|
Në kulturën e shqiptarëve ka lënë
gjurmën e saj të thellë historia e tyre
e brendshme dhe e jashtme.
Pjesë e trevave të lashta ilirike, udhë
kryqëzimi e qytetërimeve dhe e interesave
gjeopolitike gjatë dyndjeve barbare e më pas,
provincë e perandorive të perëndimit
dhe të Lindjes, të Romës e të Bizantit,
pasi kishte bërë e çbërë
gjatë shekujve, despotate e principata të
pavarura, dhe pasi kishte formuar më së fundi
shtetin e Skënderbeut, i cili u qëndroi për
një çerek shekulli hordhive osmanve, duke
u kthyer në mburojë të krishtërimit
dhe të qytetërimit europian, Shqipëria
e cfilitur nga luftërat, pas vdekjes së heroit
të rezistencës së saj, Gjergj
Kastriot-Skënderbeut (1468), kishte rënë
në fund të shek.XV nën zgjedhën
e Perandorisë së Sulltanëve.
Vendi ishte kthyer pas në një fazë zhvillimi
ekonomiko-shoqëror historikisht të kapërcyer.
Rrjedhat normale të kulturës shqiptare, që
ecte në një hap me humanizmin evropian, u
ndërprenë. Pasoja e parë e pushtimit
ishte hemoragjia e elitës intelektuale në
Perëndim. Prej saj u shquan figura, që bënë
emër në botën humaniste, si historiani
M. Barleti (1460-1513), që botoi
në Romë më 1510 një histori të
Skënderbeut, e cila u përkthye thuajse në
të gjitha gjuhët e Evropës, ose M.
Beçikemi (1408-1526), Gj. Gazulli
(1400-1455), L. Tomeu (1456-1531),
M. Maruli (shek. XV), M. Artioti
(1480-1556) e të tjerë, që u dalluan
në fusha të ndryshme të shkencës,
të artit e të filozofisë.
Ndërkaq, në vend jeta kulturore u fashit,
monumentet e kulturës materiale e shpirtërore
u zhdukën nën rrënojat e shkatërrimit
të luftërave; gjysmëhëna e uli kryqin
dhe gati dy të tretat e popullatës në
fund të shek. XVII ishin konvertuar në fenë
islame. Por ky ndryshim drastik i strukturës fetare
nuk pengoi që Shqipëria të ishte përherë
një nga provincat më të paqeta të
Perandorisë dhe as që kultura shqiptare të
mbijetonte edhe në kushtet e një pushtimi
disashekullor, nën trysninë e islamit e të
botës kulturore të orientit, që pati
një ndikim të thellë e të gjithanshëm
në të, veçse pa arritur të shtypë
natyrën shqiptare të kulturës vendëse.
Qëndresa në fushën e kulturës u
shpreh në radhë të parë përmes
lëvrimit të shqipes në lëmë
të botimeve të teksteve kishtare, kryesisht
të qarkut konfesional katolik në veri, por
edhe ortodoks në jug.
Reforma protestante gjallëroi shpresat e zhvillimit
të gjuhës e të traditës letrare
vendëse kur prifti Gj. Buzuku solli
në shqip liturgjinë katolike, duke dashur
të bëjë për shqipen atë që
bëri Luteri për gjermanishten.
“Meshari” i Gj. Buzukut,
botuar prej tij më 1555, mbahet deri më sot,
si e para vepër e shqipes së shkruar. Niveli
i përpunuar i gjuhës dhe ortografia e stabilizuar
duhet të jetë rezultat i një tradite
më të hershme të shkrimit të shqipes,
traditë që nuk njihet. Por ekzistojnë
disa dëshmi fragmentare më të hershme
se vepra e Buzukut, të cilat flasin për shkrimin
e shqipes të paktën nga shek.XIV:
E para dëshmi që njihet është e
vitit 1332, e domenikanit freng Gulielm Adale, kryepeshkop
i Tivarit, i cili në një relacion latinisht
shkruan se shqiptarët kanë në përdorim
në librat e tyre shkronjat latine edhe pse gjuha
e tyre është fare e ndryshme nga latinishtja.
Me rëndësi të vecantë jane: një
formulë pagëzimi (Unte paghesont premenit
Atit et Bizit et spertit senit) e vitit 1492, shkruar
shqip brenda një teksti latinisht, nga peshkopi
i Durrësit Pal Engjëlli; nje fjalor me glosa
shqip i vitit 1497, i gjermanit Arnold fon Harf,
i cili pat kaluar si udhëtar në Shqipëri
dhe një fragment nga Ungjilli i Shën Mateut,
po shqip, por me shkronja greqisht, i shekullit XIV
Shkrimet shqip të këtyre shekujve s’duhet
të kenë qenë vetëm tekste fetare,
por dhe kronika historike, për të cilat flet
humanisti M. Barleti, i cili në librin e tij “Rrethimi
i Shkodrës” (1504) pohon se ka pasur në
dorë kronika të tilla të shkruara në
gjuhën e popullit (in vernacula lingua).
Me gjithë pengesat që krijoi Kundërreforma
për lëvrimin e gjuhëve nacionale në
literaturën kishtare, ky proces nuk u ndërpre.
Gjatë shek. XVI-XVII u botuan në shqip katekizma
“E mbësuame krishterë” (1592)
e L. Matrëngës, “Doktrina
e krishterë” (1618) dhe “Rituale romanum”
(1621) të P. Budit, shkrimtari
i parë i prozës dhe i poezisë origjinale
shqipe, një apologji për Gjergj Kastriotin
(1636) nga F. Bardhi, i cili botoi edhe një fjalor
e lëndë folklorike, traktati teologjik-filozofik
“Çeta e Profetëve” (1685) i
P. Bogdanit, mendja më universale e mesjetës
shqiptare.
Vepra e Bogdanit është një traktat teologjik-filozofik
që trajton me origjinalitet, duke shkrirë
të dhëna nga burime të ndryshme, çështje
kryesore të teologjisë dhe një histori
biblike të plotë, si dhe probleme të
komplikuara të skolastikës, të kozmogonisë,
astronomisë, pedagogjisë, etj. Bogdani solli
në kulturën shqiptare frymën humaniste
dhe vlerësoi rolin e dijes e të kulturës
në jetën e njeriut; ai me veprën e tij
të shkruar me një shqipe e stil të përpunuar,
shënoi një kthesë në historinë
e letërsisë shqipe.
Gjatë shekullit XVIII njohu një gjallërim
më të madh literatura e qarkut kulturor konfensional
ortodoks e mysliman. Një anonim prej Elbasanit
sjell në shqip copa të ungjillit,
T. H. Filipi, po prej Elbasanit, “Dhjatën
e Vjetër dhe të Re”. Këto përpjekje
u shumuan në shekullin e ardhshëm, me botimin
më 1827 të tekstit integral të “Dhjatës
së Re” nga G. Gjirokastriti dhe me korpusin
e madh të përkthimeve kishtare të K.
Kristoforidhit (1830-1895), në dy dialektet e shqipes,
botime që ndihmuan procesin e integrimit të
tyre në një gjuhë letrare të njësuar
dhe vunë bazat për krijimin e kishës
kombëtare të shqiptarëve me liturgjinë
në gjuhën e tyre.
Ndonëse në kahje të kundërt me këtë
prirje, duhet përmendur edhe kultura e Voskopojës,
e cila gjatë shek. XVIII u bë një vatër
e madhe qytetërimi dhe metropol i gadishullit ballkanik,
me një Akademi e shtypshkronjë dhe me personalitete
si T. Kavalioti, Dh. Haxhiu, G. Voskopojari,
veprat diturore, filologjike, teologjike e filozofike
të të cilëve objektivisht i ndihmonin
shkrimit e njohjes së shqipes.
Edhe pse letërsia që u zhvillua në Voskopojë,
ishte kryesisht në gjuhën greke, nevoja për
t’i vënë gardh islamizmit, bën
të domosdoshme edhe përdorimin e gjuhëve
amtare, duke inkurajuar zhvillimin e kulturave kombëtare.
Në shkollat e Voskopojës u përdorën
dhe arumanishtja e shqipja për mësimin e greqishtes,
kurse në shtypshkronjën e saj u shtypën
edhe libra arumanisht.
Veprat e shkrimtarëve dhe dijetarëve të
Voskopojës kanë sjellë disa elemente
të ideve të iluminizmit evropian. Më
i shquari ndër ta, Teodor Kavaljoti
është një erudit i kohës. Sipas
dëshmive të profesorit gjerman Thunman, vepra
e Kavaljotit, që mbeti e pabotuar, në pjesën
më të madhe ka trajtuar çështje
pothuajse nga të gjitha degët e shkencës
filozofike. Në të ndjehet ndikimi i Platonit,
Dekartit, Malëbranshit dhe Leibnicit.
Rezultat i ndikimit të islamit dhe të kulturës
së pushtuesit, ishte formimi gjatë shek. XVIII
i një shkolle poetike, ose i një letërsie
të shkruar në gjuhën shqipe, por me alfabetin
arab. Autorë të saj si: N. Frakulla,
M. Kyçyku, S. Naibi, H. Z. Kamberi, Sh. e D.
Frashëri, Sheh Mala, e të tjerë,
trajtuan në veprat e tyre motive të huajtura
nga letërsitë orientale, shkruan mevludë
e divane me një gjuhë të mbytur nga orientalizmat,
lëvruan lirikën dhe epin religjioz. Kjo shkollë
nuk pati jetë të gjatë dhe as ndikim
të veçantë në zhvillimet e pastajme
letrare.
Për të plotësuar kuadrin e zhvillimit
kulturor të Shqipërisë në shek.
XVI-XVIII duhet shënuar, se pati nga autorë
vendës vepra të shquara në fushë
të arkitekturës dhe të pikturës
ikonografike, ku u dalluan Onufri dhe i biri Nikolla
(shek. XVI) dhe K. Shpataraku e D. Selenica (shek. XVIII)
të cilët vazhduan traditën e artit fetar
post-bizantin, por jo pa ndikime nga Rilindja europiane.
Në fushë të artit islam mund të
përmenden kryesisht ndërtimet e kultit.
Shekulli XIX, shekulli i lëvizjeve nacionale në
Ballkan, i gjente shqiptarët pa një traditë
të mjaftueshme të zhvillimit shtetëror,
gjuhësor e kulturor unitar, me një mendësi
individualiste dhe regjionaliste, të trashëguar
nga psikologjia e bajrakut dhe e fisit, për pajosë
me një vetëdije kombëtare të pazhvilluar,
por me një shpirt rebelimi spontan. Në këtë
situatë historiko-kulturore nisi të merrte
jetë një lëvizje e organizuar mendore
dhe letrare që mori emrin Rilindja Kombëtare
Shqiptare. Ajo u frymëzua nga idetë e romantizmit
nacional dhe të iluminizmit, që u kultivuan
në rrethet e inteligjencës shqiptare, e cila
jetonte kryesisht në mërgim, në kolonitë
e vjetra shqiptare në Itali dhe në ngulimet
më të reja në Stamboll, Bukuresht, SHBA,
Sofje e Kajro.
Ringjallja nacionale, mbrujtja e shqipes si gjuhë
e kulturës, organizimi i arsimit kombëtar
dhe themelimi i letërsisë kombëtare,
në rrafshin kulturor, si dhe krijimi i shtetit
të pavarur, në rrafshin politik, këto
ishin synimet e kësaj lëvizjeje prej së
cilës lindi shkolla e romantizmit shqiptar. Ishte
ky një romantizëm tipik ballkanik, i mbrujtur
me frymën e çlirimit kombëtar, me nostalgjinë
e mërgimtarit dhe me patosin retorik të evokimit
të mesjetës shqiptare, domethënë
të luftrave të Gjergj Kastriotit. Kjo shkollë
letrare lëvroi kryesisht poezinë. Heroi i
saj ishte njeriu etik, shqiptari luftëtar, e më
pak njeriu tragjik. Nga motivet dhe format poetike,
ajo ka lidhje të ngushta me traditën folklorike.
Gjurmimi i kësaj tradite dhe botimet në fushë
të saj (“Rapsodi të një poeme arbëreshe”
më 1866 nga De Rada, “Përmbledhje
të këngëve popullore dhe rapsodi të
poemave shqiptare” më 1871 nga Z.
Jubani, “Bleta shqiptare” më
1878 nga Th. Mitko, etj.), ishin pjesë
e programit kulturor të Rilindjes Kombëtare
për afirmimin e identitetit etnokulturor të
shqiptarëve.
Dy janë përfaqësuesit më të
mëdhenj të romantizmit shqiptar të shek.
XIX: J. De Rada (1814-1903), lindur e vdekur në
diasporën shqiptare në Itali e shkolluar atje
dhe N. Frashëri (1846-199), lindur në Shqipëri,
i shkolluar në Zosimea të Janinës, por
i mërguar dhe vdekur në Stamboll. I pari është
poeti romantik shqiptar i rritur në klimën
e romantizmit europian, i dyti romantiku shqiptar që
tret në poezinë e tij ndikimet e poezisë
lindore, sidomos persiane, me frymën dhe shpirtin
e poezisë së romaantizmit perëndimor.
De Rada shkroi një cikël
poemash epiko-lirike në stilin e rapsodive shqiptare:
“Këngët e Milosaos”, 1836, “Serafina
Topia” 1839, “Skënderbeu i pafat”
1872-1874 etj. me ambicjen që të krijonte
eposin nacional për shekullin e Skënderbeut.
Pas gjurmëve të Herderit, De Rada zgjoi në
poezinë e tij mallin e për këngën
popullore dhe e ngjyrosi atë me koloritin etnografik.
Veprat e tij janë pasqyrë e jetës shqiptare
me zakonet dhe mendësinë e saj karakteristike,
si dhe dramën shqiptare të shek. XV, kur polemi
i tij i panënshtruar ra nën zgjedhën
e osmanëve. Konflikti midis lumturisë së
individit dhe tragjedisë së kombit, skenat
ndanë kroit në katund, gratë që
mbledhin kallëza në ara, burri që shkon
në luftë dhe gruaja që i qendis brezin,
të gjitha të paraqitura me një ndjenjë
lirizmi të hollë, ja ç’është
poezia e këtij poeti romantik, që u rrit në
klimën politike të lëvizjes nacionale
të shqiptarëve dhe në klimën letrare
të romantizmit kalabrez.
Naim Frashëri shkroi një
poemë bukolike (“Bagëti e bujqësia”,
1886) një përmbledhje lirikash filosofike,
atdhetare e dashurore (“Lulet e verës”
1890), një poemë epike për Skënderbenë
(“Histori e Skënderbeut” 1898) një
poemë epike religjoze (“Qerbelaja”
1898) dy poema greqisht (“O eros” e “O
alithis pothos ton skipetaron) një tufë lirikash
persisht (“Tehajylat” - Ëndërrime)
dhe shumë vepra diturore shqip. Ai njihet si poeti
më i madh kombëtar i shqiptarëve.
Naim Frashëri themeloi lirikën moderne në
poezinë shqipe. Në frymën e “Bukolikëve”
e “Gjeorgjikëve” të Virgjilit,
ai në poemën “Bagëti e bujqësia”
u këndoi punëve të bujkut e të bariut
duke i thurur një himn bukurive të atdheut
të vet dhe duke shprehur nostalgjinë e poetit
të mërguar dhe krenarinë e qënies
shqiptar. Nuk është çudi që, duke
jetuar në zemrën e perandorisë së
osmanëve, në Stamboll, të përjetonte
aq thellë fatin e atdheut të tij. Malli për
vendlindjen, për malet dhe fushat e Shqipërisë,
për varret e të parëve, kujtimet e fëminisë,
i japin forcë e vrull lirik frymëzimit të
tij.
Përjetimet subjektive të individit të
çliruar nga prangat e mentalitetit mesjetar oriental,
nga një anë, dhe nga ana tjetër panteizmi
filozofik i doktrinës sufite, i shkrirë me
panteizmin poetik të shkollës së romantizmit
evropian, u japin meditimeve lirike të Frashërit
një dimension human e filozofik universal. Poezitë
më të bukura të përmbledhjes “Lulet
e verës”, janë lirikat filozofike për
jetën dhe vdekjen, për kohën që
ikën dhe s’kthehet më, duke lënë
pas kujtime cfilitëse në zemrën e njeriut,
për krijuesin të shkrirë me universin.
Natyrë religjioze dhe anëtar i sektit bektashi,
Frashëri është një poet metafizik,
që shkriu në meditimet e tij lirike, mistikën
helenistike, me mistikën e lashtë orientale
e islame. I ndodhur në kryqëzimin e traditave
poetike e filozofike lindore e perëndimore, N.
Frashëri i tret ato në njëra-tjetrën,
por pa shtypur natyrën e tij shqiptare. Kultura
dhe qytetërimi perëndimor përcaktuan
substratin iluminist të veprës së Frashërit,
qytetërimi lindor substratin filozofiko-mistik,
kurse bota shqiptare trungun e veprës së tij.
Por duhet veçuar në veprën e tij fryma
frënge. Fryma frënge në Greqi dhe në
Turqi ishte përfaqësuese e kulturës evropiane.
Ajo gjeti shtrat të ngrohtë në vendet
ballkanike si Shqipëria, sepse u sillte popujve
të këtij gadishulli idetë e kryengritjes
frënge dhe idenë e lirisë përgjithësisht
e të nacionalizmit modern. Njohës i gjuhës
frënge, admirues i Volterit dhe i Rusoit, si mendimtar,
dhe i Lamartinit si poet, Frashëri e shikonte të
ardhmen e kombit të vet “të lindëte
andej nga perëndon”. Romantizmi i Naimit
në këtë pikë nuk dallon prej romantizmit
grek e turk, ato janë pjella e Francës.
Naim Frashëri është themeluesi i letërsisë
kombëtare të shqiptarëve dhe i gjuhës
letrare kombëtare. Ai e ngriti shqipen në
rendin e një gjuhe moderne të kulturës
duke e mbrujtur atë në modelin e ligjërimit
të shqipes popullore.
Botën subjektive të heroit romantik me shpirt
të trazuar e sjell në romantizmin shqiptar
poezia e Z. Serembes. Në poezinë e N. Mjedës
dhe A. Z. Çajupit, që jetuan në fundin
e Rilindjes, shfaqen shenjat e dezintegrimit të
sistemit artistik të romantizmit në letërsinë
shqipe.
A.Z Çajupi (1866-1930), është
një poet rustik, i tipit të këngëtarit
popullor, i mbiquajtur Mistrali i Shqipërisë;
ai i solli letërsisë shqipe komedinë
e zakoneve dhe tragjedinë me temë historike.
I shkolluar në një kolegj francez të
Aleksandrisë dhe në Universitetin e Gjenevës,
njohës i mirë i letërsisë franceze,
A. Z. Çajupi solli ndër të parët
në shqip fabulat e La Fontenit, duke hapur kështu
udhën e përkthimit e të përshtatjes
në gjuhën shqipe, të veprave nga letërsisa
botërore, që ka qenë dhe vazhdon të
mbetet një nga udhët e mëdha të
komunikimit të shqiptarëve me kulturën
botërore.
Me krijimin e shtetit shqiptar (1912) shkolla romantike
e lindur në truallin e lëvizjes kombëtare,
e humbi bazën e vet historike; ideja kombëtare
i lë udhën idesë njerëzore dhe në
zhvillimin e letërsisë shqiptare shfaqen prirje
e stile të reja.
Drejtimi kryesor që mori letërsia shqipe në
mes dy luftrave botërore ishte realizimi, por nuk
munguan as shfaqje të një sentimentalizmi
të vonuar (F. Postoli), as recidive të romantizmit.
Gjergj Fishta (1871-1940), shkroi
një poemë të përmasave të eposit
kombëtar (“Lahuta e malësisë”)
ku paraqet me frymë romantizante e me një
patos të ngritur patriotik, luftrat e malësorëve
të Veriutkundër dyndjeve sllave.
Me këtë vepër ai mbetet poeti më
i madh epik i shqiptarëve. Prift i urdhërit
françeskan, erudit dhe anëtar i Akademisë
italiane, Gjergj Fishta është një personalitet
poliedrik i kulturës shqiptare: poet epik dhe lirik,
publicist dhe satirist i hollë, dramaturg e përkthyes,
veprimtar aktiv i jetës kulturore dhe politike
shqiptare midis dy luftrave.
Vepra e tij madhore "Lahuta e malësisë”
me rreth 17.000 vargje, e shkruar në frymën
e eposit legjendar e historik të shqiptarëve,
është një pasqyrë e jetës shqiptare
dhe e mendësisë shqiptare, një mozaik
poetik ngjarjesh historike e legjendare, personazhesh
historike dhe jo historike, traditash e zakonesh të
malësisë, zanash e shtojzavallesh të
malësisë, një afresk i gjallë i
historisë së një polemi të lashtë
që pikëson në qendër tipin e shqiptarit
të gdhendur në kalvarin e jetës së
tij në rrymë të shekujve të egër
për të. Poemën e Fishtës e shquan
një pasuri e madhe gjuhësore, në të
është mbledhur tërë visari i shqipes
popullore të malësise, frazologjia e gjallë
e pashtershme dhe larmia e ndërtimeve të çlirëta
sintaksore, që i japin gjallëri e forcë
ligjërimit poetik.
Përmbledhjet poetike “Mrizi i Zanave”
me vjersha atdhetare dhe “Vallja e Parrizit”
me vjersha me frymë fetare, e paraqesin Fishtën
një poet të hollë lirik, kurse veprat
“Anzat e Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit”
e paraqesin Fishtën një shkrimtar satirik
të papërsëritshëm. Në fushë
të dramaturgjisë mund të përmenden
prej tij tragjeditë me subjekt nga mitologjia biblike
dhe antike “Juda Makabe” dhe “Ifigjenia
n’ Aulli”.
Në letërsinë shqiptare midis dy luftrave
nuk munguan as shfaqjet e sentimentalizmit (F. Postoli,
M. Grameno) dhe të një klasicizmi të
vonuar, sidomos në dramaturgji (E. Haxhiademi).
Shfaqjet e rrymave moderne, të impresionizmit,
simbolizmit e pamasizmit, ishin dukuri të veçuara
në veprën e disa shkrimtarëve (Migjeni,
Poradeci, Asdreni), pa arritur të formojnë
shkollë. Ndryshime të thella ndodhen në
sistemin e zhanreve; krahas poezisë u lëvrua
proza (Migjeni, F. S. Noli, F. Konica, E. Koliqi, M.
Kuteli etj.) dhe drama e satira (Gj. Fishta, K. Floqi).
Përfaqësuesi më tipik i realizmit ishte
Millosh Gjergj Nikolla, Migjeni (1913-1938).
Poezia (“Vargjet e lira” 1936) dhe proza
e tij përshkohen nga një realizëm i ashpër
social për mjerimin dhe pozitën tragjike të
individit në shoqërinë e kohës.
Personazhet e veprës së tij janë njerëzit
e basifondeve të shoqërisë shqiptare.
Disa novela të Migjenit janë romane në
miniaturë; subjektet e tyre paraqesin konfliktin
e individit me institucionet dhe moralin patriarkal
e konservator. Natyra e rebeluar e talentit të
Migjenit theu tradicionalizmin e poezisë dhe të
prozës shqipe duke sjellë një stil e
forma të reja në poetikë, e narracion.
Ai është nga reformatorët më të
mëdhenj të letrave shqipe, shkrimtari i parë
i nadh modern shqiptar.
Natyrë tjetër, talenti poetik L. Poradeci
(1899-1987), një poet lirik brilant, krijoi një
poezi të butë e të ngrohtë, por
me mendim të thellë e muzikalitet magjepsës
(“Vallja e yjeve”, 1933, “Ylli i zemrës”
1937.
Tronditës verbi poetik i F. S. Nolit (1882-1965),
në librin “Album” (1947) dhe elegante
proza e tij historike (“Histori e Skënderbeut”
1921). Poet, historian, dramaturg, estet dhe muzikolog,
publicist, përkthyes, mjeshtër i shqipes,
përpos burrë shteti e diplomat, ai është
gjeniu i kulturës shqiptare të shek. XX.
F. S. Noli lindi në një ngulim shqiptar të
Thrakës Lindore (Ibik Tepe), ku mori arsimin fillor;
arsimin e mesëm e mori në gjimnazin grek të
Adrianopojës, kurse studimet e larta i kreu në
Universitetin Harvard të Bostonit (SHBA).
Në moshë fare të re u lidh me lëvizjen
patriotike për çlirimin e Shqipërisë
nga pushtimi osman dhe u bë një nga aktivistët
më të shquar politikë e kulturorë
të Rilindjes Shqiptare. Më 1908 u dorëzua
prift duke inicuar idenë e krijimit të një
kishe ortodokse aautoqefale shqiptare të cilën
e themeloi më 1922.
Pas shpalljes së pavarësisë kombëtare
(1912) u bë frymëzues dhe udhëheqës
i lëvizjes demokratike në Shqipëri. Më
1924, pas fitores së një revolucioni antifeudal,
u zgjodh kryeministër i qeverisë jetëshkurtër
të dalë prej këtij revolucioni. Restaurimi
i reaksionit çifligar në dhjetor 1924 e
detyroi të marrë udhën e pakthim të
mërgimit, të cilin e përjetoi si një
ekzil biblik. Ditët e fundit të jetës
i mbylli në SHBA, ku u vendos përfundimisht
më 1932, pas ecejakjeve nëpër Evropë
si emigrant politik.
Përvoja e revolucionit të mundur të
1924-ës i frymëzoi atij një cikël
poezish me motive biblike, të përfshira në
librin “Album”. Më 1907 pat botuar
dramën po me subjekt biblik “Izraelitë
dhe filistinë”, duke dashur të aktualizojë
legjendën biblike në përqasje me përvojat
e tij si udhëheqës shpirtëror i lëvizjes
për çlirim kombëtar e shoqëror
të shqiptarëve. Më 1947 botoi anglisht
studimin “Bethoven and the French revolution”.
Përktheu në shqip shumë libra liturgjikë
dhe vepra të shkrimtarëve botërorë
O. Khajan, U. Shekspir, H. Ibsen, M. Servantes e të
tjerë.
Me poezinë, me prozën publicistike, shkencore
e kishtare, si dhe me përkthimet mjeshtërore,
F. S. Noli ka luajtur një rol themelor në
zhvillimin e shqipes moderne.
Lëvrues të shquar të prozës së
shkurtër ishin E. Koliqi (1903-1975),
M. Kuteli (1907-1967) dhe F. Konica
(1875-1942). I pari krijoi një prozë subtile,
plot kolorit të qytetit të vet, Shkodrës
(“Tregtar flamujsh”, 1935), i dyti është
një magjistar i shqipes, shkrimtari që kultivoi
stilin popullor të rrëfimit në një
prozë magjepsëse (“Netë shqiptare”
1938; “Ago Jakupi” 1943; “Kapllan
aga i Shaban Shpatës” 1944).
F. Konica është mjeshtri
që i dha fytyrë moderne prozës shqipe,
intelektuali që solli mentalitetin e mirëfilltë
perëndimor në kulturën shqiptare.
Lindi në Konicë, qytet i vogël shqiptar,
që me vendimet e Konferencës së Londrës
më 1913, të cilat e rudhën shtetin shqiptar
në kufijtë e sotëm, mbeti ne Greqi. Vinte
nga një derë e njohur, prej së cilës
trashëgoi titullin bej, vetëdijen e një
përkatësie elitare, që e manifestoi fort
në jetë dhe në krijimtarinë e tij,
por jo dhe mentalitetin anadollak lindor prej të
cilit u nda me nje buzeqeshje hokatare, që u kthye
në një sarkazëm therëse në
veprën e tij. Ndoqi një vit shkollën
jezuite të Shkodrës, pastaj Liceun Perandorak
të Stambollit, kreu me 1895 studimet për letersi
e filozofi në Universitetin e Dizhonit (Francë),
shkollimin e mbylli me kryerjen e studimeve ne Universitetin
e Harvardit, ndersa me 1912 mori, në këtë
universitet, titullin e magjistrit në letërsi
dhe arte. Master of Arts Erudit, njohës i gjithë
gjuhëve të mëdha të Evropes dhe
i disa gjuhëve lindore, mik i G.Apolinerit, F.Konica
u quajt prej të huajve “një enciklopedi
që ecën” dhe u bë për kulturën
shqiptare modeli i intelektualit perëndimor. Iu
kushtua që në rini lëvizjes kombëtare,
por, në kundërshtim me frymën mitike
idealizuese e romantizante të Rilindjes, solli
në të frymën kritike dhe përjetoi
dhomën e përjetshme të idealistit që
vuan për mendimet e tij.
Themeloi revistën “Albania” (Bruksel
1897-1900, Londër 1902-1909), që u bë
organi më i rëndësishëm i shtypit
shqiptar të Rilindjes. Publicist, eseist, poet,
prozator, përkthyes dhe kritik letrar, është
veç të tjerave autor i studimit “L’Albanie
et les turcs” (Paris 1895), “Memoire sur
le mouvement national albanais (Bruksel, 1899), i novelave
“Një ambasadë e Zulluve në Paris”
(1922) dhe “Doktor Gjilpëra” (1924),
si dhe i veprës historiko-kulturore “Albania.
The rock Garden of Southeastern Europe”, që
u botua pas vdekjes së Massachussets me 1957. Dy
novelat e Konicës i bashkon shpirti satirik dhe
shprehja alegorike e konfliktit midis dijes dhe injorancës
e konflikti midis mentalitetit të prapamebtur oriental
dhe mentalitetit modern perëndimor. Publicistika
dhe proza e tij janë model i një shqipeje
letrare të përpunuar dhe i një stili
elegant.
Vitet e fundit të jetës (1926-1939), i kaloi
si ambasador i Mbretësise Shqiptare në Washington,
ku dhe vdiq më 1942. Eshtrat e tij u sollën
në Shqipëri në vitet e fundit.
Në letërsinë e shqiptarëve të
Italisë, në periudhën midis dy luftrave,
vazhdoi tradita e shkollës romantike të shek.
XIX, Z. Skiroi (1865-1927) me veprën e tij (“Kthimi”
1913, “Te dheu i huaj”, 1940) desh të
rikuperonte kujtesën historike të shqiptarëve
të mërguar qysh nga shekulli XV, pas vdekjes
së Skënderbeut.
Gjatë Luftës Antifashiste të popullit
shqiptar (1939-1944), u zhvillua një letërsi
e rezistencës, e cila lindi në ilegalitet
përmes shtypit klandestin të Partisë
Komuniste Shqiptare. Krijimet e kësaj letërsie
ishin kryesisht shkrime publicistike, skica letrare
dhe tekste këngësh partizane. Autorët
e saj qenë luftëtarë antifashistë
të brezit më të ri (Sh.Musaraj, A.Caci,
F.Gjata, K.Jakova, Q.Buxheli).
Pas Luftës II Botërore, letërsia shqiptare
njohu një zhvillim masiv. Tipari kryesor i letërsise
dhe i arteve të kësaj periudhe, ishte zhvillimi
i tyre i orientuar ideologjik dhe levrimi i të
gjitha zhanreve, sidomos i romanit, i cili, nga nje
zhanër pa traditë, doli ne krye të procesit
letrar.
Tipi më i levruar i romanit u bë romani realist
social, me permbajtje etologjike dhe historike, me subjekt
linear (J.Xoxa, S.Spasse), por nuk mungon as romani
me kompozicion të thyer, me poetikë të
hapur dhe me një nënshtresë filozofike,
që buron nga asosacioni i ideve dhe analogjitë
historike (I.Kadare, P.Marko) dhe as romani satirik
(D.Agolli, Q.Buxheli).
Tregimin dhe novelën, e lëvruan Dh.Shuteriqi,
N.Prifti, Z.Cela, T.Laco, Dh.Xhuvani, N.Lera
e të tjerë, kurse poezinë, I.Kadare,
D.Agolli, F.Arapi, Xh.Spahiu, M.Ahmeti e të
tjerë.
Më pak, u zhvillua drama (K.Jakova
“Toka jonë”, 1955) dhe komedia (S.Çomora
“Karnavalet e Korçës” 1961).
Letërsia e kësaj periudhe në Shqipëri
u zhvillua brenda kornizave të realizmit socialist,
i vetmi drejtim i lejuar nga politika zyrtare. Por talente
te fuqishme, përtej këtyre kornizave, krijuan
vepra me një frymë opozitare të nënkuptuar
dhe me një domethënie universale.
I. Kadare (1936), me poezinë
(“Përse mendohen këto male” 1964,
“Motive me diell” 1968, “Koha”
1976) dhe sidomos me prozën e tij (“Gjenerali
i ushtrisë së vdekur” 1963; “Kështjella”
1970; “Kronikë në gur” 1971, “Dimri
i madh “ 1977, “Ura me tri harqe”
1978, “Piramida” 1992; “Spiritus”
1996 etj.), sfidoi kufizimet e kohës dhe përtëriti
letërsinë shqiptare me forma dhe motive që
e integrojnë atë në rrjedhat moderne
të letërsisë botërore.
Vepra e Kadaresë paraqet një enciklopedi artistike
të jetës shqiptare, një afreskë
të gjerë të ngjarjeve historike dhe bashkëkohore,
të përjetuara me një qëndrim filozofik
të shprehur herë hapur e herë përmes
gjuhës së Ezopit.
Filozofia, mentalitetet, dramat dhe traditat historike
e kulturore të shqiptarëve, të kaluara
në filtrin e mendimit artistik të shkrimtarit,
janë paraqitur në veprën e tij si shprehje
e identitetit kombëtar, e vitalitetit të kulturës
shpirtërore të popullit të vet dhe si
faktor i qëndresës e i mbijetesës së
tij historike.
Kadareja krijon një prozë moderne duke shfrytëzuar
gjerësisht analogjitë historike, parabolat
dhe asosacionet, legjendat dhe mitologjinë kombëtare.
Vepra e tij ka një poetikë të hapur që
vjen nga përzierja e kohëve, e rrafsheve të
ligjërimit artistik, e reales me irealen, nga natyra
e thyer mozaikale e kompozicionit.Vepra e Kadaresë
i sjell letërsisë evropiane një aromë
karakteristike mesdhetare, ballkanike dhe pasuron atë
me koloritin e një areali tipik për veçanësinë
e tij etno-kulturore.
Duke u nisur nga bota epike e legjendave dhe baladave
mesjetare, proza e Kadaresë kapërcen distancën
kohore dhe sjell në rezonancë mentalitetin
dhe ndërgjegjen artistike e mesjetare, me mentalitetin
dhe ndërgjegjen artistike të kohës sonë.
Nga përpunimi i thellë krijues i fondit të
traditave të lashta popullore, mesazhi i prozës
dhe i poezisë së Kadaresë fiton njëherësh
një thellësi historike dhe një notë
humane universale.
Krijues me një vetëdije të fortë
kritike, Kadareja jo vetëm ka poetizuar vlerat
shpirtërore të kombit të vet, por dhe
ka fshikulluar traditat anakronike, mentalitetet retrograde,
psikologjinë provinciale dhe konvencionet e jetës
së shoqërisë shqiptare.
Me frymën e disidencës, në kushtet e
diktaturës kur u krijua vepra e Kadaresë,
ka ndihmuar t’i gërryhen themelet regjimit
totalitar në Shqipëri. Ekzili i tij politik
në Francë në vitin 1990, kur në
Shqipëri sapo kishin filluar proceset demokratike,
u dha shtysë këtyre proçeseve.
Për këto vlera, vepra e Kadaresë gëzon
një popullaritet të gjerë dhe është
përkthyer në të gjitha gjuhët e
mëdha të botës (anglisht, frengjisht,
gjermanisht, spanjisht, rusisht, italisht, arabisht
etj.). Kadareja është vlerësuar nga kritika
e huaj, si një prej shkrimtarëve më të
shquar bashkëkohorë të letërsisë
botërore dhe ka fituar disa çmime ndërkombëtare.
Kadareja është sot përfaqësuesi
më eminent në botë i kulturës shqiptare.
Poet i hollë lirik dhe shkrimtar satirik D.
Agolli (1931), ka sjellë në poezinë
shqipe freskinë e një frymëzimi spontan
meditativ dhe në roman humorin e lehtë popullor
që shkon deri në grotesk. (“Shkëlqimi
dhe rënia e shokut Zylo” 1973; “Arka
e djallit” 1997). Ai është mjeshtër
i tregimit psikologjik, filozofik (“Zhurma e erërave
të dikurshme” 1964, “Njerëz të
krisur” 1995).
Nga përmbledhjet më të rëndësishme
poetike të Agollit, duhen përmendur, “Shtigje
malesh dhe trotuare” 1965, “Fjala gdhend
gurin” 1977, “Udhëtoj i menduar”
1985 dhe “Lypësi i kohës” 1995.
Agolli ka lindur në një katund të Shqipërisë
juglindore dhe mori pjesë fare i ri në rezistencën
antifashiste. Lidhja e ngushtë me jetën popullore
dhe me idealet antifashiste, përcaktuan përmbajtjen
e veprës së tij. Tipar i romaneve të
Agollit për rezistencën është aktualizimi
i vlerave të saj morale, përmes sinkronizimit
artistik të ngjarjeve të luftës me kohën
e sotme. Vepra e Agollit është bërë
shumë popullore, është përkthyer
në disa gjuhë të tjera dhe është
vlerësuar nga kritika e huaj.
Në trojet shqiptare në Kosovë dhe në
Maqedoninë Perëndimore, letërsia në
gjuhën shqipe, e përfaqësuar nga shumë
emra (E. Mekuli, A. Pashku, A. Podrimja, R. Kelmendi,
R. Qosja, D. Mehmeti, M. Isaku etj.), ndonëse e
zhvilluar në një kontekst tjetër politik
e kulturor, edhe pas luftës, ruajti lidhjet me
kulturën mëmë dhe solli në art ravgimet
dhe dramat kombëtare e humane të njeriut të
atyre trevave. Në diasporën shqiptare në
Europë, pas Luftës, nuk pati ndonjë lëvizje
të mirëfilltë letrare. I vetmi shkrimtar
me rëndësi që krijoi në atë
diasporë është M. Camaj (1925-1992),
që rreh të zbulojë në poezinë
dhe prozën e tij rrënjët e identitetit
të shqiptarit të mërguar.
Rezultati më i rëndësishëm në
kulturën shqiptare të pasluftës në
fushë të gjuhës është unifikimi
i shqipes standarte, të përpunuar në
nivelin e një gjuhe moderne.
Në fazën e sotme të tranzicionit të
shoqërisë postkomuniste, letërsia shqiptare
përjeton avantazhet e hapjes ndaj botës, por
edhe problemet që i krijohen në këto
kushte kulturës së çdo kombi, për
të ruajtur identitetin e vet.
Autor Prof. Jorgo Bulo
Literatura:
1. Historia e letërsisë shqipe I, II (Botim
i Institutit të Historisë e të Gjuhësisë
të Universitetit të Tiranës, Tiranë,
1960.
2. Historia e letërsisë shqiptare (Botim i
Akademisë së Shkencave) Tiranë, 1983.
3. E.Çabej. Shqiptarët midis Perëndimit
dhe Lindjes, Tiranë, 1994
|