|
Filmi hyri në Shqipëri në vitet 1911-12.
Shfaqjet e para publike u dhanë në qytetet
Shkodër e Korçë. Sallat e para të
kinemave si institucione publike u ngritën me iniciativë
private pas Luftës I Botërore, në qytetet
Vlorë, Korçë, Tiranë, Shkodër,
Berat.
Filmat e parë u bënë nga të huajt;
ata qenë kronika. Kronika e parë për
ngjarje të lidhura me Shqipërinë është
ajo e lidhur me Kongresin e Manastirit (1908), që
sanksionoi Alfabetin e gjuhës shqipe. Gjatë
30 vjetëve pas Shpalljes së Pavarësisë
(1912) u xhiruan kryesisht kronika, filma dokumentarë,
nga shoqëri të huaja kinematografike të
Europës apo SHBA, si dhe nga amatorë.
Menjëherë
pas Luftës II Botërore u krijua nga shteti
Agjencia Shqiptare e Filmave (1945), e cila më
pas u shndërrua në Ndërmarrje Shtetërore
Kinematografike Shqiptare (1947), kohë kur u bë
shtetëzimi i plotë i rrjetit të sallave,
importit, dhe prodhimit. Nisi xhirimi i filmave kronikalë
dhe në maj 1948 u shfaq kinokronika e parë
shqiptare. Në një vend me përqindje të
lartë të analfabetizmit në vitet ‘40-’50,
shteti i dha rëndësi shtimit të numrit
të sallave dhe aparateve lëvizës, si
dhe importit të filmave kryesisht nga vendet e
Europës Lindore, Franca e Italia.
Një etapë të re shënoi ngritja e
së parës studio shqiptare të filmave,
Kinostudios “Shqipëria e Re” (1952).
Përvoja e parë në fushën e filmit
artistik qe bashkëprodhimi shqiptaro-sovietik Luftëtari
i madh i Shqipërisë – Skënderbeu
(1954, regjisor S. Jutkeviç, fitues çmimi
në Festivalin Ndërkombëtar të Kanës).
Filmat e parë artistikë të kineastëve
shqiptarë janë Fëmijët e saj, film
i shkurtër, punë diplome (1957, regj. H. Hakani),
dhe Tana (1958, regj. K. Dhamo).
Vitet ’60 shënojnë prodhimin sistematik
të filmit artistik në mesatarisht 1 film në
vit, kryesisht me subjekte nga Lufta kundë pushtuesve
fashistë e nazistë (1939-44) dhe nga reformat
e viteve të para pas Luftës. Bënë
filmat e tyre të parë regjisorët e rinj
Dh. Anagnosti, V. Gjika, G. Erebara, P. Milkani.
Në vitet ’70, me shkurtimin drastik të
importit, si rezultat i politikës së izolimit
të ndjekur nga shteti në fushën e kulturës,u
shenua një rritje të ndjeshme të prodhimit,
nga 5-6 filma artsitikë në vit në fillim
të periudhës, deri në 8-10, për
të arritur në 14 në vitet ’80.
U zgjerua gama e zhanreve; u bënë filmat e
parë për fëmijë, ku u shqua regj.
Xh. Keko, (ndër filmat e saj përmendim Beni
ecën vetë, 1975); kinokomedia e parë
Kapedani (1972, regj. F. Hoshafi e M. Fejzo); u bënë
filma historikë e muzikorë; po zhanri më
i pëlqyer mbeti filmi dramatik. Krahas të
tjerëve bënë filma një brez i ri
regjisorësh, R. Ljarja, S. Kumbaro, I. Muçaj,
K. Mitro, E. Mysliu. Nisi prodhimin e filmave artistikë
edhe TV Shqiptar ( Udha e shkronjave, 1978, regj. V.
Prifti).
Në fund të periudhës dhe sidomos në
vitet ’80 filmi artsitik shqiptar trajtoi më
shumë aktualitetin si dhe ngjarje e personazhe
para Luftës II Botërore. Në ekran u afirmuan
regjisorë të tjerë me filma si Ballë
për ballë (1979, regj. K. Çashku e
P. Milkani), Dora e ngrohtë (1983, regj. K. Çashku),
Agimet e stinës së madhe (1981, regj. A. Minga),
Kohë e largët (1983, regj. S. Pecani), Tela
për violinë (1987, regj. B. Kapexhiu), etj.
Në vitet ‘70-’80 prodhimi i filmave
dokumentarë u stabilizua në rreth 20-40 në
vit, dhe pati tipare të thella propagandistike,
po edhe kulturore; lindi filmi vizatimor shqiptar me
filmin Zana dhe Miri (1975, realizues V. Droboniku e
T. Vaso), i cili arriti deri në 16 filma në
vit.
Krijimtaria kinematografike, e përqendruar në
një kinostudio dhe në TV Shqiptar, qe fryt
i bashkëpunimit të organizuar nga shteti mes
kineastëve, regjisorëve të të gjitha
brezave, shkrimtarëve, piktorëve, kompozitorëve,
aktorëve, dhe industrisë kinematografike.
Deri më 1990, nga rreth 200 filma artistikë
80 janë ekranizime nga letërsia shqiptare.
Në fund të viteve ’80 në Shqipëri
kishte 450 salla kinemaje e kinema lëvizëse.
Por baza industriale e teknike në këtë
periudhë erdhi duke u vjetëruar.
Në vitet ’90, me ndryshimin e sistemit shoqëror,
u bënë reforma të thella.Kinostudioja
e dikurshme u nda në disa studio, dhe filmat tani
prodhohen kryesisht nga shtëpi filmike private
(kryesisht regjisorë të kinostudios së
mëparshme) në bashkëpunim me Qendrën
Kombëtare të Kinematografisë (QKK), të
ngritur në mesin e viteve ’90, dhe me producentë
të huaj. QKK është qendër e re e
administrimit të filmit në Shqipëri,
që ka dhënë tashmë rezultatet e
para; aktualisht prodhimi kinematografik kryhet në
bazë të Ligjit për Kinematografinë,
mjaft i diskutuar nga kineastët.
Shkollimi i kineastëve shqiptarë nisi në
vitet ’50 në vendet e Europës Lindore;
më pas, me ndonjë përjashtim të
rrallë, nuk u bë më jashtë vendit,
por brenda vendit, në Institutin e Lartë të
Arteve, Tiranë, ose me specializime në Kinostudio.
Kritika dhe studimet për kinemanë u zhvilluan
disi krahas rritjes së prodhimit, kryesisht nga
vetë kineastët apo nga gazetarë. Revistë
e posaçme ka qenë në vitet ’80
Skena dhe Ekrani, e cila pushoi së botuari në
fillim të viteve ’90. Në Qendrën
e Studimeve të Artit të Akademisë së
Shkencave historia e kinemasë shqiptare studiohet
në një departament të veçantë.
Deri në fillim të viteve ’90 kineastët
kanë qenë të organizuar në Lidhjen
e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë;
më pas ata u veçuan dhe formuan Shoqatën
e Kineastëve Shqiptarë.
Arkivi Shtetëror i Filmit, dikur departament i
Kinostudios “Shqipëria e Re”, në
vitet ’90 u bë institucion më vete.
Është anëtar i Federatës Ndërkombëtare
të Arkivave të Filmit.
Që prej vitit 1976 në Shqipëri janë
organizuar Festivale Kombëtare të Filmit,
në fillim një herë në dy vjet për
të gjithë filmat, e më pas në mënyrë
alternative, një vit për filmin artistik,
e një vit për filmin dokumentar e vizatimor.
Në vitet ’90 festivalet janë organizuar
një herë në pesë vjet. I fundit,
Festivali XI – prill 2000, mblodhi gjithë
prodhimin e pesë vjetëve, 10 filma artistikë,
27 dokumentarë, 14 vizatimorë. Në prodhimin
e viteve ’90 vazhdon të ndjehet tipari i
thellë social, preokupimi i artistëve për
problemet e shoqërisë, në veçanti
të lidhura me dukuritë e reja të periudhës
së tranzicionit. Një numër filmash kanë
stigmatizuar totalitarizmin. Në këtë
festival, për herë të parë u shfaqën
prodhime të kineastëve shqiptarë nga
trevat e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të
Zi. Në dy festivalet e fundit (1995, 2000), përveç
çmimeve të tjera, u dhanë edhe çmime
të karierës, të cilat u fituan nga regjisorët
Dh. Anagnosti e K. Dhamo, e nga aktorët K. Roshi
e S. Pitarka.
Sot
kinemaja shqiptare përjeton një periudhë
të vështirë tranzicioni e përshtatjeje
me ekonominë e tregut. Përveç rënies
së prodhimit ne sasi edhe rrjeti i sallave të
kinemave ka zbritur ndjeshem, dhe vetëm kohët
e fundit jane bere dhe po bëhen përpjekje
për ngritje sallash të reja bashkëkohore
si kinemaja “MILLENIUM” ne Tirane dhe nje
tjeter ne Elbasan. Nga ana tjetër, forcat krijuese
janë të shumta dhe entuziaste, të çliruara
nga trysnia etatiste, totalitare, dhe ekonomike e përqendruar,
si dhe me iniciativë private përherë
në rritje. Mund te thuhet se kinemaja shqiptare
sot ndodhet midis nostalgjisë së një
kinemaje kombëtare, të lindur e zhvilluar
në kushte të caktuara, dhe së ardhmes
në ndërtim e sipër.
Abdurrahim Myftiu
|