Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

  Trashëgimia Kulturore
  Arkeologjia
  Besimet Fetare
  Gjuha Shqipe
  Artet e Bukura
  Fotografia Shqiptare
  Kodikėt e Shqipėrisė
  Eposi Shqiptarėve
  Kultura Tradicionale
  Kanun e Kuvend
  Letėrsia Shqiptare
  Solidariteti
  Arkitektura
  Teatri
  Kinemaja
  Muzika

  Shqiptarët Popull Solidar
 

I.

Shqiptarët si popull nuk kanë lidhje gjenetike me popujt fqinjë, në prekje territoriale të drejtpërdrejtë. Në pemën gjenealogjike të familjes indoeuropiane gjuha e tyre vendoset si degë më vete, ndërmjet greqishtes e latinishtes. Shqipja nuk ka lidhje bijërie (filiacioni) dhe as motërie me ndonjë prej gjuhëve të gjalla të familjes ku bën pjesë. Kjo - lidhja e drejtpërdrejtë burimore me paragjuhën - mund të ishte një shkak vetëveçimi për shqiptarët. Por, megjithëse të tillë, shqiptarët kanë trashëguar një shpirt solidariteti me të tjerët.

"Nënë Tereza e ka dhënë (dedikuar) tërë jetën me plot flijime në të mirë të të varfërve, të të dëbuarve, të të sëmurëve, të atyre që s'kanë strehim dhe janë pa dashuri. Ajo gjithnjë ka dëshmuar fuqinë e miqësisë vëllazërore, duke nxitur kështu zhvillimin e vërtetë njerëzor dhe shoqëror".

Papa Gjon Pali II

Kultura tradicionale shqiptare tregon se koncepti i këtij populli për "tjetrin" nuk është armiqësor, siç ndodh rëndom ndër popujt e zonave të nxehta, siç është edhe Ballkani. "Tjetri". Në këtë kulturë nuk është detyrimisht "kundërshtari". Zakonisht "tjetri" në shtresat më të hershme të kulturës shqiptare është një "i ndryshëm nga vetja". Nëse është dalluar "tjetri", kjo ka qenë më shumë një nevojë vetë-identifikimi. Lahutari i këngëve legjendare thotë se kreshniku u foli shokëve "në guhë të vet", thjesht për të konstatuar se ishte ndryshe, ishte një "alter", pa kurrfarë konotacioni ndaj atij që nuk ishte "i vet". Kjo është një dukuri e rrallë në mendësinë ballkanike. Heronjtë kulturorë të botës shqiptare dashurojnë Jevreninë e bukur (vajzën hebreje, siç e thotë emri), Llatinkën e bardhë (vashën romake, latine, po sipas emrit), çikën e Cesarit (kajzerit, mbretit), Beg-zaden e bardhë (vajzën beglereshë prej turqishtes dhe beglereshë prej persishtes). Këta heronj pinë verë me shakuj si të krishterë mëkatarë dhe falin pesë vahtet si muslimanë të denjë. Ata vishen magjarrisht (si hungarezët) dhe flasin arabisht. Aty del jelini (heleni, greku) dhe aty më tej del gumani. Kreshnikët shqiptarë adhurojnë Tanushën e bukur, që është bijë "krajli të Shkjenisë", dhe thonë për të se "gja ma t'bukur n'kët' dynja nuk kish". Kur bardi shqiptar këndon për bukurinë e Tanushës, thotë se e ka parë vetë me sy, "kur kem' pasë besë me krajli", që do të thotë "kur kemi pasë paqe me sllavët".
"Tjetri" në traditën shqiptare është aleat (si në ciklin e betejës së Fushë-Kosovës), vëllamë, mik për orë të ligë. Edhe atëherë kur "tjetri" është armiku, antagonisti, siç mund të konkludohet duke parë raportet me serbët, ata janë antagonistë që nuk bien poshtë as nga trimëria dhe bëmat, as nga pronat dhe sarajet.
Pikërisht ky koncept për "tjetrin" përbën një prej shpjegimeve etnopsikologjike të solidaritetit që ka shquar historikisht shqiptarët prej lashtësisë. Një ilustrim i shkëlqyer i kësaj cilësie gjinikuese të shqiptarëve është bashkëjetesa e tyre me bashkësinë hebreje, një prej bashkësive më të rrezikuara gjatë dy mijë vjetëve me radhë. Në hapësirën shqiptare janë ruajtur shkrime të shenjta hebreje, duke përfshirë një dorëshkrim të rrallë të "Torah-s", i njohur me emrin "Safar Tora" ose "Sefer Tora", dorëshkrim që u trashëgua brez pas brezi për pesë shekuj me radhë në Vlorë, deri në mesin e viteve '30 të shekullit të 20-të, ndonëse përmbajtja e tij vinte në kundërshtim si me letërsinë ungjillore, ashtu dhe me atë kuranike. ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e dijetarëve dhe rabinëve izraelitë, deri në vitet '30 të shekullit të 20-të, kur u mor prej tyre nga Vlora. Në shekujt e fundmë të mesjetës, kur izraelitët kishin vendosur të ngriheshin në një "rebelim të fshehtë mesianik", shtabi i kryengritjes e udhëhiqte revoltën duke pasur si rezidencë pikërisht Shqipërinë. Studiues të periudhës mesjetare ngulin këmbë se edhe varri i prijësit të kësaj lëvizjeje - Sebatai Zevi - gjendet në rivierën shqiptare.
Eshtë vështirë të gjenden raste të tejkalimit të çfarëdo gjurme të antisemitizmit, si tek shqiptarët. Në dekoracionet e xhamisë qendrore të kryeqytetit gjendet i shpërfaqur ylli i Davidit. Një varg kishash të ritit ortodoks, sidomos në qytetet jugore, kanë elementë evidentë të arkitekturës së sinagogave. Në fillim të viteve ’30, kur komisiariati për refugjatët i Lidhjes së Kombeve projektoi një shpërngulje masive të hebrenjve nga vendet europiane për t’i shpëtuar nga rreziku nazist dhe Shqipëria zyrtarisht u ftua të hapë kufijtë e saj për pranimin e refugjatëve të rrezikshëm, qeveria mbretërore e vendit e pranoi pa hezitim propozimin. Presionit të vendeve të bllokut nazifashist për ta refuzuar këtë propozim qeveria iu përgjigj me masa formale (për të hyrë në kufi hebrenjtë duhej të dëshmonin se kishin 200, 300 dhe së fundi 500 franga ari).


Gjatë luftës antifashiste Shqipëria përfaqëson vendin e vetëm në Europë ku asnjë hebrej nuk u denoncua dhe nuk u dënua.
Shembuj të këtij solidariteti ka thuajse në të gjitha situatat kritike që kanë kaluar popujt e Ballkanit. Solidariteti në rrezik, si tipar identifikues i shqiptarëve, u shpreh me bashkimin e tyre me fqinjët grekë, derisa u bënë një prej faktorëve të rëndësisë së dorës së parë për fitoren e revolucionit të tyre kombëtar. Kapedanët arvanitë u bënë prijës të revolucionit dhe pastaj edhe përfaqësues të popullit, deri në atë shkallë sa në institucionet e shtetit të ri të Greqisë së pavarur gjuha shqipe ishte një çelës komunikimi. Shqiptarët që morën në ballë rrezikun e luftës për çlirimin e Greqisë sot i kanë portretet në prerjet e monedhës kombëtare helene.
Në fillim të këtij shekulli, duke pasur në vëmendje pikërisht këtë gatishmëri të shqiptarëve për bashkim me tjetrin në kohë të ligë, poeti i Rilindjes Kombëtare Andon Zako shkruante: "Mjaft punove për të tjerë,/ o fatkeq,/ Kujto vendin tek ke lerë,/ e tek heq".
Shqiptarët kanë shprehur po atë frymë durimi dhe solidariteti ndëretnik, sa dhe toleranca e tyre e njohur ndërfetare.
Solidariteti i një populli vlerësohet veçanërisht në qendrimin ndaj kundërshtarit të mundur. Tek shqiptarët nuk njihet ndëshkimi pas vdekjes dhe armiqësia pas dorëzimit. Edhe armiku më i dhunshëm ka mundur t'i krijojë vetes kushte të sigurisë së mjaftueshme pikërisht duke njohur këtë institucion shpirtëror të shqiptarëve, ndoren dhe dorëzaninë.
Megjithëse kufijtë e Shqipërisë sapo ishin vendosur dhe hapësira e saj u shkel ushtarakisht nga armatat e të dy aleancave kundërshtare, pa përfshirë ato të vendeve fqinje, vendi arriti të ruajë asnjanësinë në vitet e ndërlikuara të Luftës së Parë Botërore, duke mos kursyer, ndërkaq, edhe ndihmën e mundshme për palët e dobëta në konflikt. Kjo periudhë, sidomos koha e luftës ballkanike, i gjeti garnizonet osmane në Berat e Fier në kushte të rrethimit të urisë dhe të kundërshtarit. Sido që kujtimi i dhunës perandorake osmane mbi shqiptarët ishte katërcipërisht i pranishëm, shqiptarët e Myzeqesë nuk ua dorëzuan ushtrive të reja asqerët e Turqisë, dhe ndanë me to ushqimin e tyre të kursyer.
Në prag të Luftës së Dytë Botërore një grup vullnetarësh shqiptarë iu bashkuan brigadave internacionaliste në mbrojtje të republikanizmit dhe të antifashistëve francezë. Njëri prej tyre ,Mehmet Shehu, u bë më pas kryeministër i Shqipërisë, kurse një tjetër shkrimtari i shquar Petro Marko, autor i një romani të mirënjohur me titull domethënës "Hasta la Vista", kishte korrespondencë me autorin e romanit "Për kë bien këmbanat", shkrimtarin e famshëm Heminguej.
Njëri prej tyre ishte edhe shqiptari kosovar Asim Vokshi i cili përfaqesoi atë pjesë të tokës shqipetare që pritej të fitonte lirinë ne fund të shekullit te njëzetë
Vullnetarët shqiptarë në luftën e Spanjës kishin gazetën e tyre.

Kur ushtritë fashiste që kishin pushtuar Shqipërinë vendosën të sulmojnë tokën greke nga territori shqiptar dhe urdhëruan mobilizimin e rinisë për në luftë, shumica iu shmang rekrutimit dhe ata që u mobilizuan me forcën e armëve dezertuan në masë në frontin e luftës italo-greke.


Megjithëse mund të mbështetej në të drejtën e fitimtarit ndaj palës së dorëzuar, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, ushtria partizane shqiptare tejkaloi menjëherë armiqësinë e një lufte të ashpër dhe i ofroi mbrojtje dhe kushte mbijetese ushtrisë së kapitulluar fashiste, duke i dhënë edhe mundësinë e bashkimit në një aleancë në luftën antifashiste. Mijëra e mijëra ushtarë të dëshpëruar të fashizmit, që nuk treguan gatishmëri të luftonin, gjetën strehë në popull, duke u veshur e maskuar si vendësit, dhe kështu i shpëtuan ndëshkimit që u kishte rezervuar ushtria naziste. Në dokumentet e komandës naziste paraqitet shqetësimi që njësitë e saj nuk arritën të gjejnë „fashistë dezertorë“ në Shqipëri. Me gjithë peshën e krimeve që rëndonte mbi ta, shqiptarët ekzorcuan urrejtjen dhe u bënë vend në vatra. Eshtë e njohur sjellja dinjitoze e komandës partizane ndaj armatës së gjeneral Azzi-t, kur, e gjendur në malet e Dibrës, në kushtet e braktisjes nga qendra, mund të priste gjithçka, që lidhej me pozitën e saj, tashmë e zënë rob.
Ushtria partizane çlirimtare shqiptare nuk i ndërpreu veprimet e saj luftarake edhe pas çlirimit të plotë të Shqipërisë. Ajo mbajti peshën e vet të përfillshme në luftën antifashiste për lirinë e fqinjëve veriorë. Pavarësisht se marrëdhëniet ndërshtetërore më pas morën karakter konfliktuoz, kur më shumë e kur më pak, kësaj sakrifice vullnetare të shqiptarëve i është njohur vlera e saj.
Shqipëria e viteve të para të pasluftës antifashiste vuri në rrezik integritetin e saj duke e mbajtur hapur për disa vite me radhë kufirin jugor për ushtritë e dëshpëruara të Greqisë, ku vazhdonte lufta civile për formën e qeverisjes dhe karakterin e sistemit politik. Në viset jugore të Shqipërisë gjenin strehë në kohë zbatice partizanët e EAM-it, të cilët, pasi rimëkëmbeshin në këtë anë të kufirit, riktheheshin për të vazhduar veprimtarinë e tyre në Greqi. Shqipëria ndau rrezikun me popullin grek, që po kalonte orë dramatike, në kohën e një indiference të pashpjegueshme që u pa edhe prej shtetesh të fuqishëm.

