Skandalin e bëri publik ish-drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, i cili shpalli me shumë bujë fillimin e një operacioni urgjent shpëtimi. U ngrit edhe një laborator (laborator i thënçin) në katin e tretë të Muzeut Kombëtar, që puna të merrej mbarë e të mos zhvendoseshin ikonat.
Por kësaj historie shumë shpejt i doli tymi. U bllokua pa nisur mirë. Mungesa e ambienteve të përshtatshme, por më së shumti përplasjet mes institucioneve (IMK-MHK) bënë që puna të ndërpritej dhe restauratorët të hiqnin dorë nga ky operacion. Drejtorët e institucioneve ia hidhnin fajin njëri-tjetrit për këtë ngërç. Që atëherë kanë kaluar 2 vjet e gjysmë. Restauratori Mustafa Arapi, i cili nisi dikur operacionin e shpëtimit, i rikthehet sërish kësaj çështjeje. “Është për të vënë alarmin! Ikonat po shkatërrohen”, - thotë ai, teksa e quan të pamend kalimin e ikonave nga IMK-ja në muze, ku është e vështirë të restaurohen për mungesë të kushteve.
Kjo pasuri ikonografike i takon shekujve XII - XIX. Arapi thotë se ato u morën prej kishave të ndryshme të Shqipërisë në vitin 1989, u grumbulluan nëpër magazina dhe për disa vite “bujtën” në Muze. “Mes tyre ka ikona të shkollës së Onufrit, shumë pak janë të shek. XII, me vlera të rralla dhe mund të krahasohen me nivelet më të larta të artit italian. Mes tyre është edhe firma e Selenicasit, Shpatarakut, Zografit, Çetirëve, të mbledhura nga kishat e Gjirokastrës, Sarandës, Beratit, etj”. Kur ikonat “u zbuluan” në depon e MHK-së ishin në gjendje shumë të rëndë. Vihej re rënie e grundit, prej së cilit rrezikohej rënia e shtresës piktorike, e të tjera probleme të shkaktura nga vitet dhe kushtet e papërshtatshme ku ruheshin.
Puna nisi me më të dëmtuarat, por siç mësohet, i gjithë rezultati i asaj buje ishin 3 ikona të restauruara, në një kohë kur objektet që kishin nevojë për ndërhyrje ishin 800. Fatmirësisht përfituan një vendruajtje më të mirë. Ende nuk u janë siguruar kushtet klimatike optimale, por të paktën nuk gjenden më një mbi një, por me hapësirat e duhura. Drejtori i tanishëm i MHK-së, Kasëm Biçoku, thotë se ikonat “do të vazhdojnë të restaurohen”, se operacioni është marrë përsipër nga një shkollë italiane restaurimi, që bashkëpunon me atë të hapur pranë IMK-së. Por drejtori Biçoku ka të tjera projekte. “Do të ngremë laboratorin tonë, si në të gjithë botën, kështu që nuk është e nevojshme që objektet të dalin jashtë muzeut.
Si ikonat, ashtu edhe objektet etnografike që do të vendosen në muzeun etnografik, duhet të restaurohen këtu. Laboratori është pjesë e rikonceptimit të muzeut. Është kërkesë e kohës”, - thotë Biçoku, teksa e quan “shoë mediatik” atë të dy viteve më parë. Sipas tij në këtë drejtim ka një projekt konkret (të cilin drejtori dëshiron “ta zbulojë” më vonë), i cili i është paraqitur Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe pritet përgjigje, akordime fondesh… Që do të thotë se ikonat duhet të presin gjatë deri sa të shohin dritën e restaurimit në laboratorin e Muzeut. Drejtoresha e restaurimit në IMK, Edlira Çaushi, thotë se ngritja e një laboratori të kompletuar nuk është edhe aq e thjeshtë. Vetë IMK-së i janë dashur vite për të krijuar një laborator, madje është ende në proces plotësimi. Po kështu edhe për formimin e njerëzve, e restauratorëve të kualifikuar, që nga sa duket në Shqipëri janë të paktë, duhet kohë dhe investim i madh.
Sa për ikonat e Muzeut, Çaushi thotë se pikërisht tani ka në duar dokumentacionin për të tërhequr nga muzeu disa nga ato që do t’i nënshtrohen studimit dhe restaurimit. Por vetëm disa ama, ndërsa pjesa tjetër duhet të presë që ëndrrat e drejtorëve të bëhen realitet. Nëse punohet me ritmin 3 ikona në 2 vjet e gjysmë, atëherë do duhen shekuj që të përfundojnë të gjitha. Por deri atëherë shkatërrimi do të jetë i pakthyeshëm për shumë syresh. Koha nuk është në favor. Kur ato u nxorën nga bodrumi, ish-drejtori Baçe tha se ishte faji i qeverisjes së mëparshme (socialiste) që kjo pasuri është lënë në dorë të fatit. Po tani i kujt është faji, që ikonat nuk restaurohen, i qeverisjes, i përplasjeve institucinale, i drejtorëve futuristë, i mungesës së projekteve konkrete….?
Gazeta: Shekulli