Buzëqesh si babai, lëviz hundën si gjyshi dhe ka karakterin e fortë të hallës. Këto janë disa nga tiparet që një foshnjë trashëgon nga prindërit dhe familjarët. Por jo gjithçka që kemi brenda vetes mund të shihet nga jashtë. Për shembull, mbiemri është i padukshëm, por që ne e kemi trashëguar nga të parët tanë. Mënyra se si ne trashëgojmë tipare nga prindërit tanë, është e çuditshme. Dikur mendohej se trashëgimia ishte si një larmi ngjyrash, që tiparet e një fëmije ishin një përzierje e përsosur e tipareve të prindërve. Por sot e dimë se trashëgimia nuk ka fare të bëjë me përzierjen. Karakteristikat e një fëmije nuk janë gjithnjë e mesmja dhe e përpjesshmja e atyre të prindërve. Ndonjëherë një karakteristikë e një prindi mund të zhduket te njëri nga fëmijët e tij, por shfaqet sërish te fëmijët e fëmijëve. Është shumë më tepër se një çështje e thjeshtë përzierjeje gjenetike. Kështu, babai është i gjatë dhe nëna e shkurtër: në përgjithësi lindin fëmijë, të cilët kur rriten arrijnë një gjatësi mesatare.
Gjithashtu kur këta fëmijë bëhen prindër, mund të lindin fëmijë që kur rriten mund të jenë të gjatë, të shkurtër, ose të një gjatësie të ndërmjetme. Kjo gjë shpjegohet nga dy fakte të rëndësishme: një arsye është se ne nuk jemi të njëjtë me prindërit tanë, apo vëllezërit e motrat, edhe pse trashëgojmë të njëjtat gjene. Gjatë procesit të riprodhimit, gjenet e prindërve tanë përzihen bashkë dhe ndahen në pjesë të reja, të cilat duke vepruar me njëra-tjetrën, përcaktojnë të gjitha tiparet e lindura që na bëjnë këta që jemi. E dyta është ndihmesa e faktorëve të tjerë që ndikojnë në mënyrën sesi ne zhvillohemi, sëmuremi apo jemi të shëndoshë. Çdo aspekt i një qenieje njerëzore është një kombinim i natyrës (gjeneve) dhe rritjes (mjedisit, dietës, ekspozimit ndaj kimikateve apo infeksioneve të ndryshme, madje edhe përkujdesjes emocionale). Këta faktorë të kushtëzuar edhe nga mjedisi mund të shkaktojnë luhatje mjaft të mëdha te njerëzit.
Thirrje linguistike
I porsalinduri nuk e di, por bërtet në gjuhën amë. Një studim i bërë nga Kathleen Wermke, antropologe mjekësore e Universitetit Urzburg në Gjermani, përmes 60 foshnjave franceze dhe gjermane tregoi se pas lindjes ato bërtasin me intonacionin e gjuhës së prindërve të tyre. Edhe era e trupit trashëgohet nga prindërit. Antropologia Aleksandra Alvergne, nga Universiteti Montpellier në Francë, duke studiuar metabolizmin e një grupi personash senegalezë, zbuloi se fëmija që trashëgon aromën e trupit të njërit prind, ky i fundit është më i gatshëm të investojë te fëmija dhe t’i kushtojë më shumë kohë. Sa më shumë babai ose nëna të investojë te fëmija, aq më shumë ky i fundit bëhet më i suksesshëm.
Edhe koeficienti i zgjuarsisë trashëgohet nga prindërit: trashëgohet volumi i substancës gri, sasia e qelizave procesore të trurit, që mbledhin të dhëna; volumi i substancës së bardhë, që lidh një procesor me tjetrin.
Truri dhe muskujt
Të gjithë elementët e përmendur më lart kanë lidhje me zgjuarsinë, por kjo e fundit fatkeqësisht nuk trashëgohet. “Nëse zgjuarsia është gjenetike, pra biokimike, ka qindra mënyra për ta nxitur”, thotë Richard Haier, studiues në Universitetin e Kalifornisë. “Nuk e kemi fokusuar ndonjëherë aq shumë vëmendjen te limitet e trurit që kemi trashëguar. Të mendosh, është njësoj si të ngresh pesha të rënda. ‘Gjenet e mira’ janë si një fillim i mbarë, por truri është si muskuli, sa më shumë ta përdorësh, aq më i dobishëm bëhet”.
Edhe gjendja sociale transmetohet nga prindi te fëmija, por ky nuk është një fakt pozitiv. Në fakt, paqëndrueshmëria sociale i motivon individët të investojnë në atë që i ndihmon të rriten: studim, punë, sakrificë, bashkëpunim. Në vitin 2008, në një sondazh gjerman, 41 për qind e 50-vjeçarëve deklaronin se e kishin përmirësuar gjendjen sociale, ndërkohë që mes 20-vjeçarëve, vetëm 6 për qind deklaronin të njëjtën gjë, ndërsa 20 për qind thoshin se ishte keqësuar.
Pikërisht sepse “ashensori social” është prishur, trashëgohet edhe varfëria. Sipas OSBE-së, shumë fëmijë jetojnë në kushte të mjerueshme. Nga testet shkollore është vënë re se 67 për qind e fëmijëve që nuk kanë arritur rezultate të mira në shkollë, vijnë nga familje të varfra, ndërsa 70 për qind e nxënësve të mirë vijnë nga familje të pasura. Ky handikap vërehet edhe nëpër universitete: arrijnë të diplomohen vetëm 10 për qind e studentëve, prindërit e të cilëve nuk janë shkolluar. Me statusin socio-ekonomik trashëgohet edhe jetëgjatësia.
Në çdo vend të botës, kapitalizmi trashëgohet. Në Itali, 62 për qind e kompanive me fitim të mesëm u përkasin familjeve të pasura, ndërkohë që në Francë kjo përqindje arrin në 45%, ndërsa në Gjermani dhe SHBA 10%. E keqja është se vetëm 24 për qind e firmave familjare i mbijetojnë brezit të parë, ndërsa 14 për qind arrijnë në të tretin. Të tjerat mbyllen ose shiten.