Bota i pa për së afërmi, jo pa çudi, përmasat e vërteta të solidaritetit të shqiptarëve, në prag dhe gjatë ndërhyrjes së ushtrive aleate euro-atlantike në ish-federatën jugosllave në pranverë të vitit 1999, kur rreth një milionë shqiptarë të Kosovës, në kushtet e dëbimit masiv nga trojet e tyre, kur ushtria serbe, për të arritur spastrimin etnik dhe boshatisjen demografike të rajonit, kishte vënë në veprim famëkeqin operacion "Patkoi", morën rrugën e jugut, kryesisht të Shqipërisë shtetërore, ku u vendosën, sipas të dhënave të statistikuara, rreth 600 mijë vetë.
Mungese (Kukesi)
Megjithëse gjatë gjithë dekadës së fundme ishin kultivuar gjithfarë psikozash të përçarjes së shqiptarëve ndërmjet tyre, deri tek krijimi i një opozicioni mbi baza etnike ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, çasti i vështirë kur çështja shtrohej "për jetë a vdekje" i gjeti shqiptarët solidarë e të vëllazëruar me njëri-tjetrin, deri në atë shkallë sa ndanë së bashku gjithçka që kishin, strehën dhe ushqimin, veshjen dhe kamjen.
Gjatë vitit 1999 Shqipëria kapërceu një provë që në kushte normale ishte e papërfytyrueshme. Përgjegjësia që morën përsipër shqiptarët, duke përballuar një shtim të rrufeshëm të popullsisë gati me një të tretën, në kushtet e mungesës së rezervave afatgjatë të ushqimit, të kufizimeve të njohura të furnizimet me ujë dhe energji elektrike, si dhe të pamundësisë për komunikim intensiv, u përcoll me admirim në mjediset perëndimore, ku, edhe në s'thuhej, paralajmërohej e pritej katastrofa humanitare dhe kriza e urisë.
Më shumë se solidariteti "mes vedi", gjatë krizës ballkanike të vitit 1999, tek shqiptarët u shpërfaq një vlerë e hershme europiane, fryma e humanizmit dhe e vlerësimit absolut të jetës, që vjen nga thellësia e shekujve, nga Rilindja Europiane e përvoja e qytetërimit perëndimor, nga kulti bashkëkohës i të drejtave të njeriut dhe filozofia kejnsiane e shtetit social.
Të gjitha këto që ndodhën, pritja e mbi 600 mijë të dëbuarve pa krijuar alarm të brendshëm e të jashtëm, siç kishte ngjarë më herët me shpërnguljet e viteve '20, bënë të besohej se nuk kishte qenë një rastësi që pikërisht në hapësirën shqiptare qe lindur një shenjtore e gjallë, Nënë Tereza e Kalkutës, shenjëzim i bamirësisë dhe i solidaritetit në të keqe, shprehje e humanizmit universal, pa dallim race, ngjyre, feje, etnie dhe rajoni. Atë shembull që humanizmi e solidariteti që krijoi Nënë Tereza individualisht e krijuan shqiptarët më 1999 bashkërisht.
Këto vlera të larta qytetare, që përjashtojnë si kompleksin e epërsisë, dhe atë të përulësisë së vetes ndaj tjetrit, shqiptarëve u janë shpërblyer në rrjedhat shpesh të dhimbshme të historisë së tyre. Arbëreshët e Italisë, që gjetën mikpritje të pakushtëzuar në fqinjin përtej detit pas vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe formuan atje ngulimet e tyre të qendrueshme, edhe sot e kësaj dite i këndojnë Moresë, që është shndërruar në një metonimi të atdheut. "E bukura More", që është një mit i këtyre këngëve të vjetra, përfaqëson kujtimin e vendlindjes, por pikërisht ky varg na jep të kuptojmë edhe një mikpritje tjetër bujare, atë të grekëve të Moresë, ku valët e shpërngulura të shqiptarëve qendronin në kalim e sipër.
Janë të pashlyeshme për shqiptarët bujaria dhe mikpritja e popullit turk në disa valë shpërnguljesh të detyruara të tyre, në kuadrin e shkëmbimit të popullatave në rastin e Greqisë dhe në rastin e marrëveshjes për pranimin e "turqve" të ish-mbretërisë jugosllave. Turqia ishte vendi që krijoi hapësirë integrimi për qindra mijë shqiptarë të deportuar nga Çamëria dhe Kosova, duke u bërë për ta një atdhe i dytë.

II.

Shqipëria është një vend në kryqëzim të Perëndimit dhe Lindjes. Kjo pozitë gjeopolitike ka përcaktuar fatin e saj. Në shekullin e 4-t, kur Perandoria Romake u nda në dy pjesë, kufiri e ndau hapësirën shqiptare thuajse mes për mes. Nëpër Shqipëri kanë kaluar pjesa më e madhe e kryqëzatave të Europës kontinentale drejt "tokës së shenjtë" - Jerusalemit, të shoqëruara me vrazhdësi e shkatërrime. Kur krishtërimi u nda administrativisht në dy pjesë, në ritualin roman (perëndimor) dhe atë bizantin (lindor), edhe vija kufizuese e pushtetit të dy kishave, e quajtura "vija e Teodosit", e ndau hapësirën shqiptare në dy pjesë. Shqiptarët, deri në shekullin e 16-të e më vonë, u përpoqën për të arritur statusin e një kishe unite, që bashkonte vartësinë perëndimore me ritualin lindor.
Prej fundit të mesjetës e këndej hapësira shqiptare ishte zonë ekuilibri ndërmjet dy perandorive më të fuqishme të kohës, Perandorisë Osmane dhe Perandorisë Austro-hungareze. Midis këtyre dy perandorive janë nënshkruar disa marrëveshje, të quajtura "kapitulacione", të cilat rregullonin barazinë e ndikimeve, duke i njohur Perëndimit të drejtën e kujdesit për faltoret e të krishterëve, përmes doktrinës "cultus protectorati" - mbrojtja e klerit.
Veçoria kryesore sinjifikative e fatit të Shqipërisë është identifikimi me fatin e urës. Kalimet e ndikimeve nga Perëndimi drejt Lindjes dhe anasjelltas kanë lënë gjurmë të shpërfaqura në etnotipin shqiptar. Ura ndërmjet dy qytetërimeve u ka sjellë shqiptarëve favoret e komunikimit dhe rreziqet e nyjes delikate: në kohëra rreziqesh, urat, këto simbole të shkëlqyera të mundimit njerëzor për një botë gjithnjë e më të madhe, janë të parat që provojnë dhimbjen e hedhjes në erë në kohë rreziku.
Shqiptarët janë popull me përbërje fetare heterogjene. Nuk ka të dhëna për strukturën e tyre demo-fetare që prej regjistrimit të viteve '30 të shekullit të 20-të. Por dihet se, sipas të dhënave të regjistrimit të fundmë, në pikëpamjen fetare bashkësia muslimane përbën popullatën shumicë. Vetë bashkësia muslimane është e ndarë në dy pjesë: bektashinjtë dhe islamikët. Në Shqipëri bektashizmi është shfaqur në fund të shekullit të 12-të dhe në fillim të shekullit të 13-të. Në vitet '20 të shekullit të kaluar, kur Ataturku ndërmori reformat e ashpra laicizuese të shtetit për krijimin e Turqisë moderne, Shqipëria u bë vendi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Edhe sot selia e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve gjendet në Tiranë. Pakkush e di se Shqipëria, ky vend i vogël, është seli e një kryeqendre botërore të besimeve. Eshtë interesant të vihet re se edhe gjatë periudhës së ateizmit nuk pati pretendime nga shtete të tjera ku ka bashkësi besimtarësh bektashinj për të marrë rolin e kryeqendrës, e cila në Shqipëri u shua.
Karakteristikë dalluese e shqiptarëve është toleranca fetare. Në Shqipëri ka dy fe (krishtërim e muslimanizëm) në një familje ose në një fis (Lurë, veri), ose dy fe në të njëjtin njeri (Shpat, Elbasan), i cili mban dy emra, si i krishterë e si musliman, dhe bën ritet e festat fetare të të dy besimeve. Heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastrioti lindi në një familje ortodokse, ndërroi fenë në oborrin e sulltanit, u bë bektashi (ky ishte kusht për t'u bërë jeniçer), u kthye në Shqipëri dhe mori fenë e babait (ortodoks) dhe kur vdiq la amanet që të varrosej në një katedrale të të krishterëve katolikë (Lezhë). Njëri nga vëllezërit e Gjergj Kastriotit, përkundrazi, kërkoi të varrosej në manastiret e Athosit, një prej vendeve të shenjta të ortodoksisë.
Në Shqipëri nuk njihen konfliktet fetare, as në formë episodike. Eshtë krejt normale që një shqiptar, nëse nuk i pëlqen prifti, predikimi apo sjelljet e tij, të braktisë kishën dhe ta kërkojë lidhjen me zotin në xhami. Një prej autorëve më të rëndësishëm të letërsisë klasike shqiptare, Pjetër Bogdani, në veprën e tij "Çeta e profetëve", citon krahas njëri-tjetrit Kalvinin dhe Avicenën. Përkthyesi i parë i librit të shenjtë të muslimanëve Kur'an ishte i krishterë (Ilo Mitkë Qafëzezi).
Muslimanët shqiptarë festojnë shën Gjergjin e shën Mërinë, një pjesë tjetër shën Nikollën e Krishtlindjet, kurse të krishterët u bëjnë vizita miqësore muslimanëve për festat e tyre karakteristike (Kurban Bajram).
Në një qytet si Shkodra, ku popullsia muslimane është e përzier me të krishterë katolikë dhe ortodoksë, në ditët e ramazanit edhe tregtarët joislamikë ndalonin shitjen e mishit të derrit në dyqanet e tyre.
Bashkësia bektashije e Shqipërisë u shpall e pavarur në vitin 1921. Bashkësia islamike vendosi ndarjen nga kalifati dhe kryeqendrën botërore të islamizmit me anë të një kongresi në vitin 1923. Ortodoksët shqiptarë shpallën autoqefalinë e tyre në vitin 1922. Bashkësia katolike nuk e ka ndërmarrë një nismë të tillë, por de facto e ka realizuar, sepse kleri i kishës franceskane ka mbajtur lidhje kryesisht me Austrinë, ndryshe prej jezuitëve dhe domenicienëve që ruajtën lidhjen me Vatikanin.
Festat fetare në Shqipëri, qofshin ato të bashkësisë së krishterë, qofshin të bashkësisë muslimane, ruajnë gjurmë të periudhës politeiste mitologjike. Shqiptarët katolikë të viseve veriore ditën e Buzmit pikërisht në ditën e Krishtlindjeve, por duke nënshtresuar në këtë festë edhe kultin e zjarrit. Shën Mëria e muslimanëve përkon me ditën e zanës - Dianës tek latinët - më 23 gusht. Bektashinjtë kanë kultin e Baba Tomorrit, që ngjason me kultin mitologjik të Olimpit grek. Një poet i krishterë i vuri për titull librit të vet emrin e Baba Tomorrit. Paganizmi që shfaqet të dy besimet kryesore, me dy nëndarjet e tyre, është faktor konvergjence. Shqiptarët kanë kultin e natyrës, festojnë ditën e malit apo të bjeshkës, mbajnë edhe sot gjarpërin dhe dhinë si totem (hyjni mbrojtëse), kanë kult për zjarrin, për gurin, për ujin dhe bukën, për udhën dhe mysafirin, për tokën dhe qiellin.
Veçori etnodalluese të shqiptarëve është se, siç thuhet, prodhojnë më shumë histori se sa mund të mbajnë si popull, manifestojnë dëshirë mbi mundësitë për qeverisje. Shqiptarët nuk kanë nisur vetë asnjë luftë, por janë popull luftëtar, për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Hapësira e shqiptarëve i është nënshtruar restriksionit, kurse mbi ata vetë është ushtruar ekspansion. U ka shkuar historia nëpër luftëra, për të ruajtur tipologjinë etnike, dhe kjo ka bërë që gabimisht të karakterizohen si popull që ka genin e luftës në shpirt. Në rrjedhat e historisë, ndryshe nga maqedonasit e vjetër, të cilët u sllavizuan; ndryshe nga trakasit antikë, të cilët u romanizuan; ndryshe nga dalmatët, të cilët pësuan të njëjtin fat, ruajtën tipin e tyre kombëtar.
Shqiptarët pëlqejnë miqësi me të mëdhenjtë. Nuk janë të prirur për aleanca të qendrueshme me partnerë të vegjël.
Momentalisht në Shqipëri sundon miti i Perëndimit. Në brezin më të ri të studiuesve ekziston, megjithatë, përpjekja për të krijuar mitin e idesë kombëtare.
Pas një shekulli mendësie romantike, që u ruajt edhe në periudhën e komunizmit, shqiptarët kanë kaluar nga etnocentrizmi në eurocentrizëm.
Ndër virtytet e shqiptarëve njihen gjerësisht në botë besnikëria, mbajtja e fjalës së dhënë, kulti i nderit dhe miti i mikut.

NËNË TEREZA
OSE "FUQIA E MIQËSISË VËLLAZËRORE"

Në ditën e marrjes së çmimit Nobel, më 10 dhjetor 1979, Nënë Tereza tha: "Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar dhe lus Zotin që paqja dhe dashuria e Tij të jenë në zemrat tona, në çdo familje".
Mungesa!
Urata e Nënë Terezës për bashkëkombësit e saj është shprehur në një strofë katërshe, në të cilën këshillat e saj paraqiten si amanet moral. Njeriu shqiptar duhet:
"Ku është urrejtja, të sjellë dashuri,
Ku është përçarja, të sjellë bashkim,
Ku është dyshimi, të sjellë besim,
Ku është dëshpërimi, të sjellë shpresë!"
Në vitin 1991 për herë të parë Nënë Tereza kishte edhe pasaportën diplomatike të shtetit shqiptar. Qytetare nderi e SHBA, e Britanisë, e Indisë dhe e disa vendeve të tjera, ajo mbante dekoratat më të rëndësishme të botës së sotme:
- "Pamada Shir" (1962);
- "Ramon Magsysay" (1962);
- "Gjoni XXIII për Paqen" (1972);
- "Samaritani i mirë", Boston (1971);
- Shpërblimi Ndërkombëtar "Xhon Kenedi" në Uashington (1971);
- "Nehru" (1972);
- "Tempelton" (1973);
- "Nëna e të gjithë nënave" (1973);
- "Balzan" (1978);
- Çmimi "Nobel për Paqen" (1979);
- Shpërblimi më i lartë amerikan "Medalja e Lirisë" (1985);
- Shpërblimi më i lartë i Rusisë "Medalja e Paqes" (1988);
- Urdhëri i Skënderbeut
Sipas presidentit amerikan Bill Klinton, "Nënë Tereza ka sjellë shpresë dhe dashuri në jetët e miliona jetimëve dhe fëmijëve të braktisur, në të katër anët e botës". Egil Aarvik, Sekretar i Komitetit Nobel për Paqen, duke vlerësuar Nënë Terezën thoshte se "ajo na ka dëshmuar se ç'do të thotë altruizëm, dashuri për të varfrit, vepra më e lartë dhe më bujare njerëzore, dashuria që s'pret asgjë, që beson çdo gjë". Piktori i njohur shqiptar Ibrahim Kodra ka shkruar: "Nënë Tereza është shprehja më e bukur e mirësisë, e humanitetit, e bujarisë, e flijimit, e gjithë asaj që mund ta quajmë shërbim në dashuri". Ish-presidenti amerikan Ronald Regan, aktor i njohur i Hollivudit, shprehej: "S'është e mundur të jesh në praninë e një personaliteti siç është Nënë Tereza, dhe të mos jesh optimist. E kemi dëgjuar dhe vështruar në heshtje, me vëmendje dhe dashuri, si heroinë të kohës sonë". Nayanatra Rey, një induist i njohur, mendon se "ajo është nëna e Indisë dhe nëna e mbarë botës, sidomos e botës që vuan, është mrekullia e dashurisë së krishterë për mbarë rruzullin tokësor". Ndërsa presidenti i republikës së Shqipërisë Rexhep Meidani ka bërë këtë vlerësim: "Nënë Tereza ishte simbol i madh i mirësisë universale. Nënë Tereza ishte një qytetare e madhe e botës, rrugët e së cilës ajo i përshkoi gjatë tërë jetës së saj në shërbim të të varfërve, të atyre që kishin nevojë, me përunjësinë e saj prekëse".


  Versioni Anglisht   [ Faqja kryesore]
 

ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa