Pas frustimit komunist 45-vjeçar që iu bë sistemit arsimor dhe shkollave tona, në veçanti atyre të larta, depolitizimi i tyre ishte një nga iniciativat më të domosdoshme të ndërmara në vitet e para të pluralizmit politik. E cila u përshëndet pa masë nga studentët dhe pedagogët. Në ato kohë akte shumë efikase ishin prishja e celulave ppsh-iste brenda universiteteve e fakulteteve, mos-lejimi aty i veprimtarive të ndryshme partiake, rehabilitimi i profesoratit të dënuar gjatë rregjimit, etj. Ndërkohë u vërejtën edhe mangësi e gabime jo të pa-rëndësishme...
...Së pari, as për sektorin e arsimit nuk u analizuan në mënyrë institucionale “bëmat” e kohës së diktaturës dhe sidomos ngjarjet më flagrante të persekucionit politik nga të cilat vuajtën edhe profesorë e pedagogë të caktuar. Ishte koha kur në shkolla si themele “edukimi” ishte represioni politik dhe kur veprimtaria e tyre zhvillohej mbi bazën e ca elementëve mekaniko-gjeometrikë të përçudnuar si: trekëndëshi revolucionar, boshti ideologjik, levat e partisë etj. Kur një pjesë jo e vogël e specialistëve të aftë nuk përfilleshin, shaheshin e denigroheshin, nga pushteti dhe politika. Por, sidomos nga disa jeniçerë fanatikë partiakë. Sepse quheshin mëndjemëdhenj, “me tangërllëk”, “të pa-aplikueshëm”, “ironikë” e të tjera si këto cilësime. Ashtu siç dëgjon jo rrallë dhe sot të thuhet (me mllefin e inferioritetit) për njerëz të punës dhe me kontribute. Ata i kapte kollaj dhe “qarkullimi i kuadrove”, duke i kaluar nga një sekretar nën një sekretar tjetër.
Fatkeqësi e madhe ishte sidomos fakti që disa elementë të spikatur për vlerat e tyre morale e shkencore-mësimore e pësuan shumë më keq. Sikurse i ndodhi psh në mes të viteve ‘1970 edhe një kolegut tonë të ish-katedrës së Rezistencës së materialeve në Fakultetin e atëhershëm të Inxhinierisë, diplomuar jashtë me rezultate të larta dhe me bagazh të rëndë shkencor e inxhinierik. Sot ai jeton i qetë në vendin e lirive, SHBA. Por, dhe aty ka mbetur gjithnjë një kritik “i pandreqshëm” kundër çdo lloj propagande boshe dhe akademizmit abuziv e fodull që vegjeton në Shqipëri.
Do të mendonim se modelet dinjititoze intelektuale e inxhinierike shqiptare, të pa-epura edhe nën diktaturë, janë më të dobishme se afishimi në korridore universiteti i fotove të rektorëve që kanë patur këto institucione. Për faktin se - krahas jo pak rektorëve fisnikë e kompetentë nga ana profesionale, pavarësisht afilimit politik të tyre – në rreshtat e tyre nuk ka si të mos mungojnë dhe figura të errta ose pa vlera.
Nuk dihet nga erdhi kjo mani nëpër institucione, që përfshiu edhe korridoret e dikastereve dhe universiteteve, për të vendosur aty fotot e drejtuesve dhe udhëheqësve të tyre. Për historiçizëm, për nostalgji apo ndoshta dhe për “pak” narcisizëm të drejtuesit aktual që “natyrshëm” e ka në korridor edhe foton e tij? Bota perëndimore mund të aplikojë me dobi dhe ndoshta pa fare probleme këto forma nderimi. Por, mendojmë se ato, njëherë për njëherë të paktën, janë të pa-adoptueshme në Shqipëri. E cila s’ka as çerek shekulli ndarje nga koha kur kudo ishte “politika në plan të parë”, kur monopolin e gjithë drejtorëve, rektorëve përfshirë, e kishte “partia e klasës. Prandaj, na duket me shumë vend vendimi i marë këto ditë në një ministrí për heqjen nga korridoret e saj të fotografive të të gjithë ish-ministrave që kanë drejtuar aty (“Standard”, 3.2.2014).
Një veprim jo korrekt që u bë i lidhur me depolitizimin e shkollës së lartë në vitet e para të demokracisë ishte dhe largimi i imponuar nga puna, i disa kolegëve tanë për arsye përsëri biografike: lidhje të afërta familjare me nomenklaturën e lartë komuniste. Psh, në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit - FIN, sikurse ndoshta edhe në fakultete të tjera, “me urdhër nga lart” në vitin 1992 u hoqën dy-tre pedagogë. Ata ishin (dhe mbetën) personalitete në drejtimet e tyre mësimore-shkencore. Spikaste veçanërisht emri i të paharruarit, mikut tonë Agim Myftiu. Që ishte dhe mbeti një jo-konformist kalibri dhe demokrat në shpirt, arkitekt i formuar, por sidomos një “qytetar i parë” i studimeve mbi qytetin e traditës dhe të sotmin, një “Major” modern i tyre. I cili, duke qënë ndër më të kulturuarit dhe më kompetentët në fushën e tij - ku la gjurmë të vërteta me projektime, studime, por dhe në mësim-dhënie dhe udhëheqje të punimeve të diplomave - preferoi gjithnjë me modesti jo të shtirur një profil të ulët. Pa u imponuar me grada e tituj shkencorë dhe pa teserën e partisë së dikurshme, të cilat nuk i lakmoi asnjëherë. Por që mund t’i merrte fare lehtas , mbështetur te emri i rëndë i të atit (partiak i lartë dhe ish-kreu i një komisioni famëkeq të diktaturës). Agimi u largua i fyer nga FIN-i në vitin 1992 vetëm për të mbushur ndonjë statistikë të stilit demo-komunist të kohës. Duke i bërë dëm në radhë të parë shkollës dhe studentëve. Pranë të cilëve u ri-kthye më 1997. Por, natyrisht i lodhur nga denigrimi dhe keq-trajtimi i pamerituar. Që jo rrallë u është bërë e u bëhet ende këtu njerëzve me kontribute. Dallkaukëve dhe sharlatanëve jo, zakonisht.
Inspirime dhe praktika nga bota e vjetër vërehen edhe te ca autoritete autokratike që nuk i mungojnë as sot shkollës së lartë. Të cilët, si dikur, sa marrin post i sheh fillimisht të preokupuar në piketimin dhe krijimin e klientelës së tyre. Kur misioni u del me sukses, me anën e “procedurave demokratike” - por falë gjithashtu “institucionit” të heshtjes dhe frikës, jo pak prezente në universitete - klientela promovohet dhe kthehet nga anonime në triumfuese. Kështu, një dikush “kot” i zgjedhur a emëruar në kryesimin e një sektori të caktuar i siguron
autoritetit të lartë që edhe aty të jetë ky kryetari “de facto”, për të kontrolluar deri dhe vendim-marrje e detaje sekondare. Formohet në këtë mënyrë një bllok solidar mediokrish, që, për interesat e veta, tenton denigrimin, margjinalizimin e mundësisht përjashtimin e vlerave profesionale që ka akoma ky vend. Bllok që pas çdo kritike konkrete me shëmbuj, reagon në mënyrë tipike komuniste, duke shantazhuar dhe shpifur ndaj personit pa u marrë fare me fenomenin që diskutohet ose kritikohet. Përfundimi: jemi aty ku na vlerëson bota, dmth në fund ose aty afër.
Edhe fakti që akoma në kohën e sotme disa autoritete të shkollës që (vetë)quhen pjesë e “elitës universitare dhe akademike” të vendit e katandisin veten në “intelektualët e listave dhe të peticioneve” flet qartë se ku jemi akoma me përulje dhe servilizma politike. Ftesat dhe organizimet e bëra për ndonjë partiak në pushtet, që ai të mbajë në salla universiteti mbledhje elektorale, janë po aq të pa-pranueshme për një institucion “të de-politizuar”. Por, “interesante” është që, pasi ndodh rrokada e pushtetit, disa “shefa” shihen të preokupuar e të angazhuar në përpjekjet e tyre të mirë-kalkuluara për t’u lidhur me politikën dhe administratën e re qeverisëse, njerëzit me pushtet ose me influenca në ‘to. Aktualisht tendenca nuk po duket të jetë ajo “e zakonshme”, kur politika synonte shkollën (ose, më mirë, autoritetet e saj), por në sensin invers. Gjithsesi, do të ishte një fatkeqësi e re për arsimin e lartë nëse përpjekje të tilla do të rezultonin përsëri në favor të intelektualëve servilë të listave.
Kur sheh e i dëgjon këto deformime dhe dukuri negative për shkollën tonë, krahas dhe “ferrit” të korrupsionit (sipas “Transparency International” për vitin 2013, Indeksi i Perceptimit te Korrupsionit 70% e të intervistuarve e konsiderojne të korrupuar ose tejet të korruptuar sistemin arsimor në Shqipëri - “Panorama”, 19.10.2013), nuk ke si të konsiderosh se te ne ka mbaruar tranzicioni post-komunist. Nuk ke si të mos i japësh të drejtë edhe një “Kulle” të publicistikës shqiptare i cili, duke patur parasysh, besojmë, pikërisht shefa dhe autoritete që mbartin mentalitetet e dikurshme, ankohet me humor: “më mirë të na kishin lënë komunizmin, se sa na lanë komunistët”.
Në se duam vërtet progres në arsim, padyshim që, veç të tjerave, duhet të mbajmë parasysh atë që theksonte edhe këto kohë “Koalicioni global për mbrojtjen e arsimit”, se: “mbrojtja e universiteteve nga manipulimet politike është thelbësore për zhvillimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe mirë-funksionuese” (“Mapo”, 6.1.2014). Një standard ky që “sundon” i stabilizuar prej kohësh në shoqëritë e emancipuara. Ku universitetet janë të larguara nga vartësia e politikës. Janë thjesht e vetëm institucione mësimore-shkencore, ku respektohet meritokracia, profesionalizmi. Mirëpo, realitetet e shëmtuara që kanë (për)ndjekur shkollën tonë të lartë, edhe pas 23 vjet “depolitizimi” të saj tregojnë se ne jemi akoma larg institucioneve perëndimore.
Le të shpresohet që - falë dhe frymës së re që ka sjellë një brez idealistësh, pa lidhje me të kaluarën, profesionalisht të ngritur dhe që kanë marrë përgjegjësi qeverisëse - të vihen më në fund bazat e një normaliteti të qëndrueshëm edhe në këto aspekte të arsimit dhe shkollës tonë të lartë posaçërisht.