Ministri i Financave, Shkëlqim Cani sqaroi ditën e sotme marrëveshjen që Shqipëria ka arritur me FMN-në, për lëvrimin e kredisë prej 330 mln eurosh për qeverinë shqiptare. Pasi e cilësoi marrëveshjen si të suksesshme, Cani theksoi se marrja e kësaj kredie është e domosdoshme për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare.
Gjithashtu, sipas ministrit të Financave, kredia e FMN-së do të bëjë të mundur edhe uljen e borxhit të lartë që Shqipëria ka. “FMN-ja aprovoi marrëveshjen për të mbështetur qeverinë shqiptare me një shumë prej 330.9 milionë eurosh.
Kjo është një kredi me terma të butë, më e madhja që i është akorduar ndonjëherë Shqipërisë për mbështetje buxhetore”, tha Cani. Ai sqaroi se kredia vjen në një periudhë mjaft të rëndësishme për përcaktimin e rrugës drejt konsolidimit të financave publike shqiptare dhe të ekonomisë.
“Me këtë marrëveshje, qeveria shqiptare garanton bizneset për shlyerjen e faturave të prapambetura, proces i cili do të nisë shumë shpejt, sidomos pas ratifikimit nga Kuvendi i Shqipërisë. Marrëveshja me FMN-në është marrëveshje për të mbështetur rimëkëmbjen e ekonomisë dhe për mbështetje të programit të qeverisë shqiptare.
Programi me FMN-në synon uljen e borxhit publik në një nivele të përshtatshëm për ekonominë shqiptare, por pa rrezikuar rritjen ekonomike, në mbështetje të zhvillimit të ekonomisë dhe të rritjes së saj”, shtoi tha Cani. Sipas tij, marrëveshja hap rrugën për grante të tjera nga Banka Botërore edhe Bashkimi Europian.