptare, duke argumentuar lashtësinë
dhe origjinën ilire të saj, vitalitetin e
saj ndër shekuj dhe marrëdhëniet me gjuhët
dhe kulturat e popujve të tjerë.
Gjatë kësaj periudhe, gjuhësia shqiptare
zgjidhi edhe problemin e gjuhës shqipe letrare
kombëtare, të njësuar me çështjet
teorike të së cilës është marrë
veçanërisht prof.Androkli Kostallari.
Në kuadrin e punës që është
bërë në fushën e gjuhësisë
normative dhe të kulturës së gjuhës,
janë hartuar dhe një numër i madh fjalorësh
terminologjikë për degë të ndryshme
të shkencës e të teknikës.
Përveç veprave të shumta që janë
botuar në fushën e gjuhësisë, veprimtaria
e gjuhësisë studimore e studjuesve shqiptarë
pasqyrohet në botimin e disa revistave shkencore,
nga të cilat më kryesoret sot, janë:
“Studime filologjike” (Tiranë); “Gjuha
shqipe” (Prishtinë); “Studia albanica”
(Tiranë); “Jehona” (Shkup); etj.
Studime te rëndësishme mbi gjuhën shqipe
janë bërë nga gjuhëtarë në
Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, ku janë botuar
një numër i konsidrueshëm veprash mbi
historinë e gjuhës shqipe, fonetikën,
gramatikën, leksikun etj. Prof. Idriz Ajeti shquhet
për kontributin e veçantë që ka
dhënë në këtë fushë
Kontribut të veçantë për gjuhen
shqipe kanë dhenë edhe shqiptaret e vendosur
në Itali, të njohur si “Arbëresh”
Disa nga figurat më të shquara të gjuhësisë
shqiptare të këtyre dy shekujve të fundit,
janë: Dhimitër Kamarda (arbëresh i Italisë),
Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Aleksandër
Xhuvani, Eqerem Çabej, Selman Riza, Kostaq Cipo,
Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Idriz
Ajeti, etj.
|