980 telenovela divorci ne Tirane

 980 'telenovela' divorci ne Tirane
Ndikimi i telenovelave në familjen shqiptare duket se radhitet si një ndër shkaqet e divorceve në vendin tonë. U habitëm kur prekëm këtë konstatim në zyrat ku bëhen ndarjet në gjykatën e Tiranës, por ja që është e vërtetë. Këto shifra të larta që raportohen herë pas herë për divorc, në shumë raste të duket sikur është kthyer në modë, të ndahesh, të ribësh një jetë prej beqari dhe të rimartohesh sërish. Shifrat që na vijnë nga organi gjykues i kryeqytetit tashmë nuk na habisin më, sepse vit pas viti numri është në rritje.

Por, vlen të bëhet një panoramë se çfarë ndodh në zyrat e gjyqtarëve për çështjet civile e familjare dhe për të kuptuar më shumë me anë të psikologëve se përse ndahen çiftet sot. Gjyqtarja që kalonë çdo ditë çështje familjare në dorë ( për arsye etike nuk u publikohet emri) pohonë për “Shekulli-n” se: “Divorcet ndodhin për disa arsye: E para sepse u përfundon dashuria për njëritjetrin, e dyta sepse e tradhtojnë njeritjetrin, e treta sepse nuk janë dashur kurrë, por kanë jetuar në gënjeshtër, e katërta sepse gjejnë dikë tjetër që i përmbush shpirtërisht, e pesta sepse njeri nga partnerët shkel marrëveshjen dhe dëmton familjen (pi, luan bixhoz etj). Dhe tjetra sepse është bërë si modë që duhet ndonjë divorc në jetë. Shikojnë telenovela.

U duket jeta si nëpër filma. Ka shumë çifte të sotëm që duke parë telenovela kanë nisur të bëjnë një jetë të shthurur për normat ekzistuese...për të qenë më të qartë ka raste që gratëshoqe ndryshojnë burrat për eksperiencë apo e kundërta, nuk janë shumë, por ka”- përfundon gjyqtarja.

Raporti

“Përjetë bashkë në të mirë e të keq”. Të gjithë e pohojnë para zyrës së gjendjes civile ose në institucione fetare, por... vjen një ditë që nuk është kaq e lehtë sa thuhet. Në 5 muajt e fundit, vetëm në Gjykatën e Tiranës ka pasur 980 çifte të ndarë, që i bie që gjykata për çdo ditë pune ka ndarë 6 deri në 7 çifte kryeqytetase. Dhe paditë civile me objekt “zgjidhje martese” që vijnë e regjistrohen pranë sekretarisë së organit gjykues bëhen gjithmonë më të shumta. Ata që ngrenë padinë në më të shumtën e rasteve janë meshkuj, por vitet e fundit është shtuar ndjeshëm edhe numri i femrave. Po t’i hedhësh një sy “letrave”, të gjitha fillojnë me: “Janë lidhur me njohjen dhe pëlqimin e tyre reciprok, pasi kanë kaluar x vite martesë në çift kanë filluar grindjen dhe mosmarrëveshjet...”. Nuk divorcohen vetëm ata që kanë pak vite martesë, por edhe ata që kanë mbi 20 vjet. Martesa duket se po bëhet përherë e më shumë një marrëdhënie delikate.

Në kohën moderne të gjithë sociologët e martesës flasin për ndërtimin e marrëdhënieve të ekuilibruara midis çiftit, i cili për të mirëmbajtur martesën apo për ta miratuar atë duhet të ndërrojë relacione xhonglerësh për të shmangur kërcitjet, konfliktet dhe thyerjen e saj përmes divorcit. Tregon emancipim apo shkatërrim? Sociologë shqiptarë të pyetur nga “Shekulli” lidhur me këto shifra janë thuajse në një mendje: Loja me divorcet është bërë shumë e rrezikshme, tejet shqetësuese me pasoja të rënda sociale, ekonomike, edukative dhe me ndikim dezintegrues dhe dobësues në kohezionin social të vendit.

Por kjo rritje tregon emancipim apo përkundrazi, shkatërrim?

“Unë besoj se do të ishte naivitet nëse këto shifra alarmante dhe të papërgjegjshme të divorcit do t’i konsideronim si tregues të emancipimit të martesës në Shqipëri apo ndryshimeve progresive që ka pësuar tipologjia e martesës. Dimensionet e divorcit që vitet e fundit në Shqipëri janë më shumë se 6 mijë në vit e kanë bërë atë “kazmë” që po shkatërron martesën dhe në një farë mënyre edhe strukturën relativisht të qëndrueshme të familjes shqiptare, e cila pa asnjë mëdyshje duhet konsideruar në vetvete si një tregues pozitiv 'sui generis' i shoqërisë shqiptare, - thotë sociologu i njohur Gëzim Tushi.

Përse po divorcohemi kaq shumë?

Analiza e shkaqeve të divorceve janë të shumta. Ato fillojnë nga ato morale dhe shpirtërore e deri tek problemet ekonomike e sociale. Nuk ka shkaqe deterministe që ndikojnë tek divorci, por megjithatë me sa duket problemet e komunikimit bashkëshortor, dyshimet për çështjet e besnikërisë bashkëshortore dhe perceptimi nganjëherë primitiv i determinantëve fizikë dhe seksualë të martesës, problemet e keqadministrimit të vetes dhe bashkëshortit, ndikimet helmuese të familjeve të origjinës, etj janë shkaqet që ndeshen më shpesh në sallat e gjyqit dhe që bëhen determinante të pashmangshëm për divorcin.

 Opinion

1. Martesa nuk është ilaçi që shëron vetminë

Martesa është një lidhje me shumë qëllime dhe funksione. Është institucion me rëndësi i jetës private, por dhe institucion themelor i organizimit të jetës sociale. Martesa nuk është institucion vetëm i seksualitetit, sepse me sa duket kjo është gjëja që po i ngatërron më shumë të rinjtë e sotëm të cilët nisen në martesë me idenë se atje do të gjejnë vetëm një parajsë seksuale dhe që pastaj pësojnë zhgënjime nga që pritshmëritë e tyre nuk përputhen me realitetin. Padyshim, njerëzit nuk martohen as thjesht për të mos mbetur vetëm, sepse martesa nuk është ilaçi që shëron vetminë. Njerëzit martohen për një tërësi shkaqesh dhe qëllimesh që kanë të bëjnë me vazhdimësinë, trashëgiminë, kënaqësinë e lidhjes intime, nevojën e krijimit të aleancës mbështetëse dhe krijimit të familjes që është vendi më i shenjtë i tokës. Askush nga ata që i ka bërë “bisht” martesës është e pamundur që të mos jenë penduar kur ka ardhur koha e bilancit përfundimtar të jetës.

Liberalizimi i seksualitetit dhe mundësitë e sigurimit të relacionit seksual jashtë apo pavarësisht nga martesa është një iluzion që e kanë të rinjtë, të cilët kur kalojnë moshën e kuptojnë gabimin e pakthyeshëm që kanë bërë. Martesa ka dialektikën e vet të socialitetit dhe seksualitetit, sepse ai është institucioni i bashkëjetesës, mbështetjes reciproke, solidaritetit dhe humanizmit midis atyre që lidhin martesën dhe që e çojnë atë deri në fund. Sa më e vjetër bëhet martesa aq më shumë lumturi ndjen njeriu kur bën bilancin e produkteve të saj. Mesa duket martesa paska nevojë për “periudha kalimi” dhe testim e verifikim të anëve që duhen dhe që garantojnë martesën.

2. "Nuk ka shumë vend për tu çuditur"

Psikologia Jorida Rustemi shpjegon shkaqet e divorcit dhe si përballohet kjo situatë në shoqëri

Jorida, në këtë 5-mujor në Gjykatën e Tiranës kanë shkuar 980 kërkesa për zgjidhje martese. Sipas jush, si është kjo shifër? E konsiderueshme, sikurse dhe numri i kërkesave të përfunduara në divorce gjatë viteve të fundit. Nuk ka shumë vend për t’u çuditur. Njerëzit janë ndërgjegjësuar mbi faktin se kanë alternativën për të zgjedhur llojin e jetës që duan të jetojnë, që do t’u japë shansin të arrijnë qetësinë mendore dhe plotësimin emocional për të cilin kanë nevojë.

Divorci është i vështirë edhe për ata që e dëshirojnë më shumë dhe që i kanë mundësitë për të bërë një jetë sa më të pavarur nga partneri edhe pas martese, por ai është zgjidhja e vështirë, e menduar gjatë dhe e parë si e vetmja alternativë për të dalë nga marrëdhëniet e pashëndetshme që duket se nuk kanë gjasa të shërohen. Ka nga ata që duket se rrinë bashkë pasi gjykojnë veten mbi pasojat e sjelljes së tyre dhe mbi gjykimet që do të japin të tjerët për ta, ndonëse e dinë se marrëdhënia ka marrë fund dhe se ato gjykime janë kostoja më e vogël me të cilën do të përballeshin. Por, ka të tjerë që pavarësisht gjithçkaje, zgjedhin të ruajnë kontaktin me veten, e të shkaktojnë sa më pak dëme tek të tjerët përmes një fundi me hidhësi më manaxhueshme. Nga eksperienca juaj, pse çiftet arrijnë deri në këtë pikë, në zgjidhjen e martesës së tyre?

Arsyet janë sa të shumta aq edhe të ndryshme nga rasti në rast. Përvoja dhe literatura bashkëkohore shkencore i sheh ato si të lidhura me pamundësinë për ta mbajtur tjetrin pranë, me kundërshtitë në mënyrën e të parit dhe të përjetuarit të së përditshmes, si dhe me nevojën për t’i ofruar vetes një mundësi për të jetuar pa problemet që shkakton marrëdhënia aktuale. Nëse merren në konsideratë gjithë krimet brenda familjes që kanë shënjuar edhe aktualitetin, është e lehtë të kuptohet që në disa raste edhe qëndrimi në të njëjtin mjedis për disa çifte është i pamundur, e se ata që vuajnë pasojat deri edhe me jetë janë fëmijët. Nëse njëri nga bashkëshortët, apo edhe të dy, jeton me frikën e abuzimit, shqetësohet në vijimësi për problemet e martesës dhe nuk sheh a shijon dot gëzimet, ndjehet se është duke ecur gjatë gjithë kohës në fushë të minuar, neglizhon dhe izolon veten nga miqtë dhe familjarët, ndjehet i shtrënguar të lërë mënjanë objektivat që i ka vënë vetes, dhe nëse e kap veten duke e pyetur veten se pse është ende në këtë marrëdhënie, atëherë me siguri mund të thuhet të ai apo ajo i kanë hyrë një rruge pa krye, gjatë së cilës zor se do të ketë të fituar. E në këto raste, zgjidhja më e mirë, jo aq për të keq të shoqërisë, do të ishte divorci.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama