Mban datën 1 janar 1951. Në rrëfimin e Brikenës që po botojmë përbri, të cilin ajo nuk e përfshiu tek “Sonetet”, lexuesi ka historinë se si e mbërrijnë, pas gjysmë shekulli, këtë ditë vargjet e Çabejt.
Nuk është e vështirë që lexuesi të dallojë se sa të përsosura janë ato formalisht, se gjuhëtari në këtë rast i ka shërbyer poetit kurse ky i fundit i është bindur ndjenjës. Është e rrallë gjithmonë të marrësh prej artit emocione në gjendjen fillestare, të pandikuara nga akademizmi i dijeve, i kulturës dhe formave cerebrale të përpunimit të informacionit të brendshëm njerëzor. Lexuesi ka për të ndjerë se nuk i këndohet një ideali utopik, dashurisë apo një jete të pamundur. Vargjet kanë një optimizëm të kthjellët sepse besojnë që njeriut të cilit i falet dashuria, përunjësia, dlirësia, detet, ekziston, është real:
“Ç’ëndërr kërkoj në ty, o pjekëgjata?
Të qënët bashkë, mate qetësie;
Harresë bote, kopshte plot me hie.
Të qënët vetëm e të larga dhata.
Endër të thellë si s’e jep dot nata,
As gaz as helm, po gjerësi të qetë.
Gurrë të verës ku të shuaj etë;
Çdo gjë që humba e çdo gjë që pata...”
Sa për gjuhën, edhe ajo ndihet që i kapërcen kohërat. Çabej shkruan “u” për “unë”, “ratë” për “ra”, “pameta” për “prapë”, “përpjeta” për “përpjetë”, “zbreç” për “zbresësh” etj. “Është e vërtetë që përdor dialektalizma të Gjirokastrës, por janë edhe gjurmë të shqipes së vjetër, të Buzukut dhe poetëve arbëreshë të cilët i vlerësonte shumë”, -komenton e bija dhe njëherësh botuesja e “Çabej”, Brikena. Ajo pohon ndikimin që këto sonete kanë nga poezia popullore.
Brikena e mban mend të atin tek i recitonte poezi të shkurtra për të stërvitur “gjermanishten time të varfër”. Vargje nga Gëte, Hajne, Shiler që deklamonte bukur, si një actuer manqué. “E kishte çlodhje nga puna apo nga streset e epokës”,- shton ajo.
Sonetet janë shkruar në kohën e njohjes dhe dashurisë së çiftit që prej vitit 1949 deri më 1951, i cili dy vjet më vonë u lidh në martesë. Shyhret Çabej në kujtimet e së bijës është një grua që e donte poezinë. Librat e rinisë së saj ishin botime të çmueshëm, të lidhur bukur, në origjinalin e gjuhëve tëpoetëve si Rimbaud, Baudelaire, Shekspir apo Elizabeth Broëning.
Gruaja para të cilës Çabej u ndal në moshën 42-vjeçare, kur deri atëherë të tjera kish njohur, siç u këndon aq bukur në sonetin prolog të soneteve (Brikena thotë se ky sonet ka pasur një titull, “Atyre së tjerave”) kishte patur një rini në furtunë. Me këtë pjesë të jetës ai bëri një ndarje njëherë e përgjithmonë. Nuk i ka folur kurrë së bijës për angazhimin në luftë dhe për dënimin pa gjyq në vitin 1947.
Në moshën 15-16-vjeçare Shyhreti u bë pjesë e celulës më parë të grave komuniste dhe një ndër anëtaret e para të Partisë Komuniste. Thuhet po ashtu, se ka qenë e para femër që ka dalë në mal. U përjashtua nga partia e akuzuar si spiune e Aleatëve. Një natë maji të vitit 1947 të cilën Brikena e quan “Natë Shën Bartolemeu”, kur u arrtesuan 500 vetë, Shyhreti u muar edhe ajo dhe bëri 22 muaj hetuesi.
Kështu kishte marrë fund edhe idealizmi i gruas për komunizmin e hamendësuar si humanizëm. “Sonetet”, ky libër i çmuar me fare pak fletë, ka edhe dy poezi tronditëse që edhe ato dalin për herë të parë në dritë. I kushtohen birit të çiftit Çabej, Artanit, i ikur nga jeta para kohe.
Është, megjithatë aq e rrallë fjala “vdekje” në sonetet e Çabejt. Pa dyshim që ajo ndihet, e nderë, në një formë tjetër, si kohë që rrjedh e shkon dhe që merr me vete “gjëra” që njeriut nuk i kthehen më deri në vdekjen biologjike. Dimensioni i poetit te Çabej që po zbulohet 28 vjet pas vdekjes, tregon se gjuhëtar i shquar ai “është bërë” prej poezisë, “poezisë” pa të cilën njeriu nuk bën dot asi veprash që s’i takojnë më atij por njerëzve.
Artanit
Mbi ty ku dergje te banesa jote
Të motit gjurmë ndjeki varg e varg.
Fryn er’ e malit, ndihet vera larg
E vesa shtrohet si një shtrojë e lote.
Mbi ty kalojnë muaj edhe mote
Me dit të rënda e me net të shkreta.
Mimoza frorit, pika shiu të qeta,
Nata e vitit pa një krismë gote.
Ti rri si një shenjt edhe një mbret.
Nuk ngrin prej dimri as nuk pret prëndverë;
Nuk pyet për shokë që ke tash përherë,
Për ç’le këndej, për vjet që po kalojnë,
Për sytë e errur, gjeth të mbulojnë,
Për qelq që pive, gjëmën që të gjet.
Fryn er’ e malit, bie bora larg
Fryn er’ e malit, hëna ndrit nga larg
Gazeta: Shekulli