Çiljeta por jo vetem ja cfare ndodhi gjate Partizani-Slovan

Çiljeta, por jo vetëm, ja çfarë ndodhi gjatë Partizani-Slovan

Një autobus me tifozë të Partizanit, anëtarë të grupimit "Ultras Guerrils", ka mbërritur para dyerve të "Elbasan Arena"-s rreth orës 13:00. Por, lajmi se tifozët sllovakë do të vinin në masë të konsiderueshme ka dalë i rremë. Gjatë kohës që prisnin fillimin e takimit, ultrasit e kuq kanë bërë edhe një lojë të vogël futbolli jashtë ambienteve të stadiumit.

Untitled-4

-Shfaqja e Sukajt në prag të fillimit të ndeshjes në sheshin para stadiumit, ka bërë që tifozët ta presin me ovacione dhe të mos mungojnë "selfiet" me sulmuesin e preferuar, si dhe pyetjet e shumta në lidhje me largimin nga skuadra.

-Kodi i "wirlesi"-t për median në stadiumin "Elbasan Arena" kishte një emër mjaft të çuditshëm, "lysiennn". Kështu quhet edhe shefi i sektorit të garave në FSHF. Ndoshta është thjesht rastësi.

-Formacionet e të dyja skuadrave kanë qenë me disa minuta vonesë dhe shkak është bërë një defekt teknik në printerin e stadiumit, por që është zgjidhur shpejt nga punonjësit e impiantit dhe ata të klubit të kuq.

-Edhe pse u tha që trajner për këtë ndeshje do të ishte Sulejman Starova, skuadrën e ka drejtuar Klevis Dalipi. Starova ka qëndruar në pankinë gjatë gjithë kohës, ndërsa trajneri i portierëve, Mario Kapeçe, i jepte atij udhëzimet pas konsultimeve me Starovën. Ky i fundit u ngrit në këmbë vetëm në minutat shtesë të ndeshjes, kur ekipi po rrezikonte të pësonte.

13507159_522353617959039_1645306242852831078_n

-Presidenti i të kuqve, Gazmend Demi, nuk ka munguar në tribunën VIP të stadiumit i shoqëruar nga drejtues të tjerë të skuadrës, por edhe figura të njohura si Ledio Pano e Ylli Shehu. Ai është parë mjaft i qetë gjatë gjithë ndeshjes.

-Këngëtarja e njohur Çiljeta Xhilaga nuk i ndahet skuadrës së Partizanit edhe në transfertë. Ajo ka ndjekur takimin në tribunën qendrore të stadiumit, ndërsa nuk ka ngurruar të bëjë edhe "selfie".

Ciljeta stadium

-Edhe pse u fol për rreth 100 tifozë sllovakë që mund të ishin në "Elbasan Arena", në shkallët e stadiumit janë parë 10 të tillë. Ata nuk janë dëgjuar pothuajse fare, ndërsa më të dehurit nuk kanë ngurruar të flenë. -Interesi i mediave sllovake për ndeshjen mes Partizanit dhe Slovan Bratislavës ka qenë relativisht i madh, pasi 6 gazetarë kanë qenë të pranishëm në tribunën e medias.

-Ish-trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, është rikthyer në shkallët e stadiumit për të parë një ndeshje të Partizanit. Për teknikun Duro, që ka pasur polemika publike me këshilltarin e presidentit Demi, Starovën, ka pasur zëra se mund të rikthehet në klub. Dje ai kishte zgjedhur ta shihte ndeshjen në një nga kabinat, lart tribunës VIP duke tymosur edhe një puro. Ndërsa në pushimin midis dy pjesëve është parë të flasë me Drejtorin e Përgjithshëm, Genc Tomori.

-Trajneri që pritet të marrë Partizanin pas datës 30 qershor, Adolfo Sormani, ka zgjedhur gjithashtu ta ndjekë takimin në një nga kabinat e stadiumit. Ai ende nuk është prezantuar publikisht në krye të të kuqve.

-Sulmuesi i larguar dje nga Partizani, Xhevahir Sukaj, e ka ndjekur sfidën e djeshme larg tribunës VIP, madje nuk ka pasur asnjë kontakt me drejtuesit. Por, sulmuesi ka pasur një bisedë me ish-mesfushorin e të kuqve, Dorian Bylykbashi, që gjithashtu ishte i pranishëm.

Sukaj Bylykbashi

-Tre lojtarët nigerianë që i janë bashkuar Partizanit kohët e fundit janë parë dje në stadium duke ndjekur takimin. Ata pritet të jenë pjesë e skuadrës së dytë.

-Masat e policisë në takimin mes të kuqve dhe Slovan Bratislavës nuk ishin shumë të rrepta, ndikuar edhe nga mungesa e tifozëve miq në stadium.

-Në minutat e fundit të takimit, ka pasur edhe një përplasje mes ultrasve të Partizanit dhe policisë, por që është shuar shumë shpejt.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama