150 vjet me artin e dhomes se erret (I)

 150 vjet me artin e dhomës së errët (I)
Ky shkrim për fotografinë shqiptare, nuk mëton një trajtim thellësisht shkencor e shterues të historisë së saj, (qoftë edhe nga kufizimet e një artikulli). Në trojet shqiptare (në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Camëri) pas 1913-ës, në kushtet e pushtimit dhe shtypjes së egër jugosllave e greke, nuk pati mundësi objektive të kultivimit e zhvillimit të fotografisë nga shqiptarët, aq më pak të artit të fotografisë. Por ky konstatim nuk përjashton ekzistencën e tyre edhe në këto treva shqiptare. Mungesa e informacionit dhe e hulumtimeve në këtë fushë ka kushtëzuar edhe pasqyrimin jo tërësor në këtë panoramë të fotografisë shqiptare. Në të flitet vetëm për atë që është ekspozuar në Rep. e Shqipërisë. Lënda është grumbulluar pas kërkimeve të gjata vetjake, por edhe prej shkrimeve në shtypin shqiptar mbi këtë temë, veçanërisht të studiuesit të ndjerë, Piro Naçe. Ndërtimi i “shkallës”së vlerave është bazuar kryesisht në punimet fotografike të secilit autor. “Largësia kohore” prej vetëm 20 vitesh ndërmjet njohjes së parë zyrtare të fotografisë në botë (Francë, 1839) dhe fotos më të hershme shqiptare, flet për vjetërsinë e kësaj të fundit. Kjo, natyrisht ngjall krenari të ligjëshme edhe për nivelin europian të qytetit të Shkodrës gjatë pushtimit osman të vendit.

Gjithashtu, shënojmë se fotografia, mbahet në historinë tonë, si nga “të përkëdhelurat” e pakta, ndër veprimtaritë e ndryshme shkencore e kulturore, ngaqë i njihet me saktësi koha e hapave të parë.

Fotografia, kjo zeje artizanale, më vonë e vazhdimisht edhe art, si në gjithë botën, edhe te ne filloi si mjeshtëri për të siguruar jetesën, por disi ndryshe nga të tjerat. Kjo kërkonte shkrirjen e njohurive teknike, nivelit kulturor dhe emocioneve intelektuale gjatë procesit të krijimit. Në Shqipëri (me të dhënat e deritanishne), nuk mund të flitet për ndonjë fotograf që ka punuar vetëm për art, por gjatë veprimtarisë, arti i ishte brendazuar krijimtarisë. Duke shkruar për historinë e këtij arti, natyrisht kemi parasysh fotot më të mira, ato të cilat e mbajnë “mbërthyer” gjatë shikuesin para tyre dhe që veprojnë mbi nënvetdijen e tij edhe pas “ndarjes” me to. Thënë ndryshe, ato që shkaktojnë një farë “manjetizimi mbetës” në të. Këto gjenden në mes të qindra e mijra shkrepjeve të fotografëve të ndryshëm, amatorë e profesionistë, por të gjithë të lindur me “sy të veçantë” për të dalluar, kapur dhe shijuar të bukurën. Fotografët tanë, ashtu si kolegët e tyre në botë, shpenzojnë disa sekonda “ndjesiplota” që fillojnë nga zgjedhja e pamjes, vazhdojnë me mjetet shprehëse të këtij arti (kuadrimi, këndmarrja, fokusimi, ndriçimi etj) dhe përfundojnë me shkrepjen (izolimin e imazhit në “dhomën e errët”). Gjatë kësaj kohe, madje para epilogut, ata e kanë përfytyruar mirë atë çka do ndehnin në letrën fotografike. Edhe këto sekonda ndikojnë mjaft në kthimin e zejes së fotografit në artin e fotografisë, veçse për të arritur atë, duhen dhunti dhe mund.

Gjithsesi, Pjetër Marubi, mbetet fillnisësi i kësaj veprimtarie shoqërore, por po aq edhe artistike, që quhej dhe do të quhet fotografia shqiptare, e për këtë, ai meriton mirënjohje të veçantë e të përherëshme, sot për sot, e paqënë. Në studion e tij “Fotograf Marubbi-Shkodër” (një shtëpi e vjetër e përshtatur për fotografim, ende sot pa pllakën e duhur përkujtimore), në atë mezshekulli të largët, filluan të “kishin punë”, për herë e më shumë shkodranë të nxitur nga kureshtja karakteristike, por edhe për t’u fotografuar. Puna po i ecte mirë italianit, i cili kishte marrë edhe lejen e ushtrimit të profesionit nga autoritetet turke të qytetit. Me këtë profesion të ri e, disi të çuditëshëm, Pjetër Marubi, po siguronte jetesën larg vendlindjes, duke u përshtatur mirë e bukur, edhe me mendësinë e vendasve.

Zbritja ne jug, fotografia e parë e Zengos

Pak vite më pas e, pa ndonjë lidhje, “çupërlina” fotografi, zbret në jug dhe për çudi në një fshat, në Dardhë të Korçës. Këtu, Jani Zengo (1832-1912), nga një familje dardhare që e kish traditë ikonografinë, fillon të fotografojë. Këtë mjeshtëri ai e kishte mësuar në Greqi, ndonëse ishte edhe mësues, prift e ikonograf. Fotografia e parë e Zengos paraqet fshatin (1862), një tjetër shkollën e vajzave (1876), një e tretë, fotoportretin e tij me veshje prifti.

Ndërkohë, edhe “kolegu i panjohur” në veri, Pjetër Marubi, nuk qendronte duarkryq. Përveç fotove të njerëzve me emër të Shkodrës e krahinës, dhe ngjarjeve historike të kohës, ai nisi të dërgonte fotografi në shtypin e ilustruar evropian, edhe ky në hapat e para. Vlen të përmendim bashkëpunimin e tij me revistat “Illustration”, “La guerra d’Oriente” dhe “The Illustrated London Neës”, për të cilat ai mbulonte Vilajetin e Shkodrës, duke u bërë fotoreporteri i parë në Shqipëri. Nga “gjysh Marubi” përmendim në këtë hulli, fotografitë, “Kryengritja e Mirditës”(1876-1877) dhe “Përfaqësuesit e Shkodrës në Lidhjen e Prizrenit” (1878). Po kështu, fotografia e Hamz Kazazit, është dhe fotoportreti i parë shqiptar që njohim. Gjithashtu, Pjetër Marubi ka realizuar edhe peizazhin e parë fotografik, i cili paraqet Shkodrën (1861).

Në studion “Marubi”, rreth vitit 1885, filloi punën si çirak një djalë i ri me emrin, Kel (Mikel) Kodheli, i cili me ndihmën e pakursyer të mjeshtrit dhe falë aftësive të tij, përvetësoi shpejt zanatin e fotografimit. Më pas, fotografi-plak, e dërgoi djaloshin në një kurs specializimi për fotografi në Trieste (Itali). Kur vdiq Pjetër Marubi, e gjithë veprimtaria në atelie ra mbi “shpatullat” e Kel Kodhelit, tashmë i birësuar, të cilit bashkë me studion i mbeti dhe mbiemri Marubi. Kel Marubi (1870-1940), i dha një shtysë të madhe e të veçantë fotografisë shqiptare, jo vetëm për përjetësimin e ngjarjeve dhe figurave të shquara të krahinës, por edhe për nivelin artistik që ai ngjizte në krijimet e tij fotografike. Vlen këtu të shënojmë se fotoja e tij “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës” (1922) është përfshirë në albumin “The Photo Book” të Shtëpisë Botuese angleze “Phaidon”(me disa rishtypje, i pari më 1997) me 500 fotot më të zgjedhura të të gjitha kohëve, vlerësim i madh ky për të dhe artin e fotografisë shqiptare në përgjithësi.

Në mbyllje të shekullit XIX, po në Shkodër, gjejmë një tjetër fotograf me “peshë” në artet pamore, Kol Idromenon (1877-1939). Ai, pasi kishte studiuar në Venecie (Itali) dy vjet për pikturë, ishte kthyer përsëri në Shkodër, ku kishte hapur një atelie fotografike. Më pas e quajti atë, me një emër të bukur shqip, “Dritëshkronja e Kolës”. Shënojme se Idromeno krijonte njëkohësisht në pikturë dhe në fotografi; në të parën ai ka lënë portretin shumë të njohur “Motra Tone”. Natyrisht, piktura dhe fotografia tek Idromeno ndihmonin njera-tjetrën. Kol Idromeno, përveç piktor e fotograf, ka qënë edhe arkitekt, urbanist dhe muzikant ( pjestar i bandës së qytetit).

Vazhdojmë “udhëtimin” ndërkohor të fotografisë shqiptare, duke “zbritur” rishtas në jug, në vatrën tjetër të saj, në Korçë. Në qytet e në rrethina ushtronin veprimtarinë e tyre fotografike Kristo Shuli (ose dhe Sulidhi,1858-1938) dhe Petro Dhimitri (“Fotografi”ose “Shqiptari”-1861-1946). I pari ka fotografuar çeta luftëtarësh për liri, si dhe Mësonjtoren e Parë Shqipe e po ashtu kujtohet edhe për ndihmesën atdhetare, ndërsa i dyti, ka qënë edhe pjestar i çetave të Cerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos dhe ka lënë disa foto të dramës “Besa” të Sami Frashërit që u shfaq në Korçë më 1908. Të mënjëanëshme për vlerat dokumetare janë fotot e Petro Dhimitrit në Vlorë, me rastin e përvjetorit të parë të Pavarësisë (28.11.1913). Në harkun kohor në mes të shekujve XIX e XX, dhe sërish në fshatin Dardhë, gjejmë fotografin Pero Kaçauni (1870-1949), i cili pasi punon disa vjet në fshat e krahinë, mërgon në SHBA. Aty ai hap në Boston një studio fotografike moderne, pjesën më të madhe të punës në të cilën e përballonin shqiptarët e atjeshëm. Pero Kaçauni ka përgatitur dhe një fotograf, bashkëfshatarin e tij, Thimi Racin (1886-1966), i cili “trashëgoi” përpos mjeshtërisë, dhe aparaturat e ustait të tij. Ky fotografoi jo vetëm në fshatin e tij, Dardhë, por edhe në qendra të tjera në afërsi të tij. Po nga Dardha, “fshati i fotografisë”, është edhe Niko Stefani, i cili punoi shumë vjet si fotoreporter në ATSH, në vitet ’60-70.

Fotoportreti

Fillimshekulli XX, në Shqipëri shoqërohet dhe me daljen e disa fotografëve të tjerë, të cilët mjeshtërinë e kishin mësuar jashtë vendit. Dy prej tyre janë, Vani Burda (1875-1949) dhe Kristaq Sotiri (1883-1970), edhe këta nga Korça. I pari e mësoi fotografimin në Rumani, nga ku u kthye më 1920, vit kur hapi studion e tij në qytet. Burda përmendet ndër të tjera si krijuesi i fotopllakatit të parë në vend (1913) dhe si një nga pionierët e kolazheve fotografike, të cilat riprodhoheshin më pas në kartolina, kryesisht me përmbajtje atdhetare, shumë të përdorura nga shqiptarët brenda e jashtë vendit. Ndërsa Sotiri vinte me profesionin e ri të përvetësuar dhe ushtruar në Amerikë. Edhe ky, sapo erdhi nga jashtë, çeli atelje fotografike në Korçë rreth vitit 1922. Sotiri realizonte portete të ndryshme për nostalgji a për dokumente, por ai filloi të krijonte edhe fotoportrete njerëzish te të cilët e tërhiqte gjendja e tyre psikologjike. Në këtë lëmë, ai arriti “majën” e portetit fotografik në Shqipëri. Vlen të përmendet këtu, se disa portete të Sotirit, jo vetëm përbëjnë ajkën e këtij zhanri, por rradhiten edhe në fondin e artë të fotografisë shqiptare në përgjithësi.

Ndërkohë, përhapja e fotografisë, solli dhe rritjen e mëtejëshme të kërkesave për cilësi jo vetëm teknike, por sidomos estetike.

Nga fundi i shekullit XIX, fillojnë veprimtarinë e tyre në fushë të fotografisë edhe vëllezërit vllaho-shqiptarë, Manaki (Janaq, 1878-1960 dhe Milto, 1882-1964) nga një fshat afër Konicës (Avdela, sot në Rep. Greqisë). Ata e nisën punën në Janinë (qendra e vilajetit shqiptar me të njëjtin emër, sot Greqi), por e zhvilluan kryesisht në Manastir (edhe ky qytet qendër e vilajetit me të njëjtin emër, sot Bitola në Maqedoni). Manakit, mbahen edhe si kineastët e parë të Ballkanit. Prej tyre kanë mbetur fotografi të çmuara të personaliteteve të shquar të historisë tonë, si Fishta, Mjeda, Bajo e Cerçiz Topulli, Themistokli Gërmenji, të ngjarjeve kulmore historike si “Kongresi i Alfabetit ose i Manastirit “ (1908), “Kongresi i Dibrës” (1909), por edhe pamje të atëhershme të Dibrës, Korçës, Ersekës, Leskovikut, Pogradecit, Këlcyrës. Shënojmë se Miltoja (ky u muar më tepër me fotografinë), ka .fituar “Medalje Ari” në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë në Bukuresht (Rumani) më 1906, me fotografinë “Gruaja nga Këlcyra me foshnjën”

Në kapërcyell të shekujve XIX-XX, fotografia u duk edhe në një qytet jugor e, pikërisht në Gjirokastër. Këtu zhvilluan veprimtarinë e tyre fotografike mjeshtrat, Petro Dh. Apeletria, Thoma Gravani, Sami Dalipi të cilët kanë lënë foto me vlera dokumentare për historinë e vendit. Afërsisht kësaj kohe i përket edhe puna si fotograf e arsimtarit elbasanas, Fot Papajani (1886-1962), i cili këtë mjeshtri e mësoi nga Kel Marubi në Shkodër. Eshtë rasti të shënojmë, se te studio Marubi nxen zejen e fotografimit edhe djaloshi shkodran, Shan Pici (1904-1976). Ai e filloi punën atje si çirak e, më vonë, pasi “ja mori dorën fotografimit”, u shqua për peisazhe fotografike. Po në qytetin verior të fotografisë, Shkodër, nga mezi i shekullit të kaluar, haset Ded Jakova (1915-1973), i shquar si fotoreporter qysh para Luftë së Dytë Botërore, por edhe në disa zhanre të tjera si në peizazhin urban, në foto dokumentare dhe historike e, sidomos ne portrete njerëzish të thjeshtë e me gjendje të veçantë psikologjike.

Në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, fotografia u shtri pothuaj në të gjithë qytetet e vendit. Në këtë hulli, ata që synonin përpos anës ekonomike (kohë, materiale, qera etj.) të “harxhonin”edhe përkushtim shpirtëror dhe estetik, u shpërblyen duke u kthyer me krijimet e tyre, në “shkruesit” e Historisë së Fotografisë Shqiptare. Në saje të një farë konkurence për cilësi, fotografët shtuan kërkesat ndaj vetes për krijime sa më dinjitoze, madje të bënin edhe fotografi për qejf dhe kënaqësi vetjake. Nuk bëhet fjalë për ekspozita fotografike (nga të dhënat e deritanishme), por për dukurinë e vendosjes në vetrinat e dyqaneve (studiove) e fotove të tyre më të zgjedhura, duke bërë, si të thuash një farë “reklame malli”. Fotografëve filluan “t’u bien” në duar madje dhe revista e almanakë mbi artin e “dhomës së errët” të botuara në vende të ndryshme e të njiheshin kështu me elitën e fotografisë botërore. Kjo shtoi përpjekjet për punime sa më cilësore e, kësisoj, e më jetëgjata. Në shtypin shqiptar të kohës filluan të botoheshin regullisht materiale fotografike nga fotoreporterët e parë vendas si Jakova, Ymer Bali, Kol Maca (edhe fotograf zyrtar i Oborrit Mbretëror), Nexhdet Kosturi (specializuar në Austri për cinkografi) i cili ka mundësuar shumëfishimin e fotove, Geg Marubi etj.

Kësaj periudhe i përket dhe albumi fotografik “10 vjetë Mbretni”(1938), i përpiluar nga Teki Selenica, i pari I këtij lloji në vend. Në të paraqiten fotografi të figurave politike dhe vendeve historike, qytete, fshatra, rrugë, ura, lumenj, male, kështjella etj, thënë ndryshe e gjithë Shqipëria e asaj kohe, ishte përfshirë në të. Pjesa dërmuese e fotove janë të fotografit të shquar tiranas, Ymer Bali (1894-1972), i cili kish kryer edhe një kurs specializimi në Austri. Bali, veçohet sidomos për mjaft portrete njerëzish të zakonshëm, por të veçantë për syrin e tij artistic.


-Fjala e mbajtur në konferencën e parë kombëtare mbi artin shqiptar të fotografisë me temë “150 vjet fotografi shqiptare”

Nga Qerim Vrioni : Gazeta Tema

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama