|
Koleksioni i kodikëve (the codex) përbën
një prej pasurive më të rëndësishme
kulturore të popullit shqiptar në të
gjitha kohërat dhe një pasuri me vlera botërore.
Ky koleksion, i cili ruhet në Arkivin Qendror të
Shtetit, përbëhet nga mbi 100 vëllime,
që përbëjnë vepra të plota
(dorëshkrime) dhe 17 fragmente, të cilët,
të gjithë së bashku, njihen si "fondi
888". Jashtë këtij fondi numërohen
edhe disa dhjetëra kodikë të tjerë,
që i takojnë kishës së shën
Gjon Vladimirit (Durrës). Përveçse
në AQSH, kodikë ka pasur edhe në muzeun
e artit mesjetar në Korçë.
Për
herë të parë ekzistenca e kodikëve
të Shqipërisë është bërë
e ditur botërisht nga një botim në gjuhën
greke i peshkopit të Beratit (Aleksudes, A. - 1868).
Në vitin 1886 një studiues francez (P. Batiffol)
përshkroi shkurtimisht në një katalog
16 kodikë që iu lejuan të shihte në
arkivat dhe bibliotekat e kishës ortodokse të
Beratit. Batiffol, i cili u ankua në artikullin
e tij se murgjit vendës "nuk e lejuan"
të njihte shumë dorëshkrime të tjera,
pagëzoi tre prej kodikëve më të
lashtë të Shqipërisë: "Codex
Purpureus Beratinus" - "Kodiku i Purpurt i
Beratit" (i mbiquajtur edhe "Beratinus-1");
"Codex Aureus Anthimi" - "Kodi i Artë
i Anthimit" (i mbiquajtur "Beratinus-2");
si dhe "Kodi Liturgjik i Gjon Gojartit". Deri
atëherë, në listën botërore
të letërsisë së krishterë të
tipit bizantin, njiheshin jo më shumë se një
dyzinë dorëshkrimesh të tipit "kodik".
Me kalimin e kohës nga kjo listë janë
zhdukur emra veprash të rëndësishme liturgjike,
duke përfshirë edhe "Kodikun e Gjon Gojartit",
që gjendej në Shqipëri.
Kodikët e Shqipërisë janë një
fond me rëndësi botërore për historinë
e zhvillimit të letërsisë së vjetër
biblike, liturgjike dhe agjiografike (nga gr. "?????"
- "i shenjtë"). Këto kodikë
kronologjikisht ndjekin njëri-tjetrin gjatë
13 shekujve me radhë (prej shekullit të 6-të
- deri në shekullin e 18-të).
I shkruar vetëm një shekull e gjysmë
pas "La Vulgata-s", përkthimi latin i
Biblës sipas shën Jeronimit të Eusebit,
Kodiku i Purpurt i Bertit është një dorëshkrim
me rëndësi historike për fillimet e letërsisë
biblike. Sipas dijetarëve bibliologë dhe paleografë,
duke iu referuar teknikës së shkrimit, është
një dorëshkrim jo më i vonshëm se
shekulli i 6-të pas Krishtit. Ai është
një ndër katër kodikët më të
vjetër në gjithë botën. Bashkëkohës
me dorëshkrime të tilla të famshme si
"Petropolitaus", "Vindeobone-usis"
e "Sinopencis", "Kodiku i Purpurt i Beratit"
renditet në themelet e letërsisë kishtare
të ritit lindor.
"Kodiku i Purpurt i Beratit" ka 190 fletë
dhe përmban dy ungjij: sipas Markut dhe sipas Matheut.
Eshtë shkruar me germa të derdhura prej argjendi,
sipas vlerësimit të ekspertëve, "në
fletë të ngjashme me letrën e zakonshme,
që ka të ngjarë të jetë prodhuar
nga ngjeshja e shumë elementeve petëzorë
me natyrë bimore, siç janë fletët
e papirusit". Por bizantologët mendojnë
se lënda e dorëshkrimit është pergamenë.
Sfondi mbi të cilin janë derdhur germat është
e kuqe e thellë (e purpurt), prej nga ka marrë
edhe emrin. Ngjyra, me kalimin e shekujve, është
zbehur. Disa pjesë të rëndësishme
të tekstit të kodikut janë të derdhura
në ar. Germat e aplikuara janë kapitale të
vogla (majuscule). Kapaku i dorëshkrimit është
metalik, me zbukurime biblike, por duhet të jetë
disa shekuj më i vonshëm se vetë vepra.
Teksti i "Codex Purpureus Beratinus" është
shkruar në stilin antik scripta-continuae, domethënë
pa ndarje të fjalëve nga njëra-tjetra,
pa thekse dhe shenja të tjera të veçimit
të fjalëve. Ai është vendosur në
një sfond që përmban zemra të stilizuara.
Në brendësi të zemrave që zbukurojnë
fletën gjenden motive floreale - trandafila tripetalesh
(lilan). Dekoracionet gjenden në kufijtë e
dy vijave paralele vertikale, që kthehen në
kënd të drejtë horizontalisht. Vija vertikale
interpretohet si tentim i hyjnores, kurse vija horizontale
si shenjëzim i fatit vdekëtar-kalimtar të
njeriut. Bibliologët mendojnë se ky motiv,
që rimerret edhe në dorëshkrimet e mëvonshme
biblike, liturgjike ose agjiografike (nga gr. i shenjtë)
që janë ruajtur në Shqipëri, paraqet
ekuilibrin shpirtëror të individit.
Për herë të parë për "Codex
Purpureus Beratinus" bëhet fjalë në
"Diptikun e kishës së Shën Gjergjit",
që gjendej në kalanë e Beratit. Në
një shënim të cituar nga ky dorëshkrim
flitet për rrezikun që i pati ardhur rrotull
këtij kodiku në vitin 1356, kur ushtritë
serbe rrethuan qytetin e Beratit, tashmë të
boshatisur nga popullata, për shkak të pamundësisë
për t'u mbrojtur, dhe ia kishin vënë
syrin bibliotekës së manastirit të Theollogut
dhe të kishës së shën Gjergjit,
thesarit më të madh të qytetit. Sipas
këtij shënimi, me kujdesin e një murgu,
një nga parësia e Beratit, "së bashku
me zonjën konteshë", besimtarë të
denjë të krishtërimit, morën përsipër
të shpëtonin këtë thesar, duke i
fshehur në një kullë në kala, pavarësisht
prej kërcënimeve të komandantëve
të ushtrisë së huaj.
Në shkrimet e botuara për "Codex Purpureus
Beratinus" i pari renditet ai i grekut Anthim Aleksudhi,
"Syntomos istorike perigraphe tesleras metropoleos
Belegradon …", 1868. Disa vite më vonë,
më 1886, shkrimtari francez Pierre Batiffol, mysafir
i mitropolisë së Beratit, në artikullin
"Les manuscrits grecs de Berat d'Albanie et le
Codex Purpureus" - Paris - përshkroi me të
dhëna të hollësishme informuese dhe shkencore
përmbajtjen e këtij dorëshkrimi. Në
fakt, Batiffol është transkriptuesi i parë
dhe madje pagëzuesi i kodikut më të hershëm
të Shqipërisë. Qysh prej botimit të
katalogut të tij ai njihet me emrin "Codex
Purpureus Beratinus", ose "Codex Purpureus
Beratinus ", ose shkurt "Beratinus-1".
Bizantologët shqiptarë, në studime të
krahasuara, mbështetur në ligjet e ndryshimit
të fonetikës historike të greqishtes
nga antikiteti në periudhën e paleokrishtërimit
e më këndej, i kanë interpretuar në
një semantikë tjetër vlerat tingullore
të disa prej grafemave të këtij dorëshkrimi,
për rrjedhim edhe të përmbajtjes së
tij. Nga autorët vendës veçohen për
studime të posaçme për kodikët
Theofan Popa, Ilo Mitkë Qafëzezi, Aleks Buda,
Kosta Naço.
"Kodiku i Purpurt i Beratit" dhe "Kodiku
i Artë i Anthimit" ("Beratinus-2",
shekulli i 9-të pas Krishtit) ishin dy prej veprave
që gjendeshin në listat e objekteve të
shpallur "në kërkim" në periudhën
e Luftës së Dytë Botërore. Kleri,
këshilli kishtar (sinodi), patriarkët dhe
populli besimtar i Beratit, të cilëve iu kërkua
dorëzimi i menjëhershëm i dy kodikëve,
vendosën të bëjnë çdo sakrificë
dhe të mos e tregojnë vendndodhjen e tyre,
në çfarëdo rrethane. Ato u fshehën
në grykën e një pusi, në një
arkë metalike. Për një kohë, në
vitet që pasuan, "Beratinus-1" dhe "Beratinus-2"
konsideroheshin të zhdukur. U rizbuluan në
kishën e kalasë së qytetit në vitin
1968, në një gjendje tejet të dëmtuar.
Në vitin 1971, në bazë të një
marrëveshjeje ndërshtetërore, "Codex
Purpureus Beratinus" u dërgua për restaurim
pranë Institutit Arkeologjik të Kinës,
ku u realizua një riprodhim identik, plotësisht
i shfrytëzueshëm për studime. Vetë
origjinali u restaurua, duke siguruar tejkalimin e gjendjes
kritike dhe duke premtuar jetëgjatësi, përmes
teknikës së mbylljes hermetike të fletëve
një nga një ndërmjet dy xhameve në
boshllëk. Mbas restaurimit, "Beratinus-1"
u nda në nëntë vëllime, të
cilat ruhen pranë Arkivit Qendror të Shtetit
në Tiranë.
Nga ekspertimi prej specialistëve të Universitetit
të Tiranës rezultoi se "Beratinus-2"
ishte shkruar në "lëndë me natyrë
shtazore", albuminoide, domethënë në
pergamenë; kurse "Beratinus-1" në
"lëndë celuloidike me natyrë bimore",
homogjenizuar përmes ngjeshjes së fletëve
të papirusit një mbi një deri në
formimin e letrës së shkrimit. Në vitin
1971, në bazë të një marrëveshjeje
ndërshtetërore, dy kodikët e Beratit
u dërguan pranë Institutit Arkeologjik të
Kinës, ku u realizua restaurimi i tyre, përmes
teknikës së mbylljes hermetike të fletëve
një nga një ndërmjet dy xhameve në
boshllëk. Mbas restaurimit "Beratinus-1"
u nda në nëntë vëllime, kurse "Beratinus-2"
në 21 vëllime. Nga studimet e mëvonshme
është konstatuar se të dy kodikët
janë shkruar në pergamenë (lëkurë
keci e regjur dhe e ngjyrosur).
"Codex Purpureus Beratinus" u ftua të
paraqitet jashtë vendit në ekspozitën
"I Vangeli dei Popoli", organizuar nga Biblioteca
Apostolica e Vatikanit, në jubileun e madh të
2000-vjetorit të krishtërimit. Brenda vendit
është ekspozuar vetëm dy herë, me
lejen e autoriteve më të larta zyrtare.
"Kodiku i Purpurt i Beratit" vlerësohet
ndër veprat themeltare të letërsisë
ungjillore, si dorëshkrim me rëndësi
të posaçme për kulturën e krishtërimit.
Ai çmohet gjithashtu për historinë
e shkrimit, për vlerat evidente kaligrafike, si
përmendore e trashëgimisë së përbotshme
të dijes, si objekt shkencor i paleografisë,
bibliologjisë, gjuhësisë, historisë
së besimeve.
“Kodiku i Purpurt i Beratit”,
sipas Aleksudhes, duhej të ishte shkruar “me
dorën e shën Gjon Gojartit”. Mirëpo
Batiffol mendon se “nuk është tamam
dora e shën Gjon Gojartit.
Kodiku i Purpurt i Beratit merr një vlerë
më të rëndësishme prej faktit se
është shkruar në një periudhë
kur lënda biblike ende nuk ishte kanonizuar. Dy
ungjijtë që përmban kanë shmangie
prej teksteve standarte. Kjo është arsyeja
që vetëm një herë në vit, një
pjesë e tij, mund të lexohej në meshë
publike.
Duke u nisur prej faktit se në arkivat shqiptare
ruhen mbi 100 dorëshkrime të tipit "kodik",
në të cilët janë kopjuar gjatë
12 shekujve me radhë shkrimet e shenjta, "Testamenti
i Vjetër", ungjijtë dhe tekste të
tjera të shërbesës ekleziastike, mendohet
se ato mund të jenë shkruar nga murgj vendës.
Veç faktit se këto dorëshkrime krijojnë
një traditë të letërsisë kishtare,
vijnë në ndihmë të këtij përfundimi
edhe të dhëna të tjera. Hapësira
iliro-biblike gjendet brenda asaj që zakonisht
quhet "hapësirë biblike". Në
librat e shenjtë shën Pali citohet të
pohojë: "Predikova Jesuin prej Jerusalemit
në Illyricum". Faltoret e para të krishtërimit
në këtë hapësirë u ngritën
qysh në mesin e shekullit të parë pas
Krishtit (kisha e Linit dhe ajo e Tushemishtit).
Në hapësirën e iliro-shqiptarëve
u formuan edhe disa personalitete që themeluan
letërsinë e krishterë të ritualit
roman. Kryelutja mijëvjeçare e krishtërimit
perëndimor "Ty zot të lavdërojmë"
- "Te Deum Laudamus", e cila
u kompozua nga shën Niketa i Dardanisë (ose
shën Niketa i Remesianës), u përhap në
disa variante në Europën Perëndimore
pas vitit 525 dhe është edhe sot një
prej vlerave kryesore të krishtërimit. Sipas
burimeve serioze të arkeomuzikologjisë, duke
përfshirë ato britanike, franceze dhe italiane,
Niketa ka shkruar se "ishte dardan" ("dardanus
sum"). Ndërsa përkthimi i parë i
Biblës prej hebraishtes në latinishte, i njohur
me emrin "La Vulgata", u arrit në vitin
405, nga një ilir tjetër i shenjtëruar,
Jeronimi i Eusebit (Hieronymus, i mbiquajtur edhe "shën
Gjeri"). Shën Niketa dhe shën Jeronimi,
që pasuruan kulturën e krishtërimit të
Perëndimit, patën bashkëkohës e
pasues që dhanë të njëjtën
ndihmesë historike për pasurimin e letërsisë
së krishtërimit lindor, përmes përkthimeve
në greqishte të vjetër të ungjijve
në dorëshkrimet e tipit "kodik".
"Kodiku i Purpurt i Beratit" është
i regjistruar në listën e veprave më
të rëndësishme të njerëzimit,
të njohur me emrin "Memoire du Monde"
("Kujtesa e Botës") dhe prej disa vitesh
gëzon kujdesin e drejtpërdrejtë të
Unesco-s.
"Kodiku i Purpurt i Beratit" ka 190 fletë,
kurse "Beratinus-2" përmban 420 fletë.
Kodiku i dytë (sipas kronologjisë), i quajtur
"Beratinus-2" ose "Kodiku i Anthimit",
po edhe "Codex Aureus Anthimi" - për
shkak të germës prej ari që është
përdorur, i takon shekullit të 9-të.
Ai përmban katër ungjijtë (sipas Gjonit,
Lukës, Markut dhe Matheut). Ka pasur gjithashtu
katër shembëllime të ungjillorëve,
nga të cilat kanë mbetur vetëm tri (e
Markut, Gjonit dhe Lukës), kurse figura e Matheut
është zhdukur. Figurat e ungjillorëve
kanë korniza dekorative, që janë ndërtuar
me motive floreale dhe gjeometrike (rrathë dhe
lule). Stilistikisht krahasohet me një kodik që
ruhet në Bibliotekën e Petersburgut dhe që
u identifikua si dorëshkrim i shekullit të
nëntë nga studiuesi gjerman Kurt Witzman.
Kodiku i Petersburgut njihet me emrin e "Kodiku
grek 53".
"Beratinus-1"
dhe kodikët e tjerë të Shqipërisë
janë vepra me rëndësi edhe për historinë
e kulturës e të shkrimit të shenjtë,
por dhe të letrarësisë në përgjithësi.
Në fondin e pasur të kodikëve të
Shqipërisë, përveç "Beratinus-1"
e "Beratinus-2", bëjnë pjesë
edhe dhjetëra dorëshkrime të tjera, që
kanë marrë emrat e qyteteve ku janë zbuluar
("Kodiku i Vlorës", afërsisht shekulli
i 10-të; "Kodiku i Përmetit", i
shekullit të 14-të; "Kodiku i Shkodrës",
i të njëjtit shekull; "Kodiku i Gjirokastrës",
i shek. të 16-të; "Kodiku i Fierit"
- ose i shën Kozmait, i fillimit të shek.
të 19-të). Në kodikët që i
takojnë periudhës prej shekullit të 12-të
e këndej ka dhe të dhëna etnografike,
rregulla të ndërtimit të jetës së
përbashkët, të dhënies të së
drejtës, të trashëgimit të pasurisë
nëpërmjet fejesës ose prej ndarjes, të
ndryshimit të së drejtës në rastin
e konvertimit të fesë. Në dorëshkrimet
e dy shekujve të fundit marrin më shumë
rëndësi çështjet laike. Në
njërin prej kodikëve të vonët të
Korçës (shek. i 18-të) disa prej problemeve
themelorë që zënë vendin qendror
janë: dallimi i të urtit prej të diturit;
ç'mendojnë i urti dhe i dituri për
Perëndinë; mendimi i të diturit për
fenë, amshimin dhe lirinë; mendimi i të
diturit për njeriun e mirë dhe virtytin.
Kodikët e Shqipërisë janë përmendore
të kulturës dhe qytetërimit të krishterë
dhe mbajnë vulën e hapësirës biblike-ekumenike
ku kanë jetuar shqiptarët dhe të parët
e tyre. Ato janë burim krenarie për bibliologët,
për njohësit e shkrimeve të shenjta e
për kishën, por edhe objekt studimi për
etno-psikologjinë, për gjuhën dhe teknikën
e shkrimit, për kaligrafinë, për artet
e zbatuara figurative dhe për ikonografinë.
Kodikët janë enciklopedi të vërteta
të mendimit të krishterë.
Dr. Shaban Sinani
BIBLIOGRAFI:
1. "Les Codex - Trésors de la Culture Albanaise",
edit. Direction Général des Archives,
1999.
2. Prof. Kolë Popa, "Ekspertizë e kampionëve
të dy kodikëve të vjetër kishtarë",
dorëshkrim, DPA, viti 1972, dosja 18, faqe 1-3.
3. Theofan Popa, "Katalogu i dorëshkrimeve
të kodikëve", ruhet pranë AQSH.
4. Liljana Bërxholi, "Vlera e kodikëve
mesjetarë dhe puna për evidentimin e tyre",
botuar në "Arkivi shqiptar", 1999/1,
f. 63-71.
5. Pierre Battifol, "Les manuscrits grecs de Berat
d'Albanie et le Codex Purpureus", Paris 1886.
6. Prof. Ramadan Sokoli, "16 shekuj", Tiranë
1994.
7. Eduard Zaloshnja, "Disa të dhëna për
restaurimin e dy kodikëve më të vjetër",
dorëshkrim, Tiranë 2000, ruhet pranë
AQSH.
8. Shaban Sinani, "Kodikët e Shqipërisë
dhe 2000-vjetori i krishtërimit", në
"Media", 2000/6.
|