Ç‘shpejtesi mund te arrijne qeniet njerezore?

Ç‘shpejtësi mund të arrijnë qeniet njerëzore?
 Rekordet botërore në garat e shpejtësisë ranë si të qenë gurë dominoje gjatë Lojërave Olimpike që sapo përfunduan (edhe në not, në rast se nuk e keni harruar kaq shpejt) dhe ekspertët mendojnë se qeniet njerëzore mund të arrijnë shpejtësi edhe më të mëdha se këto.

Deri gjysmë shekulli më parë, pak a shumë, nuk besonim se njeriu mund ta përshkonte 1 milje (1.6 kilometra) në më pak se 4 minuta, deri në çastin kur Roxher Banister e mbuloi në vetëm 3 minuta e 59.4 sekonda. Në Lojërat Olimpike të vitit 1936, të zhvilluara në Berlin, sprintieri Xhesi Xheims fitoi medaljen e artë në garën e 100 metrave, me rekordin 10.3 sekonda. Sot kjo kohë arrihet nga atletët e rinj të niveleve të larta në moshë shumë të re. Tani kemi pajisje dhe ambiente më të mira stërvitjeje, metoda më të përparuara trajnimi dhe diçka shumë të rëndësishme: shpërblime në para gjithnjë e më të majme. Kjo gjë ka bërë që në skenë të dalin më shumë se kurrë më parë vrapues të mirë.

Megjithatë, duhet të vërejmë se sprintierët elitarë nuk janë versioni i përmirësuar i të pasionuarve të zakonshëm pas vrapimit. Janë fizikisht të ndryshëm nga ne. Për shembull, një qenie e zakonshme njerëzore në skeletin e vet e ka të baraspeshuar balancën mes fibrave muskulore "me tkurrje të shpejtë" (inde muskulore që kontraktohen me shpejtësi, duke gjeneruar fuqi) dhe fibrave "me tkurrje të ngadaltë" (masa muskulore që përdor oksigjenin - më shumë aerobike se joaerobike), që përdorin më shumë vrapuesit e garave të rezistencës.

Muskujt me tkurrje të ngadaltë mund të kontraktohen për periudha të gjata kohore, duke shkaktuar më pak lodhje, gjë që u jep mundësi disa atletëve të mbulojnë çdo ditë distanca mjaft të gjata. Sipas ekspertit Skot Trap, i cili drejton laboratorin e performancës njerëzore në Universitetin e Indianës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe prej kohësh studion muskujt e atletëve, këmbët e sprintierëve janë bekuar me 70% muskuj me tkurrje të shpejtë dhe 30% muskuj me tkurrje të ngadaltë, gjë që u jep mundësinë t‘i hedhin hapat aq shpejt e me aq shumë forcë.

Por sprintierët elitarë si Bolti mund të zotërojnë edhe diçka tjetër, që nuk e kanë kolegët e tij të garave të shpejtësisë: muskuj me tkurrje super të shpejtë, të cilët veprojnë me dyfishin e shpejtësisë së muskujve normalë me tkurrje të shpejtë. Diçka e tillë i garanton trupit të tij edhe më shumë forcë. Skot Trap thotë se te njerëzit normalë këta muskuj me tkurrje super të shpejtë përbëjnë 1 deri 2% të masës muskulore, ndërsa te një sprintier si Bolti mund të arrijnë praninë mbresëlënëse prej 25%.

Ky arsyetim vlen për të shpjeguar përse këmbët e Boltit arrijnë të lëvizin aq shpejt, sa t‘i lërë të tjerët metra pas. Kur vrapojnë, njerëzit në thelb hidhen në ajër, duke rënë sa te një këmbë te tjetra, thotë Daniel Liberman, profesor i antropologjisë biologjike në Universitetin Harvard. Ajo çfarë përcakton shpejtësinë e vrapimit te njeriu është gjatësia e hapit- funksion që varet nga gjatësia e këmbëve, sa me forcë shtyjnë gjatë hedhjes së hapit dhe sa përpara hidhet trupi gjatë një hapi - dhe ritmi i hapave, shpejtësia me të cilën arrijnë të hedhin këmbët përpara. Ndërsa vrapuesit e garave të gjata e bazojnë shpejtësinë te hapat e gjatë, sprintierët e përftojnë pjesën më të madhe të shpejtësisë nga ritmi i madh i hapave, si dhe nga forca bruto. I përplasin këmbët më me forcë në tokë (në përpjesëtim të drejtë me peshën trupore) se atletët e maratonave.

Duket se Bolti përfiton nga të gjitha këto më shumë se kolegët. Me gjatësinë 1.95 centimetra është mesatarisht rreth 15 centimetra më i gjatë se të gjithë sprintierët rekordmenë në garat e shpejtësisë. Krahasuar me vrapuesit e tjerë gjatë Olimpiadës së Pekinit, hapi i Boltit është 30 centimetra më i gjatë, gjë që i jep mundësinë t‘i mbulojë 100 metrat e garës me 41 hapa. Atletët e tjerë i përshkonin 100 metrat mesatarisht me 47 hapa. Diçka e tillë e ndihmoi shumë, duke qenë se për sa i përket startit, nuk qe më i miri i grupit, madje ndër më të avashtët. Por shkëputet nga të tjerët pranë fundit të garës, kur "është ende në gjendje t‘i hedhë hapat më shpejt dhe me më shumë forcë se të tjerët", shpjegon Ed Koil, i Laboratorit të Performancës Njerëzore në Universitetin e Teksasit. "Ai e rrit shpejtësinë pas startit të nivelit jo shumë të lartë dhe nuk e ul gjatë 30-40 metrave të fundit, siç ndodh me të tjerët. Ka aftësinë t‘i relaksojë dhe t‘i koordinojë këmbët e tij, që janë më të gjata se të të tjerëve".

Po t‘i referohemi të shkuarës, "askush nuk mund të thotë me siguri se ç‘shpejtësi mund të arrijë në të ardhme qenia njerëzore", thotë Denis Brambli, profesor biologjie në Universitetin Jutah. Sigurish, me aq sa dimë sot, sprintierët kanë arritur t‘i rrisin gjithnjë e më shumë shpejtësitë, por siç vëren Piter Ueijand, ekspert biomekanike në Universitetin Metodisti Jugor, shpejtësitë njerëzore kanë shumë pak kohë që regjistrohen. "Nuk kemi asnjë shans të dimë nëse qeniet njerëzore mund të kenë qenë edhe më të shpejtë gjatë shekujve apo mijëvjeçarëve të shkuar".

"Sprintierët modernë duket se operojnë shumë pranë kufijve të fizikut njerëzor", shpjegon Brambli. "E megjithatë, kur dikush me trup jo prej sprintieri tipik - në fakt Bolti është më i gjatë dhe më i hollë se shumica e tyre - e thyen rekordin botëror sikur të qe lojë fëmijësh, duhet të mendohemi dy herë përpara se të vëmë baste".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama