Ëndrra e madhe e komisar Katanit
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
"Nëse nuk do të kishte qenë për ‘68-ën, sot do të isha një komisar policie në pension", nis të rrëfejë Mikele Plaçido. Në vitin 1967, kur ishte vetëm 21 vjeç, ishte polic në Romë. "Nuk do ta kisha marrë kurrë iniciativën për të konkurruar në Akademinë e Arteve, nëse nuk do të kishin qenë rrëmujat e asaj kohe. Sepse mendoja që një djalë i varfër si unë nuk do të kishte kurrë mundësi të krahasohej me fëmijët e familjeve borgjeze, që e frekuentonin atë". Në fakt, ‘68-a është edhe tema kryesore e "Ëndrra e madhe", filmi i nëntë ku i madhi Mikele Plaçido luan rolin e regjisorit. "Kisha menduar për këtë qysh gjashtë vjet më parë. Filmi nuk tregon vetëm ëndrrën e një polici që donte të bëhej aktor, por kemi ndërthurur bukur edhe ngjarjet e mëdha të asaj kohe, si pranverën e Pragës, figurën e Ian Palch, vdekjen e Martin Luter Kingut dhe Bob Kenedisë, ngjarjen jo shumë të njohur të vrasjes së qindra studentëve në Qytetin e Meksikos gjatë Olimpiadës, majin parisien dhe disidencat e para në BRSS". Ideja për të treguar jetën private të tre protagonistëve më në fund u bë realitet, por më interesant është raporti i aktorit me policinë. "Jugu i izoluar ku jam rritur, nuk më ofronte shumë mundësi të mëdha për jetën. Im atë, një gjeometër, përpiqej me mish e shpirt që gjithë vëllezërit dhe motrat të shkolloheshim. Motrat dhe vëllezërit e mi, tetë gjithsej, pesë meshkuj dhe tre femra, studionin të gjithë në Bari, ndërsa për mua studimi ishte gjëja e fundit në botë. Në moshën nëntëvjeçare vendosa të ndiqja rrugën e xhaxhait tim, që ishte misionar.
Kështu që u bëra prift. Shkova në një kolegj fetar, ku qëndrova katër vjet, por nuk isha fare i lumtur. Siç më ndodh gjithmonë, u bëra menjëherë lider i vogël. Edhe pse nuk isha arrogant, nuk i kisha qejf të parët e klasës, dhe preferoja të qëndroja me ‘të këqijtë‘ në bankat e fundit. Të gjithë ata që i përjashtonin nga shkolla, ishin miqtë e mi më të mirë, derisa më përjashtuan edhe mua". E thirrën sërish, por Mikele nuk e mposhti dot shpirtin prej rebeli: "Nuk arrija ta pranoja disiplinën. Hierarkia katolike ishte shumë shtypëse dhe shpesh më është dashur të përballem me ndëshkime të rënda. Por e vërteta e përjashtimit tim nga kolegji fetar ishte se në moshën 13-vjeçare fillova të shfaqja impulset e para seksuale dhe me zakonin për të thënë gjithmonë të vërtetën, në këndin e rrëfimit tregoja se më pëlqenin shumë gratë dhe ëndërroja gjëra ‘të papranueshme‘. Për më tepër, masturbimi konsiderohej mëkat që duhej ndëshkuar. Nuk u betova kurrë se do të qëndroja i virgjër, ndaj më përzunë. Por pavarësisht këtyre, në ato katër vjet mësova se edukimi katolik ishte shumë formues në planin kulturor. Figurën e Jezusit e ruaj përherë me vete dhe besoj në Zot me gjithë shpirt. Kam besuar dhe vazhdoj të besoj ende". Debutimi i Plaçidos në fushën e aktrimit do të ishte shumë i veçantë. Që në kolegj recitonte dhe ishte pjesëmarrës në pjesët e vogla teatrale që organizonin priftërinjtë. Pastaj filloi të lexonte shumë. Shekspiri dhe Hamleti ishin të preferuarit e tij. Por, i vetmi peng ishte ai i shkollës. "Im atë po mendonte të më sistemonte në ndonjë punë të lehtë, sepse e kishte vënë re se nuk kisha dëshirë për shkollë, pasi për herë të tretë kisha braktisur institutin teknik industrial të Altramurës. Atëherë më erdhi një ide. Kisha marrë informacione se si mund të hyje në akademi. Duhet të ishte 21 vjeç dhe i përjashtuar nga shërbimi ushtarak.
Mendova me vete: 18 vjeç do të bëhem polic, deri në moshën 21 vjeç, kur të përgatitem për të hyrë në akademi. Ishte një projekt i çmendur. Falë ndihmës së një xhaxhai, u nisa për në Romë". Ashtu si realiteti, edhe "Ëndrra e madhe" tregon shumë aspekte private të jetës së Mikele Plaçidos, ku mes të tjerash edhe takimin me një vajzë borgjeze katolike, "një vajzë e mrekullueshme, me të cilën u dashurova çmendurisht dhe më ndihmoi për t‘u përgatitur për provimin e akademisë. Isha me fat, arrita ta merrja provimin dhe i thashë lamtumirë policisë, periudhë nga e cila kam kujtime të pashlyeshme. Në ato vite isha represiv dhe antikomunist, por zura shumë miq që më ndihmuan për të arritur ëndrrën time". Debutimi në teatër do të ndodhte rreth viteve ‘70, ndërsa roli i parë në kinema do të vinte katër vjet më vonë. "Ishte një përzierje mes zgjedhjesh dhe fatit. Kisha oferta për filma të shkëlqyer, megjithatë preferoja të punoja me autorë të vështirë, që do më ndihmonin të rritesha profesionalisht". Sigurisht, nuk e imagjinonte kurrë se në vitin 1983 triumfi i filmit serial, "Oktapodi", dhe popullariteti i komisar Katanit do ta shndërronin në një yll të adhuruar nga gratë dhe njerëzit e vendeve ku shfaqej.
"Kam qenë aktori i parë i televizionit që u bëra i njohur në të gjithë Evropën. Akoma sot më ftojnë në Rusi në përvjetorët e Armatës së Kuqe dhe kam raporte me presidentët e ish-BRSS më shumë se sa ka Berluskoni apo çdo politikan tjetër italian. Por ajo që nuk kuptoja ishte interesi i madh që tregonin gratë. E të mendosh që me vete thosha pse nuk jam si vëllezërit e mi, i gjatë e me sy bojëqielli, si babai". Megjithatë, gratë zënë një vend të rëndësishëm në jetën e aktorit italian. "Është e vështirë të flasësh pas kaq vitesh, por mund të them se kanë qenë tre gratë që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën time, edhe pse nuk jam treguar besnik me to: gruaja e parë, e dyta dhe Federika, shoqja që kam tani". Por ajo që vlerëson më shumë është figura e roli i një babai model. "Kam pesë fëmijë të mrekullueshëm dhe gjithmonë e kam kuptuar dëshirën ‘për t‘u bërë nënë‘ të grave me të cilat kam jetuar". Po besnikëria? "Nuk jam një shembull i mirë, por tradhtitë ndodhnin gjithmonë kur një lidhje kishte përfunduar. Për shembull, me Federikën, me të cilën kam një lidhje shtatëvjeçare. Nuk më ka shkuar kurrë ndërmend ta tradhtoj. Karriera, gratë, popullariteti nuk ndikuan aspak në zgjedhjen e rrugës së gabuar, ndaj Mikele sot e përkufizon veten: "njeri plot virtyte". "Me rolin e komisar Katanit fitova privilegje që as do t‘i kisha ëndërruar, por fama nuk ishte qëllimi im. Doja vetëm t‘u dhuroja emocione të gjithë atyre që shikonin një film ku luaja". Të njëjtën gjë dëshiron të bëjë edhe sot, me "Ëndrrën e madhe". "Jam 62 vjeç dhe e vetmja gjë që dua është që të lë një ndjenjë pozitive. Aty kam bërë një përqasje mes të kaluarës dhe të tashmes. Shoqëria e sotme po shkon drejt shkatërrimit. Dua të them edhe se politikanët e sotëm nuk janë më të mirë se ata të së kaluarës. Nuk e di si do të pritet filmi, por nëse do të shërbejë për ta bërë dikë të mendohet, do të jem i lumtur. Sepse një film për diçka duhet të shërbejë".
Gazeta: Shqip