Çela Fiton Laci ne specialistet e Kupes

Çela: Fiton Laçi, ne specialistët e Kupës

Emiljano Çela, heroi i trofeut të parë të Laçit në finalen e parë të kurbinasve në maj 2013, ka dhënë disa detaje interesante lidhur me pritshmëritë. laciMbrojtësi energjik në kulmin e karrierës mendon se shanset për ta mbrojtur kurorën janë të mëdha. Ai vlerëson kundërshtarin, por thotë që skuadra e tij është gjithnjë "një hap para".

Çela, mbërriti momenti i së vërtetës, finalja me Kukësin... Është rasti ynë ideal për të realizuar objektivat sezonalë. Po e presim me shumë interes takimin, edhe për faktin se këtë sezon nuk na kanë shkuar mirë situatat në kampionat.

Goli juaj në 119 minuta ndaj Bylisit në finalen e 2013-ës, ju ka shndërruar në heroin e klubit bardhezi...

Ishte suksesi i parë në historinë e klubit dhe të gjithë dhamë maksimumin për ta fituar trofeun. Isha me fat që u gjeta në vendin e duhur dhe kohën e duhur. Pa dyshim mbresë që nuk hiqet kurrë nga mendja. Por unë dhe skuadra triumfuam edhe vjet ndaj Kukësit me të vërtetën e madhe se ajo finale rezulton ndeshja më e bukur që kemi zhvilluar këto vite të fundit në një kompeticion kombëtar apo ndërkombëtar.

Nesër i gjithë Kurbini në "Qemal Stafa". Çfarë premton skuadra dhe Çela?

I ftoj të vijnë dhe të shijojnë një finale dinjitoze. Kemi disa javë, për të mos thënë muaj, që mendojmë për finalen. Natyrisht këtë herë do të jetë më e vështirë, pasi ne dhe sfidanti jemi aty-aty me nivelin dhe beteja për trofeun pritet të jetë më e madhe. Siguroj që Laçi dhe unë do të bëjmë maksimumin për ta mbrojtur trofeun.

Ndonjë sekret nga përgatitjet speciale të javës së fundit?

Asgjë! Trajneri Ndreu është mjeshtër i punës dhe i taktikës. Ka punuar psikologjikisht dhe teorikisht me grupin. Për të mos shtuar më pas dhe mbështetjen e madhe që na ka dhënë presidenti dhe anëtarët e tjerë të bordit. Futbollistët ndihen të çliruar nga një garë bezdisëse në kampionat dhe super të motivuar për të luajtur finalen.

Cilat "armë" favorizojnë Laçin në këtë duel?

Janë disa, por them se përvoja e futbollistëve tanë është e madhe. Unë, Buljan, Sheta, Veliaj, Sefgjini, Cetkoviç dhe ndonjë tjetër që s'po më kujtohet kemi fituar një ose dy kupa dhe mbi supe kemi një mal me përvojë futbollistike. E dyta mbetet presioni. Ne luajmë me presionin se na duhet të legjitimojmë pjesë- marrjen në Europa Ligë, ndërsa rivali, edhe pse e ka siguruar Europën, ka makthin e të "dytit". Por edhe në fushë ne dimë të sillemi si profesionistë. Kemi të ndërthurur shpirtin e garës me lojën teknike, ndërsa rivali mendoj se ka "pak nerva" dhe jo shumë vrull.

Gjithsesi, ata ju barazuan në Laç dy javë më parë, ndërkohë që trajneri, por dhe futbollisti Mici, në deklaratat pas atij takimi kanë shtuar se Kupa këtë radhë do të jetë e tyre...

Atëherë po shtoj dhe një tjetër avantazh tonin. Ne jemi pak mediatikë dhe flasim në fushë. Uroj që përgjigjen më të mirë ta japim me lojën dhe fitoren e tretë të kupës.

Nëse dështoni, keni planifikuar pushime?

Laçi nuk dështon kollaj, ndaj dhe unë nuk e gjej veten ende te planet e stinës së verës. Jeta sportive na është kthyer në monotoni, por që pëlqehet. Mbetet të bëjmë tjetrën, atë që të gjithë të pasionuarit e kësaj fanelle të festojmë të dielën në mbrëmje.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama