Gazeta sportive italiane "Corriere Dello Sport" ka publikuar një intervistë të Armando Sadikut, në të cilën sulmuesi shqiptar tregon jo vetëm emocionet pas golit historik me Rumaninë, por edhe atë që ëndërron të bëjë në të ardhmen, objektivin që ka për karrierën e tij.
"Nuk e kuptoj nga qendra e kombëtares se sa është përhapur goli im, por më kanë telefonuar shumë njerëz. Pastaj edhe shokët e ekipit ma kujtojnë vazhdimisht. Sigurisht, sa më shumë kohë kalon, aq më shumë jam i lumtur. Të gjithë së bashku kemi bërë një gjë të madhe. Tani po prek qiellin me dorë. Ndërsa shokët më thonë: A e di se sa lojtarë më të fortë sesa ne kanë kaluar në Europian pa shënuar? Unë ia dola", tregoi sulmuesi shqiptar.
Ai bën të qartë se ëndrra e kualifikimit të kuqezinjve është reale, ndonëse e vogël. "Shpresojmë shumë, pasi ne jemi skuadër e ndërtuar për ndeshje me eliminim direkt. Në një ndeshje të tillë japim gjithçka, ndërsa në grup humbëm pak rrugën, mëkat. Tani shohim ekipet e tjera dhe kthehemi në tifozë. Nisje e ndrojtur e turneut? Sinqerisht po, tani ndjehemi më të fortë. Shpresojmë të kemi në dispozicion një tjetër ndeshje për ta treguar".
Sadiku ka zbuluar se ëndrra e tij është që të luajë në të ardhmen në një skuadër të Serisë A. "E flas mirë italishten? Kam jetuar për katër vite në Tiçino (lokalitet i Zvicrës italiane)... Pastaj adhuroj Serinë A... Tani, ndërsa flas, shpresoj që një ditë të më jepet shansi. Shokët e mi më kanë folur mirë për atë kampionat, është kampionati i parë në të cilin do të dëshiroja të luaja", ishin fjalët e Sadikut.