Çeshtja e refugjateve Zv/Ministri Belortaja Kemi gati dokumentin e emergjences

-Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Jashtëm-

kom i jashtem (1)TIRANË, 21 Tetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Shqipëria ka përpiluar një dokument strategjik për të përballuar një situatë emergjente në rast se refugjatët nga Afrika e Veriut e jo vetëm, zgjedhin vendin tonë si korridor për të kaluar drejt Bashkimit Europian.

Siç mësohet nga Zv/Ministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja, Drejtues të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme,Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe ekspertëve përkatës kanë përpiluar një dokument strategjik emergjence në rast se në vendin tonë paraqiten refugjatë nga Afrika e Veriut. "Në dokumentin në fjalë janë parashikuar vendet e strehimit, janë parashikuar kostot, masat në kufi dhe të gjitha detajet e tjera. Dokumenti është përpunuar në bashkëpunim me homolog të huaj dhe prefektët e qarqeve", tha Belortaja, i cili ishte i pranishëm në një seancë dëgjimore në Komisionin për Punët e Jashtme, në Kuvendin e Shqipërisë.

Zv/Ministri Belortaja gjatë retorikës së tij, lidhur me çështjen e azilkërkuesve nga Shqipëria drejt Europës dhe refugjatëve nga vendet e Afrikës e jo vetëm, drejt Europës bëri një panoramë shteruese të punës së dikasterit që ai drejton. Sipas zv/Ministrit, dy çështjet janë të ndryshme dhe kanë zanafillë dhe qasje të ndryshme.

Sa i takon çështjes së azilkërkuesve nga Shqipëria drejt Europës, Belortaja tha se Ministria që ai drejton ka identifikuar katër probleme thelbësore. "Pikë së pari janë problemet ekonomike. Pikë së dyti, lëvizja e lirë, që nxit shumë shqiptarë të marrin udhën, duke parë që nuk ka barriera të shumta për të shkuar në vendet e Bashkimit Europian. Pikë së treti dëshira për të ndryshuar nivelin e jetesës menjëherë, pasi shumë nga personat që kanë marrë udhën janë "gënjyer" apo kanë marrë një informacion të shtrembëruar lidhur me atë ç'ka i pret atje. Të gjithë e dimë dhe e pranojmë se ka një nivel jetese më të mirë se këtu, por kjo nuk do të thotë se ky nivel përfitohet nga azilkërkuesi dhe së fundmi, por dhe më e rëndësishmja është veprimtaria kriminale e trafikantëve, të cilët ushtrojnë presion tek pjesa e varfër e shoqërisë për ti marrë atyre të ardhura në këmbim të azilit, që nuk do mund të fitohet kurrë", tha Belortaja.

kom i jashtem (3)Ai sqaroi se lidhur me katër pikat e sipërcituara, Ministria e Jashtme dhe qeveria shqiptare në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar kanë marrë një sërë masash.

"Fillimisht i kërkuam vendeve të Bashkimit Europian dhe mbi të gjitha Gjermanisë të na etiketojnë si vend i sigurt origjine dhe duke parë ambicien tonë për të qenë në BE, nuk mund të jemi vend burim azilkërkuesish dhe kjo u miratua mjaft shpejt, duke i dhënë mundësi shqiptarëve të kuptojnë se nuk mund të kërkojnë më asnjë lloj forme azili në vendet e BE-së", tha Belortaja.

"Po ashtu, tha Belortaja kemi ndërmarrë një fushatë promovuese për qytetarët shqiptarë që kërkojnë të shkojnë në Gjermani, atë të udhëtimit në formë të ligjshme. Të gjithë qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të shkojnë për 120 ditë në Gjermani, atje ata mund të gjejnë vendin e punës dhe më pas të vijnë në Shqipëri e të aplikojnë për vizë pune dhe kështu të ndjekin rrugën ligjore. Gjithashtu janë hapur kurse gjermanishte me financim nga ne dhe ambasada gjermane. Është duke u zbatuar një plan i qartë trajnimesh për kërkesat për punë që ofron Gjermania, si dhe jemi duke respektuar të gjitha ato çka kemi diskutuar dhe kemi rëndë në dakordësi me partnerët", tha Belortaja.

"E rëndësishme, shtoi ai, është që reformat e ndërmarra nga qeveria, sado drastike, janë mirëkuptuar nga partnerët dhe ata nuk e kanë vënë në asnjë moment në dyshim çështjen e liberalizimit të vizave, pasi e kuptojnë se këto reforma janë të nevojshme edhe pse mund të nxisin largimin e disa qytetarëve shqiptarë nga vendi i tyre", tha Belortaja, i cili shtoi se në planin afatgjatë që ka Shqipëria në drejtim të uljes së azilkërkuesve është dhe kërkesa për përfshirjen e shqiptarëve në punësimin sezonal që ofron Gjermania.

Ai vijoi më tej duke pasqyruar përgatitjet e qeverisë dhe Ministrisë në të cilën ai bënë pjesë për çështjen e refugjatëve nga Afrika apo vende të tjera, që mund të shfrytëzojnë vendin tonë si korridor kalimi.

"Vala emigratore që ka pushtuar Europën është një krizë e vërtet humanitare dhe sigurie, tha Belortaja. Është një gjendje e cila ka risqe të mëdha dhe cenon në radhë të parë interesat e vendeve pritëse, pasi me valën e njerëzve që lëvizin nga frika dhe pasiguria mund të ketë element terrorist", tha Belortaja.

Sipas tij, shumë vende janë duke përballuar me sukses këtë valë personash, teksa shtoi se dhe ne kemi bërë përgatitjet tona. " Kemi pasur diskutime të shumta. Jemi të detyruar të marrim masa. Ne pritet të jemi një korridor për refugjatët nga Afrika dhe ne nuk duam të cenojmë bashkëqytetarët tanë prej kësaj. Ne nuk duhet ta trajtojmë çëshrjen në kushte befasie, por të marrim masa. Plan emergjence është dokuneti i përpiluar për këtë rast. Në të është plani logjistik, është kosto, janë përcaktuar vend strehimet, janë forcuar pikat e kalimit kufitar, si dhe janë rritur kontrollet në kufirin e gjelbër. Kryesisht masa janë marrë në jug të vendit dhe juglindje dhe në zonë lindore", nënvizoi Belortaja.

Ai bëri të ditur se Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme, janë në bisedime për mënyrën se si do të bëhet pajisja me dokumente e këtyre shtetasve, teksa është kërkuar përshpejtim i riatdhesimit, që forca e energjia të përqendrohet tek azilkërkuesit që do hynë ne vendin tonë. Gjithashtu, shtoi Belortaja kemi hyrë në tratativa me Bashkimin Europian për të përfituar fonde të cilat janë vendosur në dispozicion përmes programeve të ndryshme lidhur me këtë krizë emigratore që po ndodh.

Kryetarja e Komisionit, Arta Dade, pas këtij pasqyrimi u shpreh se shumë shpejt në komision do të jetë dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ai i Mirqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, për të sqaruar pikëpamjet e tyre për këtë çështje.

Debatet:

Pas fjalës së Zv/Ministrit Belortaja, deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi solli në vëmendje një problematikë tjetër që lidhet me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai tha se shefi kabinetit i kësaj Ministrie është kërkuar nga shteti Grek për të kryer shërbimin ushtarak në vendin helen, ku ka dhe nënshtetësinë. Lidhur me këtë, Bumçi tha se nëse është e vërtet ky fakt, atëherë jemi përpara një skandali, pasi nuk mundet kurrë-sesi një person që ka në dorë të gjitha dokumentat e ministrie të bëhet ushtar i një vendi tjetër, për këtë ai kërkoi sqarime dhe tha se nëse lajmi është i vërtet Ministri të jap dorëheqjen.

Zv/Ministri Belortaja u shpreh se lajmi nuk ka gjetur asnjë konfirmim zyrtar deri më tani.

Deputeti i PD-së Kastrioti Islami, solli si argument në gjatë diskutimeve për problemin e azilkërkuesit një analizë të detajuar të një gazete Gjermane. Sipas të cilës, tha Islami azilkërkuesit nga Shqipëria drejtuar Europës janë për arsye ekonomike, por të motivuar politikisht dhe për të mbështetur edhe më fuqishëm këtë analizë të gazetës gjermane, Islami solli si argument dhe fjalën e Sekretarit Amerikan të Shetit, John Kerry: Vendet e Ballkanit janë viktimë e interesave të oligarkisë e korrupsionit, që shtypin popullin. Duhet shtet ligjor.

Lidhur me këtë shkrim dhe këto deklarata të sjella në komisionin e jashtëm nga Deputeti Islami, zv/Ministri Belortaja tha se "shkrimet dhe deklarata në disa raste janë dhe fryt i një informacioni shpesh herë jo fort të saktë, pasi azilkërkuesit kur shkojnë në Gjermani deklarojnë se në vendin tonë nuk jetohet, deklarojnë se politika po i shtyp..etj etj dhe këto janë justifikime për të marrë azil, e jo e vërtetat e fakteve dhe zyrtarët atje me të drejtë i referohen këtyre deklaratave, që jo gjithnjë janë sakta", vijoi Belortaja./a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama