Çelet panairi Tirana 2015; Kim Mehmeti dhe shqiptaret e Maqedonise ne ruajtjen e identitetit

TIRANË, 11 Nëntor / ATSH - Klajdi Musabelliu / -Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Pavarësisht skepticizmit lidhur me raportin libër-individ, për të cilin mjaft autorë dhe kritikë janë shprehur gjatë ditëve të fundit se se ky raport ka humbur, çelja e edicionit të 18-të të panairti të librit "Tirana 2015" sot paradite në Pallatin e Kongreseve, dëshmoi qartazi se edhe krijuesit mund të gabojnë në perceptime apo ide që i krijon edhe evolucioni, globalizimi dhe periudha e internetit, që në fakt ka ndikuar "pakëz" për keq.

E megjithatë, edhe pse nuk pritej nga kritika, me mijra qytetarë, mbi të gjitha nën dominimin e grupmoshave të reja, i janë "vërsulur" sot panairit të librit, gjatë së cilit pasi janë prezantuar me veprat dhe kryeveprat e reja te autorëve të mëdhenj apo të rinj, vizitoret nuk kanë hezituar që të shfletojnë dhe blejnë krijimet më të fundit që prezantohen si pjesë e këtij panairi.

Çelja e panairit "Tirana 2015" nisi fuqishëm rrugëtimin e promovimimit të veprave dhe kulturës, ku midis miliarda gërmave, milona faqeve, e mijra fletëve, shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova dhe jo vetëm, sollën gjithashtu qindra tituj e autorë të cilët në ditën e parë të kontaktit me publikun dhe miqtë e librit, dëshmuan se gjuha shqipe, letërsia dhe libri nuk kane "vdekur".

Mjaft kureshtje dhe shumë lexues mblodhi promovimi i veprës më të re të autorit Kim Mehmeti, i cili pasi çeli edicionin e 18-të të panairit dhe firmosi qindra kopje, ndau me të pranishmit në sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, emocionet, pritshmëritë dhe ndjesitë e veprës me titull "Shpërngulja e të vdekurve" nga Botimet Saras, për të cilën rrëfeu gjithashtu sekretet ekskluzive apo personale që autorët kryesisht nuk i tregojnë.

"Historia e vërtetë e një shteti apo komuniteti, nuk është ajo çka ne shohim e na ofrohet vetëm nëpërmjet librave historikë, por ajo çka ne trashëgojmë edhe nga gratë, nënat apo gjyshet të cilat me rrëfimet e tyre të vërteta faktojnë se ekziston një tjetër version i së vërtetës", u shpreh Kim Mehmeti gjatë fjalës për veprën e tijë "Shpërngulja e të vdekurve".

"Beteja për identitetin kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë apo edhe fatin e tyre që historia jonë nuk e tregon, rrëfehet qartë nga dëshmitë reale të nënave e gjysheve tona, për të cilat e sjell këtë libër edhe si një përmendore për gruan shqiptare", vijoi autori Mehmeti.

Roli i gruas shqiptare, faktet dhe dëshmitë e pa publikuara më parë, gjuha e vërtetë shqipe, pra shqipja letrare, ndërtuar mbi rrëfimet gruas shqiptare në Maqedoni, vijnë në romanin e Kim Mehmetit edhe si dëshmi e një beteje të bashkjetesës midis shqiptarëve dhe maqedonasve dhe si një betejë edhe me të vërtetën dhe historinë.

"Për çdo autor është e vështirë të shprehet për veprën e tij, apo për ta shpjeguar, por mund të them se jam autor me fakte dhe sepse librit i jep shpirt autori, por pasi e mbaron dhe digjet me të, hirin e tij e shpërndan editori, i cili e rrit dhe përkujdeset", u shpreh Kim Mehmeti.

Kronikat e shqiptarëve, që i kanë mbijetuar kohërave dhe harrimit vetëm nëpërmjet gruas, e cila sipas autorit, ka luajtur një rol mjaft të madh edhe si një regjistër mjat i mirë i të vërtetës, vijnë në ndihmë të historisë së një populli të vetmuar, i cili jeton nën të njëjtën çati me popullin maqedonas, e që lufton çdo ditë për të mbrojtur identitetin.

Panairi i 18-të i librit "Tirana 2015", organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, zhvillohet nga data 11 deri më 15 nëntor në Pallatin e Kongreseve, gjatë 5 ditëve e do të shoqërohet edhe me organizimet e shumta paralele si, panele, workshope, dy aktivitete për librin dixhital, një konferencë, një workshop praktik për prodhimin e librit apo dizajnit të librit të digjitalizuar dhe gjithashtu nuk do të mungojë promovimet dhe takimet me autorët, të cilët vijnë me qëllimin e pasqyrimit të veprimtarisë librore që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare si Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë.

/k.m/ /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama