Partizani do të nisë sot zyrtarisht për gatitjet për ndeshjet e Ligës së Europës. Klubi i kuq priste një përgjigje nga FSHF nëse do të merrte pjesë në Champions League, por vonesa e lajmërimit ka detyruar drejtuesit të riorganizohen për të nisur seancat stërvitore.
"Të enjten, datë 9 qershor ekipi do të bëjë prezantimin e parë për edicionin e ri futbollistik 2016-2017. Në ambientet e "Qendrës Stërvitore të Ekipeve Kombëtare" në Kamëz, skuadra do të zbresë në fushë në orën 17:00 për të nisur zyrtarisht përgatitjet në prag të ballafaqimeve europiane", lexohet në deklaratën e klubit kryeqytetas që duket se do të përgatitet për të qenë pjesë e Ligës së Europës.
Trajneri
Por, ajo që bie në sy në njoftim është fakti që nuk bëhet me dije emri i trajnerit që do drejtojë skuadrën në këtë stërvitje të parë. Adolfo Sormani prej disa ditësh është në Tiranë, ku po kryen bisedime me drejtuesit, por ende nuk ka firmosur, çka ka mbajtur peng edhe prezantimin e tij në krye të stolit të kuq. Në një situatë të tillë, gjasat që trajneri të jetë në krye të skuadër në stërvitjen e sotme janë të vogla. Kështu që procesi stërvitor mund të drejtohet dhe nga Klevis Dalipi.
Burime të besueshme pranë Partizanit kanë konfirmuar se zyrtarizimi i Sormanit lidhet ngushtë me një përgjigje nga FSHF, për pjesëmarrjen ose jo në Chamions League. Në rast se përgjigjja është pozitive, atëherë zyrtarizimi i trajnerit nuk do të vonojë. Në të kundërt, shanset janë që Sormani të largohet nga ekipi dhe drejtuesit e kuq të vihen në kërkim të një tjetër trajneri.
Edhe pse në këtë pikë ekziston plani B, që është një rikthim i mundshëm i Sulejman Starovës. Ky i fundit e njeh mjaft mirë ambientin dhe ka mbështetjen e presidentit Demi. Gjithsesi mbeten për t'u parë lëvizjet që do të bëjnë drejtuesit në stolin e skuadrës, pas largimit të Agostinelit. Sa i takon Sormanit, i cili është më i favorizuari për të marrë drejtimin e skuadrës, CV-ja e tij nuk është shumë e pasur.
Armand Halili